Lajme Shqip Friday, 27 January 2012 22:37

Një regjistrim i mesfushorit Ksavi pas ndeshjes Barcelona-Real Madrid ka shkaktuar polemika të reja në raportet mes palëve. Futbollisti katalanas nuk ka kursyer kritikat ndaj madrilenëve, duke menduar se këto regjistrime para një interviste të tij nuk do të publikoheshin, por në fakt ata janë shpërndarë thuajse në të gjitha mediat spanjolle. 

Duke u bërë gati për një intervistë zyrtare për Barca TV, Ksavi ka qenë duke bashkëbiseduar lirshëm me drejtuesit e emisionit rreth takimit dhe nuk ka ngurruar të komentojë mënyrën se si janë sjellë madrilenët pas ndeshjes. “Ata janë të pabesueshëm… nuk dinë të humbasin”, ishte komenti i tij.

“A u nxehën ndopak? Po, po, po. Këtu në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes vazhdonin ende… aaaaaaaaaa”, ishte komenti i tij i shoqëruar me gjeste që linin të kuptonin nervozizmin e madrilenëve.

Mes të tjerave, duke parë pamjet e takimit, Ksavi nuk kursehet as ndaj Diarra dhe gjyqtarit të ndeshjes që nuk e ndëshkoi atë me kartonin e dytë të verdhë kur bëri faull ndaj Mesit. “Kjo shihet mëse qartë. Shihet që nuk dëshiron ta ndëshkojë (i referohet gjyqtarit). Jepi kartonin e dytë të verdhë. Nuk është faji jot, faji është i lojtarit që bën ndërhyrje si kafshë”, ishte komenti i mesfushorit

Fjalët e Ksavit kanë sjellë edhe reagimin e zëvendëstrajnerit të Real Madrid, Aitor Karanka, i cili është paraqitur në sallën e konferencave për shtyp të madrilenëve në vend të Zhoze Murinjos.

“Sigurisht që Reali i Madridit di si ta pranojë humbjen, por jo kur ajo vjen në këtë mënyrë”, ishte komenti lakonik i Karankas, i cili ka zgjedhur t’i lërë Murinjos fjalët e duhura për të bërë debat, kur ky i fundit të vendosë të riparaqitet në sallën e konferencave. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 27 January 2012 14:53

Zëdhënësi i Zhoze Murinjos, Eladio Parames, nëpërmjet adresës së tij në Twitter ka konfirmuar se tekniku portugez ka dialoguar me gjyqtarët pas përfundimit të takimit Barcelona-Real Madrid në parkingun e stadiumit.

Ai ka mbështetur versionin e dhënë nga gazeta “Mundo Deportivo”, ndërsa ka shtuar se ato nuk ishin fjalët e vetme që ka thënë Murinjo.

“Artist, ia fute atyre që punojnë. Nuk i respekton profesionistët seriozë. Tani po shkon të pish një puro dhe të qeshësh, i paftyrë!”, janë fjalët që ka thënë Murinjo, sipas versionit të Parames.

Ky i fundit nuk ka ngurruar të sulmojë hapur Barcelonën dhe gjyqtarët e ndeshjes që favorizuan katalanasit. “E them prej shumë kohësh: Nëse Barça luan më mirë se kundërshtarët, fiton. Nëse kundërshtari luan më mirë se Barça, atëherë gjyqtari e bën të fitojë”.

Në fund, nuk ka munguar një polemikë edhe ndaj Dani Alvesh i cili i kishte cilësuar humbës të gjithë ata që ankoheshin pas ndeshjeve. “Çfarë diference ka që nga momenti kur ka ardhur në Spanjë! Ia kanë operuar veshët, ia kanë bërë më të vegjël. Përdor syze intelektualësh… Por një gomar me veshë të zvogëluar dhe me syze nuk bëhet doktor, gomar mbetet përsëri”, ishte komenti i zëdhënësit të Murinjos, duke shërbyer që të ringjallë polemikat mes Realit dhe Barçës.

Nga ana e tij, trajneri ka preferuar që të mos dalë në konferencë për shtyp, duke ia deleguar këtë të drejtë zëvendësit Karanka. Sipas mediave spanjolle, Murinjos nuk i ka shërbyer as surpriza që i kanë bërë lojtarë duke i sjellë një tortë për datëlindjen e tij të 49-të gjatë stërvitjes, pasi ai vazhdon të jetë i inatosur për eliminimin nga Kupa e Mbretit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 26 January 2012 18:58

Zhoze Murinjo bën një tjetër nga “mrekullitë” e tij duke u bërë temë bisede. Gazeta spanjolle “Mundo Deportivo” ka zbuluar se pas ndeshjes kundër Barcelonës, Murinjo ka pritur në parkingun e stadiumit derisa është përballur me gjyqtarin e kësaj sfide.

Në një foto të marrë në ato çaste, shfaqet Murinjo i mbështetur te një nga makinat e gjyqtarëve, ndërsa sipas burimeve të kësaj gazete, ai ka qëndruar aty për rreth 1 orë derisa kanë dalë gjyqtarët.

Ndërsa gjyqtari kryesor i ndeshjes, Fernando Teikseira po futej në makinë, Murinjo nuk ka ngurruar ta kritikojë atë, ndonëse në sallën e konferencave disa minuta më parë kishte thënë se nuk do të komentonte gjykimin ndeshjes.

“Zhduku artist! A të pëlqeu t’ia fusje profesionistëve!”, ishte thirrja e Murinjos në adresë të gjyqtarit ndërsa ky po futej në makinë dhe nuk ka reaguar ndaj provokimit të trajnerit portugez të Realit. Ky i fundit është larguar më pas duke sharë ndër dhëmb gjyqtarët, i ndjekur me kuriozitet nga të pranishmit në parkingun e stadiumit katalanas. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 26 January 2012 15:15

Mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alvesh, ka qenë vendimtar në sfidën kundër Realit të Madridit duke shënuar golin e dytë për ekipin e tij, një gjuajtje perfekte që nuk i la kohë reagimi portierit Kazijas.

Megjithatë, futbollisti e pranoi se kjo ndeshje kishte qenë më e vështirë se mendohej. “Ky version i Real Madrid është ai që na krijon më shumë probleme, pasi ata krijojnë shumë presion. Ata ishin fenomenalë, mbylleshin shumë mirë dhe e bënë të vështirë për ne që t’i sulmonim. Megjithatë, ne e dinim që kjo sfidë do të përcaktohej nga dy ndeshjet bashkë, jo nga një”, deklaroi braziliani.

Ai nuk ka kursyer më pas ironinë rreth mënyrës se si madrilenët i përjetojnë eliminimet përballë Barcelonës.

“Kur eliminohesh nuk është se bëhesh më i fortë, gjithsesi çdokush është i lirë të mendojë gjërat si i dëshiron. Ankesat janë për humbësit! Ndryshimi mes dy skuadrave? Kur del topi jashtë ne ia kthejmë kundërshtarit, ata nuk e bëjnë një gjë të tillë”, u shpreh Dani Alvesh duke aluduar për mungesën e fair-play të madrilenëve në këtë sfidë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 26 January 2012 11:26

Në përfundimin e ndeshjes Barcelona-Real Madrid, thuajse të gjithë lojtarët e Realit të Madridi kanë vrapuar drejt gjyqtarit të takimit duke kundërshtuar gjykimin e tij. Më i nxehuri nga të gjithë ka qenë portieri Iker Kazijas, i cili nuk ka kursyer edhe ironinë.

“Shko e festo me futbollistët e Barcelonës”, ishte fraza që kamerat televizive kapën në ato momente dhe që portieri e pranoi më vonë kur foli me gazetarët.

“Po është e vërtetë që ia thashë, por janë gjëra që ndodhin në nxehtësi e sipër. Them që meritonim më shumë se sa kemi marrë nga kjo ndeshje”, ishte komenti i kapitenit të madrilenëve.

Ndërkohë, Zhoze Murinjo, nuk ka ngurruar të lëshojë një nga batutat e tij të zakonshme gjatë konferencës për shtyp. “Kam dëgjuar në dhomat e zhveshjes se lojtarët thonë që këtu është e pamundur të fitohet për arsye josportive. Unë e kam përjetuar këtë edhe më parë se kam luajtur këtu me Çelsin e Interin”, ishte komenti i Murinjos, duke lënë të nënkuptohet se edhe ai ishte i pakënaqur me arbitrimin e kësaj ndeshje. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 26 January 2012 00:17

“El Clasico” i buzëqesh përsëri Barcelonës, ndonëse këtë radhë katalanasit nuk kanë qenë dominues dhe i ka mjaftuar një barazim me fat 2-2 përballë Realit të Madridit për të kaluar në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit. 

Kanë qenë madrilenët që kanë regjistruar raste të njëpasnjëshme para portës kundërshtare në minutat e para duke vënë në vështirësi Pinto me anë të Higuain e Ronaldo. Skuadra e Murinjos dominon edhe me lojë, ndërsa godet edhe traversën me anë të Ozil. Por ndërsa madrilenët dukeshin shumë pranë golit, janë katalanasit që shënojnë në rastin e parë që i shfaqet. Mesi dhuron një tjetër nga pasimet e tij të pagabueshme, duke gjetur në zonë Pedron, i cili nuk gabon dhe kalon në avantazh skuadrën e tij në minutën e 43-të. Në minutën e 3-të të shtesës së pjesës së parë, Reali merr edhe goditjen e dytë, kur Dani Alves shënon me një diagonale të pakapshme nga jashtë zonës.

Me kthimin e skuadrave në fushë është Barcelona që tashmë luan më qetë dhe mundohet që të shtyjë minutat e mbetura. Por Murinjo gjen zëvendësimin e duhur, duke larguar Higuain e aktivizuar Benzema. Reali ngjallet dhe brenda pak minutash gjen dy herë rrugën e rrjetës, fillimisht me Kristiano Ronaldo, e pastaj me Benzema, kur kanë mbetur edhe 20 minuta deri në përfundimin e takimit.

Por 20 minutat e mbetura kthehen në të zakonshmen luftë nervash ku palët nuk kursejnë goditje të palejuara ndaj njëra-tjetrës, të cilat sjellin edhe largimin me karton të kuq të Serxho Ramos. Edhe pse në inferioritet numerik, Reali provon në të gjitha mënyrat të gjejë golin e fitores, po në fund është Barcelona që buzëqesh me këtë barazim 2-2.

Si zakonisht, kjo ndeshje do të shoqërohet nga polemika të shumta në ditët në vazhdim, pasi të dy palët kanë çfarë të thonë për gjyqtarin Tekseira. Madrilenët pretendojnë për dy 11-metërsha të padhënë, ndërsa katalanasve u është mohuar një 11-metërsh si dhe pretendojnë se Diarra duhej ndëshkuar me karton të kuq që në fundin e pjesës së parë. (LajmeShqip.com)