Lajme Shqip Tuesday, 19 June 2012 16:35

Mishel Platini mendon se me datën 1 korrik në Kiev, ai do të ulet në tribunën e nderit për të parë finalen e Euro 2012 mes Spanjës dhe Gjermanisë. Sipas ish-futbollistit francez, dy skuadrat vazhdojnë të jenë një nivel më lart se të tjerët, sidomos spanjollët.

“Këto dy kombëtare janë favoritet për të shkuar në finale. Spanja ka prej kohësh një stil loje mjaft të veçantë, një sistem loje që i mundëson të evitojë lodhjen e lojtarëve të saj. Nuk kanë asnjë problem në këtë aspekt, pasi ai që vrapon është topi dhe jo ata. Ai që lodhet është topi, jo lojtarët e Spanjës”, deklaroi Platini.

Sipas presidentit të UEFA-s, eliminimi i Holandës është zhgënjyes për shumë persona, por tregon edhe një herë se Kampionati Evropian i futbollit është shumë më i vështirë për t’u fituar se një Kampionat Botëror”.

Ai nuk ka ngurruar të flasë edhe për rritjen e cilësisë së lojës në turne, duke ia atribuuar këtë faktit se 5 gjyqtarët ndihmojnë në rritje e cilësisë së ndeshjes. “Deri tani nuk ka patur ndeshje që janë mbyllur në barazim pa gola. Kjo vjen për faktin se lojtarët e dinë që ka më shumë sy që i vëzhgojnë dhe nuk vonojnë lojën kot, duke rritur cilësinë. Kështu nuk ka më as gola fantazmë”.

Platini, në fund ka theksuar se niveli i lartë i Evropianit nuk do të ulet nga rritja e numrit të skuadrave nga 16 në 24, duke filluar nga edicioni i ardhshëm. “Ideja është të veprojmë si në Botërorin 1982 dhe 1986 që kam luajtur unë, me 24 skuadra. Faza e parë eliminimit direkt me 16 skuadra do të jetë e shkëlqyer”, ka treguar francezi për ndryshimin që hyn në fuqi në aktivitetin që organizohet në vendlindjen e tij pas katër vitesh. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 18 June 2012 22:43

Spanja dhe Kroacia kanë mbajtur fjalën, duke mos bërë një akord që në fund ka dalë vetëm në favor të spanjollëve. Kampionët në fuqi të Evropës dhe Botës kanë fituar 1-0 përballë ballkanasve për të kaluar në çerekfinale si skuadra e parë në Grupin C, por pa treguar ndonjë lojë cilësore, vetëm shumë mbajtje topi. 

Del Boske konfirmoi Torres në sulm, duke lënë përsëri Fabregas në stolin e rezervave, si me Irlandën, ndërsa Biliç vendosi çuditërisht të linte në stol Jelaviç e Perisiç, për të bazuar lojën te një mesfushë e ngjeshur.

Taktika e kroatëve funksionoi pasi Spanja ka mbajtje topi mbi 75% po nuk arrin të krijojë raste të rrezikshme dhe limitohet me gjuajtjet nga jashtë. Në minutën e 26-të, spanjollët falen nga gjyqtari Stark, i cili nuk akordon një 11-metërsh në favor të kroatëve pas ndërhyrjes së parregullt të Ramos ndaj Manxhukiç, ndërsa pjesa e parë mbyllet pa raste për t’u shënuar.

Lajmet se Italia kishte gjetur golin bëri që Kroacia të shihte më shumë nga sulmi dhe Rakitiç kishte mundësinë e artë për të kaluar skuadrën e tij në avantazh por gjuajtja me kokë pas krosimit të Modriç përfundon në duart e Kazijas. Pavarësisht ndryshimeve nga të dy palët, asnjë nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës që i duhej për të siguruar kualifikimin dhe për të eliminuar kundërshtarin duke çuar ndeshjen drejt një fundi dramatik.

Në minutat e fundit ndodh gjithçka, ku fillimisht Stark nuk sheh një tjetër penallti në favor të kroatëve në minutën e 86-të, e dy minuta më pas është Navas që gjen golin me një aksion perfekt të dyshes katalanase Fabregas-Iniesta.

1-0 për Spanjën nxjerr jashtë Kroacinë, e cila hidhet në dëshpërim në kërkim të golit që do t’i çonte në çerekfinale (me barazim 1-1 merrej parasysh golavarazhi i grupit), por Spanja nuk toleron dhe dënon skuadrën e Biliç të kthehet në shtëpi. (LajmeShqip.com)

Grupi C

Spanjë-Itali                   1-1

63’ Fabregas / 61’ Di Natale

Irlandë-Kroaci              1-3

19’ Sent Lexher / 3’, 49’ Manxhukiç, 43’ Jelaviç

Itali-Kroaci                   1-1

39’ Pirlo / 72’ Manxhukiç

Spanjë-Irlandë              4-0

4’, 70’ Torres, 49’ Silva,  83’ Fabregas

Kroaci-Spanjë              0-1

88’ Navas

Itali-Irlandë                   2-0

35’ Kasano, 90’ Baloteli

Renditja

Spanjë              7          6-1

Itali                   5          4-2

Kroaci              4          4-3

Irlandë              0          1-9

Çerekfinalet

21.06.2012

R. Çeke-Portugali         20:45

22.06.2012

Gjermani-Greqi            20:45

23.06.2012

Spanjë-2D                       20:45

24.06.2012

1D-Itali                             20:45