Lajme Shqip Monday, 23 April 2012 08:40

Një çështje “spiunazhi” ka shpërthyer brenda skuadrës së Barcelonës, siç raportojnë vetë mediat sportive katalanase. Sipas tyre, Pep Guardiola ka filluar një hetim të brendshëm në skuadër për të mësuar se kush është futbollisti apo pjesëtari i stafit që komunikon pa leje me mediat e ndryshme.

Shkak është bërë formacioni i ndeshjes së “El Clasico”, ku që në orët e drekës të së shtunës, emisioni i njohur sportiv “Punto Pelota” dha më saktësi që Tiago dhe Tejo do të ishin titullarë kundër Real Madrid, ndërsa Pike e Fabregas do të uleshin në stolin e rezervave.

Këtë informacion nuk e dinte askush tjetër përveç lojtarëve të ekipit dhe stafit teknik, pasi rreshtimi ishte provuar vetëm të shtunën paradite në fushën e “Kamp Nou” pa praninë e mediave. Fakti që taktika e Barcelonës u mësua menjëherë nga mediat, ka inatosur trajnerin e katalanasve, i cili gjithmonë ka qenë i mendimit se skuadra është si një familje.

Për më tepër, Guardiola duhet të mendojë si të zgjidhë edhe çështjen e Pike, me të cilin duket se ka prishur çdo marrëdhënie. Lojtari do të dalë sot në konferencë për shtyp për të folur për ndeshjen me Çelsin dhe “zyrtarisht” pritet të deklarojë se nuk ka asnjë problem mes tyre.

Por burime të “Mundo Deportivo” bëjnë të ditur se sido që të shkojnë gjërat, rrugët e Guardiolës dhe mbrojtësit do të ndahen vitin e ardhshëm. Nëse Guardiola qëndron te Barcelona, lojtari do të shitet, ndonëse ai shihej si zëvendësuesi më i mundshëm i Pujol në të ardhmen. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 22 April 2012 12:59

Pep Guardiola ka qenë i pari që ka uruar Real Madrid për fitoren dhe titullin kampion menjëherë pas përfundimit të takimit mes dy skuadrave në “Kamp Nou”, ndonëse madrilenët nuk e kanë siguruar atë ende matematikisht.

“Dua të përgëzoj Real Madrid për fitoren dhe për titullin kampion në Spanjë. Kemi luajtur mirë, por kemi humbur shumë herë topin. Bëmë maksimumin për të fituar, por normalisht që përballë Realit që është skuadër fizikisht e fortë kemi vuajtur. Mos harrojmë që ky ekip vjen pas katër vitesh pa pushime, ndërsa duhet të vlerësomë edhe kundërshtarët që kishim përballë”.

“Ne nuk ishim inferiorë ndaj Realit, nuk kam se për çfarë ta kritikoj skuadrën në këtë ndeshje. Më vjen shumë keq për njerëzit, por të gjithë duhet të jenë të sigurt se kemi bërë maksimumin. Tejo dhe Tiago titullarë? Paguhem për të marrë vendim dhe këto ishin vendimet që mora. Ndoshta mund të jem gabuar me Fabregas”.

Guardiola u përpoq gjithashtu të shuante çdo lloj polemike për mosaktivizimin e Zherard Pike, i cili ndoqi ndeshjen nga stoli i rezervave, ashtu si kundër Çelsit pak ditë më parë dhe përflitet se tashmë është pranë largimit nga katalanasit.

“Më duhet të mendoj për 11 lojtarë në fushë. Nëse Zherard do të luante, do të më pyetnit pse nuk luan Maskerano apo Pujol. Mendova se ky ishte formacioni më i mirë për këtë ndeshje. Edhe Mesi luajti në pozicionin e tij të zakonshëm, duke menduar se krijoheshin hapësira për të depërtuar për Ksavin dhe Iniestën. Tani nuk kam nevojë që të flas me lojtarët pasi ata janë të trishtuar për këtë humbje. Por besoj se nga nesër do ta marrin veten, siç kanë bërë edhe më parë në situata të tilla, pasi kemi një tjetër sfidë të vështirë të martën kundër Çelsit”, përfundoi trajneri i katalanasve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 22 April 2012 10:28

Kristiano Ronaldo më në fund ka thyer tabunë për të mundur Barcelonën në fushën e këtyre të fundit e për më tepër për të lënë plotësisht në hije rivalin e tij të madh, Lionel Mesin.

Megjithatë, portugezi nuk mendon për arritjet personale, por për ato të ekipit që po shkon më i qetë drejt suksesit në kampionatin spanjoll.

“Ky ishte një gol i rëndësishëm, por më e rëndësishme ishte fitorja e ekipit. Kanë mbetur edhe katër ndeshje, por shtatë pikët diferencë na lejojnë të jemi në një situatë më komode”.

“Unë jam shumë i lumtur, pasi në tre ndeshjet e fundit në këtë fushë kam arritur të gjej rrugën e rrjetës, por më i rëndësishëm është ekipi dhe për këtë arsye dua të përgëzoj të gjithë shokët e mi të skuadrës”, ishin fjalët e tij.

Më pas, diskutimi ka kaluar te gjysmëfinalja e Ligës së Kampioneve, një tjetër turne që mund të fitohet nga madrilenët, të cilët duhet të përmbysin disavantazhin 2-1 të sfidës së parë kundër Bajern Mynih.

“Jemi shumë të lumtur për fitoren në “Kamp Nou” dhe që thyem rekordin historik të golave. Por tani duhet që të vazhdojmë kundër Bajern Mynih. Do të luajmë para tifozerisë tonë dhe mendoj se mund të arrijmë një rezultat shumë të mirë të mërkurën”.

“Të gjithë bashkë do të synomë të kalojmë në finale dhe shpresoj që të kemi përkrah tifozerinë që nga minuta e parë, deri në të fundit. Nëse kalojmë, do të jetë për meritën e të gjithëve”, tha lojtari që shënoi golin e tij të 42-të në kampionatin spanjoll në këtë sezon. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 22 April 2012 08:20

Real Madrid ka thyer tabunë duke fituar 2-1 në fushën e Barcelonës, për të mbyllur praktikisht diskutimin për titullin kampion në Spanjë. Madrilenët janë treguar më të duruar dhe kanë qenë cinikë duke goditur me çdo rast që i është shfaqur, përballë Barcelonës që ka kontrolluar lojën, por këtë radhë nuk ka arritur të krijojë raste për të shënuar, deke dhënë sinjale te një rënie të ndjeshme forme dhe lodhje fizike. 

Reali ka kaluar në avantazh që në minutën e 17-të të ndeshjes me anë të Sami Kedira, i aftë të shfrytëzojë kontrollin e gabua të topit nga Valdes dhe pasigurinë e Pujol gjatë zhvillimit të një goditje nga këndi. Më pas është Barça që kontrollon lojën, por e ka shumë të vështirë të çajë në prapavijën e ngjeshur të madrilenëve. I riu Tejo, titullar surprizë në radhët e skuadrës së Guardiolës, është i vetmi që shfaqet më me vazhdimësi në krahun e majtë të sulmit, por mungesa e eksperiencës në ndeshje të nivelit kaq të lartë bën që ai të humbë disa raste të mira për të vënë në vështirësi Kazijas.

Por në pjesën e dytë, në minutën e 70-të, Barça gjen golin e barazimit falë ngulmimit të Aleksis Sançez, i sapofutur në fushën e lojës. Të pranishmit në stadium tani shpresojnë të një përmbysje tjetër dhe nxitin skuadrën të sulmojë, por Reali shfrytëzon euforinë ofensive të skuadrës vendase për të goditur në kundërsulm vetëm 3 minuta më vonë. Ozil nxjerr të lirë Kristiano Ronaldon, që nuk gabon duke kaluar Valdes dhe duke i dhënë një triumf të jashtëzakonshëm Realit, si për prestigj, ashtu edhe për luftën për titull.

Rezultati 2-1 në favor të madrilenëve nuk ndryshon deri në vërshëllimën përfundimtare dhe ata festojnë një sukses që duket se i jep përfundimisht titullin kampion në Spanjë, pasi 7 pikët që kanë diferencë me Barçën tashmë janë të parikuperueshme për katalanasit në katër ndeshje të mbetura. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 21 April 2012 08:40

Vitor Baia, ish-portieri i Barcelonës, njeh shumë mirë edhe Zhoze Murinjon, pasi nën drejtimin e tij ka fituar Ligën e Kampioneve me skuadrën e Portos. Duke folur për “El Clasico” që zhvillohet sonte, Baia është i sigurt se po të mos ishte për Pep Guardiolën, provokimet mes dy skuadrave do të ktheheshin në diçka shumë serioze.

“Nëse do të ishte një Murinjo tjetër i ulur në pankinën e Barçës, do të kishte luftë civile mes Katalonjës dhe Madridit. Në futboll gjithçka është shumë e fryrë me përmasa të mëdha dhe duhet vepruar me kujdes kundrejt mesazheve të dhunës”, tha ai, duke kujtuar përplasjet e vazhdueshme mes dy skuadrave.

“Murinjo thotë atë që mendon, i beson deri në vdekje lojtarëve të tij dhe bën një menaxhim shumë të mirë në dhomat e zhveshjeve. Ka qenë shumë i zgjuar dhe i vëmendshëm në fillimet e tij si trajner i dytë. Ai ka mësuar shumë gjëra si zëvendës i Bobi Robson, por sidomos me Luis Van Gal”, tregoi Vitor Baia për bashkëkombësin e tij.

Nuk mund të mungonte vlerësimi për Pep Guardiolën, i cili që tani renditet mes teknikëve më të mirë në botë. “Pep është shumë inteligjent, nuk i jep përgjigje askujt, vazhdon me filozofinë e tij, vetëm me qëllimin që Barça të fitojë”, ka treguar Vitor Baia. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 20 April 2012 20:56

Pep Guardiola është i qartë në fjalët e tij: Barcelona duhet të fitojë”El Clasico”ose të duartrokasë Real Madrid si ekipin e ri kampion në Spanjë.

“Kampionati është në dorën e Realit. Objektivi ynë është të fitojmë për të zgjatur kampionatin. Nëse fitojnë apo barazojnë, e kanë marrë titullin. Neve na intereson vetëm të fitojmë dhe këtë jemi të përgatitur ta synojmë. Nuk është se kemi gabuar ne në këtë sezon, por ata kanë bërë një sezon të shkëlqyer. Pak kohë më parë shihej si e pamendueshme që të vinim në këtë ndeshje në këtë situatë, ndërsa kemi mundësi të mirëfillta për të synuar titullin”, pranoi ai.

“Sido që të shkojë, unë jam i kënaqur, njerëzit nuk kanë çfarë të na kritikojnë pasi kemi bërë gjithçka mirë. Ne kemi fituar gjithsesi dhe njerëzit do të jenë krenar për ne sepse kemi luajtur mirë. Por sot vlen vetëm të fitosh. Nëse ia arrijmë, vazhdojmë punën, nëse jo, do të përgëzojmë Realin apo Çelsin të martën”.

I ngacmuar nga gazetarët mbi “mikun” e tij Murinjo, Guardiola është munduar të evitojë çdo përgjigje me spec. “A kam frikë më shumë nga Murinjo apo Ronaldo? Për fat të mirë, në këtë lojë luajnë futbollistët. Ajo që ka bërë këtë vit Kristano, bashkë me Leon, është diçka kafshërore. Jemi në klube që kanë mundësinë të afrojnë lojtarë të rëndësishëm që të ndihmojnë të fitosh ndeshjet. E di që Reali do të vijë të fitojë ndeshjen në fushën tonë, jo të mbrohet. Nuk mendoj se skuadrat e Murinjos janë mbrojëtse. Ky është një ekip që arrin të shënojë një numër të pabesueshëm golash”, tha ai për skuadrën kundërshtare.

Në fund, një shpjegim i vogël edhe për ndeshjen me Çelsin. “Arsyeja pse humbëm është se nuk arritëm të fusim topin në portë. Por krijuam shumë raste, ishte një zhgënjim i vogël për ne”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 20 April 2012 17:06

Aitor Karanka tashmë është kthyer ndër personazhet më të rëndësishëm të Real Madrid, pasi është ai që shfaqet në konferencat për shtyp në vend të Zhoze Murinjos. Duke folur para “El Clasico” kundër Barcelonës, Karanka ka bërë të qartë se në këtë ndeshje madrilenët do të hyjnë siç kanë bërë kohët e fundit, për të sulmuar e për të shënuar gola.

“Kjo sfidë i ka të gjithë përbërësit e duhur, ka dy skuadra të mira dhe shpresoj që gjithçka të shkojë në normalitet dhe të gjithë tifozët të jenë të kënaqur. Tre herët e fundit që kemi luajtur atje kemi treguar se jemi të barabartë dhe kemi bërë gola”.

“Janë tre pikë të rëndësishme sido që të përfundojë pasi jemi shumë pranë fundit. Por cilido qoftë rezultati, do të vazhdojmë të punojmë normalisht pasi ka edhe katër takime të tjera deri në përfundim të kampionatit. Ndeshja e nesërme është e rëndësishme ashtu si edhe ajo pas saj”.

“Nuk jemi të lodhur nga ndeshja në Mynih. Para një ndeshje si ajo e të nesërmes nuk mund të jesh i lodhur. Bajerni? Në kokë kemi vetëm ndeshjen e nesërme, nuk mendojmë për asgjë tjetër”, përfundoi Karanka. (LajmeShqip.com)