Lajme Shqip Wednesday, 02 April 2014 09:58

Industria bankare në Kosovë vazhdon të jetë e qëndrueshme dhe me afarizëm profitabil. Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës mbi statistikat e sektorit financiar, kapitali i bankave komerciale në muajin shkurt arriti në 283.4 milionë euro, apo 0.8 për qind më shumë krahasuar me shkurtin e vitit 2013, kurse neto fitimi i tyre në dy muajt e parë të 2014-tës shënoi vlerën 5.4 milionë euro. Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija thotë për Radio Kosovën se kjo është pozitive edhe për ekonominë vendore.
 
“Edhe këtë vit fitimi i bankave është i mirë, që kontribuon për industrinë bankare të jetë stabile dhe të vazhdojë me një afarizëm profitabil, gjë që është mirë edhe për ekonominë e Kosovës”, thotë Balija. 
 
Bruto kreditë e bankave komerciale në shkurt shënuan vlerën 1.8 miliard euro, përderisa depozitat e klientëve në këto banka shënuan vlerën 2.4 miliardë euro. Normat e interesit në depozita kanë shënuar rënie në shkurt për 0.6 për qind krahasuar me muajin paraprak. Në mesatare, norma e interesit në depozita për muajin shkurt ka qenë 2 për qind dhe paraqet nivelin më të ulët që nga viti 2004. Kjo sipas Balisë ka ndodhur për disa arsye.
 
“Kryesisht si rezultat i lëvizjeve të normave të interesit në Eurozonë por nëse shikojmë likuiditetin aktual të bankave shihet se nuk është në favor të stimulimit të depozitave. Prandaj kjo është një masë ndoshta dekurajuese për depozitat në raport me likuiditetin që kanë bankat”, thekson ai.
 
Hulumtuesi i Institutit RIINVEST, Alban Hashani, thotë se rënia e kamatave të depozitave ndodh për shkak se bankat kanë mjete të mjaftueshme dhe nuk kanë nevojë për mjete shtesë.
 
“Në momentin kur banka ka mjete që nuk mundet me i plasuar në aktivitetin e vet kreditor, atëherë ajo është e interesuar ta ulë çmimin e tyre dhe të mos i paguajë aq shtrenjtë për shkak se nuk ka nevojë për depozita shtesë të cilat do të mund t’i konvertonte më tutje në kredi”, shprehet Hashani.
 
Ndërkohë, normat e interesit në kredi që ofrojnë bankat komerciale kanë mbetur përafërsisht në nivel të njëjtë me periudhën paraprake. Në mesatare, norma e interesit për muajin shkurt ka qenë 11.8 për qind nga 11.7 për qind sa ishte në janar. Kurse normat e interesit në kredi nga institucionet mikrofinanciare për muajin shkurt kanë qenë 23.3 për qind, duke shënuar rënie për 1.4 për qind nga periudha paraprake. Rënia e mesatares së përgjithshme erdhi si rezultat i rënies së normave të interesit për ekonomitë familjare./RTK/

 
Lajme Shqip Thursday, 28 November 2013 12:22

Prishtinë-  Kosova e Shqipërisë, tashmë janë dakorduar të organizojnë mbledhje të përbashkëta të të dy qeverive. Takimi i parë pritet të ndodhë pas festës së 28 Nëntorit në Prizren. Qëllimi i kësaj nisme është vendosja e një partneriteti strategjik më të strukturuar dhe institucionalizuar në mes dy shteteve tona. Ekonomistët dhe bizneset shprehen të kënaqur për këto takime të paralajmëruara dhe presin rezultate konkrete.Mbledhja e parë e përbashkët e të dy qeverive do të shënonte edhe simbolikisht fillimin e një epoke të re të bashkëpunimit. Ekonomistët shprehen të lumtur që po fillojnë takimet e tilla dhe shpresojnë se do të ketë ndikim edhe në zhvillimin ekonomik të dy vendeve. 

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, vlerëson se ky është një rast i mirë si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë, transmeton RTK .

“Më gëzon fakti që është avancuar kjo formë e bashkëpunimit, mirëpo kur kemi të bëjmë me partneritete me Shqipërinë, besoj se është koha që kur këto raporte duhet të dalin nga një idil politike dhe nga emocionet e tepruara. Është koha kur duhet të jemi shumë më konkret, më pragmatik, dhe tani e tutje të mos na e dirigjojnë emocionet në bashkëpunim, por le të jetë interesi, ai i cili i avancon këtë raporte”, thotë Safet Gërxhaliu.

Edhe deri më tani, marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare, kanë qenë në nivel të lartë. Por nga këto takime pritet diçka më shumë, sidomos në aspektin ekonomik. Prandaj, kryetari Gërxhaliu kërkon rezultate konkrete nga të dyja qeveritë.

“Nuk duhet gjithmonë këto takime të kenë shumë më tepër rëndësi formale sesa substanciale. Nuk kemi nevojë për fotografi, nuk kemi nevojë për dekor. Kosova edhe Shqipëria kanë nevojë për zhvillim ekonomik, kanë nevojë për projekte konkrete, dhe nëse deri tani janë bërë investime në infrastrukturë edhe ato mbeten të pashfrytëzuara, nuk duhet që kjo infrastrukturë të jetë në funksion vetëm 3 muaj të verës, por duhet të ketë qëndrueshmërinë dhe kontinuitetin, por mbi të gjitha duhet të debatohet për mundësitë komplementare, që i kanë dy ekonomitë e dy shteteve të një populli të ndarë”, shton Gërxhaliu.

 
Lajme Shqip Saturday, 26 October 2013 14:42

Prishtinë- Familja Gorani nga Italia, ka humbur 2 milionë e 270 mijë e 524 euro në Kosovë.

Këtë shumë parash ata thonë se ua ka përvetësuar një biznismen nga Suhareka nëpërmjet mashtrimeve.

Gian Paolo Gortani, vëllai i tij Andrea Gortani dhe e ëma e tyre Maria Teresa Tondato, kishin themeluar një shoqëri aksionare në Kosovë.

Për parter kishin zgjedhur Aziz Tafajn (1967). Kishin themeluar shoqërinë “Imobiliare Friuli”. Investimi në Kosovë ka dalë të jetë shterp për ta.

Si rezultat i një denoncimi që kanë bërë në Prokurori, Aziz Tafaj, ishte arrestuar në fillim të vitit 2011, shkruan koha ditore.

Hetimet kundër tij kanë rezultuar me ngritjen e një aktakuze për shpërdorim të pozitës zyrtare kundër tij. Për të njëjtën vepër janë akuzuar edhe dy bashkëpunëtorë të tij. /tribuna/

 
Lajme Shqip Friday, 23 August 2013 09:59

Prishtinë- Mbi 30 milionë euro kanë hyrë në Kosovë brenda gjashtë muajve nga katër vende arabe. Zyrtarisht tregohen vetëm shtetet prej nga vijnë, por jo edhe kush i sjell ato dhe çfarë destinacionin kanë. Gazeta “Zëri” ka siguruar depozitat e këtyre milionave që vijnë nga disa shtete arabe. Sipas këtyre të dhënave, nga muaji janar, e deri në qershor të vitit 2012, në vendin tonë nga katër shtete arabe kanë hyrë hiç më pakë se 30 milionë e 13 mijë euro.
Pjesa më e madhe e tyre, më shumë se 25 milionë euro ka ardhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Të hyra ka edhe nga Kuvajti, prej nga kanë ardhur 2,7 milionë euro për gjashtë muaj, rreth 900 mijë euro nga Katari, si dhe rreth 600 mijë euro nga Arabia Saudite. Këto të dhëna janë siguruar nga transferet bankare të regjistruara në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK). Duke iu referuar të dhënave zyrtare që ka siguruar gazeta, shihet se gjatë pjesës së parë të vitit që lamë pas transferet e parave nga shtete arabe, janë rritur në krahasim me vitin 2011.
Gjersa gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2012 nga Emiratet e Bashkuara Arabe në vendin tonë kanë hyrë 25 milionë euro, në vitin 2011 për 12 muaj kanë hyrë vetëm 14 milionë euro, e vërehet një rritje enorme e transfereve. Transferin e mjeteve nga katër shtete Arabe, e konfirmojnë edhe vetë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës.
“Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, kanë hyrë në Kosovë 30 milion euro, nga shtetet arabe. Shumica e tyre vijnë nga Emiratet e Bashkuara, në vlerë prej rreth 25 milion euro. Pastaj rreth 1 milion kanë hyrë nga Katari, afër 3 milion nga Kuvajti, dhe mbi gjysmë milioni nga Arabia Saudite”thuhet në përgjigjen e bankës dërguar gazetës.

 
Lajme Shqip Saturday, 01 June 2013 13:27

Prishtinë – Ambientin e të bërit biznes po e pengon burokracia nga agjenci të ndryshme qeveritare. Pengesa paraqet niveli lokal, ndërsa investimet e huaja nuk i sjellin ligjet dhe rregulloret, por një përvojë e mirë e tyre, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mimoza Kusari- Lila, zëvendëskryeministre, njëherësh ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

“ Burokraci ka në Kosovë, si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror. Kushdo që thotë se nuk ka, nuk është e vërtetë. Për shkak se ka raste që ne, edhe në agjenci të ndryshme që i raportojnë Kuvendit, duhet të intervenojmë për përshpejtim të procedurave. Ka raste kur ato bllokohen, për interesa personale apo qëllime tjera që janë të sanksionuara me ligj. Por, që pavarësisht insistimit tonë, që të përshpejtohet procedura ose të shkojë në procedurë të rregullt, ka kokëfortësi apo rezistencë nga institucione të caktuara. Megjithatë, nuk duhet të anashkalohen përpjekjet dhe suksesi në shkurtimin e numrit të madh të burokracive të procedurave. Janë bërë përmirësime në regjistrimin e biznesit, janë bërë reduktime në dokumente sa i përket importit dhe eksportit të mallrave. Ndërsa, tani në këtë javë, presim në qeveri që të kalojë ligji ombrellë për leje dhe licenca, ligj ky që do të shkurtojë mbi 40 për qind të lejeve dhe licencave aktuale në Kosovë, në mënyrë që këto burokraci që po flasim, këto procedura të jenë më të pakta dhe më të shkurta. Ky është një hap i drejtpërdrejtë dhe konkret në luftimin e korrupsionit dhe dukurive, të cilat e dëmtojnë ambientin e biznesit”, ka thënë veç tjerash, ministrja Kusari-Lila.