Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 17:14

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha shprehu sot, ngushëllimet në ambasadën e Egjiptit në Tiranë, për viktimat e shkaktuara pak ditë më parë, nga përplasjet e dhunshme midis tifozëve gjatë një ndeshjeje futbolli, në stadiumin e Port Said-it.

Me këtë rast, ambasada egjiptiane kishte hapur librin e ngushëllimeve, në të cilin Kryeministri Berisha shprehu dhimbjen e trishtimin për humbjen e jetëve njerëzore, gjatë një eventi sportiv që duhet t’i bashkojë njerëzit, por që, fatkeqësisht, u kthye në një tragjedi.

 
Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 20:12

Vdekja e 74 tifozëve në stadium gjatë një ndeshje futbolli ka ringjallur protesta në Egjipt, një ditë pas ngjarjes tragjike. Më shumë se 10 mijë vetë kanë marshuar në shenjë solidariteti në Kajro nga zyrat e klubit Al Ahli, drejt Ministrisë së Brendshme, ndërsa situata është përkeqësuar dhe ka patur përplasje fizike me policinë.

Forcat policore përdorën gazin lotsjellës kundër mijëra demonstruesve jashtë Ministrisë së Brendshme, ndërsa këta të fundit po protestonin ndaj paaftësisë së policisë për të mbrojtur jetët e njerëzve në stadium.

Situata është tensionuar pasi turma ka kaluar pranë sheshit Tahir, simbol i revolucionit që largoi Mubarak nga pushteti, ndërsa vetë futbollistët e Al Ahli lëshuan thirrje kundër forcave policore. “Ky nuk është një incident sportiv, kjo është një masakër ushtarake”, ishin thirrjet e turmës.

Këta të fundit kishin ndërtuar barrikada para tyre me blloqe betoni dhe tela me gjemba, por demonstruesit i goditën ata me gurë. Si rrjedhojë, policia përdori gazin lotsjellës duke shpërndarë turmën, por në të njëjtën kohë duke sjellë edhe acarimin e mëtejshëm të situatës. Protestuesit i vunë flakën gomave në rrugë dhe për rreth një orë situata dukej e njëjtë me një vit më parë, kur shpërthyen demonstratat për largimin e Mubarak.

Ultrasit e skuadrës së Al Ahli kanë premtuar hakmarrje “dhëmb për dhëmb” për të vdekurit, ndërsa kanë deklaruar se fajtorët që do ta paguajnë janë forcat e policisë të cilët kanë lënë me dashje që të ndodhin ngjarjet në Port Said. Sipas tyre, kjo ka ndodhur pasi tifozët e Al Ahli kanë qenë gjithmonë të parët në protestat kundër Mubarak e së fundmi kundër ushtrisë.

Ndërkohë, kryeministri i vendit ka bërë të ditur se është shkarkuar nga puna i gjithë bordi drejtues i Federatës së Futbollit me në krye presidentin, shefi i sigurisë i Port Said si dhe guvernatori i këtij qyteti. Për të vdekurit nga kjo ngjarje janë shpallur tre ditë zi kombëtare.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 16:04

Bruksel- Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri sot kërkoi hetime “urgjente dhe të paanshme” për trazirat në stadium pas ndeshjes së futbollit në qytetin egjiptian Port Said, ku humbën jetën të paktën 74 persona.

Eshton ka shprehur ngushëllime deri te autoritetet egjiptiane për shkak të tragjedisë në ndeshjen e futbollit në Port Said, duke përmendur se “i ngushëllon ata të cilët i kanë humbur anëtarët efamiljeve dhe miqtë në tragjedinë, ndërsa të lënduarve u dëshiron shërim të shpejtë”.

Në të njëjtën kohë, Eshton kërkoi “hetim urgjent dhe të paanshëm” për ngjarjen.

Krahas Eshtonit, ngushëllime ka shprehur edhe komisari evropian për sport, Andrulla Vasili.

Këshilli suprem i forcave të armatosura në Egjipt shpalli tre ditë zie në vend për shkak të trazirave pas ndeshjes në futboll në Port Said, ku humbën jetën të paktën 74 persona, ndërsa rreth një mijë janë lënduar.

Për shkak të këtyre ngjarjeve janë konvokuar seanca urgjente të Qeverisë dhe Parlamentit, ndërsa për sot janë planifikuar protesta, pasi policia nuk ka qenë e aftë ta pengojë dhunën.

 
Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 15:54

Tre futbollistë të kombëtares egjiptiane të futbollit të cilët aktivizohen në radhët e Al Ahli, Mohamed Aboutrika, Emad Moteab dhe Mohamed Barakat, kanë deklaruar se kanë lënë futbollin pasi kanë parë nga afër përplasjet vdekjeprurëse mes tifozëve në ndeshjen e tyre ndaj Al-Masri.

Aboutrika dhe Moteab treguan për “Al-Ahly TV” se ata kishin vendosur që të mos luanin më futboll pas dhunës masive që la si pasojë 74 të vdekur dhe qindra të plagosur në stadiumin e qytetit Mesdhetar të Port Said.

Mesfushori Barakat nuk hodhi poshtë mundësinë se mund të kthehej të luante një ditë, por ai tha në intervistën e tij se nuk do të zbriste në fushë derisa të kishte “shpagim për njerëzit e vdekur”.

Aboutrika dhe Barakat ishin titullarë në këtë ndeshje, ndërsa Moteab ishte një zëvendësues.

Ndërkohë, trajneri portugez i Al Ahli, Manuel Zhoze, i ka kërkuar klubit me bazë në Kajro që ta cilësojë të përfunduar kontratën mes palëve, pasi ai nuk ka ndër mend që të vazhdojë të drejtojë më këtë skuadër. Sipas mediave portugeze, ai ka qenë i terrorizuar dhe ka bërë të qartë se dëshiron të largohet sa më shpejt nga Egjipti për t’u kthyer në Portugali. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 21:34

Përplasjet mes tifozerive të dy skuadrave Al Ahli e Al Masri në kampionatin egjiptian të futbollit, kanë sjellë të paktën 73 të vdekur. Lajmin e ka konfirmuar vetë Ministria e Shëndetësisë e Egjiptit e cila ka thënë se sipas burimeve jozyrtare, bëhet fjalë për qindra të vdekur.

Tifozët e Al Masri, që ka fituar 3-1 ndeshjen, kanë pushtuar fushën në fund të takimit duke kërkuar përplasjen me tifozët kundërshtarë. Viktimat e para kanë qenë mes forcave të sigurisë në stadium, të cilat janë gjetur nën breshëri mjetesh të forta. Në të njëjtën kohë, futbollistët e Al Ahli dhe tifozë e kësaj skuadre janë mbyllur në ambientet e brendshme të stadiumit për t’i shpëtuar turmës së tërbuar.

Megjithatë, shumë prej tyre janë bërë objekt i dhunës së egër të tifozëve vendas. “Dhomat e zhveshjeve janë kthyer në morg”, ishte komenti i dëshmitarëve të ngjarjes në televizionin Al Xhazira.

Po sipas të njëjtit burim informacioni, mes të plagosurve janë edhe lojtarët e Al Ahli, ndërsa një bilanc i plotë do të jepet vetëm nesër pasi policia po përpiqet të shpërndajë tifozët që po shkaktojnë panik në rrugët e qytetit. (LajmeShqip.com)