Lajme Shqip Monday, 02 July 2012 11:06

Gunter Netzer, ish-mesfushori i Real Madrid dhe Borusia Mynshengladbah, një prej legjendave të përfaqësueses gjermane, ka kritikuar shumë ashpër paraqitjen e Gjermanisë dhe sidomos mungesën e një lideri të mirëfilltë në radhët e kësaj skuadre.

Sipas tij, fajin kryesor e mbajnë dy lojtarë që zhgënjejnë në ndeshjet e mëdha, mbrojtësi Lahm dhe mesfushori Shvajnshtajger.

“Lahm është një kapiten brilant kur bëhet fjalë për deklarata dhe marrëdhëniet me publikun. Por në fushë, si me fanellën e Bajernit, ashtu edhe me atë të kombëtares, ka treguar shumë dobësi në fazën mbrojtëse”, tha ai për “Bild”.

“Shvajnshtajger thjesht nuk është një lider natyral. I kam bërë elozhe për pasimin fantastik të golit të Mario Gomez kundër Holandës, por kam thënë gjithashtu se një gjë e tillë duhej të ndodhte rregullisht. Nëse e bën vetëm një herë, nuk je një lider”.

“Nuk mund t’u mësosh lojtarëve të jenë liderë nëse ata nuk kanë temperamentin e duhur. Çdo skuadër e madhe në historinë e futbollit ka nevojë për individualitete të mëdha”, tha Netzer. (LajmeShqip.com)

Grupi B

Gjermani-Portugali        1-0

73’ Mario Gomez

Holandë-Gjermani        1-2

73’ Van Persi / 23’, 38’ Mario Gomez

Danimarkë-Gjermani    1-2

24’ Krohn Dehli / 19’ Podolski, 80’ Bender

Çerekfinalet

Gjermani-Greqi            4-2

39’ Lahm, 61’ Kedira, 68’ Klose, 74’ Reus / 55’ Samaras, 89’ (p) Salpingidis

Gjysmëfinalet

Gjermani-Itali               1-2

90’+2’ (p) Ozil / 20’, 36’ Baloteli

 
Lajme Shqip Saturday, 30 June 2012 09:20

Eliminimi i Gjermanisë nga Euro 2012 cilësohet si një dështim spektakolar nga mediat gjermane të cilat e trumbetonin këtë si vitin e suksesit të kësaj përfaqësueseje. Për këtë arsye, trajneri Lëv është detyruar të dalë dhe të marrë të gjitha përgjegjësitë për këtë humbje me Italinë që ka djegur më shumë se të tjerat.

“Objektivi im ishte të bllokonim Pirlon e De Rosin në mesfushë. Le të themi që ideja nuk funksionoi 100%. Marr përgjegjësitë e plota për zgjedhjet e formacionit. Por vazhdoj të mendoj se nuk ishin të gabuara, edhe golat e pësuar nuk erdhën si rrjedhojë e këtyre zgjedhjeve”.

“Nuk është e nevojshme që të vihet gjithçka në diskutim. Mos harroni që kemi një ekip të ri dhe kemi fituar të gjitha ndeshjet në një grup të fortë. Kjo skuadër do ta kalojë këtë humbje dhe do të vazhdojë të rritet. Disa vite më parë, nuk ishim në nivelin e ekipeve të mëdha. Tani që i kemi mbërritur, do t’i vëmë si objektiv ndaj vetes t’i kalojmë ata”, tha Lëv.

Më pas, ai është mundur të shpjegojë pak edhe zgjedhjet taktike të bëra për sfidën kundër Italisë.

“E pranoj që një apo dy gjëra duhej të ishin bërë ndryshe. Mario Gomez shënoi tre gola në grup dhe ishte shumë i motivuar pas sfidës me Greqinë ku nuk ishte titullar. Aktivizova Kros në mesfushë që të nxirrte nga loja Pirlon dhe De Rosin. Këto zgjedhje funksionuan vetëm në fillim, por pas pushimit u detyrova të bëj ndryshime në ekip. Italia ishte një skuadër e fortë për të cilën ishim përgatitur dhe nuk e kishim nënvlerësuar. Pas golit të parë, që ishte i evitueshëm, loja jonë u bë e çrregullt. Ishim dy herë të pasigurt në mbrojtje dhe u ndëshkuam në mënyrë brutale për këto gabime”, pranoi trajneri gjerman.

Gjithsesi, drejtuesit e Federatës Gjermane kanë deklaruar publikisht se pavarësisht këtij zhgënjimi të madh, Lëv e kishte vendin e sigurt në stolin e përfaqësueses. (LajmeShqip.com)

Grupi B

Gjermani-Portugali      1-0

73’ Mario Gomez

Holandë-Gjermani        1-2

73’ Van Persi / 23’, 38’ Mario Gomez

Danimarkë-Gjermani   1-2

24’ Krohn Dehli / 19’ Podolski, 80’ Bender

Çerekfinalet

Gjermani-Greqi             4-2

39’ Lahm, 61’ Kedira, 68’ Klose, 74’ Reus / 55’ Samaras, 89’ (p) Salpingidis

Gjysmëfinalet

Gjermani-Itali               1-2

90’+2’ (p) Ozil / 20’, 36’ Baloteli

 
Lajme Shqip Friday, 29 June 2012 18:30

Franc Bekenbauer beson se lojtarët gjermanë u bënë pre e “mallkimit të Italisë” në ndeshjen e tyre gjysmëfinale kundër të kaltërve në Euro 2012.

“Mendova se 16 vite pas suksesit në Angli ishim gati për një tjetër trofe. Por ky turne nuk e pa ende Gjermaninë e vërtetë. Të gjithë bisedat rreth “mallkimit të Italisë” paralizuan disi lojtarët tanë. Diçka i mungonte përsëri ekipit”, deklaroi ai për “Bild”.

“Nuk mendoj se ndryshimet në formacion nga Lëv funksionuan. Por nuk duhet ta harrojmë se edhe gjysmëfinalet janë një rezultat i mirë. Vende të tjera si Anglia, Franca dhe Holanda do të dëshironin që ta arrinin një vend të tillë. Tani na duhet të presim dy vite për të patur një tjetër mundësi për titullin kampion”, tha ai.

Ndërkohë, presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Volfgang Niersbah, ka folur për dëshpërimin që ka mbizotëruar në dhomat e zhveshjeve të kombëtares gjermane dhe se si kjo ndjenjë lindte gjithmonë pas ndeshjeve me Italinë.

“E kuptojë qartë depresionin e lojtarëve në dhomat e zhveshjeve. Duhet pak kohë për të dalë nga kjo gropë psikologjike. Është gjithmonë e njëjta gjë kur luan kundër italianëve. Zhgënjimi që të bëjnë të ndjesh është aq i madh sa kalon në dëshpërim”, tha Niersbah. (LajmeShqip.com)

Grupi B

Gjermani-Portugali        1-0

73’ Mario Gomez

Holandë-Gjermani        1-2

73’ Van Persi / 23’, 38’ Mario Gomez

Danimarkë-Gjermani    1-2

24’ Krohn Dehli / 19’ Podolski, 80’ Bender

Çerekfinalet

Gjermani-Greqi            4-2

39’ Lahm, 61’ Kedira, 68’ Klose, 74’ Reus / 55’ Samaras, 89’ (p) Salpingidis

Gjysmëfinalet

Gjermani-Itali               1-2

90’+2’ (p) Ozil / 20’, 36’ Baloteli

 
Lajme Shqip Friday, 29 June 2012 16:33

Fitoret e njëpasnjëshme të Italisë e kanë kthyer Çezare Prandelin në një besimtar të devotshëm por edhe supersticioz. Premtimi për të vizituar në këmbë manastiret e Krakovës pas çdo suksesi vazhdon të mbahet dhe pas fitores me Gjermaninë, trajneri italian ka bërë një tjetër udhëtim në mesnatë bashkë me stafin e tij.

Sapo kanë mbërritur në hotelin e kombëtares, Prandeli ka udhëhequr stafin drejt dioqezës së Krakovës, në një udhëtim vajtje-ardhje në këmbë që ka zgjatur 10 kilometra dhe ka përfunduar në orën 5 të mëngjesit. Nuk duhet harruar se pas fitores me Irlandën ai bëri 21 kilometra në këmbë, ndërsa 11 të tjerë i bëri pas suksesit me Anglinë. Nuk dihet se cili manastir do të jetë objektivi i pelegrinazhit të trajnerit të Italisë nëse fiton finalen, por kapiteni Bufon ka premtuar se do të bëjë  40 kilometra vajtje-ardhje.

Devotshmëria fetare e trajnerit italian ka bërë që edhe Papa Benedikti i XVI të kthehet në një tifoz të të kaltërve. Nëpërmjet kardinalit Bertone, ai u ka dërguar një mesazh urimi italianëve të cilët mundën pikërisht Gjermaninë e tij.

“Si peshkop i Romës, Papa ndjehet pjesëmarrës i lumturisë të besimtarëve të tij. Shprehi komplimentet tona kombëtares italiane”, ishte komenti që kardinali Bertone ka bërë në emër të Papës në një telefonatë me presidentin italian, Napolitano. (LajmeShqip.com)

Grupi C

Spanjë-Itali                   1-1

63’ Fabregas / 61’ Di Natale

Itali-Kroaci                   1-1

39’ Pirlo / 72’ Manxhukiç

Spanjë-Irlandë              4-0

4’, 70’ Torres, 49’ Silva,  83’ Fabregas

Kroaci-Spanjë              0-1

88’ Navas

Itali-Irlandë                   2-0

35’ Kasano, 90’ Baloteli

Çerekfinalet

Spanjë-Francë              2-0

19’, 90’+1’ (p) Ksabi Alonso

Angli-Itali                     0-0 (2-4 p.)

Gjysmëfinalet

Portugali-Spanjë           0-0 (2-4 p.)

Gjermani-Itali               1-2

90’+2’ (p) Ozil / 20’, 36’ Baloteli

Finalja

01.07.2012

Spanjë-Itali                   20:45

Gjyqtar: Pedro Proença (Portugali)

Kiev

 
Lajme Shqip Friday, 29 June 2012 14:10

Dëshpërimi i tifozëve gjermanë pas humbjes së radhës ndaj Italisë në gjysmëfinalet e një turneu nuk ka kaluar pa pasoja, pasi sheshet e qyteteve më të mëdha gjermane janë kthyer në arenë përplasje mes tifozëve të të dy palëve.

Nëse ngjarjet kanë filluar “qetësisht” me gjuajtje me spageti, në Vupertal situata është acaruar aq sa grupet e tifozëve gjermanë kanë filluar të lëshojnë slogane ksenofobe kundër italianëve. Qyteti u vendos në gjendje shtetrrethimi nga policia, e cila arriti të evitonte një përplasje masive mes 800 tifozësh gjermane e 600 tifozësh italianë. 13 persona u plagosën, mes të cilëve edhe një polic, por për fatin e mirë, kur situata po acarohej më shumë, shpërtheu një furtunë dhe shiu i rrëmbyeshëm bëri që palët të shpërndaheshin.

Në Reklinghausen, dëshpërimi gjerman u kthye në një luftë kundër policisë, pasi forcat e renditu u gjuajtën me shishe birrë nga tifozët. Në Volfsburg, policia evitoi një tjetër përplasje masive, pasi vendasit deshën të ndalnin një festim me makina në rrugët e qytetit nga tifozët italianë.

Edhe në Berlin e Mynih, situata ishe mjaft e tensionuar në orët e vona të natës me policinë që u detyrua të bënte disa arrestime pasi tifozët e dehur gjermanë sulmonin çdo tifoz italian që shihnin në rrugët e qytetit. Ngjarja më e veçantë ndodhi në Kasel, ku një tifoze gjermane sulmoi tifozët italianë me sprai djegës e më pas bëri të njëjtën gjë edhe kundër policëve që po i afroheshin ta arrestonin. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 29 June 2012 10:46

Xhixhi Bufon është shfaqur mjaft i inatosur pas përfundimit të gjysmëfinales kundër Gjermanisë ku Italia preu biletën për në finalen e Euro 2012. Kapiteni ka kritikuar shokët e skuadrës të cilët gabuan në momentet e fundit duke mos mbyllur ndeshjen dhe duke vënë gjithçka në diskutim.

“Isha i inatosur sepse këtu po luhet për diçka unike dhe shumë prestigjioze: nuk është e drejtë, edhe për shkak të ndeshjes që luajtëm, që të vuanim në atë mënyrë në 5 minutat e fundit dhe të luanim me zjarrin”, tregoi ai duke shpjeguar pse ishte larguar nga fusha e lojës pa festuar me shokët e skuadrës pas përfundimit të takimit.

“Po luajmë në Evropian dhe kur është e mundur, ndeshjet duhen fituar në mënyrë të lehtë. Nëse për një rast fatlum ata barazonin në 2-2, në kohët shtesë ndoshta do e humbnim ndeshjen dhe do të ishim tani duke folur krejtësisht ndryshe”.

“Unë vlerësimet i bëj edhe në bazë të disa sjelljeve që duhen përmirësuar. Në skuadër janë lojtarët e rinj që duhet të mësojnë disa gjëra, pastaj janë edhe pleqtë si puna ime që në situata të veçanta të çajnë dërrasat”, ka komentuar me humor portieri italian. (LajmeShqip.com)

Grupi C

Spanjë-Itali                   1-1

63’ Fabregas / 61’ Di Natale

Itali-Kroaci                   1-1

39’ Pirlo / 72’ Manxhukiç

Itali-Irlandë                   2-0

35’ Kasano, 90’ Baloteli

Çerekfinalet

Angli-Itali                     0-0 (2-4 p.)

Gjysmëfinalet

Gjermani-Itali               1-2

90’+2’ (p) Ozil / 20’, 36’ Baloteli

Finalja

01.07.2012

Spanjë-Itali                   20:45

 
Lajme Shqip Friday, 29 June 2012 08:40

Zhgënjimi i pabesueshëm në radhët e Gjermanisë pas eliminimit nga Euro 2012 dukej qartë në fjalët e protagonistëve të cilët kanë kritikuar veten për paaftësinë për të shkëlqyer në momentin kur duhej më shumë.

Kapiteni Filip Lahm, ka qenë i pari që ka kritikuar gabimet e prapavijës në golat e pësuar, mes të cilëve edhe atë të tijin në momentin e golit të dytë të Mario Balotelit. “Është shumë e rëndë për ta pranuar, kemi bërë disa gabime idiotësh dhe prandaj erdhën golat e tyre. Kur je në disavantazh me Italinë, bëhet shumë e vështirë të rikuperosh”, ishin fjalët e tij.

Ndërsa trajneri Lëv ka pranuarse ka patur një farë mendjemadhësie nga ekipi i tij përballë italianëve, të nënvlerësuar gjatë këtij turneu por që kanë treguar kundër ekipeve të mëdha se janë më të mirë se sa mendohej.

“Kjo është pjesë e evoluimit të një skuadre, nuk mund ta fitosh një titull vetëm duke folur për të. Edhe spanjollëve iu desh të prisnin për një kohë të gjatë për të fituar”.

“Na kanë ndëshkuar gabimet që kemi bërë dhe kundër një skuadre si Italia nuk kishim çfarë të bënim. E dinim shpejtësinë dhe aftësinë e Balotelit, por gjithsesi na ndëshkoi me dy golat e tij. Por ne shohim me besim drejt të ardhmes pasi kemi një skuadër të re”.

“Gjithsesi, momenti është shumë i vështirë. Por të futeni tani në dhomat e zhveshjes askush nuk është në gjendje të flasë, ka vetëm lot nga futbollistët, zhgënjimi është jashtëzakonisht i madh. Kemi bërë një turne të mirë dhe ekipi do të mësojë shumë nga kjo eksperiencë”. (LajmeShqip.com)

Grupi B

Gjermani-Portugali        1-0

73’ Mario Gomez

Holandë-Gjermani        1-2

73’ Van Persi / 23’, 38’ Mario Gomez

Danimarkë-Gjermani    1-2

24’ Krohn Dehli / 19’ Podolski, 80’ Bender

Çerekfinalet

Gjermani-Greqi            4-2

39’ Lahm, 61’ Kedira, 68’ Klose, 74’ Reus / 55’ Samaras, 89’ (p) Salpingidis

Gjysmëfinalet

Gjermani-Itali               1-2

90’+2’ (p) Ozil / 20’, 36’ Baloteli

 
Lajme Shqip Thursday, 28 June 2012 22:34

Italia mund të quhet pa frikë surpriza më e këndshme e Euro 2012 pasi ka arritur të mposhtë Gjermaninë 2-1 dhe të sigurojë një finale të paimagjinueshme kundër Spanjës. Mario Baloteli ka qenë heroi i takimit duke shënuar dy gola në pjesën e parë, por italianët janë drithëruar deri në sekondat e fundit pas penalltisë së Ozil. 

Lëv ka çuditur me formacionin e tij, duke kthyer Gomez e Podolski, por duke lënë jashtë Myler, për të aktivizuar Kros në vend të tij. Fillimi i vrullshëm i gjermanëve bën që të mendohet për një sukses të thjeshtë të skuadrës që shihej si pretendente. Por Italia arrin që me rrezikun e parë të gjejë rrugën e rrjetës falë Kasanos që i shmanget mbrojtjes dhe harkon një top në qendër, me Balotelin që ndjek aksionin dhe me kokë dërgon topin në rrjetë. Gjermania shtanget dhe shpërqendrohet, Italia falënderon dhe shënon përsëri. Këtë radhë është Montolivo që jep një top të gjatë për Balotelin, i cili ka kohën e duhur të ndalojë topin, ta rregullojë atë dhe pastaj të lëshojë një të djathtë të pakapshme për Nojer.

Lëv nuk humb kohë dhe në fillimin e pjesës së dytë nxjerr nga loja Gomez e Podolski, inekzistent në fushë, për të aktivizuar Klose e Reus. Ky i fundit ka menjëherë mundësinë të shkurtojë diferencën por nuk gjen kuadratin pas dy aksioneve të shpejta, ndërsa detyron Bufon të bëjë një super-grushtim për të shpëtuar portën e tij nga një goditje dënimi e ekzekutuar mjeshtërisht nga talenti gjerman.

Gjermanët rrezikojnë, por janë italianët që kanë rastet më të mira në kundërsulm, të humbura në mënyrë të pabesueshme me Diamantin, Markizion e Di Natalen, të cilet falin Nojer dhe lënë ndeshjen të hapur deri në minutat e fundit. Gjithçka bëhet më emocionuese kur pikërisht në mbarimin e kohës së rregullt, Gjermania shkurton diferencën me anë të Ozil pas një 11-metërshi të akorduar për prekje topi me dorë në zonë nga Balzareti. Por nuk ka më kohë dhe Italia fiton 2-1, duke vazhduar çuditë e saj përballë skuadrës gjermane, duke nxjerrë favoritët nga turneu.

Tashmë Italia do të shkojë në finalen e të dielës kundër Spanjës, ku përsëri nuk do të jetë skuadra favorite, por që sigurisht nuk do të nënvlerësohet më nga skuadra e Del Boskes, me të cilën ka barazuar 1-1 në ndeshjen në grup. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 28 June 2012 16:30

Jurgen Klinsman beson se Gjermania është kthyer në një prej forcave më dominuese në futbollin ndërkombëtar dhe e meriton të fitojë Euro 2012. Përfaqësuesja gjermane ishte finaliste e Euro 2008, ndërsa u eliminua në gjysmëfinale në Botërorët e viteve 2006 dhe 2010.

47 vjeçari Klinsman, i cili ishte trajner i ekipit në vitin 2006, mendon se tani ka ardhur koha që kjo kombëtare të fitojë një trofe ndërkombëtar.

“Shpresoj që Gjermania ta dominojë këtë turne duke fituar trofeun. Ne tani kemi një brez me aftësi të ndryshme dhe secili prej këtyre lojtarëve është mjaft interesant. Kjo është një skuadër që mund të bëjë diferencë në një turne. Gjermania meriton të fitojë një trofe si ai i Kampionatit Evropian. Ne zakonisht kemi forcën e brendshme për t’iu përgjigjur çdo sfide. Duhet të besojmë se mund të kalojmë çdo rival, ashtu siç bën Spanja”, tregoi ai.

Klinsman ka zbuluar se mban kontakte të vazhdueshme me Joakim Lëv, zëvendësin e tij në Botërorin 2006 dhe që atëherë trajner i përfaqësues gjermane.

“Lëv është një mik i vërtetë, më shumë se trajner i Gjermanisë apo asistenti im në vitin 2006. Ne flasim me orë të tëra për futbollin, është një privilegj që flas rreth ndeshjeve me të. I kam treguar se mendoj që ekipi i tij luan thuajse në perfeksion. Por gjithashtu i kam thënë se me stilin e tij të lojës rrezikon shumë, arsye pse duhet që të shpërblehet me një trofe”, tregoi trajneri gjerman që aktualisht drejton përfaqësuesen e SHBA. (LajmeShqip.com)

Grupi B

Gjermani-Portugali        1-0

73’ Mario Gomez

Holandë-Gjermani        1-2

73’ Van Persi / 23’, 38’ Mario Gomez

Danimarkë-Gjermani    1-2

24’ Krohn Dehli / 19’ Podolski, 80’ Bender

Çerekfinalet

Gjermani-Greqi            4-2

39’ Lahm, 61’ Kedira, 68’ Klose, 74’ Reus / 55’ Samaras, 89’ (p) Salpingidis

Gjysmëfinalet

28.06.2012

Gjermani-Itali               20:45

 
Lajme Shqip Thursday, 28 June 2012 12:45

Gjermania dhe Italia bëhen gati të luajnë një tjetër kapitull të përballjeve historike mes tyre por Xhixhi Bufon është i mendimit se gjermanët e luajnë këtë sfidë duke menduar si të hakmerren për disfatën në vitin 2006, në gjysmëfinalet e Botërorit.

Atëherë, Groso e Del Piero shuan ëndrrat e tifozerisë gjermane që po ëndërronte finalen në aktivitetin që Gjermania e organizonte vetë. “Ka qenë një kënaqësi e jashtëzakonshme të mundnim Gjermaninë në fushën e saj dhe të shkonim në Berlin e të merrnim Kupën e Botës”, ka kujtuar ai në një intervistë për “Bild”. “Por tani e dimë që duan të hakmerren dhe që janë tmerrësisht të fortë. Do të na nevojitet pak fat”.

Sipas tij, historia nuk do të thotë shumë dhe ideja e superioritetit “tradicional” italian rrezikon të shkërmoqet para goditjeve gjermane në portë.

“Ndeshja e sotme është një klasike mes dy skuadrave të mëdha. Por tradita dhe statistikat janë bërë pikërisht për t’u përmbysur. Kuptohet që personalisht shpresoj që gjërat të mbeten kështu siç janë e që të na ecë mbarë edhe këtë herë”.

“Pika të dobëta? Nuk kanë asnjë! Nëse do më duhej të zgjidhja dy kundërshtarët që vlerësoj më shumë, ata janë Gomez e Klose. Nojer? Nuk e di nëse mund të bëhet numri 1 në botë, por di që është shumë i fortë. Nuk është rastësi që është portieri titullar i Gjermanisë dhe Bajern Mynih”, përfundoi kapiteni i përfaqësueses italiane. (LajmeShqip.com)

Grupi C

Spanjë-Itali                   1-1

63’ Fabregas / 61’ Di Natale

Itali-Kroaci                   1-1

39’ Pirlo / 72’ Manxhukiç

Itali-Irlandë                   2-0

35’ Kasano, 90’ Baloteli

Çerekfinalet

Angli-Itali                     0-0 (2-4 p.)

Gjysmëfinalet

28.06.2012

Gjermani-Itali               20:45