Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 08:50

Festivali Ndërkombëtar i Studentëve të Filmit dhe Teatrit “Skena Up” do të nisë mbrëmjen e kësaj të hëne në Prishtinë. Mbi 150 mysafirë nga e mbarë bota e kinematografisë dhe teatrit, do të zbarkojnë në Prishtinë ku për tetë ditë do të jetë festa e filmit dhe teatrit. Programi i këtij viti do të jetë mjaftë i ngjeshur. 90 filma dhe 9 shfaqje do të jepen gjatë kësaj jave sa do të zgjasë “Skena Up”. 
Filmat dhe shfaqjet që do të vijnë nga e mbarë bota përfshirë edhe vendet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Mbi 800 filma dhe mbi 50 shfaqje kanë konkurruar këtë edicion për të qenë pjesë e edicionit të nëntë. Mirëpo selektuesit  e festivalit këtë vit kanë vendosur në program 58 filma në konkurrencën ndërkombëtare. Ndërkohë shtatë filma janë zgjedhur në konkurrencën kombëtare ndërsa 25  filma janë në Programin Special. Këta filma do të vlerësohen edhe këtë vit nga emra të njohur të kinematografisë dhe teatrit të cilët janë në tre juritë e festivalit.  Nën kryesimin e francezit Ronald Bergan, juria e garës ndërkombëtare përbëhet edhe Delphine Lyner nga Zvicra dhe regjisori kosovar Jeton Budima. 

Juria e filmit kombëtar këtë vit përbëhet nga Stephen Lighthill nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që është edhe kryetar jurie,  Danier Mulloy nga Britania e Madhe dhe Arian Krasniqi nga Kosova. Ndërsa juria e teatrit do të përbëhet nga kryetari i jurisë Brendan Ëard nga SHBA, Joseba nga Britania e Madhe dhe aktorja kosovare Anisa Ismaili. Juria do të ketë për detyrë që të vlerësoj filmat, që sivjet, sipas drejtorit të Skena Up janë shumë cilësor. 10 çmime do të ndahen në fund të festivalit.