Lajme Shqip Monday, 14 October 2013 10:22

I akuzuari për vrasjen e katër punonjësve të policisë, DritanDajti hedh dritë mbi fakte që ai vetë i quan “të vërteta të hidhura për Policinë e Shtetit”. 

Në një intervistë për gazetën Panorama thotë se është qëlluar me armë pa leje, nga persona civilë, të maskuar, të cilët i kanë marrë edhe shumën 150 mijë euro që kishte në makinë.Dajti tregon “mëkatin” e një prej armëve, që rezultojnë të tërhequra nga magazina prej policëve të varë pas vdekjes së tyre. 

“Operacioni i Policisë më 7 gusht 2009 kishte për qëllim vrasjen time. Asnjë polic nuk pati pranga me vete, ndaj më lidhën me një kabllo elektrik” shprehet Dajti.

Sipas tij, pas fshehjes së provave qëndron frika nga klane të caktuara në Policinë e Shtetit, si dhe korrupsioni në radhët e Prokurorisë dhe Policisë. Sa për “Kutinë e Pandorës”, të lajmëruar prej tij prej kohësh, ai pranon se çfarë ka thënë deri më tani është vetëm fillimi dhe paralajmëron se do të publikojë falsifikimin dhe korrupsionin në një pjesë të Policisë së Shtetit. Në lidhje me ngërçin që ka kapluar procesin e tij gjyqësor, Dajti shikon vetëm një rrugëdalje: nisjen nga e para me një tjetër trup gjykues. 

“Të gjitha provat provojnë se Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari kanë qenë veshur civilë në momentin e vrasjes. Sipas të gjitha akteve në dosjen hetimore, figuron se Fatos Xhani mban veshur në momentin e vrasjes këto veshje: bluzë ngjyrë vjollcë, këpucë kafe dhe xhinse blu. Altin Dizdari mbante veshur bluzë ngjyrë ulliri, pantallona doku ngjyrë gri dhe atlete gri. Kastriot Feskaj mbante triko sintetike me ngjyrë të kuqe dhe me shirita të bardhë paralelë, xhinse lejla dhe atlete ngjyrë qumështi. Sajmir Duçkollari mbante veshur këmishë të verdhë me kuadrate blu, pantallona bezhë dhe atlete ngjyrë kafe në bezhë. Të gjitha këto veshje civile që kanë pasur katër viktimat në momentin e vrasjes janë parë nga tre oficerë të Policisë Gjyqësore gjatë këqyrjes, si dhe nga eksperti kriminalist Fatos Konea dhe të katër këta kanë përpiluar procesverbalet përkatëse se katër viktimatishin të veshur civilë. I njëjti fakt konfirmohet edhe nga ekspertët mjekoligjorë Gjergji Syko, Fatos Sinani dhe Elmaz Shaqiri, të cilët kanë firmosur që katërviktimat kanë qenë të veshur civilë në momentin e vrasjes së tyre. Gjithashtu, kemi edhe procesverbalet e sekuestrimit të këtyre veshjeve nga oficerët e Policisë Gjyqësore. Këtyre veshjeve civile u janë bërë edhe ekspertime biologjike, kimike dhe teknike me qëllim për të provuar nëse këto veshje civile i mbanin veshur katër viktimat në momentin e vrasjes. Në përfundim të analizave, ekspertët kanë mbërritur në konkluzionin se ato mbaheshin veshurnga viktimat në momentin e vrasjes. Sipas akteve të ekspertimit rezulton se në vend të gradave dhe shenjave dalluese të Policisë së Shtetit, katërviktimat mbanin veshje me stampa të firmave prodhuese. Punonjësit e Policisë që janë gjallë dhe që kanë qenë në vendngjarje atë ditë, e pranojnë edhe vetë në dëshmitë para Gjykatës se disa prej tyre kanë qenë me rroba banjo, disa me pantallona të shkurtra dhe disa ma shapka. Deri më sot, Prokuroria dhe Gjykata janë munduar ta fshehin faktin që katër viktimat kanë qenë tëveshur civilë në vendin e ngjarjes” shprehet Dajti.