Lajme Shqip Friday, 29 June 2012 13:20

Loran Blank ka treguar se e ardhmja e tij si trajneri i Francës nuk do të vendoset edhe për të paktën 48 orët e ardhshme. Ndonëse pritej një vendim pas takimit që ai kishte me presidentin e Federatës Franceze, Noel Le Graet, duket se palët kanë vendosur të mendojnë me qetësi situatën.

“Ne patëm një takim ku secila palë kishte detyrime të rëndësishme e për këtë arsye zgjati kaq shumë. Kjo “intervistë” u zhvillua në dy etapa. Secila palë diskutoi gjërat dhe tha mendimin e vet për situatën. Analizuam teknikisht edhe atë që ka ndodhur në Evropian. Si rezultat i këtij reflektimi, kemi vendosur një afat 48 orësh para se të merret një vendim”, ka treguar vetë Blank para gazetarëve pas mbledhjes.

“Unë i thashë atë që mendoja presidentit, me të cilin kemi shumë mendime të përbashkëta. Por në fund të fundit, ky mbetet një vendim personal. Do të vazhdojmë bisedimet tona në fundjavë dhe shtypi do të mësojë gjithçka në kohën e duhur”, ka premtuar ai.

Trajneri ka mbështetjen e pjesës më të madhe të lojtarëve të kombëtares, të cilët e kanë vlerësuar atë si arsyen kryesore të suksesit të jashtëzakonshëm prej 22 rezultatesh pozitive radhazi. Por zhgënjimi në lojë gjatë Euro 2012 solli jo vetëm dyshime ndaj aftësive të tij, por edhe polemika brenda skuadrës, ashtu si edhe një zënkë publike të Samir Nasri me gazetarët. (LajmeShqip.com)

Grupi D

Francë-Angli                1-1

39’ Nasri / 30’ Leskot

Ukrainë-Francë            0-2

52’ Menez, 55’ Kabaje

Suedi-Francë                2-0

54’ Ibrahimoviç, 90’+1’ Larson

Çerekfinalet

Spanjë-Francë              2-0

19’, 90’+1’ (p) Ksabi Alonso

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 June 2012 15:55

Samir Nasri ka kërkuar falje për sjelljen e tij pas humbjes së Frances në çerekfinalet e Euro 2012. Lojtari i Mançester Sitit fyeu një gazetar dhe e ftoi atë të ziheshin gjatë një dialogu të nxehtë mes palëve pas humbjes 2-0 të “gjelave” përballë Spanjës.

Federata Franceze e Futbollit ka hapur një hetim rreth gjesteve të 25 vjeçarit, ndërsa mendohet se ai mund të pezullohet për 2 vjet nga ekipi kombëtar për gjestet e tij.

“Shumë të vërteta false janë në qarkullim gjatë kohëve të fundit”, tha vetë Nasri në Twitter. “Unë dua që tifozët, sidomos fëmijët, të dinë se më vjen keq për fjalët që kam thënë dhe që mund t’i kenë tronditur ata. Unë e dua futbollin francez dhe ekipin kombëtar, si dhe kam respekt të thellë për publikun”.

“Pjesa tjetër, ishte thjesht një çështje personale mes meje dhe disa gazetarëve. Në momentin e duhur do të shpjegoj gjithçka”, ishte premtimi i futbollistit.

Nasri ishte protagonist edhe i ngjarjeve të tjera të pakëndshme brenda ekipit, ku sipas asaj që kanë raportuar mediat, ai është zënë me shokët e skuadrës, Aliu Diarra dhe Hatem Ben Arfa pas humbjes me Suedinë. (LajmeShqip.com)

Grupi D

Francë-Angli                1-1

39’ Nasri / 30’ Leskot

Ukrainë-Francë            0-2

52’ Menez, 55’ Kabaje

Suedi-Francë                2-0

54’ Ibrahimoviç, 90’+1’ Larson

Çerekfinalet

Spanjë-Francë              2-0

19’, 90’+1’ (p) Ksabi Alonso

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 June 2012 11:40

Një parlamentar socialist në Francë, Olivier Four, ka kërkuar në parlament që të ndalohet dhënia e 100 mijë eurove shpërblim ndaj çdo futbollisti të përfaqësueses franceze për kualifikimin në çerekfinalet e Euro 2012.

Pas humbjes 2-0 në çerekfinale ndaj Spanjës, Samir Nasri fyeu publikisht një gazetar, gjest i dënuar ashpër edhe nga trajneri Blank, ndërsa në mendjen e tifozëve janë ende të freskëta pamjet e bojkotit të kombëtares në Botërorin e dy viteve më parë.

“Sot, shumë francezë pyesin vete pse i paguajmë kaq shumë këto njerëz që e respektojnë kaq pak publikun”, tha Four, një nga aleatët më të ngushtë të presidentit Fransua Holand.

Kombëtarja u bë pre kritikash të tjera pasi pjesa më e madhe e futbollistëve nuk dolën të përshëndetnin tifozët pas kthimit në vendlindje, duke sjellë irritimin e këtyre të fundit.

“Kur francezët po vuajnë nga gjëra si rënia e fuqisë blerëse, ndërsa vazhdojnë të shohin lojtarë që përftojnë 100 mijë euro nga një dështim e pastaj nuk respektojnë publikun, gjithçka bëhet më e dhimbshme”, tha ai. (LajmeShqip.com)

Grupi D

Francë-Angli                1-1

39’ Nasri / 30’ Leskot

Ukrainë-Francë            0-2

52’ Menez, 55’ Kabaje

Suedi-Francë                2-0

54’ Ibrahimoviç, 90’+1’ Larson

Çerekfinalet

Spanjë-Francë              2-0

19’, 90’+1’ (p) Ksabi Alonso

 
Lajme Shqip Monday, 25 June 2012 17:22

Raimond Domenek ka kritikuar ashpër Francën për atë që ai e cilëson mungesë bashkimi në një skuadër. “Gjelat” dolën me kokën poshtë nga Euro 2012 pasi u eliminuan nga Spanja, duke shfaqur një lojë shumë të dobët dhe duke pranuar se mes lojtarëve kishte patur zënka të vazhdueshme.

Domenek, që drejtoi këtë përfaqësuese nga viti 2004 deri në vitin 2010, mendon se lojtarët aktualë, treguan egoizëm të jashtëzakonshëm gjatë këtij turneu.

“Kjo gjeneratë tregoi plotësisht shtrirjen e dobësive të saj. Më e dukshmja është paaftësia për të parë çdo gjë më larg se hunda e tyre. Nasri ishe simboli më i dukshëm i këtij fenomeni. Çështja e Frenk Riberi është simptomatike e gjendjes shpirtërore, që prej Botërorit ai ndikohet nga dëshira për të ringritur imazhin e tij”.

“Në këtë skuadër, Benzema ishte i vetëm. Ai nuk qëndronte në sulm, dëshironte të bëhej shpëtimtari i kombit, por ky ishte një mision i pamundur për të. Zëvendësuesit janë një grup masonësh, ata e forcojnë skuadrën ose e shkatërrojnë atë. Zheremi Menez shumë mirë mund të fillojë një kompai për shkatërrimin e ndërtesave”, ishte batuta e Domenek.

Ai i ka bërë thirrje Federatës Franceze të ideojë një mënyrë të re edukimi të brezave të rinj, në mënyrë që futbollistët e të ardhmes të mos përballen më me situata të tilla në kombëtare. (LajmeShqip.com)

Grupi D

Francë-Angli                1-1

39’ Nasri / 30’ Leskot

Ukrainë-Francë            0-2

52’ Menez, 55’ Kabaje

Suedi-Francë                2-0

54’ Ibrahimoviç, 90’+1’ Larson

Çerekfinalet

Spanjë-Francë              2-0

19’, 90’+1’ (p) Ksabi Alonso

 
Lajme Shqip Sunday, 24 June 2012 18:35

Katër vite ‘tiki-taka’ duket se kanë filluar të mërzitin njerëzit, të cilët duan të shohin pak rivalitet përballë armatës së pandalshme spanjolle. “Yahoo! Sports”, pas fitores 2-0 të Spanjës ndaj Francës në Euro 2012, ka publikuar 7 ide humoristike për të ndalur këtë dominim të këtij brez të artë të futbollit botëror, kuptohet që realiteti i ka lënë shumë vend imagjinatës…

Qafore elektrike – Meqenëse vendosja e limitit kohor për ndërtimin e një aksioni si në basketboll mund të mos funksionojë, propozohet që çdo lojtari të Spanjës t’i vendoset në qafë një qafore elektrike. Sa herë që skuadra kalon 65% mbajtjen e topit, të gjithë futbollistët duhet të marrin një goditje elektrike, në mënyrë që kundërshtarët të kenë mundësi të bëjnë diçka kundër tyre. Një ide bonus është që qaforja e Buskets të mos funksionojë, në mënyrë që tifozët ta tregojnë me dorë dhe të tallen me të sa herë që ai rrëzohet kot në tokë si shokët e skuadrës, duke u përdredhur sikur ka marrë goditje elektrike pa asnjë shkak.

Zhvillimi i ndeshjeve në fusha të thata – Ndeshja e vetme ku Spanja nuk mori një rezultat ideal në Euro 2012 deri tani ishte ajo e luajtur ndaj Italisë, e përfunduar me rezultatin 1-1 dhe ku spanjollët u ankuan se terreni ishte i thatë. Ndaj duhet vendosur që fushat ku luajnë ata të mos lagen para ndeshjes, në mënyrë që të shihet Ksavi që herë pas here mundohet të lagë me shishen e ujit zonën përreth tij.

Të detyrohet përdorimi i një sulmuesi në çdo ndeshje – Aktualisht, Fernando Lorente duhet të ketë më pak besim te vetja se një breshkë brenda një klubi nate.

Të emërohet Zhoze Murinjo trajner i kombëtares spanjolle – Trajneri aktual i Spanjës, Visente Del Boske, shihet nga të gjithë si një prani qetësuese në mes të kombëtares. Por me Murinjon në drejtim, acarimi në skuadrën që dominohet nga madrilenët dhe katalanasit do të merrte përmasa të jashtëzakonshme. Është tejet e vështirë të kontrollohet ndeshja kur trajneri inkurajon Serxho Ramos të mundohet të godasë Zherard Pike pas koke me flamurin e këndit.

T’i bëjmë të inatosen – Është shumë e lehtë të luash si robot kur kundërshtarët “parkojnë autobusin”, fshihen poshtë ndenjëseve dhe shpresojnë që të mos vriten shumë nga goditjet e spanjollëve. Por është më argëtuese kur tensioni dhe nervat janë të përfshira. Para çdo ndeshje, duhet ftuar Zlatan Ibrahimoviç në dhomën e zhveshjeve të Spanjës dhe suedezi duhet t’i shohë të gjithë në sy, një nga një, duke u thënë se ai është pafundësisht më i mirë se ata në gjithçka. Këtu përfshihen edhe pjekja e bukës, larja e dhëmbëve apo përgatitja e panineve. Ata gjithashtu do të jenë të detyruar çdo herë të blejnë autobiografinë e Ibrahimoviç.

Mario Baloteli – Mario Baloteli duhet të luajë në ndeshje, nuk ka rëndësi nëse me Spanjën apo kundër tyre.

Laksativë – Siç tregojnë shpesh filmat humoristikë, laksativët bëjnë gjithçka më argëtuese. Një pilulë për çdo lojtar spanjoll para ndeshjes do ta bëjë lojën më të freskët dhe ‘tiki-taka’ do të bëhet më e shpejtë, me një ndjenjë “urgjence”. Sigurisht që kthimi në fushë pas pushimit të ndeshjes do të jetë i ngadaltë por kjo mund të sjellë zëvendësime më të shpejta dhe ndoshta, ndoshta, Fernando Lorentes së gjorë mund t’i jepet shansi për të luajtur ndonjë minutë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 24 June 2012 10:50

Samir Nasri, mesfushori i Francës dhe Mançester Siti, ka shfryrë gjithë inatin e tij kundër gazetarëve duke fyer disa prej tyre pas përfundimit të ndeshjes mes “gjelave” dhe Spanjës, të fituar nga këta të fundit me rezultatin 2-0.

Lojtari e kishte nisur luftën e tij me shtypin që në ndeshjen e parë të kombëtares në Euro 2012, atë kundër Anglisë, ku pasi shënoi gol, iu drejtua një gazetari të “L’Equipe”, duke ulëritur “Qepe gojën!”, pasi ky i fundit kishte shkruar një artikull kritik në adresë të tij, që kishte mërzitur shumë nënën e sëmurë të lojtarit.

Këtë radhë, ai nuk është ndalur të flasë me gazetarët. “Ju kërkoni gjithmonë të shkruani për plehra, kërkoni telashe”, ishin fjalë e mesfushorit. Në këtë situatë, gazetari bëri të qartë se nuk dëshironte më të intervistonte futbollistin dhe se ai mund të largohej. Shpërthimi i Nasri ishte i paevitueshëm.

“Bir bushtre!”, “Ik q… !”,dhe shumë fyerje të tjera banale u dëgjuan në zonën e medias, fyerje të thërritura nga vetë lojtari, i cili ftoi fillimisht gazetarin ta zgjidhnin çështjen si “burri më burrin”, e më pas lëshoi një tjetër batutë para se të largohej. “Ja arrite qëllimit, tani do të jesh në gjendje të shkruash se jam edukuar keq”.

Nasri ka qenë protagonist negativ për Francën në këto javë, pasi mediat raportuan se ai ka qenë në qendër të polemikave në kampin francez, pasi është zënë me Ben Arfa dhe Aliu Diarra. (LajmeShqip.com)

Grupi D

Francë-Angli                1-1

39’ Nasri / 30’ Leskot

Ukrainë-Francë            0-2

52’ Menez, 55’ Kabaje

Suedi-Francë                2-0

54’ Ibrahimoviç, 90’+1’ Larson

Çerekfinalet

Spanjë-Francë              2-0

19’, 90’+1’ (p) Ksabi Alonso

 
Lajme Shqip Saturday, 23 June 2012 22:43

Spanja vazhdon në rrugën e saj drejt mbrojtjes së titullit të Kampiones së Evropës pasi ka mundur në çerekfinale me rezultatin 2-0 ekipin e Francës. Në një ndeshje pa shumë emocione, diferencën e ka bërë eksperienca e spanjollëve, të cilët kanë goditur në momentin e duhur dhe më pas kanë administruar me qetësi rezultatin. 

Del Boske hodhi në fushë përsëri formacionin pa sulmues, duke iu kthyer rreshtimit të kritikuar të ndeshjes së parë me Fabregas që luan si sulmues i fshehur. Por këtë radhë, skema funksionon pasi në minutën e 19-të, iberikët kalojnë në avantazh. Alba depërton nga e majta dhe pasi kalon Debushi, harkon në zonë saktësisht për Ksabi Alonson, i cili nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë pasi gjen në kundërkohë portierin Loris.

Pritet një reagim i Francës, po ai nuk vjen, edhe për faktin se Blank kishte ndërtuar një skemë tërësisht mbrojtëse, me Nasri e Menez të ulur në stol, ku vetëm Riberi e Benzema kishin leje të kalonin gjysmën e fushës. Kjo bën që ndeshja të kthehet në një festival pasimesh, pa raste nga të dy portat, ndonëse është gjithmonë Spanja që kërkon më shumë të sulmojë.

Në pjesën e dytë reagimi i francezëve vjen, por ata nuk janë në gjendje të gjuajnë në portë, ndonëse krijojnë më shumë volum loje. Blank hedh në lojë Nasri, Menez e Zhirud duke kërkuar të barazojë ndeshjen, por është Del Boske që gjen zëvendësimin e duhur, duke aktivizuar Pedro. Ky i fundit, në minutën e parë shtesë të takimit fiton një 11-metërsh, të cilin e transformon në gol Ksabi Alonso, dygolëshi i tij i parë me kombëtaren në ndeshjen e 100-të me fanellën e kësaj përfaqësuese.

Si rrjedhojë, Spanja shkon në gjysmëfinale ku do të ketë derbin iberik ndaj Portugalisë, një sfidë që është kthyer në një “klasike” të viteve të fundit dhe që premton shumë emocione për shkak të rivalitetit të ndezur mes këtyre dy kombëtareve. (LajmeShqip.com)

Çerekfinalet

R. Çeke-Portugali      0-1

79’ Kristiano Ronaldo

Gjermani-Greqi          4-2

39’ Lahm, 61’ Kedira, 68’ Klose, 74’ Reus / 55’ Samaras, 89’ (p) Salpingidis

Spanjë-Francë             2-0

19’, 90’+1’ (p) Ksabi Alonso

24.06.2012

Angli-Itali                      20:45

Gjyqtar: Pedro Proença (Portugali)

Kiev

Gjysmëfinalet

27.06.2012

Portugali-Spanjë        20:45

28.06.2012

Gjermani-Angli/Itali  20:45

 
Lajme Shqip Saturday, 23 June 2012 11:40

Përfaqësuesja spanjolle hyn sot në fushën e lojës si favorite përballë Francës në ndeshjen çerekfinale të Euro 2012, ndonëse është një takim mes dy kombëtaresh të mëdha që kanë bërë histori në futbollin evropian dhe botëror.

Kompania “William Hill” ka kuotuar 1.8 fitoren e Spanjës, përballë asaj 5 të Francës. Thjesht kualifikimi i spanjollëve ka koeficientin e ulët 1.36, ndërsa një kualifikim i francezëve ka koeficientin 3. Megjithatë, duket e pamendueshme që kjo ndeshje të shkojë me 11 metërsha, pasi eventualiteti i një gjëje të tillë kuotohet 6.5.

Në këtë sfidë priten të paktën 3 gola dhe të gjitha rezultatet e sakta flasin në favor të spanjollëve. Fitorja e tyre 1-0 kuotohet 5.5, ajo 2-0 është 7.5, ndërsa një sukses 2-1 ka koeficientin 9, më i ulët se fitorja minimale 1-0 e Francës që mban koeficientin 10. Barazimi 1-1 në 90 minutat e kësaj sfide ka koeficientin 7, ndërsa me kuotën 8 është vlerësuar ai 0-0.

Përsa i pret golashënuesve, Fernando Torres shihet si futbollisti më i mundshëm për të shënuar në këtë sfidë pasi ka koeficientin 1.91 për të gjetur rrugën e rrjetës, vetëm 5 për dy gola. Ai ndiqet nga Fabregas (2.2), Negredo (2.25), Lorente (2.5) dhe Silva (2.75). Karim Benzema, në kërkim të golit të parë në këtë Evropian, ka koeficientin 3 për të shënuar në këtë ndeshje mjaft interesante. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 23 June 2012 10:01

Lionel Mesi ka treguar se nuk po ndjek me vëmendje Kampionatin Evropian dhe gjatë kësaj periudhe ka preferuar më shumë të pushojë dhe të merret me bamirësi.

Pikërisht në aktivitetin e tij të fundit në Kolumbi, ai ka folur edhe rreth këtij turneu që ka mbërthyer para televizorit miliona teleshikues në të gjithë botën, ndërsa ka shprehur edhe preferencën për kë do të dëshironte të shihte si fitues.

“E pranoj që nuk jam duke e ndjekur me vëmendje Kampionatin Evropian. Nuk kam një skuadër të preferuar në këtë turne dhe nuk shoh një favorit të qartë. Por do të më pëlqente që të fitonte Spanja për shkak të shokëve të ekipit që kam aty”, ishin fjalët e futbollistit argjentinas.

Ai ka përsëritur idenë se nuk do të hyjë në debate me Kristiano Ronaldon, ndonëse ky i fundit ka filluar ta marrë si shembull. “Me respektin më të madh ndaj asaj që thotë Kristiano Ronaldo… në të vërtetë nuk kam asgjë se çfarë t’i them”. (LajmeShqip.com)

Çerekfinalet

R. Çeke-Portugali  0-1

79’ Kristiano Ronaldo

Gjermani-Greqi      4-2

39’ Lahm, 61’ Kedira, 68’ Klose, 74’ Reus / 55’ Samaras, 89’ (p) Salpingidis

23.06.2012

Spanjë-Francë         20:45

Gjyqtar: Nikola Ricoli (Itali)

Donetsk

24.06.2012

Angli-Itali                     20:45

Gjyqtar: Pedro Proença (Portugali)

Kiev

 
Lajme Shqip Friday, 22 June 2012 18:45

Loran Blank nuk e ka fshehur admirimin e tij për përfaqësuesen e Spanjës dhe mënyrën se si luan kombëtarja e drejtuar nga Visente Del Boske. Sipas tij, çdo kritikë ndaj spanjollëve është e padrejtë pasi ata nuk e meritojnë këtë trajtim.

“E dimë atë që na pret dhe si do të luajë Spanja kundër nesh. Kuptohet që nuk do të na zënë të papërgatitur. Mua nuk më duken të drejta kritikat që i bëhen Del Boskes. Për mua, Spanja nuk duhet kritikuar. Si spektator, është një kënaqësi e jashtëzakonshme t’i shohësh të luajnë. Atyre që u pëlqen futbolli duhet t’u pëlqejë Spanja”, ishte komenti i tij.

Më pas, Blank nuk ka hedhur poshtë zërat për zënka në dhomat e zhveshjeve, por e ka cilësuar një ngjarje të të kaluarës dhe se tani lojtarët po prisnin me padurim të zbritnin përsëri në fushë.

“Po, kemi patur probleme dhe vështirësi. Pas humbjes me Suedinë kishte tension në dhomat e zhveshjeve dhe na u desh të qetësonim pak a shumë të gjithë lojtarët. Por tani jemi të përqendruar për ndeshjen me Spanjën. E kemi shumë të freskët atë që ndodhi në Afrikën e Jugut dhe shumë prej lojtarëve u dolën para “fantazmat” e atij turneu. Benzema? Nuk kam pse ta motivoj, do luajë kundër ekipit më të mirë në botë”. (LajmeShqip.com)

Çerekfinalet

R. Çeke-Portugali    0-1

79’ Kristiano Ronaldo

22.06.2012

Gjermani-Greqi        20:45

Gjyqtar: Damir Skomina (Slloveni)

Gdansk

23.06.2012

Spanjë-Francë          20:45

Gjyqtar: Nikola Ricoli (Itali)

Donetsk

24.06.2012

Angli-Itali                     20:45

Gjyqtar: Pedro Proença (Portugali)

Kiev