Lajme Shqip Friday, 10 January 2014 14:58

Sistemi bankar shqiptar nuk mund ta shmangë mbylljen e bilanceve për vitin 2013 pa humbje, kjo pas rreth 15 vjetësh bilancesh pozitive sipas standardeve mbikëqyrëse të raportimit financiar. 

Shkak për këtë janë nivali i lartë i kredive bankare me probleme që për vitin 2013 kanë mbajtur nivele rekord. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, kreditë me probleme regjistruan edhe për nëntorin nivelin 24.2%.

Referuar konkluzioneve të fundit të Bankës së Shqipërisë, treguesit të kredive me probleme ishin të larta për vitin që lamë pas, po të kemi parasysh se totali i kredisë bankare gjatë këtij viti u paraqit në rënie, çka automatikisht e rrit peshën e kredive problematike në bilance.

Por sipas Shoqatës së Bankave, muaji Nëntor solli përmirësim në rezultatet financiare të bankave, megjithëse bilanci i përbashkët i 16 bankave mbetet negativ.

Humbjet për 11-mujorin ranë në vlerën e 900 milionë lekëve, nga 1.1 miliardë lekë që ishin humbjet për 10-mujorin 2013. 

Por sistemi bankar në tërësinë e tij ngelet i sigurt dhe me burime të mjaftueshme për t’ju rikthyer rritjes dhe për të mbështetur me kreditim ekonominë. Treguesi më i rëndësishëm, ai i mjaftueshmërisë së kapitalit, në fund të shtatorit ishte mjaft i lartë, në vlerën 17.8%. /shqiptarja/

Lajme Shqip Thursday, 28 November 2013 12:22

Prishtinë-  Kosova e Shqipërisë, tashmë janë dakorduar të organizojnë mbledhje të përbashkëta të të dy qeverive. Takimi i parë pritet të ndodhë pas festës së 28 Nëntorit në Prizren. Qëllimi i kësaj nisme është vendosja e një partneriteti strategjik më të strukturuar dhe institucionalizuar në mes dy shteteve tona. Ekonomistët dhe bizneset shprehen të kënaqur për këto takime të paralajmëruara dhe presin rezultate konkrete.Mbledhja e parë e përbashkët e të dy qeverive do të shënonte edhe simbolikisht fillimin e një epoke të re të bashkëpunimit. Ekonomistët shprehen të lumtur që po fillojnë takimet e tilla dhe shpresojnë se do të ketë ndikim edhe në zhvillimin ekonomik të dy vendeve. 

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, vlerëson se ky është një rast i mirë si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë, transmeton RTK .

“Më gëzon fakti që është avancuar kjo formë e bashkëpunimit, mirëpo kur kemi të bëjmë me partneritete me Shqipërinë, besoj se është koha që kur këto raporte duhet të dalin nga një idil politike dhe nga emocionet e tepruara. Është koha kur duhet të jemi shumë më konkret, më pragmatik, dhe tani e tutje të mos na e dirigjojnë emocionet në bashkëpunim, por le të jetë interesi, ai i cili i avancon këtë raporte”, thotë Safet Gërxhaliu.

Edhe deri më tani, marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare, kanë qenë në nivel të lartë. Por nga këto takime pritet diçka më shumë, sidomos në aspektin ekonomik. Prandaj, kryetari Gërxhaliu kërkon rezultate konkrete nga të dyja qeveritë.

“Nuk duhet gjithmonë këto takime të kenë shumë më tepër rëndësi formale sesa substanciale. Nuk kemi nevojë për fotografi, nuk kemi nevojë për dekor. Kosova edhe Shqipëria kanë nevojë për zhvillim ekonomik, kanë nevojë për projekte konkrete, dhe nëse deri tani janë bërë investime në infrastrukturë edhe ato mbeten të pashfrytëzuara, nuk duhet që kjo infrastrukturë të jetë në funksion vetëm 3 muaj të verës, por duhet të ketë qëndrueshmërinë dhe kontinuitetin, por mbi të gjitha duhet të debatohet për mundësitë komplementare, që i kanë dy ekonomitë e dy shteteve të një populli të ndarë”, shton Gërxhaliu.

Lajme Shqip Thursday, 31 October 2013 11:16

Tiranë- Çdo banori të Republikës së Shqipërisë i takon një borxh prej 3.1 milionë lekësh të vjetra aktualisht. Në total, gjatë 9 muajve ky borxh është rritur me 5.3 për qind, për të arritur në nivelin e 872 miliardë lekëve ose 6.23 miliardë euro. Borxhi publik i Shqipërisë ka arritur në 6.23 miliardë euro ose 872 miliardë lekë. Në njoftimin e fundit të ministrisë së Financave për periudhën 9-mujore, bëhet e ditur se nga janari deri në fund të shtatorit borxhi i marrë nga shteti çdo ditë është rritur me 1.15 milionë euro mesatarisht. Shifra tregon se secilit qytetar të Republikës së Shqipërisë i takon aktualisht një detyrim financiar prej 3.1 milionë lekësh të vjetra.Borxhi publik pothuajse ka “ngrirë” në tremujorin e tretë të vitit, si përpjekje për të kufizuar pasojat e shpenzimeve tejet të larta të gjashtëmujorit të parë, duke u rritur me vetëm 300 milionë lekë nga fundi i gjashtëmujorit. Por, borxhi rezulton të jetë rritur 5.3% në nëntë muaj, ndërkohë që rritja e Prodhimit të Brendshëm ka qenë tri herë më e vogël, 1.7 për qind. Në krahasim me vitin 2011, borxhi ka rritje me rreth 711 milionë euro, ndërkohë që rezulton 28 për qind më i lartë se ai në fund të vitit 2009.

Duke qenë se PBB llogaritet në Aktin e fundit Normativ të buxhetit të shtetit në masën 1.355 miliardë lekë, raporti aktual borxh/PBB ka arritur në 64.36 për qind, pasi qeveria Berisha hoqi kufizimin për nivelin maksimal të borxhit. Por, në rast se merret për bazë vlerësimi fillestar i Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me detyrime të prapambetura ndaj privatit në masën 55 miliardë lekë, borxhi total do të rezultonte rreth 927 miliardë lekë.

Lajme Shqip Wednesday, 30 October 2013 14:11

Podgoricë- Mali i Zi ka bllokuar eksportin e trangullit shqiptar pasi përbërësi (pesticidi) i njohur si spiroxaminë, e kishte kaluar nivelin me 0089 miligramë për kilogramë pasi nivelin e lejuar 005 miligramë për kilogramë. Lajmi bëhet i ditur nga ministria e Bujqësisë së Malit të Zi dhe është konfirmuar edhe nga Ministria e Bujqësisë në Shqipëri.

Burime nga ministria shqiptare e Bujqësisë, kanë bërë të ditur se është nisur një grup pune në drejtim të Malit të Zi për të bërë analizat e mallit të bllokuar.

Siç bën të ditur, gazeta Blic, në kufi janë bllokuar 761 kilogramë trangull, pasi është gjetur një përqendrim të lartë të një përbërësi (pesticidi) të njohur si spiroxaminë në sasi prej 0094 miligramë për kilogramë, duke tejkaluar me 0084 miligramë, sasinë e përcaktuar që është 005 miligramë për kilogramë.

Ky është edhe niveli i lejuar nga Mali i Zi, në përputhje me legjislacionin e BE-së.

Ministria e Bujqësisë e Malit të Zi, ka ngritur një grup kontrolli për këtë rast, ndërsa është duke u pritur edhe përgjigja e ekspertëve të CETI./shqiptarja/ 

Lajme Shqip Tuesday, 29 October 2013 14:30

Banka Botërore publikoi sot raportin vjetor “Doing Business 2014”, një vëzhgim mbi lehtësirat e të bërit biznes në 189 vende të botës. Krahasuar me vitin e kaluar kur Shqipëria renditej e 85-ta në klasifikim, këtë herë ajo ka humbur 5 pozicione, duke u renditur në vend të 90-të. 

Raporti merr në shqyrtim 10 tregues të cilët lidhen me kompleksitetin dhe kostot e proceseve rregullatore si dhe me kuadrin ligjor dhe institucional me të cilin ndeshet një aktivitet biznesi. Pothuajse të gjithë treguesit për Shqipërinë kanë mbetur të pandryshuar, sipas raportit të këtij viti, dhe vendi përmendet vetëm se ka lehtësuar pagesat për korporatat, të cilat, taksat mbi të ardhurat mund t’i paguajnë tanimë çdo tremujor. 

Përkeqësimi i pozicionit të Shqipërisë duket se është ndikuar më së shumti nga përmirësimet e vendeve të tjera, ndërkohë që në ndryshim nga një vit më parë, në listë janë shtuar edhe katër shtete të tjera. 

Shqipëria vazhdon të ruajë një vlerësim mjaft pozitiv përsa i përket treguesve që lidhen me marrjen e një kredie apo me mbrojtjen që gëzojnë investitorët, ku ajo është respektivisht në vend të 13 dhe 14, në përmirësim nga viti i shkuar. Ajo është gjithashtu në pozicion të mirë edhe me treguesit që lidhen me zgjidhjen e problemeve të likuiditetit (klasifikohet e 62-ta) apo dhe me hapjen e një biznesi, ku klasifikohet e 76-a, 14 pozicione më keq se një vit më parë e ku rezulton që të ketë një shtim në procedura dhe një rritje të lehtë të kostove. 

Ndërkohë që Shqipëria vazhdon të mbetet e fundit në treguesin për lejet e ndërtimit, ashtu si dhe gjatë viteve të shkuara. Një vlerësim negativ sërish edhe për kriterin e energjisë, që mat lehtësinë me të cilën një biznes mund të sigurojë furnizimin elektrik. Shqipëria është e 158-a. 

Ndonëse ende në brezin e fundit të klasifikimit, Shqipëria ka përmirësuar pozitën e saj përsa i përket pagesës së taksave, duke u renditur e 146, nga vendi i 160 në të cilin ndodhej vitin e shkuar. Ndërsa ka një përkeqësim të fortë, duke humbur 39 pozicione, në treguesin e respektimit të kontratave, ku nga vendi i 85-të ka shkuar në të 124-in. /bw/

Lajme Shqip Monday, 21 October 2013 15:35

Tiranë- Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se kriza boterore gjatë këtyre 5 viteve të fundit, i ka kushtuar ekonomisë shqiptare rreth 2.5 miliardë dollarë prodhim te munguar. 

Në raportin e fundit rajonal për Europën, ekspertët e fondit kanë përllogaritur se si është ngadalësuar rritja e prodhimit në të gjitha ekonomitë europiane, krahasuar me vitet para krizës. Sipas FMN, në vitin 2008 vlerësohej se Prodhimi Kombëtar i Shqipërisë do të rritej në periudhën 2008-2013, në total me 35.1 për qind. 
Por me përfshirjen e vendit nga kriza, rritja reale për këtë 5-vjeçar ishte vetëm 13.9 për qind. Për pasojë vetëm për këto 5 vjet kriza ka ulur prodhimin potenciale të ekonomisë shqiptare me mbi 21.2 për qind, që e konvertuar në vlerë është rreth 2.5 miliardë dollarë. E thënë ndryshe dhjetëra vite të humbura zhvillimi ekonomik. 

Sipas FMN, ekonomitë në zhvillim të Europës Lindore dhe qëndrore janë ato që po paguajnë kostot më të mëdha të krizës, ku prodhimi është ngadalësuar me ritme dramatike. Në këtë grup vendesh, Shqipëria renditet si ekonomia e 5 me humbjet më të vogla nga kriza, pas Letonisë, Polonisë, Turqisë dhe Bjellorusisë. 

Por nëse do të krahasohej me vendet e zhvilluara, humbjet e ekonomisë shqiptare nga ngadalësimi i rritjes këtë pesëvjecar do të vinin menjehërë pas Greqisë, Qipros, Irlandës dhe Spanjës, vendeve më problematike të eurozonës. Ndërsa në Gjermani, lokomotivën e ekonomisë europiane humbjet në prodhim nga kriza vlerësohen vetëm 6 për qind. Raporti i fundit i FMN për Europën konfirmon edhe një herë se ekonomitë e Ballkanit përfshirë Shqipërinë, janë ato që po përballen me kostot më të mëdha të krizës.   / Top Channel/

Lajme Shqip Monday, 21 October 2013 11:43

Tiranë- Mungesa e kreditimit nga bankat po i detyron bizneset dhe individët të gjejnë rrugë të tjera financimi. Prej më shumë se një viti, bankat e nivelit të dytë e kanë vështirësuar deri në pamundësi marrjen e një kredie. Raportet e Bankës së Shqipërisë tregojnë për rritje të kërkesës për kolateral, ulje të shumave që financohen, si dhe rritje të marzhit për kreditë. E thënë ndryshe, bankat japin para, por kriteret e tyre janë të pamundura për shumicën dërrmuese të bizneseve dhe individëve, shkruan sot Panorama. Në kushte të tilla, kur bizneset dhe individët kanë nevoja të zhvillohen por nuk gjejnë derën hapur te bankat, po ndodh gjetja e rrugëve të tjera. Sondazhi i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon me diplomaci se qytetarët dhe bizneset po marrin para jashtë bankave. “Faktorët kryesorë që kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të bizneseve, gjatë tremujorit të tretë të vitit, janë situata aktuale dhe e pritshme makroekonomike në vend, mungesa e kërkesës për financimin e investimeve fikse dhe përdorimi i burimeve alternative të financimit. Nga ana tjetër, besimi i konsumatorëve dhe burimet alternative të financimit kanë ndikuar negativisht nivelin e kërkesës për kredi të individëve”. Në të dyja rastet, “burimet alternative të financimit” po largojnë qytetarët dhe bizneset nga bankat. E thënë më thjesht, bizneset dhe qytetarët po marrin para me fajde. Nga të njohur të tyre apo nga individë të tjerë që zotërojnë shumë të mëdha parash. Rritja e fajdeve ka marrë përmasa shqetësuese. Fakti që Banka e Shqipërisë e përmend në raport, do të thotë që fenomeni është bërë masiv.

Skema

Funksionimi është i njëjtë me piramidat e përjetuara më parë, por në të kundërt. Janë individë të caktuar që pranojnë financimin e bizneseve apo qytetarëve, pra i japin para hua, me interesa që realisht janë të frikshëm. Në tregun e Tiranës qarkullojnë njerëz që huazojnë shuma deri në qindra-mijëra euro, me interesa shumë më të lartë se të bankave, por të gatshëm për financim. Në tregun informal mund të marrësh kredi me interesa 5 deri 7 për qind, jo në vit, por në muaj. Skema funksionon e thjeshtë. Në rast se kërkon një financim prej 10 mijë eurosh për një vit, duhet të paguash 7 për qind në muaj. Pra 700 euro çdo muaj. Në fund të vitit duhet të paguash edhe shumën totale. Por çfarë garancie kanë “bankierët”?! Duke qenë treg informal, edhe garancitë janë informale. Marrëveshjet nënshkruhen mes palëve dhe si garanci në bazë të shumës që financohen lihen makina, shtëpi apo deri dyqane. Në rastet e vonesave, atëherë në skemë hyjnë njerëzit “e fshehur”. Garantët e mbledhjes së borxheve nuk janë përmbarues, por njerëz që kanë metodat e tyre informale për kryerjen e pagesës së çdo kësti. Në të kundërt, shkohet para noterit dhe makina, shtëpia apo biznesi i kalon në emër “bankierit” nga ku u morën paratë.

Bankat

Bankat në Shqipëri, jo vetëm që s’po japin më kredi, por duket se po rikthejnë situata aspak normale. Fajdet kanë ekzistuar edhe në kohët e arta të sistemit bankar, por kurrë kaq hapur dhe dendur. Moskreditimi nuk po frenon vetëm ritmet e rritjes ekonomike, por po ndikon edhe në fenomene që kanë lënë plagë të frikshme. Përsëritja në raportet e Bankës së Shqipërisë së fjalisë “rrugë alternative financimi” është një alarm i qartë. Në grafikun që boton sot gazeta, duket qartë që bankat jo vetëm nuk po e shtojnë kredinë për ekonominë, por po e ulin atë. E thënë më ndryshe, po marrin më shumë këste sesa po japin kredi të re. Pra, po tërheqin financimet. Në fund të gushtit, kredia për bizneset ishte 100 milionë dollarë më e ulët se në dhjetor të vitit 2012. Pra, bankat jo vetëm nuk i kanë mbajtur të njëjta, por kanë tërhequr financimet. Ndërsa për individët shifra është e frikshme. Financimi në gusht është afërsisht i barabartë me financimin në dhjetor të vitit 2010. Kjo tërheqje e bankave sigurisht që është zëvendësuar, dhe rrugët tashmë janë gjetur, te tregu i zi i kredive./koha/

Lajme Shqip Tuesday, 27 August 2013 16:38

Prishtinë – Burim Piraj, pronar i industrisë së mishit “Meka”, edhe me tutje nuk po mundet që prodhimet e tij t’i shpërndajë në tregun shqiptar.

Ai, por edhe prodhues të tjerë të kësaj natyre, ka qe dy javë që nuk kanë futur asnjë gram mish në territorin e Shqipërisë, pasi autoritetet doganore shqiptare në kufij i kanë kërkuar që brenda hapësirave ku gjendet i ngarkuar mishi, të kenë të vendosura termometra dixhital, që deri më tani nuk ishte kërkuar një gjë e tillë.
Piraj thotë se porosinë e termometrit e ka bërë menjëherë kur i është kërkuar, por deri më tani nuk ka arritur ta marrë. “Nuk është vetëm Shqipëria, por edhe të gjitha vendet fqinje të Kosovës po krijojnë barriera”ka thënë ai.
Sipas tij, edhe kërkesat e shteteve fqinje për produktet nga Kosova janë të veçanta dhe nuk i kërkohen vendeve të tjera.
“Kërkesat që bëhen nga Shqipëria për Kosovën, nuk bëhen për Maqedoninë, Greqinë, Italinë dhe vendet e tjera, por vetëm për produktet kosovare” tha më tej ai.
Piraj ka mbetur i befasuar se si institucionet e Kosovës nuk i kundërpërgjigjen me masa të njëjta produkteve të Shqipërisë.
“Parashtrohet pyetja se a kanë termometër dixhital me printerë të temperaturës automjetet që sjellin peshkun nga Shqipëria në Kosovë, ose kamionët që sjellin mish nga Shqipëria. Pse nuk kërkohet nga AUV që të aplikojë masa reciprociteti”ka thënë me tej Piraj.
Në anën tjetër, sekretari i Dhomës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se “lufta” tregtare mes dy shteteve duhet të zgjidhen politikisht në mes dy qeverive të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
“Shqipëria ka ndërtuar kësi lloj barriera, në mënyrë që të favorizojë prodhimet e saja vendore.”ka thënë ai .
Sipas tij, qeveritë e dy shteteve sa më shpejt që është e mundur, duhet ta zgjidhin këtë problem, për t’i hapur rruge zhvillimit të bizneseve në të dyja anët e kufirit
Po ashtu edhe të dhënat e Doganave të Kosovës të tregojnë fare qartë se prodhuesit kosovar kanë eksportuar shumë pak produkte në tregun shqiptar.
Zëdhënësi i Doganave. Adriatik Stavileci. thotë se sipas statistikave të shkëmbimit tregtar mes këtyre dy vendeve, vetëm përgjatë muajit qershor, mund të vërehet se Shqipëria eksporton në tregun e Kosovës dhjetë fish më tepër sesa eksporton Kosova për në tregun e Shqipërisë.
Sipas statistikave të Doganave të Kosovës, gjatë muajit qershor kompanitë nga Shqipëria kanë eksportuar në Kosovë produkte në vlere prej 11.747.870 milionë euro, kurse ato nga Kosova në Shqipëri vetëm 1.7466.067 milionë euro./Zëri/

Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 09:54

Tiranë – Një raport konfidencial i Kontrollit të Lartë të Shtetit akuzon Bankën e Shqipërisë për shpenzime të larta dhe abuzime me paratë publike. Raporti, i cili mban firmën e kryetarit Bujar Leskaj, i kërkon Kuvendit të ndërhyjë menjëherë për të disiplinuar financiarisht Bankën Qendrore dhe për të minimizuar hapësirat e abuzimit me fondet publike në këtë institucion. Që në fillim të tij, dokumenti i Kontrollit konstaton se pagat dhe shpërblimet për drejtuesit e Bankës së Shqipërisë, Këshillit mbikëqyrës, por edhe punonjësve të thjeshtë janë në nivele shumë të larta, të pakrahasueshme me asnjë institucion tjetër kushtetues. Madje sipas KLSH ato kanë dalë përtej kornizave të tregut dhe jashtë realitetit shqiptar, raporton TCH.

Vetë raporti dokumenton si shembull ilustrues atë të dietave. “Nivelet e dietave ditore për guvernatorin dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës janë pothuajse sa dyfishi i dietave që merr Kryeministri dhe 60 euro më shumë në ditë se sa ajo e Presidentit të Republikës,” thuhet në raport.

Kjo do të thotë se vetëm diferenca ditore prej 60 euro mes dietës së guvernatorit dhe asaj të presidentit është gati sa gjithë pagesa mujore që përfiton një pensionist në Shqipëri.

“Vetëm dieta e drejtorëve të departamenteve janë sa ato të Presidentit dhe madje në shumë raste mungojnë dokumentet për të verifikuar kohëzgjatjen e qëndrimit në shërbim dhe kthimin e punonjësve”, thotë raporti.

Në fund kreu i KLSH-së, Leskaj jep një sërë rekomandimesh urgjente për disiplinimin financiar të Bankës Qendrore, ku fillimisht i kërkon Kuvendit të ndryshojë ligjin dhe më pas t’i heqë bankës të drejtën që ta kontraktojë vetë kompaninë që bën auditin për ta marrë vetë atë.

Lajme Shqip Thursday, 11 July 2013 13:30

Tiranë – Shefja e Bankës Botërore Kseniya Lvovsky në takimin me mediat, me rastin e përfundimit të mandatit të saj në Shqipëri,  vlerësoi se 2013 ishte një vit i vështirë për ekonominë e Shqipërisë dhe të vendeve të Ballkanit. Lvovsky vlerësoi se Shqipëria gjatë kësaj periudhe pati rritje të dobët, megjithëse ishte më e mire se vendet e rajonit.
“BB mat përparimin e saj fiskal me rritjen fiskale që përfundojnë me 30 qershor. Ky ishte një vit i vështirë për ekonominë e vendit si në rajon, si pasojë e ndikimit të krizës së zgjatur në Eurozonë. Ndikimet se krizës dhe recesioni janë ndjerë më shumë se më përpara. Shqipëria ka pasur probleme me huatë si dhe në sektorin privat. Një numër problemesh në sektorin e energjitikës e ka përkeqësuar presion fiskal dhe ekonomik, por vlerësimi duhet të shihet në kontekstin e gjithë rajonit. Rritja ekonomike e Shqipërisë ka qenë e dobët por ka ecur më mirë sesa vendet e tjera fqinje”, u shpreh shefja e BB.
Lvovsky u shpreh se partneriteti i Bankës Botërore dhe autoriteteve shqiptare ka qenë pozitiv duke pasur një sërë arritjesh të rëndësishme: ‘Partneriti ynë me Shqipërinë ka pasur një sërë arritjesh. Autoritetet shqiptare kanë miratuar një sërë aktesh që kanë ndikuar në sektorin financiar siç janë ndryshimet e bëra në kodin e procedurës civile dhe këto janë mjaft të rëndësishme”.
Duket se sipas vlerësimit të BB qeverinë e ardhshme e pret një punë e madhe për të arritur objektin e Shqipërisë Evropiane. Lvovsky u ndal në tri këshilla kryesore që vendi të arrijë ku duhet. “Tre pikat themelore për një Shqipëri Evropian. Pikë së pari me rëndësi të rritet besimi në institucionet publike, kjo përfshin institucionet e pavarura. Ajo përfshin shtetin ligjor dhe me këtë dua të them zbatimin e shteti në mënyrë të padiskriminuar. Ka rëndësi që Shqipëria që të ketë administratë publike profesionale. Fusha e dytë përshpejtimi i reformave strukturore. Këshilla që do kisha për qeverinë e re është të bëjë ato reforma që ka më shuam përparësi. Fusha e tre konsolidimi fiskal dhe pagesat e prapambetura . Program për të rindërtuar hapësirën fiskal”, këshilloi shefja e BB. 
Qeveria e re nuk mund të ulë taksat. Sipas Kseniya Lvovsky një veprim i tillë duhet të shoqërohet me shkurtime drastike në shpenzimet publike. “Kjo është një gjë që duhet të vendosë qeveria e re. Dua ti kthehem asaj që kemi thënë, se asnjë qeveri e re nuk ka mundësi ti ulë taksat, vetëm nëse vend të bëjë shkurtime drastike në shpenzimet publike. Për cdo qeveri e re është të rritet efektiviteti i taksave. Për cdo qeveri niveli i borxhit publik do jetë kufizim, ndaj do jetë shumë e rëndësishme të përqendrohet në reforma strukturore që të fokusohet në rritje afatmesme”, tha Lvovsky. 
Megjithëse papunësia ka nivel të qëndrueshëm,. Shifra e papunësi është ende e lartë në Shqipëri. Lvovsky paralajmëroi se BB do fokusohet më shumë në të ardhmen. “Sic thashë situata ekonomike është e vështirë për shkak të krizës së zgjatur ekonomike në shkallë botërore, FMN e uli mirëqenien ekonomike për shumë vende. Ka disa vite që qeveria bën përshtatje të buxhetin afatmesëm. Dhe ky vit që shkoi nuk ishte më ndryshe se vitet e tjera, ka gjasa se dhe këtë vit të bëhet përshtatje. Qeveria duhet të vendosë rregulla fiskale të ngrejë këshillin fiskal. Shifra e papunësisë ka qenë në nivel të qëndrueshëm, por është e lartë, nuk është e lartë sa vendet e tjera të rajonit. Shifra e papunësisë nuk janë gjithmonë të sakta dhe ne do përqendrohemi në të ardhmen”, tha Lvovsky. 
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve Lvovsky theksoi se BB do të angazhohet me qeverinë për zgjedhje të negociuar me CEZ pasi megjithëse është nën menaxhimin e shtetit ende nuk është zgjidhur problemi i pronësisë. “Do angazhohemi me qeverinë për zgjidhej të negociuar me CEZ, pasi sektori i CEZ është në menaxhimin e shteti, por edhe nuk është zgjidhur cështja e pronësisë. Ajo që është kyce është përmirësimi i sektorit të shpërndarjes. E ka në dorë qeveria se kur do jetë momenti për ta riprivatizuar”, tha Lvovsky. 
Teksa ka përgëzuar shqiptarët për zgjedhjet e 23 qershorit, Lvovsky siguroi se BB është e gatshme të ndihmojë vendin tonë në axhendën e madhe të reformave.

BB: Rritja ekonomike e Shqipërisë, e dobët