Lajme Shqip Tuesday, 11 September 2012 16:40

Prishtinë – Bëhet e ditur se ka përfunduar greva e të burgosurve të Qendrën Korrektuese të Dubravës. Kjo ka ardhur pas bisedimeve të zhvilluara sot mes menaxhmentit të përkohshëm të Qendrës me të burgosurit grevistë.

“Në këtë takim, menaxhmenti i ka njoftuar grevistët së Ministria e Drejtësisë dhe në veçanti Ministri Kuçi, vazhdimisht është duke punuar që Amnistia të vendoset si kategori kushtetuese dhe se kjo procedurë tani gjendet në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në një njoftim të Shërbimit Korrktues të Kosovës.

Po ashtu, thuhet se ekipi profesional ka njoftuar grevistët që sapo të plotësohet baza juridike dhe kushtetuese, Ministria e Drejtësisë menjëherë do të fillojë punën për hartimin e Ligjit për Amnisti.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 09 September 2012 13:04

Dubrave – Ka plasur dhuna mes dy grupeve në burgun e Dubravës. Grupi që nuk është në grevë, të shtunën rrahu grupin që tash e sa ditë i është futur grevës. “Burrat e Drenicës” po i detyrojnë ata që ta ndërpresin menjëherë grevën. Të burgosurit thonë se mbi ta edhe po ushtrohet dhunë e presion. Grevistëve iu janë bashkangjitur edhe familjarët duke protestuar para portave të burgut.

Haki Maxharraj nuk ia ka lënë këmbën e hajrit stafit të ri të administratës në burgun e Dubravës. Sapo nisën punën e re, ata po ballafaqohen me probleme të shumta. Në fillim u përballën me grevën e të burgosurve, e cila po vazhdon akoma. Kurse tash iu doli edhe një punë tjetër. Grevistëve brenda iu janë bashkangjitur edhe afër 200 familjarët e tyre jashtë burgut. Edhe ata janë duke protestuar jashtë dyerve, duke i përkrahur kështu familjarët që po vuajnë dënimin.

Por kulmi për stafin e ri të administratës ishte e shtuna. Situata grevistëve duket u doli atyre komplet nga kontrolli. Dyshohet se të burgosurit që i janë futur grevës kanë filluar e po rrehen mes vete. Më saktësisht, ata po keqtrajtohen nga të burgosurit e tjerë, të cilët nuk i janë bashkangjitur grevës. Të paktën kështu i ka thënë gazetës një i burgosur nëpërmjet telefonit.

Në kushte anonimiteti. ai ka vendosur që të ankohet në të gjitha mediumet e t’i rrëfejë të gjitha maltretimet që po i bëhen atij dhe krejt grupit që janë futur në grevë. Ai thotë se mes dy grupeve, atyre që janë në grevë dhe atyre që nuk i janë bashkangjitur asaj, kanë nisur konfliktet. “Kemi fillu me pasë presion prej grupit ‘Burrat e Drenicës’, të udhëhequr nga vëllezërit K. dhe R. “Po na detyrojnë me e ndërpre grevën”, rrëfen i burgosuri. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 06 September 2012 11:37

Dubravë – Mbi 700 të burgosur në Burgun e Dubravës kanë hyrë sot në ditën e dytë të grevës së urisë.

Kreu i Shërbimit Korrektues  Resmi Hoxha tha se kërkesa e tyre për të futur amnistinë si kategori kushtetuese është në proces të rregullt për tu realizuar.

Kreu i  Këshillit për të Drejtat  e Njeriut Bexhet Shala ka thënë se  mungesa e amnistisë ka shkelur rëndë të drejtat e njeriut në Kosovës. Ai ka theksuar se  mungesa e këtij instituti juridik nuk ka ulur aspak nivelin e  kriminalitetit në Kosovë. Nëse Parlamneti vendos që amnistia të jetë kategori kushtetuese në Kosovë, ajo nuk do të mund të  ndodhë brenda këtij viti për shkak se Komisini për Ndryshime  Kushtetuese ka paraljëmruar se do të ketë vonesa në vendimin për këtë çështje.

Asnjë i burgosur në Qendrën Korrektuese në Dubravë nuk do të jetojë, nëse vazhdojnë grevën e urisë për ligjin për amnisti. Kjo për faktin se amnistia e ngritur si çështja nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, nuk ka gjasa që të hyjë si kategori kushtetuese, e më pas të rregullohet edhe me ligj brenda pak ditësh.

Madje sipas, ekspertëve dhe ligjvënësve kosovarë, procedura e amnistisë nuk ka gjasa që të ndodhë brenda këtij viti, sepse deri në miratimin e ligjimit në Kuvend duhet të bëhet një “odisejadë” deri në vitin 2013.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, u ka premtuar të burgosurve se shumë shpejt çështja e amnistisë do hyjë si ndryshim kushtetues, e më pas të bëhet edhe ligji për amnisti.

E për të treguar që ka mbajtur fjalën, por janë procedurat ato që kanë vonuar procesin, ministri Kuçi ka thënë për “Zërin”, se propozimi i tij është miratuar nga Qeveria dhe se ai është dorëzuar në Kuvend, nga i cili më pas varen procedurat e mëtejshme. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 05 September 2012 13:46

Dubravë (PLOTESUAR 5 SHTATOR, 17:00)- Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Resmi Hoxha ka takuar Ekipin e përkohshëm profesional për menaxhimin e kësaj qendre, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Njësisë Korrektuese të EULEX-it.

Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në këtë qendër dhe është konstatuar se nga 1011 të burgosur që gjinden në këtë qendër, 603 prej tyre kanë refuzuar ta marrin dreken, duke kërkuar që Amnistia të futët si kategori kushtetuese dhe ata të gëzojnë të drejtën për amnisti.

Drejtori i Përgjithshëm së bashku me Ekipi profesional kanë zhvilluar një takim edhe me të burgosurit dhe i kanë njoftuar ata së Ministria e Drejtësisë, e në veçanti ministri Kuçi është duke u angazhuar vazhdimisht për vendosjen e Amnistisë si kategori Kushtetuese.

Në Qendrën Korrektuese në Dubravë të gjitha aktivitetet janë duke u zhvilluar pa problem, ndërsa gjendja e sigurisë vlerësohet të jetë stabile. (LajmeShqip.com)

****************************************

Istog – Të burgosurit në Burgun e Dubravës, të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit kanë hyrë në grevë.

Burimet e portalit ORAinfo bëjnë të ditur se greva fillimisht ka filluar në dy pavionet e burgut, me kërkesën për amnisti.

Resmi Hoxha, drejtor i Burgjeve të Kosovës, ka konfirmuar se në burgun e Dubravës disa të burgosur kanë hyrë në grevë.

“Unë tani jam duke shkuar për t’i vizituar të burgosurit. Tani nuk kam ndonjë informatë për arsyet e grevës. Në orët e pasdites do të dalim me prononcime zyrtar”, është shprehur Hoxha.

Ditë më parë janë shkarkuar udhëheqësit e këtij burgu. Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dje deklaroi se po përpiqet që institutin e amnistisë ta bëjë kategori kushtetuese. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 06 June 2012 12:07

Prishtinë (PLOTESUAR 15:30)- Shërbimi Korrektues i Kosovës ka mohuar të ketë grevë në Qendrën Korrektues në Dubravë, nga ku paraditen e sotme është raportuar për refuzim të mëngjesit, nga një numër i të burgosurve.

Sot në Qendrën Korrektues në Dubravë, me rastin e shpërndarjes se mëngjesit, në Pavionin 5 ku janë të vendosur 143 të burgosur, 84 prej tyre kanë refuzuar të pranojnë mëngjesin, ndërsa, me rastin e shpërndarjes së drekës, të gjithë ata që kanë refuzuar mëngjesin, kanë pranuar drekën, bëhet e ditur nga ky shërbim.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se në bazë të ligjeve dhe rregullave institucionale, grevë konsiderohet atëherë kur nga momenti i refuzimit të ushqimit të kalojnë 24 orë, andaj, në bazë të kësaj konstatojmë se ligjërisht nuk ka pasur grevë”, përfundon komunikata e Shërbimit Korrektues të Kosovës. (LajmeShqip.com)

***************************************

Dubravë – Mbi 650 të burgosur në Dubravë kanë nisur sot një grevë urie, për shkak të mos miratimit të ligjit për amnisti.

Këshilli Grevist i burgut të Dubraves, përmes një komunikate ka njoftuar se greva nuk do të përfundojë derisa të miratohet ligji ashtu siç iu është premtuar nga qeveria. “Kjo shkaktoi pakënaqësi tek të gjithë të burgosurit dhe zhgënjim. Prandaj, të burgosurit nuk pranojnë të ndalin grevën deri në realizimin e te drejtës që kërkojnë për amnisti”, thuhet në komunikatën e këshillit grevist.

Në burgun e Dubravës dënimin e vuajnë mbi 1 mijë persona. (LajmeShqip.com)