Lajme Shqip Thursday, 15 December 2011 17:35

Prishtinë – Portali LajmeShqip.com kishte publikuar ekskluzivisht aktakuzën kundër ish-Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës me të cilën akuzohej për krim të organizuar. Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës i kishte akuzuar ata se kanë kryer vepra penale të detyrimit, kanosjes, kontraktimit të fitimit joproporcional, shpërdorim të detyrës zyrtare, veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike, shpërlarje parash dhe krim të organizuar.

Dosjen e plotë mund ta gjeni këtu, ndërsa kopjen e plotë të kallëzimit penal këtu.

Ndërsa sot, perms një komunikate për media, EULEX ka njoftuar se më 12 dhjetor 2011, një gjykatës i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka marrë vendim me të cilin hedhen poshtë të gjitha akuzat kundër ish-Guvernatorit të Bakës Qendrore të Kosovës.

Gjykatësi i ka hedhur poshtë të gjitha pesë pikat e aktakuzës kundër Hashim Rexhepit, të cilat përfshinin veprat penale si: keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar, ushtrim i ndikimit dhe mashtrim.

Arsyetimi për hedhjen e disa pikave të akuzës u bazua në faktin se, megjithëse ish-Guvernatori i kishte ndërmarrë disa veprime jo të duhura, puna e tij nuk ishte e lidhur me shfrytëzimin e pushtetit apo autoritetit zyrtar, prandaj nuk ka mundur të kryhet keqpërdorimi i pozitës zyrtare.  Për pikat tjera, gjykatësi nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për ta mbështetur dyshimin e bazuar se i pandehuri i ka
kryer veprat tjera penale të përmendura në aktakuzë.

Aktakuza është konfirmuar vetëm në lidhje me pikën 6 (keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar) kundër Ibish Mazrekut, pasi që kishte prova të mjaftueshme për ta mbështetur dyshimin e bazuar se ai e ka kryer këtë vepër. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 20 October 2011 18:02

Prishtinё – Gjykatёsi i procedurёs paraprake, Gianfranco Galla, nuk e ka dhёnё verdiktin nё seancёn e konfirmimit tё aktakuzёs ndaj dy ish-udhёheqёsve tё Bankёs Qendrore tё Kosovёs, Hashim Rexhepit e Ibish Mazrrekut.

Sipas tij, vendimi pёr konfirmimin ose hedhjen poshtё tё aktakuzёs do t’iu dёrgohet palёve me shkrim.

Ndёrkaq, prokurori Nazmi Mustafa, ka kёrkuar dёnim pёr pesё vepra penale pёr tё akuzuarit, kurse ish-guvernatori Rexhepi, ngritjen e kёsaj aktakuze e ka cilёsuar si tё shtyrё me motive subjektive, me qёllim njollosjen e tij, siç ka thёnё ai, nga ata qё nuk i kishte lejuar tё bёnin shkelje nё Bankёn Qendrore tё Kosovёs (BQK). (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 October 2011 15:18

Prishtinë – Burime të portalit kanë bërë të ditur se nesër mbahet senaca e konfirmimit të aktakuzës kundër Hashim Rexhepit dhe Ibish Mazrrekut, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Rexhepi dhe Mazrreku akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit, pastrim parash, evazion fiskal dhe marrje ryshfeti.

Portali LajmeShqip.com ka publikuar më 12 prill ekskluzivisht dosjen për krerët e krimit të organizuar në Kosovë, e cila i implikon ish-drejtuesit e lartë të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepin e Ibish Mazrrekun, në këtë skandal. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 17 October 2011 11:45

Prishtinë – Si dhe shumë sfera të tjera, edhe sigurimet në Kosovë udhëhiqen nga yje të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Ata që ndiqen nga vendet e tyre për korrupsion, gjejnë parajsën e veprimit në Kosovë. Portali LajmeShqip.com, në raportimet ekskluzive për krimin dhe keqpërdorimet, më 12 dhe 13 prill, ka publikuar dy dosje të origjinalit të aktakuzës dhe të mashtrimeve që janë bërë në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK). Në vazhdën e këtyre publikimeve për rrjetin e krimit të organizuar në Kosovë, portali sjellë materialin ekskluziv për rrjetin e krimit të organizuar në kompaninë Croatia Sigurimi.

Njerëz të dënuar për korrupsion janë vënë në krye të Industrisë së Sigurimeve me vendim të autoriteteve shtetërore të Kosovës. I “përzënë”, nga Kroacia pasi u dënua për nënshkrim të kredive fiktive me qëllim përfitimin material, Ivica Pezo është rehatuar në Kosovë. Për, të drejtuar kompaninë e sigurimeve Croatia Sigurimi ka marrë edhe miratimin e Bankës Qendrore. Rregullatori i sistemit financiar në Kosovë shkeli rregulloren e vet, për t’ia mundësuar Pezos “rehabilitimin menaxherial”, pas dënimit nga shteti kroat.

“Aplikantët që janë marrë me ndonjë aktivitet që ka rezultuar me akuza kriminale, të zgjidhura apo pezull, automatikisht do të diskualifikohen nga konsiderata e mëtutjeshme”, thuhet në nenin e parë të rregullores për Licencimin e Kompanive të Sigurimit. Me këtë rregullore kompanitë e sigurimeve obligohen që të marrin miratim nga Banka Qëndrore për strukturën udhëheqëse të biznesit.

Kjo rregull u shkel në prill të vitit 2009. Atë muaj Pezo jo që ishte duke u hetuar, por ishte në proces gjyqësor, ku akuzohej për afera korruptive. Përkundër kësaj u rizgjodh në pozitën e drejtorit gjeneral të kësaj kompanie, të cilën e drejtonte nga viti 2005. Një vit më vonë, Ivica Pezo u shpall fajtor, por Banka Qendrore në Kosovë nuk mori asnjë vendim për largimin e tij.

“Drejtori i Croatia Sigurimi në Kosovë”, u dënua me një vit burg”, është ky titulli i tekstit të botuar në faqen zyrtare të kompanive kroate të sigurimit www.osiguranje.com.hr. Publikimi bën me dije se Pezo, duke qenë drejtor filiale në bankën “Kroacia”, në vitin 1995 ka keqpërdorur autorizimin zyrtar për përfitime materiale, duke nënshkruar kredi fiktive.

“Ish-drejtori i degës së bankës “Kroacia” në Metkovia dhe drejtori aktual i sigurimit për territorin e Kosovës dhe të Shqipërisë, Ivica Pezo (59) nga Metkovia, nga  Gjykata e Qarkut në Dubrovnik u gjet fajtor për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe detyrave zyrtare dhe u dënua me një vit burg”, shkruan në këtë publikim zyrëtar në faqen e kompanive kroate të sigurimeve.

Gjykata e Qarkut në Dubrovnik gjeti se Pezo, në vitin 1995, si drejtor i degës së saj, me qëllim të marrjes dhe keqpërdorimit të fondeve të konsiderueshme, keqpërdori autorizimin zyrtar për miratimin e kredive bankare në vlerë prej 281.849 kuna kroate (afro 40 mijë euro), në emër të një njeriu që kurrë nuk ka qenë një klient banke.

Banka Qendrore lejoi edhe Leme Xhemen në poste menaxheriale

Edhe drejtoresha financiare e Croatia Sigurimi, Leme Xhema, nuk i ka pasur punët hiq mirë me drejtësinë, kur Banka Qendore në Kosovë miratoi emrin e saj në këtë post menaxherial, në këtë kompani sigurimesh. Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte dënuar Xhemën për shpërdorim të detyrës zyrtare si drejtoreshë e Postë-Telekomit të Kosovës. Ajo u gjet fajtore pasi që kishte bërë transferimin e mbi 300 mijë eurove, duke i krijuar përftim të paligjshëm kompanisë “Norway Invest” e duke dëmtuar me këtë rast PTK-në. Edhe përkundër dënimit për keqpërdorim të 300 mijë eurove, ish-drejtoresha e PTK-së e ka mbajtur postin e drejtoreshës financiare në këtë kompani të sigurimit, e papënguar nga autoritetet e Bankës Qendrore.

Përveç Gjykatës së Qarkut edhe Gjykata Supreme më vonë do të konstatonte se Leme Xhema, në bashkëpunim me menaxherin e kompanisë Norway Invest, në periudhën janar-mars të vitit 2003, bashkë disa zyrtarë të tjerë në PTK, kishin bërë përfitime materiale për vetveten apo edhe për këtë kompani private.

Policia e Kosovës, në fillim të muajit gusht të këtij viti, disa ditë pas dhënies së verdiktit përfundimtar të Gjykatës Supreme për dënimin e drejtoreshës financiare të Croatia Sigurimi, ka lëshuar një fletarrest për kapjen e saj, ndërkohë që ajo ende gjendet në arrati, duke i ikur burgut. (LajmeShqip.com)

Dokumenti (PDF): Rregullën 4 mbi Ndryshimin e Rregullës për Licencimin e Kompanive të Sigurimit të Përgjithshëm dhe të Sigurimit të Jetës

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 13:48

Në kallëzimin penal të cilin e publikon portali Lajmeshqip.com, Drejtoria kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit e Policisë së Kosovës vlerëson se të dyshuarit, duke qëndruar në pozita udhëheqëse në ish-Bankën e Pagesave të Kosovës, tash Banka Qendrore, në vite dhe kohë të caktuara, prej vitit 2002 e deri me 2007, dhe duke u bazuar në përgjegjësitë e tyre, nuk kanë vepruar konform rregullave dhe ligjeve të BPK-së për parandalimin e keqpërdorimeve si dhe në shumë raste kanë qenë edhe vetë pjesë e këtyre keqpërdorimeve, duke vepruar si një grup i organizuar kriminal për përfitime materiale.

Artikulli ekskluziv i publikuar nga Lajmeshqip.com mund të lexohet këtu.

https://www.lajmeshqip.com/wp-content/uploads/2011/shqip/Dokumente/kallzimpenal-11798.pdf

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 14:35

Prishtinë – Policia e Kosovës ka dërguar një dosje penale në Prokurorinë Speciale të Kosovës kundër ish-zyrtarëve të lartë të Bankës Qendrore të Kosovës. Policia dyshon se Hashim Rexhepi, Ibish Mazreku, Ajri Begu, David Weatherman, Tom Torulla, Michel Svetchine, Stefan Kolle dhe Hilmi Hana, kanë kryer shtatë vepra penale, përfshirë krim të organizuar.

Kopjen origjinale të kallëzimit penal mund a lexoni këtu.

Sipas departamentit kundër krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës, grupi i ish-zyrtarëve të vendit dhe atyre ndërkombëtarë të UNMIK-ut, nga viti 2002 deri në vitin 2007 kanë kryer vepra penale të detyrimit, kanosjes, kontraktim i fitimit joproporcional, shpërdorim i detyrës zyrtare, veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike, shpërlaje parash dhe krim të organizuar.

Në një kallëzim penal të cilin e ka portali Lajmeshqip.com, Drejtoria kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit e Policisë së Kosovës vlerëson se të dyshuarit, duke qëndruar në pozita udhëheqëse në ish-Bankën e Pagesave të Kosovës, tash Banka Qendrore, në vite dhe kohë të caktuara, prej vitit 2002 e deri me 2007, dhe duke u bazuar në përgjegjësitë e tyre, nuk kanë vepruar konform rregullave dhe ligjeve të BPK-së për parandalimin e keqpërdorimeve si dhe në shumë raste kanë qenë edhe vetë pjesë e këtyre keqpërdorimeve, duke vepruar si një grup i organizuar kriminal për përfitime materiale.

 

Ata dyshohen se kanë bërë keqpërdorime me Shoqatën e Kompanive të Sigurimeve te Kosovës për humbjen e policave kufitare si dhe keqpërdorime të tjera në lidhje me këtë shoqatë, si punësimin e stafit, shpenzimet e fryra, shkelje e procedurave të tenderimit etj.

Sipas kallëzimit, gjatë vitit 2002 janë konstatuar keqpërdorime të gjashtë mijë deri në tetë mijë polica të sigurimeve kufitare. Policia pretendon se ka siguruar prova se Shoqata e Kompanive të Sigurimeve (IAK) i ka mbajtur 40% të mjeteve për pagesën e dëmeve për të cilat kompanitë e sigurimeve paguajnë kamatë ATK-së.

“Për këto keqpërdorime në këtë periudhë kanë qenë përgjegjës menaxhmenti i BPK-se në krye me Ajri Begun, kryetar i Bordit, David Weatherman, zëvendësdrejtor i menaxhimit për Financa në BPK, Tom Turulla, drejtor i sigurimeve në BPK, Stefan Kolle drejtor i IAK-se dhe Hilmi Hana, drejtor financiar i Fondit të Garancisë”, thuhet në kallëzim.

Këto keqpërdorime policia i ka zbuluar pas themelimit të një komisioni në krye me Berat Begun përfaqësues i BPK si dhe dy përfaqësues të kompanisë së sigurimeve ”Kosova e re”.

Ky komision ka dalë me konstatim se libri i evidencës rigoroze të policave të sigurimit nuk është udhëhequr dhe nuk është mbajtur me rregull dhe në mënyrë të duhur, por në disa copa letrash. Po ashtu, është paraqitur bllok evidenca e ngarkesave me polica kufitare të çdo pike kufitare. Shënimet mbi prerjet e policave kufitare, si dhe mungesën e 9,268 copë policave kufitare.

Vërejtja e grupit të auditorëve në terren në punën mbi konstatimin e kopjeve të policave, ka parë si të ngjashme me origjinalet, ku të gjitha faqet kanë qenë pa numra, gjë që ka bërë të mundur manipulimet e ndryshme.

Ndonëse ky raport ka qenë i bërë nga komisioni i BQK-së, ai nuk është publikuar, por është mbajtur si konfidencial, duke e ditur se vlera e një police është shitur nga 150 euro deri 1500 euro, që do të thotë se dëmi i shkaktuar kap vlerën nga 1,390,200 euro deri 13,902,000 euro.

“Të dyshuarit Ajri Begu, kryetar i Bordit në BPK, David Weatherman, zëvendësdrejtor i menaxhimit për Financa në BPK, Tom Turulla, drejtor i Sigurimeve në BPK, Stefan Kolle, drejtor i IAK-se dhe Hilmi Hana, drejtor financiar i Fondit të Garancisë, kanë kryer në bashkëpunim me veprim apo mosveprim veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare dhe krim të organizuar duke i sjellë vetes apo personave të tjerë përfitime të paligjshme”.

Policia beson se Hashim Rexhepi është bashkëpronar me Hashmet Kurumin, pronar i Kompanisë së sigurimeve “Kosova e re”, rast i ndërlidhur me Casinot. Sipas kallëzimit dyshohet se nga Casinot në kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re” janë shpërlarë 500,000 euro. Këto mjete janë deponuar në Bankën e Re të Kosovës. Nga certifikata e regjistrimit të kompanisë “Kosova e Re” shihet se pronar i vetëm i kësaj kompanie është Hashmet Biidi Kurum.

Në bazë të deklaratës së dëshmitarit Visar Rrustemi, drejtor i kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, kah fundi i vitit 2007 është bërë një takim në Shkup, në mes të Hashmet Kurumit si përfaqësues i “Kosovës së Re” dhe Hashim Rexhepit si përfaqësues i Bankës Qendrore. Dëshmitari ka qenë prezent në takim. Aty është diskutuar rreth zgjedhjes së drejtorit të kompanisë “Kosova e Re”, pas largimit të drejtorit të atëhershëm Halit Shabani, si dhe janë diskutuar qëllimet e Hashmet Bedii Kurum për kompaninë e sigurimeve Kosova e Re.

“Sa i përket transferimit të parave nga ‘King Casino’ në ‘Kosova e Re’ kemi transaksione me datë 16.01.2006 në vlerë prej 100,000 euro, më 17.03.2006 në vlerë prej 200,000 euro”, thuhet në kallëzim penal.

Nga raporti i AQBK i datës 15 qershor 2007 është vërejtur përputhja e transfereve të bëra në KS “Kosova e re” me datë 17.01.2006 si dhe me datën 20.03.2006 në emër të depozitimit për rritjen e kapitalit themelor në emër të Hashmet Kurumit e që, në fakt, janë para të “King Casinos”, të pa deklaruara në ATK si qarkullim ditor.

Sipas policisë për këto transfere ka qenë në dijeni Hashim Rexhepi, për shkak se në vitin 2006, kur janë bërë këto bartje parash, ka qenë në pozitën e zv.drejtorit të përgjithshëm, dhe Michel Svetchine, i cili ka qenë në pozitën e Drejtorit Menaxhues të BPK-së. Me këto veprime policia beson se është bërë pastrim parash dhe shmangie nga tatimi. Me këto veprime Hashim Rexhepi dhe Michel Svetchine dyshohen se kanë kryer vepra penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare, shpëlarje parash dhe krim të organizuar.

Drejtimi i hetimeve është drejtuar në sigurimin e provave mbi dyshimin e bazuar se paratë janë pastruar përmes firmës “CREA”, pronë e djalit të Hashim Rexhepit, Granit Rexhepi, i cili është drejtor i bordit drejtues të kësaj kompanie dhe pronar i 35% të aksioneve të kësaj firme. I dyshuari Hashim Rexhepi në emër të shërbimeve dhe përmes kësaj firme ka bërë keqpërdorimin e Shoqatës së kompanive të sigurimeve në vlerë prej 60,000 euro, në emër të këtyre shërbimeve.

“Nga hetimet paraprake kemi vërtetuar se ekziston vendimi për blerjen e një softueri për automatizimin e proceseve të administrimit në AQBK, respektivisht në kompanitë e sigurimit dhe IAK, i nënshkruar nga Kryetari i Bordit të drejtorëve të IAK, Fatmir Gashi. Ndërsa është bërë transferimi i shumës 45,000 euro në konton e kompanisë CREA, të nënshkruara nga Arben Mikeli, Vetima Vuçitërna dhe Fatmir Gashi”, thuhet në kallëzim.

Në bazë të kërkesës drejtuar Administratës Tatimore mbi të dhënat e kompanisë “CREA”, deklarimet, obligimet tatimore si dhe pronarët e mundshëm të kësaj kompanie, janë marrë këto rezultate: Pronar të kompanisë CREA-KO Sh.p.k janë: Halil Mazreku (vëllai i Ibish Mazrekut, drejtor i drejtoratit për mbikëqyrje të kompanive të sigurimeve), Avni Tërnava dhe Granit Rexhepi (djali i Hashim Rexhepit, drejtor i BPK-së).

Pra, dyshimi i bazuar është vërtetuar dhe mund të themi se gjatë vitit 2007 Hashim Rexhepi, qenë Zv/drejtor i përgjithshëm i BQK si dhe Ibish Mazreku Drejtor i sektorit për mbikëqyrje të kompanive të sigurimeve pranë BQK-së, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke i bërë të mundur kompanisë “CREA” shitjen e softuerit IAK, në vlerë prej 45,000 euro, gjë që paraqet konflikt direkt të interesit.

Sipas policisë, edhe pse në raportet e vitit 2005 dhe 2006 të BPK-së, para bordit dhe para kuvendit të aksionarëve është pranuar raporti mbi auditimin si pozitiv për bankën, në shkurt të vitit 2006 është bërë një riinspektim nga inspektorët e BPK-së, nën mbikëqyrjen e një eksperti të FMN-së, të cilët dalin me një raport krejt të ndryshëm nga ai i pari.

Ky raport paraqitet në muajin korrik të vitit 2006, me një urdhëresë administrative të BPK-së, ku bëhet suspendimi i drejtorit, menaxherit të departamentit të kredive si dhe një listë e aksionarëve që kryesisht kanë qenë anëtarë të konzorciumit për rindërtim.

Në këtë kohë, drejtorin e bordit Nazmi Mustafa, njëherë e largojnë dhe menjëherë pas kësaj bëhet emërimi si kryetar i bordit, në mënyrë që të bëjë punën rehabilituese për lëshimet që janë bërë nga menaxhmenti i mëparshëm si dhe për paraqitjen e planit për rimëkëmbje.

Në kallëzim sqarohet se pas kësaj nga ana e BPK-së lëshohet një urdhër ndalesë për kredi mbi 10,000 euro, e cila ka pasur si qëllim rëndimin e portfolios së kredive, për shkak të gjendjes së krijuar nga kreditë e liga dhe se kreditë mbi 10,000 euro, të dhëna paraprakisht, është dashur të aprovohen nga BPK-ja. Në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh gjendjen financiare (likuiditetin) të BPB-së, Hashim Rexhepi merr kredi për vete në këtë kohë dhe lejon dhënien e donacionit për KB “Prishtina”, ku ai vetë është drejtor i bordit të klubit.

Në lidhje me dyshimet për me keqpërdorimet si me menaxhimin e IAK, shpenzimet, punësimin e punëtorëve pa konkurs, fryrjet fiktive të administratës etj., nga veprimet hetimore që janë ndërmarrë, policia ka konstatuar se nga 105 punëtorë sa numëron IAK, 28 persona janë pranuar pa konkurs, duke filluar nga Hilmi Hana, i cili është emëruar në këtë post, i njëjti është emëruar edhe likuidator i KS “Kosova” dhe likuidator i Bankës Kreditore (që në bazë të rregullores 2001/25, neni 52.4, nuk ka mundur t’i mbajë dy apo më tepër vende të punës, e përfitimi ka qenë mbi 10 mijë euro). Pastaj, si shkelje është konstatuar emërimi i Sabrije Ahmetit si juriste e IAK-së, e cila kishte punuar deri në atë kohë si inspektore për kontroll të kompanive të sigurimeve pranë BPK-së.

Emërimin tjetër të parregullt, e kishte bërë kur e kishte caktuar Ismet Jashanicën zëvendës të Hilmi Hanës, meqë ai veç ishte diagnostikuar me kancer, e pas vdekjes së tij e emëron drejtor të Fondit të garancisë. Këtu vlen të përmendet se ky i fundit në disa dokumente zyrtare figuron edhe si drejtor i IAK/CIU-së, gjë që paraqet shkelje të rregullores, pasi që juridikisht këto dy njësi janë të ndara si subjekte juridike. Veprimet e ndërmarra nga i dyshuari Hashim Rexhepi në emërimin e të lartëcekurve në poste të caktuara (pa konkurs) paraqesin keqpërdorim direkt dhe konflikt interesi.

Në listën prej 28 personave të pranuar pa konkurs, gjenden edhe Haki dhe Agron Nuza (vëllezërit e gruas së Hashim Rexhepit). Haki Nuza, drejtor i Financave të CIU-së dhe likuidator i KS “Kosova”, njëherë është emëruar ndihmës i Hilmi Hanës e pastaj likuidator i vetëm, ku edhe njëherë shkelet rregullorja 2001/25 neni 52.4). Emërime të parregullta janë edhe Sami Mazreku dhe Avdyl Mazreku (vëllai i Ibish Mazrekut dhe kushëri i tij), Venhar Hana (djali i Hilmi Hanës, i cili edhe pse është refuzuar nga një anëtar i bordit, prapë është pranuar në punë).