Lajme Shqip Tuesday, 03 July 2012 11:40

Një nga personazhet më të rëndësishëm të përfaqësueses spanjolle gjatë këtyre viteve është portieri i Liverpulit, Pepe Reina. Ndonëse ai është thuajse gjithmonë në stolin e rezervave dhe nuk ka shansin të luajë para Iker Kazijas, portier ka një rol shumë të rëndësishëm në skuadër, pasi është personi që argëton gjithë ekipin me shakatë dhe batutat e tij. Këtë radhë, gjatë kthimit për në Spanjë si Kampionë Evrope, Reina është improvizuar në rolin e asistentit të fluturimit duke shpjeguar procedurat e sigurisë. 

Videoja ka bërë xhiron e botës falë bashkëpunimit të Zherard Pike, i cili e ka hedhur atë menjëherë në adresën e tij zyrtare në Facebook. Por kjo nuk ka qenë “bëma” e vetme e Reina gjatë festimeve.

Kur ekipi është ngjitur në skenën e festimeve me trofe para publikut në Madrid, ai ka marrë mikrofonin duke prezantuar shokët e skuadrës me batuta humoristike:

“Me numrin 21, Luis Enrike. Jo, më falni, ‘poni’ David Silva. Më urren se e quaj kështu, po nuk kam çfarë t’i bëj, ashtu është”.

“Me numrin 15, vëllai im, Serxho Panenka Ramos, mbrojtësi i qendrës më i mirë në botë. Luan mirë me të djathtën, me të majtën dhe me të mesit”.

“Me numrin 18, po dridhet nga frika se nuk e di se çfarë do të them për të. Nuk ka Lorenco, nuk ka Pedroza. MotoGP e Spanjës është vetëm Zhordi Alba”, janë disa nga batutat e tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 July 2012 10:01

Fitorja e Spanjës në Euro 2012 është festuar gjatë në rrugët e Madridit, ku është bërë një pritje madhështore për skuadrën që siguroi trofeun e tretë brenda katër vitesh. Dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e kryeqytetit spanjoll për të pritur ekipin që ka shëtitur me autobus të hapur drejt shatërvanit të famshëm të Cibeles për të vendosur atje trofeun. 

“Nuk mund të përshkruaj me fjalë atë që po përjetojmë në këto momente. Faleminderit shumë!”, ishin falët që Cesk Fabregas hodhi në adresën e tij në Twitter gjatë këtyre festimeve. Më pas, ekipi ka shkuar në një skenë të përgatitur në një nga sheshet qendrore të Madridit, ku është festuar bashkë me tifozët për një kohë të gjatë, ashtu siç është bërë zakon në vitet e fundit me këtë kombëtare.

Para “udhëtimit turistik” mes qytetit, ekipi u prit nga familja mbretërore në pallatin “La Zarzuela”, ku ishte vetë mbreti Huan Karlos që takoi me radhë futbollistët dhe stafin që kanë ngritur në nivele të paimagjinueshme emrin e Spanjës në futbollin botëror.

Mjafton të kujtosh që spanjollët kanë 20 ndeshje zyrtare pa humbje, 29 ndeshje në Kampionate Evropianë pa humbje (e fundit në vitin 2006), ndërsa kanë në gjirin e tyre lojtarë si Iker Kazijas që ka fituar 100 nga 137 ndeshjet e luajtura me kombëtaren, ku në 79 prej tyre ka mbajtur rrjetën të paprekur. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 July 2012 08:01

Iker Kazijas, jo rastësisht është kthyer në një idhull dhe një shembull për qindra mijëra tifozë në Spanjë dhe jashtë saj. Kapiteni i Spanjës ka treguar me një tjetër gjest se i meriton plotësisht vlerësimet për atë që bën në fushën e lojës dhe jo vetëm. 

Ndërsa finalja po shkonte drejt fundit dhe pritej vetëm vërshëllima përfundimtare, Kazijas i ka kërkuar asistentit para porte që të mbyllej ndeshja sa më shpejt. “Respekt për rivalët! Respekt për Italinë! Jemi 4-0!”, ishin fjalët e tij duke kërkuar që të mbyllej ndeshja.

Si për ironi të fatit, në ato momente vjen edhe vërshëllima e gjyqtarit kryesor Proença, por jo për shkak të kërkesës së Kazijas, por sepse kishin mbaruar 3 minutat shtesë të akorduara, një fakt të cilin gardiani i Spanjës nuk e kishte vënë re. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 02 July 2012 17:30

Disfata e rëndë 4-0 ndaj Spanjës në finalen e Euro 2012 nuk ka ulur vlerësimin për Çezare Prandelin, i cili është pritur përsëri me duartrokitje nga gazetarët në konferencën e tij të fundit për shtyp nga Krakova, para kthimit në Itali. Por tekniku i përfaqësues italiane ka bërë të qartë se duke parë gjërat me qetësi, një ditë pas ndeshjes, e ka kuptuar që ka qenë ai një nga shkaktarët kryesorë të kësaj humbje.

“Ndoshta në ndeshjen e fundit duhej të kisha patur më shumë kuraje dhe të revolucionarizoja skuadrën. Por nuk e bëra, pasi do të kishte qenë një mungesë respekti ndaj atyre që sollën këtë skuadër në finale”, ishin fjalët e teknikut, duke iu referuar lojtarëve të cilët shfaqën probleme të dukshme fizike në këtë ndeshje dhe që penalizuan lojën e Italisë.

Më pas, ai nuk ka kursyer kritikat edhe kundër atyre që sipas tij, nuk e kuptojnë që ka ardhur koha për të ndryshuar mentalitetin. “Duhet të jemi krenarë me këtë skuadër, e nisur pa shumë pritshmëri por që ka bërë të ëndërrojë e gjithë Italia”.

“Por ne jemi një shtet i vjetër, me shumë gjëra që duhen ndryshuar. Ne erdhëm këu për të ndryshuar, për të ndjekur një ide pa u ndikuar nga rezultati. Për herë të parë kemi ndërtuar një kombëtare me mentalitetin e një klubi”.

“Jam i sinqertë kur flas për projekt. Fitorja e Evropianit do të na kishte ndihmuar, por do të kishte prishur disa ekuilibra. Nuk jemi ende gati për të fituar, kur të jemi, do të fitojmë e rifitojmë pa asnjë luhatje”, ka qenë premtimi i trajnerit që ka marrë elozhe nga të gjithë për mënyrën se si ka transformuar mentalitetin e lojës së Italisë. (LajmeShqip.com)

Grupi C

Spanjë-Itali                   1-1

63’ Fabregas / 61’ Di Natale

Itali-Kroaci                   1-1

39’ Pirlo / 72’ Manxhukiç

Itali-Irlandë                   2-0

35’ Kasano, 90’ Baloteli

Çerekfinalet

Angli-Itali                     0-0 (2-4 p.)

Gjysmëfinalet

Gjermani-Itali               1-2

90’+2’ (p) Ozil / 20’, 36’ Baloteli

Finalja

Spanjë-Itali                   4-0

14’ Silva, 41’ Alba, 84’ Torres, 88’ Mata

 
Lajme Shqip Monday, 02 July 2012 12:30

Andres Iniesta është shpallur futbollisti më i mirë i Euro 2012, një çmim që i është dhënë nga UEFA. Lojtari kishte fituar vlerësimin MVP në tre ndeshje të këtij turneu: kundër Italisë dhe Irlandës në grup, si dhe ndaj Italisë përsëri në finale. Ai ka arritur të ndjekë shokun e tij të skuadrës, Ksavi, i cili u shpall futbollisti më i mirë i turneut katër vite më parë, në Euro 2008.

Numrat e Iniestës në këtë aktivitet janë jashtëzakonisht të mirë, pasi është futbollisti i tretë me më shumë gjuajtje në kuadratin e portës, ka pësuar 14 faulle (i shtati), ka shënuar një gol dhe një pasim për gol, ndërsa ka një saktësi të pabesueshme prej 75% të pasimeve (350 nga 465 të tentuar).

Mesfushori mbetet një nga lojtarët më modestë në përfaqësuesen spanjolle, ndonëse është heroi i gjithë Spanjës pasi dy vite më parë i dha Botërorin skuadrës së tij me golin në finalen kundër Holandës.

“Për mua nuk është edhe aq e rëndësishme të shënoj gola, nuk është gjëja më e rëndësishme. Kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu do të vazhdojë. Jam thjesht i lumtur që jemi përsëri kampionë dhe nuk ka rëndësi se kush arrin të shënojë”.

“Për mua nuk ka rëndësi as fitorja e ”Topit të Artë”. Unë thjesht dua të argëtohem me atë që jam duke bërë dhe nëse njerëzit e vlerësojnë, atëherë unë jam i lumtur”, tha lojtari që po kthehet gjithnjë e më shumë në liderin e vërtetë të kësaj përfaqësueseje. (LajmeShqip.com)

Grupi C

Spanjë-Itali                   1-1

63’ Fabregas / 61’ Di Natale

Spanjë-Irlandë              4-0

4’, 70’ Torres, 49’ Silva,  83’ Fabregas

Kroaci-Spanjë              0-1

88’ Navas

Çerekfinalet

Spanjë-Francë              2-0

19’, 90’+1’ (p) Ksabi Alonso

Gjysmëfinalet

Portugali-Spanjë           0-0 (2-4 p.)

Finalja

Spanjë-Itali                   4-0

14’ Silva, 41’ Alba, 84’ Torres, 88’ Mata

 
Lajme Shqip Monday, 02 July 2012 10:01

Visente Del Boske ka ruajtur qetësinë e tij edhe pas fitores 4-0 ndaj Italisë ku i ka dhënë Spanjës trofeun e tretë ndërkombëtar radhazi. Tekniku i spanjollëve i ka rezistuar euforisë së momentit dhe ka hedhur poshtë të gjitha zërat se ai ka ndryshuar mënyrën e të luajturit futboll me skemën pa sulmues që rezultoi efikase për këtë kombëtare.

“Kjo është vetëm një mënyrë e të luajturit futboll. Gjëja më e rëndësishme në këtë lojë është të shënosh gola dhe lojtarët tanë janë shumë inteligjentë. Kemi një skuadër të ekuilibruar dhe futbollistë që na japin siguri. Kemi edhe sulmues, por preferuam që të luanim me lojtarë të cilët i përshtateshin më shumë stilit tonë me shumë pasime”, tha ai, duke iu referuar faktit që Iniesta, David Silva e Fabregas improvizoheshin me radhë si sulmues duke depërtuar në zonën kundërshtare.

“Ishte një kundërshtar shumë i vështirë por nuk kishin fat me dëmtimet. Kjo është arsyeja pse ne fituam lehtë në këtë finale. Ne thjesht luajtëm lojën tonë dhe i qëndruam besnikë gjërave që kemi bërë në vitet e fundit”.

“Ky sukses spanjoll është historik, por tani duhet të shohim nga Brazil 2014. Kemi shumë sfida të tjera përpara si kualifikimin për këtë Botëror apo Kupën e Konfederatave, ku do të përfaqësojmë Evropën dhe duam ta bëjmë mirë një gjë të tillë”, tha trajneri që ka hyrë në histori si i pari që fiton Ligën e Kampioneve, Botërorin dhe Evropianin. (LajmeShqip.com)

Grupi C

Spanjë-Itali                   1-1

63’ Fabregas / 61’ Di Natale

Spanjë-Irlandë              4-0

4’, 70’ Torres, 49’ Silva,  83’ Fabregas

Kroaci-Spanjë              0-1

88’ Navas

Çerekfinalet

Spanjë-Francë              2-0

19’, 90’+1’ (p) Ksabi Alonso

Gjysmëfinalet

Portugali-Spanjë           0-0 (2-4 p.)

Finalja

Spanjë-Itali                   4-0

14’ Silva, 41’ Alba, 84’ Torres, 88’ Mata

 
Lajme Shqip Monday, 02 July 2012 08:40

Spanja ka bërë realitet për herë të parë në historinë futbollit suksesin në tre turne madhorë radhazi por janë vetëm 7 lojtarë ata që kanë arritur të luajnë në të tre finalet.

Ndonëse janë 11 lojtarët që kanë me vete tre medalje kampionësh, duke qenë pjesëtarë të kombëtares në të tre turnetë, vetëm “7 fantastikët” kanë shkelur në fushën e gjelbër. Iker Kazijas, Fernando Torres (i pari dhe i vetmi që shënon në dy finale Evropiani), Serxho Ramos, Iniesta, Ksavi dhe Fabregas ishin titullarë në ndeshjen finale kundër Gjermanisë katër vite më parë, ndërsa Ksabi Alonso hyri si zëvendësues në pjesën e dytë.

Të gjithë këta lojtarë u aktivizuan në finalen e Kupës së Botës 2010, ku Iniesta shënoi golin e vetëm të ndeshjes, ndërsa këtë radhë ishin Fabregas dhe Torres që u aktivizuan si zëvendësues. Sulmuesi ishte zëvendësues edhe në ndeshjen e mbrëmshme, por kjo nuk e pengoi të fitonte “Këpucën e Artë” të Euro 2012 falë 3 golave të shënuar dhe pasimit të dhënë për Huan Matan në finale.

David Silva, ai që hapi serinë e golave në finale, luajti në të dy finalet e Evropianëve, por jo në finalen e Botërorit, ndërsa Arbeloa ka luajtur vetëm në finalen e Euro 2012, duke qenë pjesë e ekipit edhe në Euro 2008 dhe Botërorin 2010.

Portieri Pepe Reina dhe Raul Albiol janë të vetmit lojtarë që kanë tre medalje fituesish pa shkelur asnjë minutë në fushën e gjelbër në këto tre finale. (LajmeShqip.com)

Grupi C

Spanjë-Itali                   1-1

63’ Fabregas / 61’ Di Natale

Spanjë-Irlandë              4-0

4’, 70’ Torres, 49’ Silva,  83’ Fabregas

Kroaci-Spanjë              0-1

88’ Navas

Çerekfinalet

Spanjë-Francë              2-0

19’, 90’+1’ (p) Ksabi Alonso

Gjysmëfinalet

Portugali-Spanjë           0-0 (2-4 p.)

Finalja

Spanjë-Itali                   4-0

14’ Silva, 41’ Alba, 84’ Torres, 88’ Mata

 
Lajme Shqip Monday, 02 July 2012 08:02

Lojtarët italianë kanë pranuar se ndeshja ndaj Spanjës ishte e pamundur për t’u fituar për shkak të diferencave mes dy ekipeve që në fillimin e saj.

“Nuk kishte ndeshje, fatkeqësisht ata ishin shumë më superiore”, janë fjalët e kapitenit italian, Xhixhi Bufon. “Keqardhja për humbjen është relative, pasi kur ndeshesh me një ekip që duket i pathyeshëm, e pranon disfatën më lehtësisht”.

“Ata e stërmerituan të fitonin. Ka shumë keqardhje por erdhëm të lodhur në këtë finale, siç e treguan dëmtimi im dhe i Tiago Motas. Por askush nuk ka arsye të na kritikojë për turneun që zhvilluam”, ishin fjalët e Kielinit, i zëvendësuar pas vetëm 21 minutash lojë.

“Ishte një goditje e rëndë. Është e pranueshme të humbësh një finale por kështu është shumë e rëndë. Ndoshta na mungoi pak karakteri, nuk ishim të vendosur në 100%”, ishte komenti i Bonuçit, një prej lojtarëve më të dëshpëruar që nuk arrinte të ndalte lotët në përfundimin e takimit.

Mesfushori Montolivo mendon se spanjollët në këto nivele janë të jashtëzakonshëm. “Kemi humbur një finale Evropiani 4-0 dhe ka shumë keqardhje. Kur mbetesh me 10 lojtarë gjithçka është e vështirë. Sigurisht ata luajtën në 100% të mundësive të tyre dhe kur Spanja me këto lojtarë luan në 100%, bëhet e vështirë për këdo t’i ndalë”.

“Duhet t’i jepen meritat kundërshtarëve, nuk fitohen rastësisht dy Evropianë dhe një Botëror radhazi. Këtë radhë i ndihmuam edhe ne duke mos luajtur në maksimum, por Spanja e meritoi”, përfundoi mbrojtësi Barzalji, një nga më të mirët në fushë për Italinë. (LajmeShqip.com)

Grupi C

Spanjë-Itali                   1-1

63’ Fabregas / 61’ Di Natale

Itali-Kroaci                   1-1

39’ Pirlo / 72’ Manxhukiç

Itali-Irlandë                   2-0

35’ Kasano, 90’ Baloteli

Çerekfinalet

Angli-Itali                     0-0 (2-4 p.)

Gjysmëfinalet

Gjermani-Itali               1-2

90’+2’ (p) Ozil / 20’, 36’ Baloteli

Finalja

Spanjë-Itali                   4-0

14’ Silva, 41’ Alba, 84’ Torres, 88’ Mata

 
Lajme Shqip Sunday, 01 July 2012 22:43

Spanja e rekordeve nuk ndalet dhe tregon se mbetet ajo skuadra më dominuese në skenën ndërkombëtare me një brez të shkëlqyer që fiton si askush tjetër më parë në histori 3 trofe radhazi. Pas Euro 2008 dhe Botërorit 2010, ka ardhur edhe triumfi në Euro 2012, me një fitore dominuese 4-0 përballë Italisë, falë një dominimi të jashtëzakonshëm që nuk ka lënë vend për dyshime. 

Del Boske ka respektuar përsëri idetë e tij duke hedhur në fushë një formacion pa sulmues dhe ka treguar se ka të drejtë, pasi vetëm 14 minuta i duhen dyshes Fabregas-David Silva për të realizuar golin e parë, falë një depërtimi të mesfushorit të Barcelonës dhe një saktësie në ekzekutim të mesfushorit të Mançester Sitit.

Italia dorëzohet dhe fillon të tregojë limitet e saj përballë spanjollëve që prodhojnë rast pas rasti duke shfrytëzuar mjaft mirë hapësirat që i lë mesfusha dhe mbrojtja italiane, ku shumë lojtarë nuk janë në gjendjen më të mirë fizike. Në minutën e 41-të vjen edhe goditja e dytë për skuadrën italiane, pasi Zhordi Alba depërton qetësisht në zonë dhe mund Bufon, për të çuar rezultatin në 2-0 në përfundimin e pjesës së parë.

Prandeli vendos të ndryshojë pas pushimit dhe largon Kasanon për të aktivizuar Di Natalen, ndërsa pak minuta më vonë, del nga fusha edhe Montolivo për t’i bërë vend Tiago Motës. Por pikërisht ky i fundit bëhet protagonist negativ pa dashje i mbrëmjes duke u dëmtuar pas vetëm 3 minutash në fushë dhe duke lënë Italinë me 10 futbollistë pasi nuk kishte më zëvendësime në dispozicion.

Që nga ky moment, ndeshja është e mbaruar, pasi Italia thuajse nuk ekziston në fushën e lojës, ndonëse deri në ato momente ishte ajo që zotëronte kontrollin e topit dhe kishte dhënë sinjale reagimi.

Nga kjo situatë përfitojnë spanjollët, që shënojnë dy gola të tjerë në minutat e fundit me Fernando Torres dhe Huan Mata, të dy të aktivizuar si zëvendësues, për të vulosur suksesin 4-0 që lë shumë pak vend për diskutime.

Ashtu si katër vite më parë, Mishel Platini i dorëzon trofeun portierit Iker Kazijas, i cili e ngre drejt qiellit për të zyrtarizuar një tjetër sukses të kësaj kombëtareje që në vitet e fundit ka treguar se është në një nivel mbi të tjerët dhe premton të vazhdojë në të njëjtën rrugë edhe në të ardhmen. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 01 July 2012 16:59

Legjenda argjentinase, Diego Armando Maradona, mendon se Spanja nuk është shfaqur një armatë e pathyeshme në Euro 2012 dhe se Italia ka një mundësi reale për të  fituar në finale. Spanjollët mbeten favoritë për trofeun e tretë radhazi në 4 vite, por Maradona pret që Italia të udhëhiqet nga klasi i Andrea Pirlos për të vënë në vështirësi skuadrën e Del Boskes.

“Kush fiton kontrollin e mesfushës do të fitojë edhe ndeshjen. Për herë të parë kjo Spanjë duket sikur mund të kalohet, ndërsa italianët besojnë në forcat e tyre. Por mos e nënvlerësoni krenarinë e kampionëve të botës si Iniesta, Ksavi, Kazijas, Alonso e Ramos, ashtu si edhe dëshirën e tyre për të fituar turneun e tretë radhazi si askush më parë. Dy skuadrat që kanë luajtur futbollin më të bukur gjatë turneut kanë arritur në finale. Fitoftë më i miri!”, janë fjalët e Maradonës, i cili ka theksuar edhe rëndësinë që kanë marrë paraqitjet e Balotelit për përfaqësuesen italiane.

“Gjatë ndeshjes me Gjermaninë, një yll i futbollit botëror u shfaq para nesh në formën e Mario Balotelit. Askush nuk dyshonte në aftësitë e tij, por shumë njerëz e kritikonin pjekurinë e veprimeve të tij. Ndaj Gjermanisë, “SuperMario” tregoi se ka ardhur në skenën e futbollit botëror nga dera kryesore. Më në fund, Italia gjeti një sulmues të vërtetë. E shihni çfarë ndryshimi mund të bëjë një golashënues!”. (LajmeShqip.com)

Grupi C

Spanjë-Itali                   1-1

63’ Fabregas / 61’ Di Natale

Itali-Kroaci                   1-1

39’ Pirlo / 72’ Manxhukiç

Spanjë-Irlandë              4-0

4’, 70’ Torres, 49’ Silva,  83’ Fabregas

Kroaci-Spanjë              0-1

88’ Navas

Itali-Irlandë                   2-0

35’ Kasano, 90’ Baloteli

Çerekfinalet

Spanjë-Francë              2-0

19’, 90’+1’ (p) Ksabi Alonso

Angli-Itali                     0-0 (2-4 p.)

Gjysmëfinalet

Portugali-Spanjë           0-0 (2-4 p.)

Gjermani-Itali               1-2

90’+2’ (p) Ozil / 20’, 36’ Baloteli

Finalja

01.07.2012

Spanjë-Itali                   20:45

Gjyqtar: Pedro Proença (Portugali)

Kiev