12
 
Lajme Shqip Thursday, 27 February 2014 12:18

Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një takim në selinë e Presidencës me presidentin Bujar Nishani. Sipas “Shqiptarja.com’’ në takim ështëdiskutuar lidhur me disa ceshtje të cilat kanë shkaktuar një debat të fortë politik gjatë kohëve të fundit.

Si pikë e parë e diskutimit mes Nishanit dhe Ramës gjatë bisedës afër një orë ka qenë çështja e mosdekretimit të emrave të disa ambasadorëve dhe kjo, në kuadër të ankesës nga ana e kreut të ekzekutivit dhe për dekretet e tjera që kanë mbetur pezull, duke bllokuar ecurinë normale të punës.

Një pikë tjetër e cila është diskutuar ka qenë dhe çështja e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Zna Xhukës, ish-kryetare e ILDKP. Gjithashtu, mësohet se në këtë takim është diskutuar edhe për anëtarët e KLD dhe qëndrimin që ato kanë mbajtur ditëve të fundit. /albeu/

 
Lajme Shqip Wednesday, 12 February 2014 17:47

Partia Demokratike ndodhet në të njëjtën situatë ku ndodhej Partia Socialiste para zgjedhjeve të 23 qershorit. Kërkesat e PS-së të refuzuara nga PD-ja në pushtet, tani po ridrejtohen PD-ja në opozitë.

Një prej këtyre është kërkesa për kohë të barabartë mes kryeministrit dhe “përfaqësuesit të PD-së”. Një kërkesë të tillë, PD e cilësoi antikushtetuese afërsisht një vit më parë. Por tani PD duket se ka ndryshuar qëndrim 180°.

“Ne kërkojmë që në debatin parlamentar të respektohet një parim shumë i rëndësishëm që është ai i kushteve të barabarta. Kuvendi është formimi i vullnetit politik nëpërmjet “përplasjes” së vullneteve politike të forcave të ndryshme politike. Duke qenë se edhe kryeministri përfaqëson ekzekutivin në raportin me Parlamentin, ajo që kërkojmë ne është një barazi “armësh””, shprehet deputeti i PD-së, Oert Bylykbashi, shkruan shekulli.

Duke sqaruar se kjo nuk është një kërkesë që bie ndesh me Kushtetutën, Bylykbashi zbulon një të “fshehtë”.

“Nuk ka asnjë përplasje me Kushtetutën. Ndërkohë ajo që kërkojmë ne është krejt tjetër. Ne kërkojmë ndërhyrje të përfaqësuesit, e kreut të Grupit Parlamentar ose të një përfaqësuesi, të jetë për ndërhyrje kryesore ndaj kryeministrit, ato ndërhyrje që krijojnë dhe shprehin një vullnet politik”.

Deri tani “përfaqësuesi” më i denjë në Kuvend për PD-në ka qenë Berisha dhe një kërkesë e tillë gjithashtu vjen në një kohë kur ish-kryeministri ka bërë dhe autokritikë për fjalimet pa kufizim të tij në Kuvend. Në intervistën e dhënë mbrëmë për Eni Vasilin, ish-kryeministri u shpreh se duhet respektuar rregullorja dhe nuk duhet lejuar që një deputet të flasë sa herë të dëshirojë.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 05 February 2014 15:53

Të jesh i gjatë ndonjëherë nuk është e lehtë. Kryeministri shqiptar Edi Rama e ka dëshmuar këtë. Një situatë ka shkaktuar humor, mes tij, ambasadorit amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ata po merrnin pjesë në inaugurimin e sallës së  pritjes në spitalin e Lezhës, e cila u rinovua frik me ndihmën e USAID-it. 

Fotografinë e ka postuar faqja zyrtare e Ambasadës Amerikane në rrjetin social “Facebook”, e të njëjtën e ka shpërndarë edhe vetë kryeministri.

“Ndonjëherë është e vështirë të jesh i gjatë!”, shkruan aty.  

 
Lajme Shqip Thursday, 31 October 2013 14:13

Tiranë- Edi Rama i cilësoi sot lojrat e fatit një aktivitetetkriminal i cili është zhvilluar me mbështetjet të ish-kryeministrit dhe ministrit të brendshëm.

“Si ka mundësi që në gjithë këtë bahçe bixhozi, me gjithë këto lule të mbjella mbi ruleta, mbushur fasadat e dyqaneve, që hapas pas hapi u kthyen në salla bixhozi, nuk ka një raport të vetëm nga cilido qoftë në zinxhirin ne rkimit eonomik në policinë e shtetit. Kjo mund të ndodhi vetëm nëse ky aktivitet ka mbulimin politik të kryeministrit dhe ministrit të brendshëm. Askush tjetyër nuk mund ta garantojë këtë aktivitetet kriminal. Logjika më elementare të shtyn të ngresh këtë pyetje dhe të japësh këtë përgjigje. Një aktivitet kriminal që nuk ka nevojë as për zbulim, as për mjete te sofistikuara , veçse për dy palë sy , atë të kryeministrit dhe ministrit të brendshëm. Është e pamundur ndryshe” tha Rama në fjalën e tij në Kuvend.

Kryeministri u shpreh më tej se lufta e qeverisë me krimin e organizuar, do të jetë e pashpirt, dhe se qeveria do ti shkojë deri në fund kësaj lufte me çdo çmim.

“Kush është i ngatërruar me ato zorrë do të ketë edhe dhimbje barku. Qendra e atij barku është këtu në Parlament, tha Rama. /albeu/

 
Lajme Shqip Tuesday, 29 October 2013 12:53

Tiranë-Asnjë militant që nuk plotëson kriteret nuk do të punësohet në sektorë si arsimi, tatime, dogana apo INSTAT. Kjo u tha gati, gati në formë urdhri për deputetët dhe ministrat bashkë nga kryeministri Edi Rama, në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar. 

Burime tepër të rezervuara bënë të ditur dje për “Gazeta Shqiptare” se në përgjigje të të gjitha ankesave të deputetëve për punësimin e militantëve dhe atyre që kontribuuan në fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit, Rama mësohet të ketë thënë se askush që nuk e meriton nuk do të zërë një vend pune. “Në bazë të premtimeve të fushatë ne duhet të punojmë të bëjmë shtet dhe jo të punësojmë të paaftë. Çdokush duhet vlerësuar në bazë të meritokracisë”. Sipas Ramës, janë shpallur konkurset në arsim, në tatime dhe të gjithë t’u nënshtrohen konkurseve. 

“Nuk mund të vëmë në një post, në tatime apo dogana një person dhe të lëmë arkën e shtetit bosh, për shkak të paaftësisë së individëve”, mësohet të jetë shprehur i prerë kryeministri Edi Rama. Nga ana tjetër, Rama kërkoi që mes deputetëve dhe ministrave të ketë mirëkuptim. “Zgjidhni çdo gjë me dialog. Nuk ka kuptim të mblidhen asambletë për emërime, ndërkohë që mund ta zgjidhni me konsensus mes jush”, mësohet të jetë shprehur Rama në lidhje me punësimin e posteve politike që tashmë kanë mbetur ende pa u zgjedhur në rang të pushtetit vendor. Kjo është e disata herë që Rama shprehet për të “qetësuar” jo vetëm deputetët, por edhe për të përcjellë tek militantët idenë se nuk do të ketë asnjë vend pune të pamerituar. Veçanërisht për sektorët kyçë si INSTAT, Arsim, Dogana e Tatime, Rama ka kërkuar që të ketë njerëz profesionistë dhe jo të paaftë. Edhe në mbledhjet e kaluara ai e ka përsëritur situatën kritike ku ndodhet buxheti i shtetit, ndaj ka kërkuar më shumë punë dhe njerëz të aftë që ta bëjnë këtë punë në këta sektorë. Madje, në mbledhjet e kaluara ai u ka vendosur deputetëve edhe cakun, duke u thënë se “nëse duan kushërinjtë drejtorë, atëherë të lënë mandatin e deputetit”. 

Kryeministri ka përfunduar edhe konsultimet me deputetët e të 12 qarqeve veç e veç dhe aty është folur ndërkaq edhe për ndarjen e posteve në rang rajonal. Deputetët e çdo qarku, në bashkëpunim me prefektët respektivë do të ndajnë edhe pjesët siç u takon në drejtoritë rajonale. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar nuk është folur më për çështjen e Shpëtim Gjikës. Gjithçka është mbyllur me fjalën e kryeministrit Rama, në fillim të mbledhjes me dyer të hapura. Më tej, grupi ka diskutuar edhe për axhendën e seancës parlamentare. Burimet thanë se nuk ka pasur asnjë diskutim edhe për çështjen e dorëzimit të mandateve të ministrave, çështje kjo që është lënë deri më tani pa u zgjidhur. 

 
Lajme Shqip Monday, 28 October 2013 15:15

Tiranë–Kryeministri Edi Rama reagoi sot për herë të parë ndaj akuzave të prokurorisë për kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika. 

Duke i cilësuar si tepër të rënda, kreu i qeverisë theksoi se shpreson që këto akuza të mos qëndrojnë. 
“Akuza e prokurorisë është shumë e rëndë dhe artikulimet e ketyre akuzave janë tepër të rënda. Duam të shpresojmë se një abuzim kaq skandaloz me detyrën nuk qëndron”. 

“Ne kërkojmë nga drejtësia të bëjë punën e saj pa asnjë pengesë politike. Dëshira jonë është ta shohim Gjiken të çliruar nga akuza dhe duam të provojë pafajësinë me argumente dhe fakte të besueshme, por duhet të jetë e qartë për të gjithë dhe ne nuk bëhemi mburojë politikë e asnjë të akuzuari për korrupsion e abuzime shtetërore. Duam Shqipëri të drejtë e të barabartë me këdo e për këdo, e kjo vlen në radhë të parë kur akuza drejtohet nga ne drejt njërit prej nesh”,- theksoi më tej Rama. 

Rama theksoi se, si mik dhe si socialist do i qëndrojë Shpëtim Gjikës pranë në këtë moment, por si kryeministër do të inkurajojë prokurorinë të kryejë detyrën e nisur.

“Prandaj si socialist dhe mik i Shpëtim Gjikës, unë ndihem keq për të dhe në çfarëdo situatë do jem njerëzisht pranë tij dhe familjes së tij dhe sikur ai të ketë gabuar aq rëndë. Por, si kryeministër unë inkurajoj prokurorinë të bëjë detyrën deri në fund dhe duam që drejtësia dhe jo politika të thotë fjalën e fundit lidhur me të”. /bw/

 
Lajme Shqip Tuesday, 08 October 2013 21:28

Tiranë- Kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes me Këshillin Kombëtar të Territorit dha një konferencë për shtyp. Pasi theksoi barbarinë që i është bërë territorit në këto njëzet vitet e fundit, me dëme edhe të parikuperueshme, Rama theksoi se “jemi në kohë për ta ndalur këtë rrënim, që kjo inerci të vazhdojë e të prekë e shkatërrojë si një kancer pjesën tjetër të organizmit tonë”. Rama bëri të ditur se Berati, Gjirokastra dhe Kruja muzeale do të merren në mbrojtje nga qeveria dhe në to nuk do të bëhet më asnjë ndërtim. KKT konfirmoi sot nëpërmjet Ramës se i hap rrugën përfundimisht ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, por ka anuluar ndërtimin e godinës polifunksionale, raporton vec tjerash, Shqiptarja.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se, “gjatë gjithë periudhës së tranzicionit ka pasur zhvillime urbane shumë të konsiderueshme dhe një pjesë e rëndësishme e këtyre zhvillimeve ka qenë të lidhura me lëvizje të mëdha demografike sikurse edhe me procese që herë me leje, herë pa leje janë zhvilluar nën një rrjedhë që duhet të ndërpritet”.

“Një nga pikat kyçe të zhvillmit tonë strategjik dhe afatgjatë janë të shumëllojshme. Kemi ndotje e konsiderueshme lumenjve, lagunave, ujërave të bregut, mbetje të ngurta të pakontrolluara, shkarkime të konsiderueshme në lumenj apo dhe direkt në det në segemente të rëndësishme, shkurtime të furnizmit me ujë për shkak të ndërhyrjeve në rrjet, ndërhyrje në diga, që kanë ndryshuar rrjedhën dhe volumin, shpyllëzime të jashtëzakoshme për përmasën e gjelbër të Shqipërisë, shkaktuar nga zjarre dhe në kullota që ndikojnë në cilësinë e tokës”. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se, si “rrjedhojë e një urbanizimi të shpejtë, të pakontrolluar dhe kaotik, kemi pasoja si: humbjen e biodiversitetit, gjueti me peshkim të paligjshëm, tejkalim në përdorimin e burimeve ujore, nxjerrje të pakontrolluar. Ndërtimet e paligjshme sollën pasoja, sepse janë bërë në mënyrë barbare”, analizoi Rama.

 
Lajme Shqip Monday, 07 October 2013 12:45

Tiranë- Kryeministri Edi Rama foli sot për emisionin e mëngjesit në Vizion Plus.

I pyetur se cili ishte shqetësimi i tij i parë, Rama tha: “Sa shpejt kalon koha”.

Ndërsa i pyetur se cila është frika e madhe e tij, Rama tha:“Të papriturat dhe ato çka mund të gjej përpara nga vështirësitë ekonomike, janë të vetmet gjëra që i druhem. Kjo për shkak se mund të gjendemi në ndonjë emergjencë kombëtare dhe frika ka një emërues, që mos gjendemi të papërgatitur në këto situata”.

Duke folur për integrimin e vendit, Rama nuk dha një përgjigje të saktë lidhur me datën për marrjen e statusit në BE.

“Statusi nuk është çështje date, rruga e integrimit nuk është rrugë që ne të shkojmë drejt Brukselit, por një rrugë brenda nesh, të ndërtojmë Shqipërinë evropiane. Sfida është zgjimi i një shteti krejtësisht të përgjumur”, tha kryeministri.

Ndërkohë nënkryetarja e grupit parlamentar të PS, Vasilika Hysi, në një intervistë për Shekullin, akuzon qeverisjen e djathtë se ka shkatërruar administratën publike.

“Nëse ka një forcë politikë që ka shkatërruar administratën publike në këto 8 vjet, është opozita e sotme. Mijëra punonjës të administratës publike janë dëbuar, pa motivacion, nga institucione qendrore dhe vendore, sapo Partia Demokratike erdhi në pushtet në 2005 dhe me pas në 2009, madje edhe pas humbjes së thellë të 23 qershorit. Sesa dëm njerëzor dhe financiar ka shkaktuar kjo opozitë, ju lutem shihni vendimet gjyqësore të dhëna, dëmshpërblimet e paguara dhe të papaguara për largimet e padrejta të njerëzve nga puna. Akuzat e opozitës së sotme janë një alibi ndaj luftës pa kompromis që mazhoranca do bëjë kundër korrupsionit në administratën publike,” tha Hysi.

E pyetur në lidhje me ligjin e ri, ku numri i nëpunësve civilë shtohet nga 6 mijë në 20 mijë, Hysi tha se qeveria e re nuk kishte parashikuar në buxhet asnjë fond për zbatimin e këtij ligji. Madje Hysi thotë se aktualisht arka e shtetit është bosh dhe nuk ka paga as për administratën ekzistuese.

“Ky është një nga problemet kryesore që e bën ligjin e ri të pazbatueshëm për momentin, përveç vakumit ligjor që do të krijohej me shfuqizimi e ligjit të vjetër dhe mungesën e akteve nënligjore të nevojshme për zbatimin e ligjit të ri. Në buxhetin e viti 2013, Qeveria e kaluar nuk kishte parashikuar buxhetin për zbatimin e ligjit të ri, madje ka boshatisur arkën e shtetit edhe për pagesën e administratës ekzistuese. Që nga miratimi i ligjit, asnjë akt nënligjor që do të rregullonte emërimet, lëvizjet dhe promovimet e administratës publike nuk është përgatitur”./tema/ 

 
Lajme Shqip Wednesday, 25 September 2013 10:52

Tiranë- Pas Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme, Kryeministri Edi Rama ka postuar sot në profilin e tij në Facebook foto të ambienteve të brendshme të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”.

Sipas tij transforimi rrënjësor i QSUT-së është në themelin e rrugës së rilindjes së sistemit shëndetësor.

“Transformimi rrënjesor i Spitalit Nënë Tereza është në themelin e rrugës së rilindjes së sistemit shëndetësor — Çfarë lidhje kanë këto pamje me spitalin?” shkruan Rama në Facebook. /albeu/

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 September 2013 15:29

Tiranë- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka cilësuar Greqinë një “partner strategjik”, që mund të luajë rolin e përshpejtuesit në “udhëtimin” e Shqipërisë drejt BE.

Në një intervistë për agjencinë greke të lajmeve ANA, kryeministri Rama thekson se shqiptarët janë një popull proevropian, me destinacion të fundit, Bashkimin Evropian.

Ai deklaroi se në dhjetor të këtij viti Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat për në BE dhe më pas do të vazhdojë të hedhë hapat për anëtarësimin e plotë. “Në këtë kontekst, një partner strategjik dhe një vend fqinj si Greqia, e cila do të marrë presidencën e radhës së BE në janar 2014, mund të luajë një rol kyç në përshpejtimin e “udhëtimit” të Shqipërisë për në destinacionin përfundimtar, në Bashkimin Evropian”, deklaroi kryeministri.

Rama nënvizoi bindjen e tij se marrëdhëniet mes dy vendeve do të shënojnë një bashkëpunim të ngushtë në interes të secilit prej tyre. “Qeveria jonë e konsideron Greqinë një vend mik, ku punojnë një numër i madh shqiptarësh që nga viti ’90”, tha kryeministri shqiptar duke ripërsëritur se politika e jashtme e qeverisë së tij mbështetet në parimin “zero probleme me fqinjët “.

Zoti Rama duket i vendosur gjithashtu të lerë pas retorikën nacionaliste të atyre partive, që sipas tij, kërkonin ta përdornin dhe të përfitonin nga problemet e përditshme të shqiptarëve. “Aleanca Evropiane për Shqipërinë ka një program politik proevropian dhe jo nacionalist. Ne duam të shohim përpara dhe ta lëvizim gjeneratën e ardhshme drejt BE”, ka siguruar kreu i qeverisë shqiptare.

I pyetur për marrëveshjen midis Prishtinës dhe Beogradit, Rama është shprehur se ajo ka hapur një epokë të re për rajonin tonë. Ai ka dhënë sigurinë se Shqipëria do të luajë një rol të rëndësishëm në bashkëpunimin rajonal mes vendeve të Ballkanit dhe Evropës Lindore.

Rama në intervistë e karakterizon gazsjellësin TAP, si një “mundësi të mirë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjitha vendet fqinje”.

Sa i përket faktit se për herë të parë që prej rënies së komunizmit në Shqipëri, minoriteti grek nuk është i përfaqësuar në qeveri, kryeministri i Shqipërisë siguron se partia BPDNJ mbetet një prej partnerëve strategjikë të PS dhe shpreh besimin se “kreu i saj Vangjel Dule me pjekurinë dhe përvojën e tij do të kontribuojë në menaxhimin e punës së Parlamentit, në postin e zëvendëskryetari të Kuvendit shqiptar”.

Lidhur me prioritetet e politikës së brendshme, Rama tha se ato lidhen “vizionin e integrimit evropian”. “Në axhendën tonë ambicioze për të nxitur ekonominë produktive dhe për sigurimin e 300 000 vendeve të reja të punës, një prioritet i rëndësishëm është lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të rivendosim sigurinë për çdo familje shqiptare dhe do të ofrojmë një sistem universal të kujdesit shëndetësor falas për të gjithë shqiptarët, qofshin të punësuar apo jo. Qeveria jonë do të shpëtojë fshatin nga kolapsi, do të sigurojë një sistem arsimor cilësor dhe në bashkëpunim me Kosovën, do të ofrojmë një paketë të plotë pushimesh në të katër stinët”, është shprehur Rama për agjencinë greke të lajmeve./BW/

12