Lajme Shqip Friday, 29 June 2012 15:18

Nani ka sulmuar ashpër Kristiano Ronaldon duke lënë të kuptohet se ky i fundit kishte gënjyer paturpësisht para të gjithëve rreth çështjes së penalltisë së pestë në gjysmëfinalet e Euro 2012. CR7 është kritikuar pas i nuk e gjuajti më parë penalltinë e tij, por qëndroi i pesti për të pritur meritat e një suksesi të mundshëm. Por lojtari ka deklaruar se ishte trajneri Bento ai që vendosi radhën e gjuajtjeve të 11-metërshave.

“Kristiano Ronaldo kërkoi të gjuante penalltinë e fundit, unë i thashë trajnerit se nuk kisha preferenca”, ka tregua lojtari i Mançester Junajtid, duke konfirmuar zërat se CR7 kërkonte më shumë lavdinë personale sesa suksesin e ekipit. “Radha e gjuajtjes nuk përbënte problem për mua pasi penalltitë janë gjithmonë fat dhe ne nuk meritonim të mundeshim në atë mënyrë”.

Por edhe vetë Nani nuk e shpjegoi pse ai ndërroi radhën me Bruno Alvesh, gjë që rezultoi fatale pasi mbrojtësi goditi traversën dhe i dha mundësinë Fabregas të shënonte qetësisht penalltinë e fundit për të çuar Spanjën në finalen e Euro 2012. Ai është mjaftuar të flasë për të ardhmen, ku sheh një skuadër që mund të bëjë më mirë se kaq.

“Mendoj se duhet të jemi krenarë, treguam sa të mirë jemi përballë kampionëve të botës dhe besoj se i bëmë vend vetes për një finale të mundshme. Por e ardhmja duket më e mirë”. (LajmeShqip.com)

Grupi B

Gjermani-Portugali        1-0

73’ Mario Gomez

Danimarkë-Portugali     2-3

41’, 80’ Bendtner / 24’ Pepe, 36’ Postiga, 87’ Varela

Portugali-Holandë         2-1

28’, 74’ K. Ronaldo / 11’ Van Der Vart

Çerekfinalet

R. Çeke-Portugali         0-1

79’ Kristiano Ronaldo

Gjysmëfinalet

Portugali-Spanjë           0-0 (2-4 p.)

 
Lajme Shqip Thursday, 28 June 2012 10:01

Mbrojtësi i përfaqësueses spanjolle, Serxho Ramos, i zgjedhur lojtari më i mirë i ndeshjes nga votuesit e uefa.com, ka treguar se e kishte planifikuar që më parë gjuajtjen “Panenka” të 11-metërshit përballë Portugalisë.

“E kisha menduar që më parë ta gjuaja ashtu, por është e sigurt që një futbollist nuk e gjuan pa parë se si lëviz portieri kundërshtar. Del Boske e dinte që isha në gjendje ta bëja një gjë të tillë pasi ka shumë vjet që më njeh dhe e di që unë jam pak i çmendur”, ka komentuar me humor lojtari.

“Pas ngjarjes së fundit në Ligën e Kampioneve me Real Madrid, u thanë shumë gjëra rreth meje, të cilat prekën edhe krenarinë time, ndaj mora këtë përgjegjës, pasi emocionalisht e ndjeja veten të përgatitur”.

“Gjuajtja “Panenka” është gjëja e fundit që një portier parashikon, sidomos nëse përballë ka një mbrojtës. Ajo është pak e rrezikshme, por gjithçka shkon mirë nëse ke besim në vetvete. Unë vendosa përfundimisht të gjuaja ashtu pasi pashë që portieri lëvizi. Pastaj ne jemi të gjithë më të qetë, pasi te penaltitë kemi portierin më të mirë në botë”, tha ai duke i thurur elozhe kapitenit Iker Kazijas. (LajmeShqip.com)

Grupi C

Spanjë-Itali                   1-1

63’ Fabregas / 61’ Di Natale

Spanjë-Irlandë             4-0

4’, 70’ Torres, 49’ Silva,  83’ Fabregas

Kroaci-Spanjë              0-1

88’ Navas

Çerekfinalet

Spanjë-Francë              2-0

19’, 90’+1’ (p) Ksabi Alonso

Gjysmëfinalet

Portugali-Spanjë           0-0 (2-4 p.)

Finalja

01.07.2012

Spanjë- Gjermani/Itali   20:45

 
Lajme Shqip Thursday, 28 June 2012 09:20

Kristiano Ronaldo ka qenë padyshim lojtari më i zhgënjyer pas humbjes me penallti të Portugalisë përballë Spanjës. Portugezi jo vetëm që nuk arriti të realizonte objektivin e tij për të shkuar në finale, por tregoi edhe një herë se dëshira për të rënë në sy shpesh e çon në penalizmin e kombëtares së tij.

CR7, me dëshirën për t’u kthyer në një hero për kombëtaren, vendosi që të gjuante penalltinë e 5-të, që mund të ishte vendimtarja për fatet e përfaqësueses së vendit të tij. Por gabimi i Alvesh dhe saktësia e Fabregas prishën tërësisht planin e futbollistit që mbeti i hutuar në mesin e fushës pa patur mundësinë të shkonte te pika e bardhë.

“Nëse do të ishim 4-4 dhe ai do të kishte gjuajtur penalltinë e fundit, tani do të kishim folur ndryshe. Kjo është çështje strategjie dhe atë strategji e kishim caktuar më përpara”, ishin fjalët e trajnerit Bento që mbrojti vendimin për të lënë Ronaldon si gjuajtës i pestë.

Ndërsa vetë lojtari ka deklaruar se vendimi nuk kishte ardhur për shkak të gabimit të tij me Real Madrid kundër Bajern Mynih.

“Penalltitë janë lotari, Spanja ishte me fat dhe e përgëzoj për këtë. Gjatë ndeshjes ishim të balancuar dhe duhet të jemi krenarë me atë që shfaqëm në fushën e lojës, u larguam me kokën lart”.

“Ndeshja ishte e bukur dhe Spanja krijoi raste në fund pasi bëri zëvendësime më të mira me Navas e Pedro. Kush i gjuajti penalltitë nga ne e bëri mirë punën e tij. Mund të gjuaja i dyti, i treti apo i pesti, por zgjedhja ime nuk u bë nga “fantazma” e penalltisë së humbur ndaj Bajern”, tha Kristiano Ronaldo. (LajmeShqip.com)

Gjysmëfinalet

Portugali-Spanjë              0-0 (2-4 p.)

28.06.2012

Gjermani-Itali                    20:45

Finalja

01.07.2012

Spanjë- Gjermani/Itali   20:45

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 June 2012 22:52

Spanja është finalistja e parë e Euro 2012, pasi ka mundur me 11-metërsha Portugalinë, në një sfidë të mbyllur pa gola mes ekipeve dhe ku të dy skuadrat kanë qenë shumë larg spektaklit që pritej nga një përplasje e tillë. 

Ashtu siç pritej, ishte Spanja që kontrollonte më shumë topin, ndërsa te Portugalia, Kristiano Ronaldo, Nani dhe Almeida përbënin treshen ofensive me objektiv për të vënë në vështirësi mbrojtjen e spanjollëve. Por rezultati është thjesht një betejë në mesfushë, ku dy ekipet thuajse nuk shqetësojnë asnjëherë portat kundërshtare.

Për më tepër, aktivizimi i Negredo si sulmues i vetëm nuk është se dha rezultatin e duhur të spanjollët, me Del Bosken që kuptoi gabimin duke aktivizuar Fabregas në vend të tij në fillimin e pjesës së dytë. Por përsëri ritmi i lojës nuk ngihet dhe sfida vazhdon të jetë e tëra në mesfushë. Në minutën e 86-të të sfidës, ka hapësirë për Pedron dhe që nga ajo minutë fillojnë problemet për prapavijën e portugezëve pasi kombinimet e lojtarit të Barcelonës me Zhordi Albën e Iniestën sjellin rreziqe të njëpasnjëshme për portën e Rui Patricio.

Por konkretizimi vazhdon të lërë për të dëshiruar dhe si rrjedhojë, skuadrat shkojnë në kohët shtesë e më pas në lotarinë e penalltive, pasi as 30 minutat shtesë nuk shërbejnë për të përcaktuar një fitues të kësaj sfide.

Seria e penalltive fillon si mos me keq për spanjollët, pasi Rui Patricio grushton penalltinë gjuajtur nga specialisti Ksabi Alonso. Por pak sekonda më vonë, Kazijas rivendos qetësinë duke grushtuar penalltinë e Mutinjos. Më pas vijojnë realizimet e sakta të Iniesta (S), Pepe (P), Pike (S), Nani (P) e Serxho Ramos (S). Ndërkohë, gjuajtja e Bruno Alvesh ndalet nga traversa, ndërsa Fabregas godet pjesën e brendshme të shtyllës e topi përfundon në rrjetë, duke kaluar Spanjën në finale për të tretin turne radhazi, pas Euro 2008 dhe Botërorit 2010. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 June 2012 17:57

20 mijë tifozët belgë që kanë nxjerrë veten në shitje gjatë Euro 2012 për të fituar para për Unicef, duket se janë kthyer në një armë të fuqishme “tersndjellëse”. Shkak është bërë fakti se dy skuadrat për të cilët ata kanë bërë tifo gjatë Euro 2012, janë eliminuar me sukses, Holanda dhe Anglia.

Fillimisht ata u blenë për 3000 euro nga një tifoz holandez i cili i ftoi të bënin tifo për kombëtaren e tij, por “tulipanët” u eliminuan që në grup pa shumë shkëlqim dhe tifozët belgë e panë përsëri veten në shitje.

Në ankandin e dytë në “Ebay”, ata u blenë nga një tifoz anglez, i cili shpresonte që të kishte sa më shumë mbështetës për “tre luanët”. Por Anglia u eliminua përsëri pa shumë bujë nga Euro 2012 dhe tifozët belgë respektuan “zinë” prej 24 orësh e pastaj nxorën përsëri veten në shitje.

Por këtë radhë ka ndodhur çudia, pasi janë blerë nga një tifoz gjerman, i cili nuk dëshiron që ata të bëjnë tifo për ekipin që drejtohet nga Joakim Lëv, duke parë precedentët e rrezikshëm. Ai i ka ngarkuar atyre detyrën që të bëjnë tifo për Spanjën, duke shpresuar që si dy skuadrat e tyre të mëparshme, të bëjnë”magji” dhe të eliminojnë ekipin e Del Boskes.

“Blerësi ynë mendon se Gjermania do ta mundë Italinë edhe pa ndihmën tonë, ndaj këtë radhë ne do të përdoremi si një kukull për magji të zezë. Sigurisht që mbështetja jonë do të jetë e pakufizuar për Spanjën. Vamos Espana!”, ishte mesazhi i organizatorit Liven Shire, i cili bëri të ditur se “magjia e zezë” këtë radhë kishte çuar në arkat e Unicef vetëm 82 euro të paguara nga ky tifoz gjerman. (LajmeShqip.com)

Gjysmëfinalet

27.06.2012

Portugali-Spanjë           20:45

28.06.2012

Gjermani-Itali               20:45

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 June 2012 12:30

Diego Maradona ka treguar admirimin e tij për Kristiano Ronaldon dhe ka konfirmuar mendimin se kjo ndeshje do të jetë një beteje personale e tij kundër Spanjës. Sipas tij, portugezët duhej t’i bënin një monument në Lisbonë futbollistit që arrin të udhëheqë kombëtaren në këto nivele.

“Për shumë vite ai ka vuajtur për t’u paraqitur mirë me kombëtaren. Lojtari më i mirë në botë, përkrah Lionel Mesit, dukej i mërzitur dhe i pafuqishëm kur luante me Portugalinë. Për fatin e tij të mirë, trajneri Bento arriti të koordinonte përkrah tij Pepen në mbrojtje, Meireles në mesfushë dhe Nani në krah, duke i dhënë atij hapësira të shpërthente para”.

“Pas dy ndeshjesh nën nivel, Ronaldo filloi të luante, duke shënuar tre gola dhe duke ngjitur Portugalinë në një gjysmëfinale të papritur. Është gjithmonë diçka e bukur kur sheh maksimumin nga një yll i futbollit. Ai i ka treguar bashkëkombësve të tij se meriton një statujë në Lisbonë”.

“Por spanjollët nuk do të dyfishojnë mbrojtjen kundër tij, nuk është në stilin e tyre. Ata do të mundohen të dominojnë mbajtjen e topit, në mënyrë që ai të ketë mundësinë të prekë sferën vetëm në 10% të ndeshjes. Megjithëse ai është në formë të shkëlqyer, do t’i duhet të luftojë gjatë të gjithë ndeshjes për një top që i jep mundësinë të shënojë. Në formën që po kalon, nëse i jepet një shans, ai do ta dërgojë topin në rrjetë. Ai udhëhiqet nga dëshira për të çuar skuadrën në finale dhe për të treguar se është futbollisti më i mirë në botë”.

Sipas Maradonës, Spanja vazhdon të jetë favorite dhe vazhdon të dominojë, ashtu siç pritet të bëjë edhe ndaj Portugalisë.

“Qëndro në mbrojtje dhe Spanja të mbyt. Sulmoji, ashtu siç bëri Italia në ndeshjen e parë, e ndoshta atëherë mund të shkaktosh një të papritur. Spanjollët vazhdojnë të luajnë lojën e tyre me mbajtje topi, duke rrezikuar të munden me Italinë e Kroacinë, por kanë treguar se zotërojnë mesfushën më të mirë të turneut me treshen e Barcelonës, Ksavi-Iniesta-Buskets. Ndonëse nuk janë aq në formë sa në Botërorin 2010, Spanja vazhdon të dominojë ndeshjet e saj me lehtësi acaruese”, pranoi Maradona. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 June 2012 11:00

Që në fillimin e Euro 2012, Spanja shihej si favorite e qartë për të mbërritur në finalen e aktivitetit dhe ky parashikim ruhet edhe për ndeshjen gjysmëfinale me Portugalinë.

“Kompania “William Hill”, kuoton me 1.91 një fitore spanjolle, përballë asaj 4.5 të portugezëve, ndërsa edhe për kualifikimin (me kohë të rregullt, shtesë apo penallti), Spanja është më e avantazhuar me koeficientin 1.4, përballë atij 2.75 të ekipit portugez.

Sfida që pritet të mos ketë më shumë se tre gola, ka një koeficient 5.5 për të shkuar në gjuajtjet nga pika e bardhë e 11-metërshave, aq sa kuotohet edhe fitorja minimale 1-0 e spanjollëve. Fitorja e tyre 2-0 është 8, ndërsa ajo 2-1 është 9.5. Barazimet 0-0 dhe 1-1 kanë koeficientin e përbashkët 7.5.

Suksesi më i mundshëm portugez është ai 1-0, që ka koeficientin 8.5, ndërsa çdo rezultat tjetër në favor të tyre ka minimalisht koeficientin 17.

Nëse mes portugezëve është vetëm Kristiano Ronaldo që ka një koeficient të ulët 2.75 për të gjetur rrugën e rrjetës në këtë sfidë, të Spanja janë të shumtë lojtarët e kuotuar për të shënuar në këtë ndeshje. Lista kryesohet nga Torres me 1.91, i ndjekur nga Fabregas (2.2), Negredo (2.25), Lorente (2.5) dhe Silva 92.75.). (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 June 2012 17:01

Portugezët nuk e kanë pritur mirë emërimin e gjyqtarit turk Çuneit Çakir si kryesor të ndeshjes gjysmëfinale të Euro 2012 që do të luajnë kundër Spanjës. Në adresë të UEFA-s dhe presidentit Platini kanë vërshuar një sërë akuzash për favorizim, duke kujtuar edhe se kryetari i komiteti të gjykimit në UEFA është pikërisht presidenti i Federatës Spanjolle, Angel Vilar.

Sipas gazetave portugeze, Federata është e pakënaqur me zgjedhjen që është bërë nga UEFA për këtë sfidë. “Caktimi i gjyqtarit Çakir bën të tunden kambanat e alarmit”, shkruan gazeta më e madhe sportive në vend, “A Bola”. Ajo kujton se zëvendësi i Vilar në UEFA është zëvendëspresidenti i Federatës Turke, Senes Erzik, “mik i Barcelonës dhe Unicef”. Sipas kësaj gazete, meqenëse ai është një punonjës i Unicef, ka qenë i përfshirë në negociatat mes organizatës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe Barcelonës.

Gjithashtu, kujtohen gabimet e gjyqtarëve sa herë që portugezët ndesheshin me spanjollët në aktivitete zyrtare, më i fundit në Botërorin 2010, kur Spanja eliminoi Portugalinë në 1/16 me një gol të Vija në pozicion jashtë loje.

“Lojtari më i rrezikshëm i Spanjës? Platini!”, shkruajnë disa prej gazetave të tjera të cilat i shohin si të papërgjegjshme parashikimet e francezit për finalen Spanjë-Gjermani në Euro 2012, pasi mendojnë se në këtë mënyrë presidenti i UEFA-s u lëshon mesazhe të qarta “nëpunësve” që t’i plotësojnë dëshirën. (LajmeShqip.com)

Grupi B

Gjermani-Portugali        1-0

73’ Mario Gomez

Danimarkë-Portugali     2-3

41’, 80’ Bendtner / 24’ Pepe, 36’ Postiga, 87’ Varela

Portugali-Holandë         2-1

28’, 74’ K. Ronaldo / 11’ Van Der Vart

Çerekfinalet

R. Çeke-Portugali         0-1

79’ Kristiano Ronaldo

Gjysmëfinalet

27.06.2012

Portugali-Spanjë           20:45

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 June 2012 12:30

Roberto Mançini nuk ka ngurruar të deklarojë se Italia do të bëjë një surprizë duke eliminuar Gjermaninë për të kaluar në finalen e Euro 2012.

Të kaltrit mundën me penallti Anglinë, por në ndeshjen me skuadrën e Joakim Lëv nuk janë favoritë, pasi gjermanët shihen tani si ekipi më i mundshëm për të fituar turneun. Ndërkohë, një ditë më parë luhet sfida Portugali-Spanjë, ku sipas Mançinit do të ketë surpriza të tjera.

“Unë shoh një finale mes Italisë dhe Portugalisë. Do të jetë njëlloj si ajo që ndodhi në Ligën e Kampioneve, ku favoritet, Real Madrid e Barcelona, u larguan në gjysmëfinale”, ka komentuar trajneri italian.

Mendimin e tij e ndan edhe ish-portieri legjendar i Italisë, Dino Zof, i cili e ka drejtuar këtë kombëtare drejt finales në vitin 2000.

“Gjermania duhet të ketë kujdes, kombëtarja italiane është një ekip i rrezikshëm. Ata mund t’i shkaktojnë kujtdo probleme. Mua më ka pëlqyer Gjermania, që ka dhënë paraqitje shumë pozitive. Por ata duhet të kenë kujdes të mos përsëritin ndeshjen me Portugalinë, ku u gjendën nën trysni dhe gabuan”, ishin fjalët e portierit legjendar i cili pikërisht ndaj Gjermanisë ka fituar Botërorin e viti 1982. (LajmeShqip.com)

Gjysmëfinalet

27.06.2012

Portugali-Spanjë           20:45

28.06.2012

Gjermani-Itali               20:45

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 June 2012 10:50

Portieri Spanjës, Iker Kazijas, mund të bëhet futbollisti i parë që arrin shifrën e 100 fitoreve me fanellën e përfaqësueses nëse arrin të mundë Portugalinë në gjysmëfinalen e të mërkurës.

Për ta bërë një gjë të tillë në ndeshjen e tij të 136-të me kombëtaren, portieri i Real Madrid, do të duhet të ndalojë me çdo kusht kapitenin kundërshtar, shokun e tij të klubit, Kristiano Ronaldo.

“Sezoni i tij në Madrid ishte i jashtëzakonshëm për mënyrën se si ai ka luajtur, golat dhe rekordet”, tha portieri që njihet me emrin “Shën Iker” për pritjet spektakolare që bën. “Por unë nuk mendoj se aktualisht ai është në nivelin e tij më të mirë”.

Gardiani spanjoll ka treguar njëkohësisht se duhet të ketë më shumë vëmendje gjatë kësaj ndeshje për shkak të mënyrës se si gjuan topin Kristiano Ronaldo.

“Topi merr një harkim të veçantë kur goditet me forcë. Nuk arrin në ekstremitetet e “Jabulanit”, por nëse e gjuan me forcë, ai arrin gjithmonë të devijojë duke mashtruar portierin. Duhet të jem shumë i vëmendshëm përballë Kristanos”, deklaroi portieri, i cili mendon se Pike do të ishte opsioni më i mirë për të ndalur CR7. “Me Barcelonën ka funksionuar mirë ndaj nuk shoh pse nuk duhet të funksionojë edhe në kombëtare”. (LajmeShqip.com)

Grupi C

Spanjë-Itali                   1-1

63’ Fabregas / 61’ Di Natale

Spanjë-Irlandë             4-0

4’, 70’ Torres, 49’ Silva,  83’ Fabregas

Kroaci-Spanjë              0-1

88’ Navas

Çerekfinalet

Spanjë-Francë              2-0

19’, 90’+1’ (p) Ksabi Alonso

Gjysmëfinalet

27.06.2012

Portugali-Spanjë         20:45