Lajme Shqip Saturday, 02 November 2013 13:59

Xhelati kryesor egjiptian Haxh Abd al Nabi rezulton të ketë vrarë rreth 800 persona dhe shprehet i kënaqur me punën e tij, duke thënë se nuk ka asnjë dilemë morale. Kryexhelati thotë se nuk ndjen aspak mëshirë për të dënuarit me vdekje, pasi sipas tij, puna është punë. 

“Nuk kam dilema morale. Vrasësi ka bërë ndonjë gjë monstruoze dhe për këtë arsye nuk më vjen fare keq”,- shprehet Haxh Abd al Nabi. 

Ai konsideron se ka talent për këtë punë, madje thotë se nuk do të dinte të bënte më mirë asnjë punë tjetër. 

“Në shtëpi përpiqem të jem i qetë aq sa mundem. Punën e shoh si çdo punë tjetër dhe përpiqem ta bëj në mënyrën më të mirë”, – thotë Nabi. /bw/

 
Lajme Shqip Sunday, 18 August 2013 22:33

 

 

Angus McDowall dhe Yeganeh Torbati, Reuters

 

Neveria e Mbretit Abdullah të Arabisë Saudite për Iranin shfaqet plotësisht te kabllogramet e ambasadës amerikane. “Na shpëtoftë Zoti nga dashakeqësia e tyre”, u tha ai zyrtarëve amerikanë, sipas një kabllograme të publikuar nga “Wikileaks”. Sipas një tjetre, ai u tha diplomatëve të vet se dëshironte që “Uashingtoni t’ia priste kokën gjarprit”.

Në anën tjetër të Gjirit, neveria e Iranit për Arabinë Saudite shfaqet në një raport të publikuar në faqen e internetit të vijës së ashpër Mashregh. Familja sunduese e mbretërisë, thotë ajo, “po mbytet në korrupsion dhe prostituta”.

Në këtë mjedis helmues, disa hapa të ndërmarrë nga presidenti që sapo mori pushtetin në Iran, Hassan Rouhani, i cili premtoi përmirësim të marrëdhënieve, mund të jenë jo shumë premtuese në zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve më të ashpra dhe shkatërrimtare në të gjithë Lindjen e Mesme.

Është pothuajse e pamundur të mbivlerësosh urrejtjen mes Arabisë Saudite suni dhe Iranit shia. Kjo urrejtje ka mbushur një dekadë me dhunë në të gjithë rajonin.

Në Siri, Irak, Liban dhe Jemen, të dyja palët mbështesin forca në një luftë indirekte. Këto forca ose i kanë nxjerrë shpatat gati për luftë ose sakaq janë zënë në konflikte që shkaktojnë mijëra të vdekur çdo muaj.

Në Siri, secila palë akuzon tjetrën si përgjegjëse për gjakderdhjen, ku Irani mbështet Presidentin Bashar al-Asad, ndërsa Arabia Saudite po financon rebelët që po përpiqen ta rrëzojnë atë. Në Irak, dhuna sektare është në nivelin më të lartë që nga viti 2008.

Riadi akuzon Teheranin për nxitjen e telasheve në Bahrejn dhe në vetë Arabinë Saudite. Teherani akuzon Riadin se komploton shkatërrimin e këtij vendi në bashkëpunim me Uashingtonin.

Gjithsesi, Rouhani, një njeri relativisht i moderuar në krahasim me gjaknxehtin Mahmud Ahmadinexhad, thotë se ai dëshiron të krijojë miqësi me Arabinë Saudite. Inkurajues është fakti që ai ka eksperiencë personale me bisedimet me Riadin.

“Me vullnetin e Zotit, unë shpresoj që ne të kemi marrëdhënie shumë të mira me fqinjët, veçanërisht me Arabinë Saudite gjatë qeverisë së ardhshme”, tha Rouhani në një konferencë për shtyp në qershor.

Megjithatë, shumë pak njerëz besojnë se ai mund të heqë helmin nga rivaliteti i stilit të Luftës së Ftohtë në zemër të Lindjes së Mesme.

 

Coca Cola kundër Pepsit

 

Të dyja vendet kanë interesa për të diskutuar me njëri-tjetrin: Arabia Saudite dëshiron që Irani t’i japë fund asaj që e sheh si përzierje në vendet Arabe – përmes mbështetjes së shiave ose aleatëve të tyre në Siri, Irak, Liban, Bahrein, Jemen dhe në vetë Arabinë Saudite.

Teherani dëshiron që Riadi të ndalojë nxitjen e aksioneve ushtarake kundër impianteve të saj të industrisë bërthamore apo të ndihmojë sanksionet e Perëndimit kundër Iranit duke rritur prodhimin e naftës për të kompensuar mungesat nga Irani.

Si Rouhani ashtu edhe Mbreti Abdullah kanë treguar dëshirë për të bërë paqe në të shkuarën. Si kreu i Këshillit Kombëtar Suprem të Sigurisë së Iranit më 1998, Rouhani u ul dhe bisedoi për një natë të tërë me vëllain (tashmë të ndarë nga jeta) të mbretit Abdullah, ish-ministri i Brendshëm, Princi Najef, për të negociuar një marrëveshje sigurie me mbretërinë pas shumë vitesh fërkimesh.

Në nënshkrimin e marrëveshjes, Mbreti Abdullah zgjodhi të harrojë dyshimet Saudite dhe Amerikane se Teherani qe pas bombardimeve të vitit 1996 të kazermave amerikane në qytetin saudit al-Khobar. Irani la mënjanë kujtimet e vitit 1987 gjatë pelegrinazhit të myslimanëve, kur qindra nga pelegrinët e vet u vranë në përleshje me forcat saudite të sigurisë.

“Mbreti Abdullah e ka njohur Rouhanin për ca kohë. Unë mendoj se kanë një marrëdhënie të mirë. Shumë më të mirë sesa marrëdhëniet me Ahmadinexhat. Ata disponojnë aftësinë për të komunikuar me një farë niveli respekti”, tha Robert Jordan, ambasadori i SHBA-së në Riad nga viti 2001 më 2003.

Por megjithëse historia mund të tregojë një farë hapjeje më të madhe nga të dyja krahët për bashkëpunim, analistët dhe zyrtarë të rajonit shohin se shumë pak gjëra mund të ndryshojnë dhe ka pak shanse për pajtim.

Rrethanat janë shumë më të këqija sot sesa qenë pesëmbëdhjetë vjet më parë kur u nënshkrua marrëveshja e sigurisë. Rajoni është i zhytur në luftëra civile dhe kryengritje.

Në mars 2009, ministri i Jashtëm i Iranit, Manouchehr Mottaki, vizitoi Riadin në përpjekje për të ftohur tensionet mes shteteve rivale, por takimi i tij me Mbretin Abdullah nuk shkoi shumë mirë.

Abdullah i tha këshilltarit amerikan të kundërterrorizmit, John Brennan, disa ditë më vonë se ai i pati thënë vizitorit iranian: “Ju persët nuk keni punë të përziheni me çështjet arabe. Qëllimet e Iranit janë të shkaktojë telashe… nuk ka dyshim se kërkojnë destabilitet. Na shpëtoftë Zoti nga dashakeqësia e tyre”, tha Brennan duke raportuar fjalët e mbretit në një kabllogram të publikuar nga “Wikileaks”.

Në anën e Iranit, politika e jashtme përcaktohet më pak nga Presidenti dhe më shumë nga Udhëheqësi Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, gjë që nënkupton se zgjedhja e Rouhanit ka pak gjasa të ndryshojë në themel pozicionin e Teheranit.

“A është e mundur për ndokënd të bëjë apo të thotë ndonjë gjë pa mendimin e udhëheqësit suprem?” tha ministri i Jashtëm në largim Ali Akbar Salehi në një intervistë me agjencinë Mehr, duke shtuar se ai është ndaluar të vizitojë Riadin.

Riadi nuk duket se ka ndonjë shpresë. Abdullah al-Askar, kryetar i komitetit për marrëdhënie të jashtme në Këshillin e Shuras të Arabisë Saudite, (thuajse-parlamenti i vendit), thotë se diferenca mes Rouhanit dhe Ahmadinexhadit është si ajo mes “Coca Colës dhe Pepsit”.

“Nuk mendoj se ai do të sillet njësoj si Ahmadinexhad, duke folur ashpër”, i tha ai “Reuters”. “Por kur vjen puna te çështjet kryesore, ai do të duhet të punojë brenda një kuadri të përgjithshëm të përcaktuar nga Khamenei”.

E përditshmja saudite “Gazette” bëri një editorial javën e kaluar: “Teherani u është kthyer hileve të vjetra, por me një hileqar të ri”.

Tributë për armiqtë

Për Arabinë Saudite, çdo përmirësim në marrëdhënie do të varet nga fakti nëse Irani do të heqë mbështetjen për Asadin e Sirisë, sulmi i të cilit mbi zonat nën kontrollin e rebelëve është cilësuar nga ministri i Jashtëm, Princi Saud al-Faisal, nipi i Abdullahut, si gjenocid.

Një lëvizje e tij ka gjasa të konsiderohet si një vijë e kuqe e pakalueshme për udhëheqësit e Iranit, të cilët duket se e shohin Sirinë si një lidhje kyçe në aftësinë e tyre për të projektuar ndikim në të gjithë Lindjen e Mesme deri në Liban dhe në kufijtë e Izraelit.

Ajo që irriton Iranin më shumë nga politikat e Arabisë Saudite në Siri është vendimi i Riadit vitin e kaluar për të rritur eksportet e energjisë për zëvendësimin e naftës që është hequr nga tregu nga nafta bruto e Iranit, në thelb duke ndihmuar sanksionet e Perëndimit.

“Në vend që t’u shërbenin myslimanëve, ata po u paguajnë haraç armiqve të myslimanëve duke qëndruar në krah tyre”, tha Nasser Soudani, zëvendëskryetar i komitetit të energjisë në parlamentin e Iranit në janar 2012, duke komentuar mbi rritjen e prodhimit të naftës nga sauditët.

Më pranë shtëpisë, Arabia Saudite akuzon Iranin se po përpiqet të shkaktojë trazira mes minoritetit të vet shia, duke krijuar një rrjet spiunazhi në vend dhe duke u përpjekur të vrasë ambasadorin e këtij vendi në Uashington. Teherani i mohon të gjitha këto akuza.

Armiqësia rrjedh që nga viti 1979 kur Irani u përpoq të eksportojë revolucionin e vet islamik mes shiave në të gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë Arabinë Saudite, duke cenuar kështu balancën e vjetër të pushtetit në rajon.

Arabia Saudite dhe shtete të tjera të Gjirit pas kësaj bënë diçka që Teherani e sheh si pakt me djallin, duke u radhitur krahas Sadam Huseinit, pasi ky i fundit sulmoi Iranin më 1980, duke financuar luftën e tij për tetë vjet, ndërsa ai përdorte armë kimike mbi trupat dhe civilët e Iranit.

Pas një tërheqjeje graduale, SHBA-ja udhëhoqi rrëzimin e Sadamit më 2003 dhe kjo ndezi një luftë të re mes sunive dhe shiave në Irak, ku Riadi dhe Teherani mbështetën palët kundërshtare.

Lufta sektare u ashpërsua gjatë viteve të fundit. Të dyja vendet e përkufizojnë veten sipas Islamit dhe klerikët në të dyja vendet shohin njëri-tjetrin me neveri.

Sot, sundimtarët e Iranit që flasin persisht mbështesin shiat në të gjithë botën arabe, përfshirë qeverinë dhe milicitë në Irak, lëvizjen Hezbollah të Iranit, protestuesit e Bahrejnit kundër familjes sundimtare suni të këtij vendi, rebelët Houthi në Jemen. Presidenti i Sirisë, Asad, është nga sekti Alevi, një degë e shiave.

Arabia Saudite, vendlindja e Islamit dhe mbështetëse e shkollës më konservatore suni, Vahabizmit, mbështet palën tjetër në çdonjërën prej këtyre përleshjeve rajonale. Shkolla Vahabi denigron shiat si heretikë. Mbështetësit e saj të parë beduinë bënë shkatërrime nëpër Irakun e shekullit të tetëmbëdhjetë, duke shkatërruar vendet e kultit të këtij sekti.

Mbreti Abdullah u përpoq ta moderojë këtë këndvështrim. Vitin e kaluar ai tha se do të krijojë një qendër në Riad për të studiuar dallimet mes sekteve. Por ai vetë është regjistruar duke kritikuar shiat për “besimin te varret, statujat dhe individët” në një kabllogram të vitit 2006.

Nga ana e tyre shiat e shohin Vahabizmin si të rrezikshëm, besim radikal që nxit sektarizmin militant. Lufta kundër Asad u ka dhënë një bazë të re luftëtarëve suni të Al Kaedës, të cilët përdorin teologjinë për të justifikuar sulmet mbi civilët alevi dhe shia si në Siri, ashtu edhe në Irak.

“Arabia Saudite e ka krijuar Al Kaedën e re”, thotë analisti Mohammad Sadeq al-Hosseini në një intervistë në qershor me agjencinë konservatore të lajmeve të Iranit, Fars, duke iu referuar mbështetjes së Riadit për opozitën e Sirisë.

Diplomatët e Gjirit thonë se Riadi ka punuar për të shmangur mundësinë e gjurmimit të armëve apo parave të saj që shkojnë për grupimet islamiste brenda koalicionit të rebelëve të Sirisë.

 

Dëm fenomenal

 

Ndërsa Rouhani ka pak gjasa të ndryshojë politikat e Iranit që konsiderohen si më të papranueshmet nga Arabia Saudite, ka shumë pak hapësirë për progres me përjashtim të shmangies së fjalimeve agresive publike.

“Niveli i dëmit të krijuar përgjatë tetë apo dhjetë viteve të fundit është fenomenal. Kjo shtron pyetjen nëse iranianët mendojnë nëse mund t’ia hedhin vetëm duke ndryshuar perden apo janë të gatshëm të bëjnë ndryshime më reale”, thotë Ali Ansari, profesor i historisë së Iranit në Universitetin St Andrews të Britanisë.

Gjithsesi, lëvizjet e Iranit, të tilla si përdorimi i një gjuhe më pajtuese në media mbi Bahrejnin dhe vende të tjera të Gjirit, si dhe ndërprerja e mbështetjes së grupimeve militante të Jemenit, mund të ftohë situatën.

“Siria mund të jetë një urë tepër e largët, por është natyrisht e mundshme se ato do të përpiqen të arrijnë një farë mirëkuptimi për situatën e shiave në Bahrejn. Princi i Kurorës atje është në një pozicion më të mirë për të negociuar dhe mund të jetë i prirur të ndihmojë në një zgjidhje”, thotë Jordan, ish-ambasadori i SHBA-së në Riad.

Diplomatët në Gjirin Persik ende thonë se presin shumë pak ndryshime edhe në çështje periferike dhe se Riadi ka pak gjasa të përkulet para komenteve dashamirëse të Iranit pa marrë më parë ndonjë ndryshim të rëndësishëm në politikat e këtij vendi.

Por edhe një skepticizëm i tillë i thellë nuk i ka ndaluar reformatorët e Iranit të nxisin Rouhanin për t’i ofruar një degë ulliri Arabisë Saudite, një politikë e ndjekur më herët edhe nga ish-presidentët Akbar Hashemi Rafsanjani dhe Mohammed Khatami.

“Situata në Siri është bërë kaq komplekse sa bota islamike është ndarë praktikisht në dy anë, deri në pikën sa luftërat indirekte po zhvillohen mes dy krahëve”, tha reformatori iranian, Saeed Hajarian, në një intervistë të dhënë këtë muaj.

“Ne duhet të demonstrojmë se kjo nuk është një luftë mes shiave dhe sunive. Me të gjithë fuqinë tonë ne duhet t’i ndalojnë palët nga nxitja e urrejtjes fetare”, tha ai

 
Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 23:26

 

Egjipti sot mbylli ditën me një masakër tjetër, ku anembanë vendit mbi 127 persona janë vrarë nga forcat e policisë.

Gjakderdhja u kthye kur forcat e sigurisë hapën zjarr duke kthyer dhunën në shkallë të lartë.

Një protestues i quajtur Muhamed Said, tha për Al Jazeera se turmat ishin qëlluar nga snajperët dhe nga helikopterët.

“Helikopterët filluar për të gjuajtur mbi ne përderisa ishim duke ecur. Miku im mori një plumb në qafë dhe vdiq,” tha ai. “Kishte njerëz që gjuanin nga dritaret.”, tha ai për Al Jazeera transmeton mesazhi.com

Agjencitë e lajmeve Reuters dhe Associated Press raportuan se persona të panjohur bllokuan rrugët dhe u përleshën me protestuesit, pasi ata u përpoqën të marshojnë permes rrugëve të Kajros. Ambulancat që transportojnë të plagosurit u detyruan të kthehen nga sheshi Ramses, pa e kryer punën e tyre.

Vëllazëria Myslimane dhe grupe të tjera, nën flamurin e Aleancës Kundër Grushtit të Shtetit, kishin bërë thirrje për protesta pas lutjeve të së premtes në mbështetje të presidentit të rrëzuar Muhamed Mursi dhe në kundërshtim të mësymjes ushtarake ndaj demonstratave paqësore