Lajme Shqip Sunday, 18 August 2013 15:13

Obiliq – Vehabistët në komunën e Obiliqit nuk po lejojnë kurrsesi vendosjen e shtatores së Nënës Terezë, në qendër të kësaj komune.
Qysh para katër vitesh komuna kishte menduar që pikërisht përballë zyrës së Bashkësisë Islame të Kosovës, të ndërtohet një shtatore e madhe e Nënës Terezë. Për këtë punë ai shesh edhe mori emrin e saj. Por qysh prej atëherë bazamenti ku u parapa të vihet busti, ka mbetur bosh.
Burime të Express nga komuna e Obiliqit thonë se shtatorja nuk u vu kurrë për shkak të pengesave fetare.
“Janë disa ekstremistë që nuk po duan që ta kenë shtatoren e saj aty për shkak të përkatësisë fetare që kishte Nëna Terezë”, kanë thënë këto burime në kushte anonime për Express.
E lënia anash e projektit “Nëna Terezë”, ka ngritur zëra në qytetin e Obiliqit që shkak i neglizhencës të kësaj punë është edhe përkatësia fetare e saj. Disa qytetarë, që nuk kanë dashur të prononcohen me emër kanë thënë se më të pëlqyer për obiliqasit janë heronjtë se sa një katolike.
Madje, u përfol edhe për disa kundërshtime të ngritjes së asaj shtatoreje nga ana e komunitetit mysliman në atë komunë. Sipas tyre, problemin e dinë shumë mirë edhe të gjithë zyrtarët komunalë të Obiliqit. Megjithëse këta të fundit po japin një arsye krejt tjetër për mosvendosjen e bustit në vendin ku u parapa të vihet tash e katër vite. Arsyetimi për këtë, sipas Drejtorisë komunale të Kulturës në Obiliq, është se nuk ka mjetet për punimin e shtatores e cila duhet të jetë në total nga këmbët deri te koka.
“Shtatorja e Nënës Terezë do të jetë në këmbë pra në total andaj kushton shumë më shumë se të tjerat”, tha Rifadije Paloji, Drejtoreshë e Kulturës së Obiliqit.
Por, pikërisht për këtë qëllim ishin ndarë edhe paratë nga Kuvendi komunal po të njëjtin vit kur u mor vendimi.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Hajriz Bekteshi tha për Express se bëhet fjalë për 60 mijë euro për të dy shtatoret dhe tri buste.
“Paratë janë ndarë për të gjitha shtatoret por kjo e Nënës Terezë ka mbetur vetëm me bazament. Nuk e di cila është arsyeja e saktë por si duket paratë nuk kanë mjaftuar”, tha Bekteshi.
Arsyetimi se busti nuk po vendoset aty ku e ka vendin u mohua kategorikisht nga Kryetari i bashkësisë islame në Obiliq, Behar Mjekiqi.
“Kjo është rrenë! Asnjëherë nuk kam dëgjuar për diçka të tillë ju them me plot sinqeritet është hera e parë që po dëgjojë”, tha ai. “Unë as që po di që ka pas mu ndërtuar ajo shtatore, po edhe mu ndërtua normalisht që nuk e kundërshtojmë”, ishte përgjigja e tij.
E në ndërkohë as vetë komunarët nuk e din se kur do të mund të ndodh vendosja e shtatores së femrës shqiptare që bëri bujë botërore, në vendin të cilin i është ndarë. Drejtoresha e Kulturës, Rifadije Paloji këtë punë ia lanë kësmetit.
“Kësmet ka mu vendos”, ishte përgjigja e saj.