Lajme Shqip Sunday, 01 July 2012 16:34

Kapiteni i Anglisë, Stiven Xherard, beson se Uejn Runi nuk është shkaktar për eliminimin e Anglisë nga Euro 2012. Sulmuesi mungoi në dy ndeshjet e para të Evropianit për shkak pezullimi dhe pas kthimit në fushë nuk dukej në formën e tij më të mirë.

Por Xherard mendon se është e padrejtë të fajësohet Runi, i cili vlerësohet me standarde më të larta se pjesa tjetër e skuadrës.

“Mendoj se që në momentin kur Uejn iu bashkua kombëtares dhe për shkak të paraqitjes së tij në Euro 2004, ka një pritshmëri që ai duhet të vijë në turne dhe t’i fitojë të gjitha ndeshjet i vetëm për ne. Mendoj se është e padrejtë, sidomos kur gjërat shkojnë keq, pasi atëherë njerëzit e drejtojnë gishtin nga ai dhe e fajësojnë për gjithçka. Përgjegjësia duhet të bjerë te të 23 lojtarët”, u shpreh kapiteni i Anglisë.

Por ndërsa Xherard përpiqet ta pikturojë gjithçka me nota pozitive, kritika shumë të ashpra kanë ardhur nga ish-sulmuesi i kësaj kombëtare, Alan Shirer, i cili mendon se ekipi po ecën mbrapsht.

“Nëse ne pranojmë këtë lloj paraqitje, atëherë do të thotë që kemi hequr dorë nga Anglia. Kaq shumë kemi rënë larg skuadrave të mëdha sa po duartrokasim kombëtaren pasi është munduar dhe ka qenë e organizuar në mbrojtje? Nuk më kujtohet kur është hera e fundit që ky komb ka festuar për kualifikimin e kombëtares nga faza në grupe”, ishte ironia e tij. (LajmeShqip.com)

Grupi D

Francë-Angli                1-1

39’ Nasri / 30’ Leskot

Suedi-Angli                  2-3

49’ Xhonson (ag.), 59’ Mellberg / 23’ Keroll, 64’ Uollkot, 78’ Uellbek

Angli-Ukrainë               1-0

48’ Runi

Çerekfinalet

Angli-Itali                     0-0 (2-4 p.)

 
Lajme Shqip Thursday, 28 June 2012 12:22

Ish-kapiteni i Anglisë, Alan Shirer, mendon se kjo kombëtare nuk ka asnjë shans për të fituar Kupën e Botës 2014. Sipas tij, eliminimi në çerekfinale të Euro 2012 nuk e lejon të krijojë iluzione të tilla të kota.

“Nuk i vë asnjë faj trajnerit Hodgson”, tha Shirer për BBC Sport. “Por nuk jam dakord me idenë që Anglia mund të shkojë në shtëpi me kokën lart. Nuk na sjell asgjë të mirë të ulemi këmbëkryq dhe të themi se do të fitojmë Kupën e Botës pas dy vitesh. Realiteti flet krejtësisht ndryshe”.

Anglia fitoi grupin e saj dhe në disa ndeshje u vlerësua për paraqitjet, ndërsa trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, deklaroi se Anglia “do të zhvillohet nën drejtimin e Hodgson në vitet e ardhshme”. Por Shirer i sheh gjërat ndryshe dhe beson se duhet të ketë një ndryshim radikal në kulturën e futbollit në këtë vend, duke filluar nga trajnerët.

“Duhet t’i japim fund zakonit të shkuarjes drejt turneve me idenë që mund t’i fitojmë. Ky turne na e vërtetoi një gjë të tillë. Na duhet një ndryshim kulture dhe të jem i sinqertë, Federata Angleze aktualisht po mundohet ta bëjë këtë ndryshim”.

“Do të duhet kohë që këto sisteme të vihen në zbatim. Kampionati ynë është më i miri në botë për argëtim, por vetëm sepse është i mbushur me të huaj”, pranoi ish-sulmuesi i Anglisë. (LajmeShqip.com)

Grupi D

Francë-Angli                1-1

39’ Nasri / 30’ Leskot

Suedi-Angli                  2-3

49’ Xhonson (ag.), 59’ Mellberg / 23’ Keroll, 64’ Uollkot, 78’ Uellbek

Angli-Ukrainë               1-0

48’ Runi

Çerekfinalet

Angli-Itali                     0-0 (2-4 p.)

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 June 2012 11:40

Fabio Kapelo ka marrë hak ndaj Uejn Runit, vetëm pak kohë pasi sulmuesi anglez ishte tallur me të. Trajneri italian është tallur tani me lojtarin duke thënë se paraqitja e tij në Euro 2012 tregonte se ishte lojtari që nuk fliste anglisht, e jo trajneri italian, për më tepër, duke lënë të kuptohet se ai nuk jep maksimumin në kombëtare.

“Pasi pashë ndeshjen e fundit, mendoj se Runi kupton vetëm gjuhën skoceze. E them këtë pasi ai luan mirë vetëm te Mançester Junajtid, ku Aleks Ferguson flet në dialektin skocez”, ishin fjalët e Kapelos.

Trajneri italian e ka cilësuar ofendim sugjerimin e bërë nga Runi pak ditë më parë, ku sulmuesi deklaronte se anglishtja e dobët e trajnerit ishte një problem për lojtarët. “Mendoj se ndihmon fakti që tani trajneri është anglez. Nuk ka fjalë që humbin nga përkthimi dhe e dimë realisht se çfarë trajneri dëshiron nga ne”, ishte batuta e Runit që acaroi trajnerin italian.

Që atëherë, Kapelo ktheu përgjigjen e parë ndaj lojtarit të përfaqësueses angleze, i cili ka qenë një yll me klubin por thuajse gjithmonë zhgënjyes me kombëtaren në turnetë zyrtarë.

“Kur unë flisja, të gjithë lojtarët më kuptonin. Por herë pas here, kur mundohesha t’i shpjegoja taktikën, gjërat nuk shkonin siç duhej. A e dini çfarë? Ndoshta kjo ndodh sepse Runi nuk flet anglisht, ai nuk e kupton gjuhën angleze”, ishte batuta e Kapelos, që duket se ka nisur një betejë personale me sulmuesin. (LajmeShqip.com)

Grupi D

Francë-Angli                1-1

39’ Nasri / 30’ Leskot

Suedi-Angli                  2-3

49’ Xhonson (ag.), 59’ Mellberg / 23’ Keroll, 64’ Uollkot, 78’ Uellbek

Angli-Ukrainë               1-0

48’ Runi

Çerekfinalet

Angli-Itali                     0-0 (2-4 p.) 

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 June 2012 13:20

Roi Hodgson ka pranuar se Uejn Runi nuk është paraqitur përsëri në nivelin e kërkuar, ndërsa Anglia eliminohej nga Euro 2012, por ka bërë të qartë se kjo nuk kishte lidhje me probleme fizike të sulmuesit.

“Mendoj se ne i varëm shpresat te Runi. Pasi ai qëndroi pushim në dy ndeshjet e para, të gjithë besuam se ajo që na nevojitej ishte të mbërrinim te ndeshja e tretë dhe Uejn Runi do të fitonte trofeun për ne. Por ndoshta kërkuam shumë prej tij, Uejn u përpoq por edhe ai do ta pranojë që nuk ka patur ndeshjen më të mirë”, deklaroi trajneri i Anglisë.

Por Hodgson nuk mendon se ka vepruar gabim duke kërkuar nga lojtari të merrte në shpatulla ekipin në momente vështirësie.

“A vendosëm shumë pritshmëri mbi Runin? Po, por kështu veprojnë edhe skuadrat e tjera me lojtarët e tyre. Mendoj se nëse Pirlo do të kishte luajtur dobët, paraqitja e italianëve do të ndikohej dukshëm”.

“Mendoj se te të gjitha skuadrat, ka një, dy apo tre individë të cilët shihen si talente të jashtëzakonshme ndërkombëtarë. Kur je në skenën e madhe, shpreson që këto lojtarë të paraqiten mirë dhe të tregojnë vlerat e tyre, si Maradona që i fitoi Botërorin për Argjentinën me talentin e tij”.

“Nuk mendoj se ka lidhje gjendja fizike, ai qëndroi pushim në dy ndeshjet e para dhe luajti çdo minutë duke vrapuar si ndaj Ukrainës, ashtu edhe kundër Italisë. Mendoj se problemi është te forma sportive”, deklaroi Hodgson. (LajmeShqip.com)

Grupi D

Francë-Angli                1-1

39’ Nasri / 30’ Leskot

Suedi-Angli                  2-3

49’ Xhonson (ag.), 59’ Mellberg / 23’ Keroll, 64’ Uollkot, 78’ Uellbek

Angli-Ukrainë               1-0

48’ Runi

Çerekfinalet

Angli-Itali                     0-0 (2-4 p.)

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 June 2012 08:01

Një tifoz anglez ka menduar se mund të ndihmonte Anglinë për të fituar në gjuajtjet e 11-metërshave, duke përdorur një taktikë mjaft të veçantë: nudizmin.

Ngjarja ka ndodhur gjatë gjuajtjeve të penalltive në ndeshjen Angli-Itali, në çerekfinalet e Euro 2012. Ndërsa sulmuesi italian Diamanti po bëhej gati të gjuante 11-metërshin vendimtar për Italinë, një tifoz anglez pas porte është përpjekur të hutojë lojtarin italian.

Ai ka ulur pantallonat dhe mbathjet gjatë momentit të gjuajtjes duke shpresuar që Damanti ta shihte dhe të hutohej, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Por tifozi, që bashkë me një shokun e tij mbanin veshur fanellat e portierit të “tre luanëve”, janë kthyer në personalitetet e ditës në Angli dhe tashmë thuaje të gjithë mediat angleze kërkojnë ndihmën e publikut për të identifikuar dhe për të intervistuar këtë tifoz për gjestin e veçantë “shpërqëndrues” që kreu. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 25 June 2012 11:35

Eliminimi nga seria e 11-metërshave është kthyer në makthin më të madh të përfaqësueses angleze, e cila gabon thuajse gjithmonë nga pika e bardhë. Humbja me Italinë ishte dështimi i gjashtë në shtatë rastet kur anglezët e kanë parë veten të përballen me kundërshtarë në gjuajtjet e 11-metërshave.

Hodgson ka treguar se lojtarët që gjuajtën penalltitë kundër italianëve ishin ata më të saktit gjatë stërvitjeve dhe se nuk dinte asnjë mënyrë tjetër si ta zgjidhte këtë mallkim.

“I kemi parë këta lojtarë të gjuajnë penallti në stërvitje pasi gjuajtjet nga pika e bardhë janë kthyer në një lloj fiksimi për futbollin anglez dhe duhet të them se ata bënë gjithçka mirë. Por nuk arrin kurrë të riprodhosh në stërvitje tensionin e gjuajtjeve të vërteta, nuk arrin të riprodhosh momentin, nervozizmin”.

“Lloji i përllogaritjes së qetë dhe besimit që Pirlo kishte kur bëri atë gjuajtje përballë portierit, atë e ke të lindur ose nuk e ke më. Nuk ka asnjë lloj stërvitje që mund ta riprodhojë një gjë të tillë”.

“Ju i keni parë penalltitë e Eshli Kol në finalen e Ligës së Kampioneve dhe ato të Eshli Jang me Uotford e Mançester Junajtid. Besonim se kishim 5 gjuajtës të mirë penalltish por fatkeqësisht dy prej tyre gabuan”, deklaroi Hodgson.

Edhe Uejn Runi është shfaqur shumë i mërzitur pas këtij dështimi. “Kjo është një mënyrë e rëndë për të dalë nga turneu dhe ka ndodhur shumë shpesh. Shpresojmë se do të vijë koha kur edhe ne të fitojmë një seri 11-metërshash”, tha ai.

Gjendja shpirtërore e anglezëve mund të përshkruhet qartë në batutën e fundit të Roi Hodgson. “Largohemi nga ky turne të pamposhtur në kohën e rregullt. Largohemi nga Euro 2012 pasi nuk dimë të fitojmë me penallti”, tha ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 25 June 2012 09:20

Andrea Pirlo ka fituar elozhet e shtypit ndërkombëtar dhe admiruesve të futbollit për lojën e tij në ndeshjen e Italisë kundër Anglisë. Po mesfushori italian ka rënë në sy sidomos me gjuajtjen e penalltisë në stilin “Panenka”, me një qetësi të admirueshme ndonëse ekipi i tij në ato momente ishte në disavantazh në gjuajtjet nga pika e bardhë. 

Ekzekutimi i kësaj gjuajtje ka bërë që Pirlo të vlerësohet “njeriu i ndeshjes”nga votuesit e uefa.com, por edhe thuajse nga të gjitha mediat ndërkombëtare.

Vetë lojtari ka pranuar se ajo ishte thjesht një ide e momentit, pasi kishte dashur të shfrynte tensionin e skuadrës së tij që deri në ato momente po humbte në gjuajtjet e penalltive.

“Pashë që Hart ishte ngarkuar emocionalisht dhe po bënte shumë lëvizje para gjuajtjes, ndaj mendova se do të ishte më e lehtë ta gjuaja kështu duke pritur deri në sekondën e fundit. Ajo i krijoi pak presion më shumë gjuajtësve anglezëve pas meje dhe në fakt ata gabuan nga pika e bardhë”, tregoi mesfushori i Italisë.

Shoku i tij i repartit, Daniele De Rosi, nuk a kursyer një batutë për këtë gjuajtje të jashtëzakonshme. “Ka që në kohën e Totit (Itali-Holandë, Euro 2000) që nuk kam parë një penallti kaq të çmendur”. (LajmeShqip.com)

Grupi C

Spanjë-Itali                   1-1

63’ Fabregas / 61’ Di Natale

Itali-Kroaci                   1-1

39’ Pirlo / 72’ Manxhukiç

Itali-Irlandë                   2-0

35’ Kasano, 90’ Baloteli

Çerekfinalet

Angli-Itali                     0-0 (2-4 p.)

Gjysmëfinalet

28.06.2012

Gjermani-Itali               20:45

 
Lajme Shqip Sunday, 24 June 2012 23:49

Italia është gjysmëfinalistja e katërt e Euro 2012, pasi ka arritur të kalojë Anglinë falë gjuajtjeve të penalltive dhe të sigurojë një përballje gjigantësh me Gjermaninë. 

Në ndeshjen e parë pa gola të turneut, dy skuadrat e kanë filluar me vrull ndeshjen ku fillimisht ka qenë De Rosi që ka goditur shtyllën e portës së mbrojtur nga Hart, e më pas ishte Bufon që detyrohet të bëjë një pritje të jashtëzakonshme ndaj gjuajtjes së Xhonson.

Por me kalimin e minutave, loja e Anglisë bie dhe është vetëm Italia që krijon dhe shpërdoron raste në mënyrë të pabesueshme me Balotelin. Anglezët vetëm mendojnë të mbrohen dhe të dalin para me ndonjë kundërsulm, por duket qartë që nuk kanë forcën e duhur për të shqetësuar italianët.

Edhe pjesa e dytë është një fotokopje e të parës, me italianët të cilët udhëhiqen nga Pirlo në mesfushë duke u shfaqur shpesh rrezikshëm. Por as zëvendësimet e Hodgson dhe Prandelit nuk kanë efekt, pasi dy ekipet nuk arrijnë të gjejnë rrugën e rrjetës, ndonëse Noçerino në minutën e fundit ka në këmbë topin që mund të vendoste fatin e ndeshjes, por Xhonson arrin të devijojë gjuajtjen e tij.

Ekipet i drejtohen kohëve shtesë dhe italianët humbin mundësi të tjera për të shënuar, sidomos atë të minutës së 101 të ndeshjes kur Diamanti lëshon një harkim nga e djathta që ndalet në shtyllën e portës së Hart. Përsëri 0-0 dhe vendimtare bëhen penalltitë.

Historia ka treguar se Anglia nuk ka fat në gjuajtjet nga pika e bardhë dhe “tre luanët” respektuan traditën duke gabuar me Jang dhe Kol, për t’i dhënë lamtumirën Euro 2012. Ndërsa italianët shkojë të qetë drejt gjysmëfinales me Gjermaninë ku do të luajnë pa asnjë lloj stresi, pasi tashmë kanë tejkaluar objektivat e tyre. (LajmeShqip.com)

Çerekfinalet

R. Çeke-Portugali         0-1

79’ Kristiano Ronaldo

Gjermani-Greqi            4-2

39’ Lahm, 61’ Kedira, 68’ Klose, 74’ Reus / 55’ Samaras, 89’ (p) Salpingidis

Spanjë-Francë              2-0

19’, 90’+1’ (p) Ksabi Alonso

Angli-Itali                     0-0 (2-4 p.)

Gjysmëfinalet

27.06.2012

Portugali-Spanjë           20:45

28.06.2012

Gjermani-Itali               20:45

 
Lajme Shqip Sunday, 24 June 2012 18:35

Katër vite ‘tiki-taka’ duket se kanë filluar të mërzitin njerëzit, të cilët duan të shohin pak rivalitet përballë armatës së pandalshme spanjolle. “Yahoo! Sports”, pas fitores 2-0 të Spanjës ndaj Francës në Euro 2012, ka publikuar 7 ide humoristike për të ndalur këtë dominim të këtij brez të artë të futbollit botëror, kuptohet që realiteti i ka lënë shumë vend imagjinatës…

Qafore elektrike – Meqenëse vendosja e limitit kohor për ndërtimin e një aksioni si në basketboll mund të mos funksionojë, propozohet që çdo lojtari të Spanjës t’i vendoset në qafë një qafore elektrike. Sa herë që skuadra kalon 65% mbajtjen e topit, të gjithë futbollistët duhet të marrin një goditje elektrike, në mënyrë që kundërshtarët të kenë mundësi të bëjnë diçka kundër tyre. Një ide bonus është që qaforja e Buskets të mos funksionojë, në mënyrë që tifozët ta tregojnë me dorë dhe të tallen me të sa herë që ai rrëzohet kot në tokë si shokët e skuadrës, duke u përdredhur sikur ka marrë goditje elektrike pa asnjë shkak.

Zhvillimi i ndeshjeve në fusha të thata – Ndeshja e vetme ku Spanja nuk mori një rezultat ideal në Euro 2012 deri tani ishte ajo e luajtur ndaj Italisë, e përfunduar me rezultatin 1-1 dhe ku spanjollët u ankuan se terreni ishte i thatë. Ndaj duhet vendosur që fushat ku luajnë ata të mos lagen para ndeshjes, në mënyrë që të shihet Ksavi që herë pas here mundohet të lagë me shishen e ujit zonën përreth tij.

Të detyrohet përdorimi i një sulmuesi në çdo ndeshje – Aktualisht, Fernando Lorente duhet të ketë më pak besim te vetja se një breshkë brenda një klubi nate.

Të emërohet Zhoze Murinjo trajner i kombëtares spanjolle – Trajneri aktual i Spanjës, Visente Del Boske, shihet nga të gjithë si një prani qetësuese në mes të kombëtares. Por me Murinjon në drejtim, acarimi në skuadrën që dominohet nga madrilenët dhe katalanasit do të merrte përmasa të jashtëzakonshme. Është tejet e vështirë të kontrollohet ndeshja kur trajneri inkurajon Serxho Ramos të mundohet të godasë Zherard Pike pas koke me flamurin e këndit.

T’i bëjmë të inatosen – Është shumë e lehtë të luash si robot kur kundërshtarët “parkojnë autobusin”, fshihen poshtë ndenjëseve dhe shpresojnë që të mos vriten shumë nga goditjet e spanjollëve. Por është më argëtuese kur tensioni dhe nervat janë të përfshira. Para çdo ndeshje, duhet ftuar Zlatan Ibrahimoviç në dhomën e zhveshjeve të Spanjës dhe suedezi duhet t’i shohë të gjithë në sy, një nga një, duke u thënë se ai është pafundësisht më i mirë se ata në gjithçka. Këtu përfshihen edhe pjekja e bukës, larja e dhëmbëve apo përgatitja e panineve. Ata gjithashtu do të jenë të detyruar çdo herë të blejnë autobiografinë e Ibrahimoviç.

Mario Baloteli – Mario Baloteli duhet të luajë në ndeshje, nuk ka rëndësi nëse me Spanjën apo kundër tyre.

Laksativë – Siç tregojnë shpesh filmat humoristikë, laksativët bëjnë gjithçka më argëtuese. Një pilulë për çdo lojtar spanjoll para ndeshjes do ta bëjë lojën më të freskët dhe ‘tiki-taka’ do të bëhet më e shpejtë, me një ndjenjë “urgjence”. Sigurisht që kthimi në fushë pas pushimit të ndeshjes do të jetë i ngadaltë por kjo mund të sjellë zëvendësime më të shpejta dhe ndoshta, ndoshta, Fernando Lorentes së gjorë mund t’i jepet shansi për të luajtur ndonjë minutë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 24 June 2012 15:25

Fabio Kapelo është inatosur me të gjithë ata që kanë deklaruar se ai po ndihmon Italinë të përgatitë ndeshjen çerekfinale të Euro 2012 kundër Anglisë. Djali i tij, Pierfilipo, ka treguar se tekniku është i pavendosur mes cilës skuadër duhet të mbështetë në këtë ndeshje.

Pak para se të mbërrinte në Majemi për një ndeshje miqësore të fondacionit “Leo Mesi”, Kapelos iu treguan shkrimet e shtypit rreth aludimeve se ai po punonte për Italinë.

“Kush dreqin po i shkruan këto plehra? Do t’i hedh në gjyq”, ishte komenti i trajnerit italian, ndërsa i biri tregoi të gjithë situatën.

“Fabio u inatos shumë kur i tregova se çfarë shkruhej. Ne do të ndërmarrim veprime ligjore ndaj kujtdo që ka sugjeruar se ai ka qenë duke e ndihmuar trajnerin e Italisë. Ata as nuk kanë folur bashkë prej një viti”.

“Është një fyerje ndaj Fabio që të sugjerohet se ai mund të tregojë diçka pasi ka punuar 4 vite për Federatën Angleze. Ai ka marrëdhënie mjaft të ngushta me njerëz në FA, nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë, e vlerëson maksimalisht raportin e mirë që ka me futbollistët anglezë”.

“Ai nuk ka punuar as për të ndihmuar Anglinë, nuk i njeh lojtarët italianë më mirë se Hodgson. Besoj se nuk e ka ndarë mendjen se për kë të jetë tifoz në këtë ndeshje”, ishte deklarata e djalit të Kapelos, që është njëkohësisht edhe menaxheri i tij. (LajmeShqip.com)

Çerekfinalet

R. Çeke-Portugali         0-1

79’ Kristiano Ronaldo

Gjermani-Greqi            4-2

39’ Lahm, 61’ Kedira, 68’ Klose, 74’ Reus / 55’ Samaras, 89’ (p) Salpingidis

Spanjë-Francë              2-0

19’, 90’+1’ (p) Ksabi Alonso

24.06.2012

Angli-Itali                     20:45

Gjyqtar: Pedro Proença (Portugali)

Kiev

Gjysmëfinalet

27.06.2012

Portugali-Spanjë           20:45

28.06.2012

Gjermani-Angli/Itali     20:45