Lajme Shqip Monday, 10 October 2011 13:59

Tiranë- Galeria Kombëtare e Arteve do të çelë në 15 tetor sezonin e ri artistik me ekspozitën “150 vjet fotografi në Spanjë”, një përmbledhje fotografish që nga ato të parat e vitit 1839 e deri tek fotografitë moderne të vitit 2000.4

Ekspozita është një studim i spanjollit Publio Lopez Mondejar, njëkohësisht kurator i saj, i cili ka përmbledhur 150 vjet histori të fotografisë spanjolle, një përzgjedhje të imazheve më të bukura e më domethënëse të stampuara në Spanjë përgjatë kësaj periudhe kohore por edhe një pasqyrë e ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së këtij vendi.

“150 vjet fotografi në Spanjë” përmban 119 fotografi dhe është e ndarë në tre pjesë kronologjike. Pjesa e parë, 1839-1900 tregon për fotografitë e para, fillimet e fotogazetarisë ku pjesë e kësaj periudhe janë fotografitë e autorëve klasikë si Clifford, Laurent, Martinez Sanchez etj.

Pjesa e dytë, 1900-1939 prek aspekte si fotografia popullore, portretizmi i ri, etj. Një etapë që përfshin fotografi nga Alfonso, Centelles, Ortiz Echagüe, Escobar e shumë fotografë të tjerë.
Ndërsa pjesa e tretë në vitet 1939-2000, ndalet mbi një shumëllojshmëri aspektesh si fotografia e frankizmit, revolucioni dokumentarist, pas-modernizmi dhe fotografia e viteve 90-të. Autorë përfaqësues të kësaj periudhe janë Cristina G. Rodero, Garcia Alix, Ramon Masats, etj.

Sipas burimeve nga GKA, pas ekspozitës që do të sjellë imazhe fotografike të realizuara ndër vite nga artistë të ndryshëm spanjollë, ekspozita e radhës do të jetë “Nëntori”.

Kjo ekspozitë, e kthyer tashmë në një traditë, i kushtohet lojës së artistëve dhe shprehjes së individualitetit të tyre përmes kombinimit të ngjyrave. Në të pritet të marrin pjesë emra të njohur të artit shqiptar, por dhe artistë të rinj.

Deri në fund të këtij viti, një tjetër ekspozitë traditë do të çelet në sallën e GKA-së. “Onufri”, konkursi ndërkombëtar i artit pamor, këtë edicion të 18-të do të ketë kurator artistin Alban Haradinaj. Konkursi do të nis në muajin dhjetor, ndërkohë që në janar të vitit 2012-të do të shpallet fituesi.

Vazhdimi i sezonit artistik në GKA përkon edhe me 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në kuadër të të cilit pritet të realizohen disa aktivitete. Midis tyre do të jetë një ekspozitë me veprat e Kol Idromenos, si dhe një ekspozitë fotografike me fotografi për kohën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, një bashkëpunim me fototekën “Marubi”, në Shkodër.

Galeria Kombëtare e Arteve hap dyert për publikun pas ekspozitës së fundit, atë me fotografi të anglezit Martin Parr, që qëndroi e hapur deri në fillim të muajit gusht. Kjo ekspozitë ka rezultuar si më e vizituara gjatë sezonit të kaluar artistik në GKA.