Lajme Shqip Friday, 20 April 2012 10:40

Trajneri i Atletik Bilbao, Marcelo Bielsa, ka deklaruar se zëvendësimi i Ander Herrera gjatë ndeshjes me Sporting Lisbonën ishte një gabim që i kushtoi fitoren në këtë sfidë skuadrës që ai drejton. Trajneri argjentinas vendosi të largonte mesfushorin, për të futur mbrojtësin San Hoze, kur kishin mbetur edhe 17 minuta lojë, ndërsa ekipi i tij kryesonte 1-0 në transfertë falë golit të Aurtenetse.

“Skuadra vuajti në mungesë të Herrerës. Mendova se do të fitonim më shumë topa ndërsa ata po sulmonin, pas ata thjesht po dilnin para me të gjithë lojtarët në atë periudhë të ndeshjes”, tha ish-trajneri i Kilit, që pa se si ekipi i tij pësoi gol nga Insua vetëm 60 sekonda pas zëvendësimit të kryer dhe më pas humbi ndeshjen falë golit të Kapel.

“Sigurisht që duhet të fitojmë ndeshjen në shtëpi tani, por ky nuk duhet të cilësohet si një objektiv i paarritshëm. Nënvlerësim? Të thuash se Atletik Bilbao nënvlerësoi kundërshtarin në këtë sfidë është një konkluzion aspak realist për ata që e kanë parë ndeshjen”, ishin fjalët e trajnerit argjentinas. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 20 April 2012 08:02

Atletiko Madrid dhe Sporting Lisbona kanë siguruar një avantazh minimal në rrugën drejt finales së Europa League pasi kanë fituar ndeshjet respektivisht ndaj Valencias dhe Atletik Bilbaos në takimet e para gjysmëfinale të këtij turneu. 

Atletiko Madrid dominoi të gjithë ndeshjen kundër Valencias, por pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1 pas golave të Falkaos dhe Xhonas, ndonëse vendasit meritonin më shumë. Por madrilenët treguan forcën e tyre të vërtetë duke dhuruar spektakël në 45 minutat e dyta. Brenda pak minutash, Atletiko shënoi me anë të Miranda dhe Adrian, ndërsa në minutën e 77-të ishte Falkao që shënoi golin e katërt për skuadrën e tij me një aksion individual spektakolar. Në këtë moment edhe kualifikimi dukej mëse i siguruar, por një gol në minutën e 94-t të ndeshjes nga Rikardo Kosta, çoi rezultatin në 4-2 dhe vuri në dyshim rezultatin përfundimtar të kësaj sfide, pasi Valencia i ka mundësitë që të fitojë me dy gola diferencën në fushën e saj në ndeshjen e kthimit.

Në ndeshjen e Lisbonës, mes Sporting dhe Atletik Bilbao, ekipi portugez ka marrë një avantazh të lehtë falë fitores 2-1, por spanjollët kanë treguar se vazhdojnë të jenë ata pretendentë për të shkuar në finale. Në fakt ishte ekipi i Bielsas që kaloi i pari në avantazh me anë të Aurtenetse, por më pas dy gola të Insua dhe Kapel në minutat e fundit të ndeshjes, përmbysën rezultatin në favor të Sporting. (LajmeShqip.com)