Lajme Shqip Saturday, 04 February 2012 17:39

Mitrovicë – Sot ka reaguar edhe KMLDNJ-ja në Mitrovicë përmes një informate publike në të cilën i konfirmon edhe njëherë publikimet dhe dosjet e publikuara nga Portali LajmeShqip.com. Publikimin për rastin në fjalë mund ta gjeni këtu.

Informatën e plotë e KMLDNJ-së në vazhdim: Nga kryetari i KMLDNJ-së në Mitrovicë, Halit Berani – Sot kur u mbushën plotë 12 vjet nga masakra ndaj shqiptarëve që jetonin në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, më duhet sërish të ngre zërin për mosfunksionimin e drejtësisë, mosangazhimin e organeve të hetuesisë dhe indiferencën e institucioneve ndërkombëtare dhe të vendit, që gjatë gjithë këtyre viteve nuk treguan as respektin më të vogël për viktimat e dhunës barbare që ndaj tyre ushtruan ekstremistët serbë nga veriu i okupuar i Mitrovicës.

Është për tu habitur se si përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare që i kanë pasur dhe ende i kanë përgjegjësitë për veriun e vendit, por edhe ata të institucioneve të republikës së Kosovës, nuk ndërmorën pothuaj asgjë për ndriçimin e vrasjeve dhe terrorit që ndaj shqiptarëve të pafajshëm ushtruan kriminelët serbë në pjesën e okupuar të qytetit të Mitrovicës, e të cilët qysh atëherë janë identifikuar nga vetë viktimat dhe ata dihen me emër e mbiemër.

Nuk është kurrë e tepërt nëse sërish opinionin e njoftojmë se natën në mes të datës tre dhe katër shkurt ti vitit 2000, në veriun e Mitrovicës nga bandat kriminele serbe, u ekzekutuan në shtëpitë dhe banesat e tyre, pa as më të voglin shkas, përveç se ishin shqiptarë, dhjetë (10) qytetarë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, gra dhe pleq. Atë natë të tmerrshme  u vranë: Nderim Ajet (13), Nerimane Xhaka (42), Remzije Canhasi (56), Selime Berisha (60), Nezir Voca (61), Shqipe Voca (54), Bashkim Rrukeci (38), Nimon Sejdiu (52), Sebiha Abrashi (50) dhe Muharrem Sokoli (51).

Po atë natë nga të njëjtat banda e kriminelë, të udhëhequr, sipas dëshmitarëve-viktimave, nga Oliver Ivanoviq dhe Dragan Delibashiq, (të cilët sot jetojnë lirshëm në pjesën veriore të qytetit),  u plagosen rëndë 25 shqiptarë të tjerë, kurse u keqtrajtuan rëndë fizikisht 93 të tjerë. Kriminelët serbë në të njëjtën kohë filluan përndjekjen e përgjakshme të shqiptarëve nga banesat dhe shtëpitë e tyre, me qëllim të spastrimit etnik të kësaj pjese të qytetit, e cila edhe sot është e okupuar po nga ata kriminelë.

Vetëm natën në mes të datës tre dhe katër shkurt, me dhunë nga veriu i Mitrovicës u dëbuan rreth 100 familje shqiptare. Përndjekja e shqiptarëve vazhdoi me internistët të shtuar edhe në ditët në vijim, kështu që gjatë muajit shkurt  të vitit 2000 nga veriu i Mitrovicës u dëbuan me dhunë e të përgjakur mbi 1.500 familje shqiptare.

Ekipit për dëbimin e shqiptarëve ju kanë pri Oliver Ivanoviq, Dragan Delibashiq, Zharko Kosovac, Miodrag Raliq, Dushko Shiligoviq, Ivan Mandiq, Rade Spasojeviq etj. Për këtë dëshmojnë  Shpend Hasani, Kemajl Gucati, Rexhep Hyseni, Shaban Azemi, Jashar Jashari etj. Këta dëshmitarë dhe të tjerët tregojnë se masakra e asaj nate është bërë para syve të ushtarëve francez dhe policëve të UNMIK-ut, të cilët nuk ndërmorën asgjë për mbrojtjen e viktimave nga terrori i kriminelëve.

Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Mitrovicë, shpreh habinë se si është e mundur që organet e hetuesisë, qofshin ato ndërkombëtare, apo të vendit, të heshtin para këtyre fakteve dhe të mos ndërmarrin asgjë për kapjen dhe dënimin e  atyre që i bënë këto krime monstruoze, ndërkohë që nuk janë raste të rralla, kur këto organe shpenzojnë kohë e mund duke bërë hetime ndaj atyre për të cilët nuk kanë as fakte e as dëshmitarë.

Në 12 vjetorin e kësaj masakre, Qendra Rajonale e KMDLNJ në Mitrovicë kërkon drejtësi për viktimat dhe dënimin e kriminelëve, të cilët janë qysh atëherë të identifikuar nga viktimat dhe dëshmitarët tjerë okular. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Friday, 03 February 2012 09:00

Mitrovicë -Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, boshnjakja Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Ndërim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi janë vrarë në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriorë të Mitrovicës. Këta persona janë vrarë dhe masakruar nga grupi kriminale serb ‘Rojat e Urës’ 12 vite më parë të udhëhequara nga ish-shefi i atëherëshëm i këtij grupi Oliver Ivanoviç. Këtë operacion të vrasjeve, të masakrimit dhe dëbimit të mbi 12 mijë shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës e ka udhëhequar bashkarisht MUP i Serbisë me në krye ish komandantin e Dragan Delibashiç dhe Oliver Ivanoviç.


> Dokumenti sekret i NATO’s që inkriminon Oliver Ivanoviçit

Për këta dy udhëheqës të këtij operacioni, si dhe shumë kriminelë tjerë, rezultojnë të anagazhaur me fakte edhe një dokument i policisë së UNMIK-ut, i njohur me emrin “Pandora”, të cilin e ka publikuar ekskluzivisht Portali LajmeShqip.com dhe të cilin mund ta lexoni këtu. Portali ka publikuar edhe dosjet, tashmë të njohura të NATO-s, dosje për të cilën pas publikimit nga shumica e mediave shqiptare kanë reaguar edhe politikanët serbë të përfshirë në këtë dosje, siç mund ta lexoni këtu.

Deri më tani për këto 10 vrasje të shqiptarëve në veri të Mitrovicës dhe dëbimit të mbi 12 mijë të tjerë nuk është ngritur asnjë aktakuzë dhe askush nga këto grupe ende nuk është përballuar me drejtësinë. Shaip Canhasi, në varrezat e qytetit të Vushtrrisë ka varrin e bashkëshortes së tij, Remzijës, që u vra 12 vjet më parë, në veri të Mitrovicës nga grupet kriminale serbe. Botërisht dihet se ndërmjet natës së 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, 10 shqiptarë u vranë prej pjesëtarëve të formacioneve serbe, kurse 1.564 familje shqiptare me gjithsej 11.364 persona u dëbuan dhunshëm nga banesat e tyre në veri të Mitrovicës.

Dëshmitë bëjnë me dije se në atë kohë, grupet kriminale serbe, brenda nje nate i’u vërsulën familjeve jo-serbe që jetonin në pjesën veriore të Mitrovicës, duke vrarë 6 persona brenda një nate, ndërsa 4 të persona të tjerë humbën jetën më pas nga plagët e marra nga armët zjarri dhe granatat e përdoruara gjatë sulmit. Dhjetra qytetarë kryesisht shqiptarë të tjerë u plagosën, ndërsa edhe qindra familje janë detyruar të kalojnë në bregun jugor të lumit Ibër, duke lënë prapa disa shtëpi në flakë. Shaipi, ka pohuar se nuk do ta harrojë kurrë atë natë, kur 6 plumba nga një armë me silenciator, e lanë të vrarë bashkëshorten e tij Remzijen. “Isha në korridor së bashku me gruan dhe një polic ndërkombëtar kur një turmë njerëzish qëlluan 6 herë nga një armë me silenciator dhe gruaja ime ra përtoke e vdekur ndërsa plumbat e kishin marrë në qafë. Vrasësit thyen dyert dhe u futën brenda në ndërtesë, ndërsa polici i UNMIK-ut vetëm bërtiste: UNMIK-UNMIK” – thotë Shaipi ndërsa shton se “tani jetoj i vetmuar në një dhomë në pjesën jugore të Mitrovicës dhe i mllefosuar nga fakti se vrasësit ende janë të lirë”.

“Nuk ka drejtësi nga të huajt, të vrarët e asaj nate shkuan dëm dhe kërkujt kurgja. Institucionet e Kosovës nuk interesohen për këtë çështje, sepse tuten mos këta të huajt po u thonë se janë ekstremistë”- vijon më tej ai. Ish-kryeprokurori i qarkut të Mitrovicës, Jusuf Mejzini, në lidhje me vrasjet e 3 dhe 4 shkurtit në veri të Mitrovicës ka deklaruar se të gjitha këto raste janë hetuar nga policë dhe prokurorë ndërkombëtar. “Ne vendorët nuk kemi pasur qasje në këto hetime, gjyqëtarët kanë përfunduar misionin e tyre në Kosovë dhe ne nuk na është dorëzuar asnjë lëndë për këto raste”- ka thënë Mejzini. Ç’farë ndodhi më vonë dhe në ç’farë faze të hetimeve janë ne nuk e dimë”- ka thënë kryeprokurori i Mitrovicës.

Ndërsa, burime të besueshme në kushte anonimiteti kanë theksuar se Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë, ka disponuar vetëm një lënde, atë të çiftit, Nezir e Shqipe Voca, të vrarë gjatë kësaj nate. Lëndë kjo që ka një fletëparaqitje kundër personit N.N dhe këtë lënde ia kemi kthyer policisë që të gjejnë vrasësit”- ka thënë burimi. Prokuroria, shumë herë ka kërkuar të dihet se deri ku ka arritur policia me hetime, përgjigjje nuk është marrë”.

Sipas burimit, rastet në të cilat të dyshuarit janë dituar me emër e mbiemër janë marrë nga prokurorët ndërkombëtarë, dhe prokurorët vendorë nuk dinë se ç’farë ka ndodhur me to. Kurse ish-kryetari i Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës Kapllan Baruti në lidhje me këto vrasje në veri të vendit ka theksuar se “në gjykatë nuk ka asnjë lëndë të inicuara e as të proceduar për këtë çështje”.

Për Muharrem Sokolin, ka pasuar një procedurë gjyqësore, janë arrestuar tre veta dhe më pas janë liruar nga gjykatësi ndërkombëtar, është marrë aktgjykim lirues me numër vendimi P-45-02 dt: 04.09 2002. “Të gjitha dokumentacionet për këto raste, kanë mbetuar në gjykatë në veri dhe kam frikë se mos janë demtuar”- ka thënë Baruti.

Burime të portalit LajmeShqip.com, brenda policisë dhe prokurorisë, që flasin në kushte të anonimitetit, thonë se kohë më parë është dashur që të arrestoheshin tre persona dhe ata t’i dorëzohen prokurorisë, por deri më tani për shkaqe politike një gjë e tillë nuk ka ndodhur”.

Sipas këtyre burimeve disa raste janë dorëzuar prokurorisë dhe gjyqësise, por nuk ka ndonjë të dhënë se ç’farë ka ndodhur me to. Po sipas këtyre burimeve, në këto sulme ishin të përfshirë shumë persona, por qytetarët ende ngurojnë të flasin për atë që kanë parë atë natë për arsye të situatës që mbretëron në veri të Mitrovicës.

S. Z., S. Zh. dhe B.J shtetas serbë nga pjesa veriore e Mitrovicës, janë shpalluar të pafajshëm nga gjykatësi ndërkombetar Timothy Clayson, në procesin e mbajtuar në vitin 2002, lidhur me akuzen se kishin marrë pjesë në vrasjen e Muharrem Sokolit (51). Këta persona ishin liruar nga paraburgimi pasi prokurori ndërkombëtar Michael Hartmann, ka vlerësuar se nuk ka mjaft dëshmi për gjykimin e tyre.  Muharrem Sokoli ishte rrahuar nga një grup serbësh deri në humbjen e vetëdijes, ndërsa më pas i ishtë hedhur edhe një bombë që ia kishte marrë jetën. Ndërsa për rastet e Nderim Ajetit (13) dhe të Nerimane Xhakës, sipas këtyre burimeve, kanë ekzistuar fletëparqitje penale kundër të dyshuarve: Ish- kryepolici serb Dragan Delibashiç, ish-shefit të Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës dhe udhëheqësin e rojeve të urës Oliver Ivanoviç dhe qytetarëve I.V, N. V, S.M dhe S.L. dhe në këto dy raste prokurori Hartmann kishte vlerësuar se nuk ka fakte dhe se duhet hequr dorë nga ndjekja tyre. Në rastin e Remzije Canhasit, të vrarë para syve të burrit të saj, burimet pohojnë se janë zhvilluar hetimet ndaj B.A., M.A, R.A, dhe V.M. Prokuroria në këtë rast ja kishte kthyer dosjen policisë ndërkombëtare për grumbullimin e më shumë fakteve dhe dëshmive, por sipas burimeve nuk është mësuar kurrë për fatin e këtij rasti.

Halit Barani, shefi i KDMLNJ (Këshillit të së Drejtave dhe Mbrojtjes së Lirisë së Njeriut) në Mitrovicë, thotë se të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe të policisë ndërkombëtare. “Prej kujt mund të presim që t’i kryejnë hetimet, kur ata vetë nuk bëjnë asgjë që t’i parandalonin këto vrasje”-thotë Barani, i cili pohon se ka dëshmitarë që pohojnë se në mesin e sulmuesve atë natë ka pasuar edhe njerëz që paraqiten publikisht si liderë politikë të serbëve të Kosovës siç është Oliver Ivanioviç.

Në vazhdim Portali LajmeShqip.com sjell edhe njëherë dokumentin e dosjes Pandora në të cilin dokument, UNMIK-u, e ka të dokumentuar me saktësinë më të madhe të gjitha ngjarjet dhe personat e përfshirë në organizimin dhe ekzekutimin e planit dhe vrasjeve të Shkurtit 2000.

Përmbledhje e publikimeve ekskluzive të Portalit LajmeShqip.com për temën e Mitrovicës:

Ish-komandanti i NATO’s, Erhard Bürhler: Po, dosja është dokument i rëndësishëm i NATO-s

Ekskluzive: Dosja Pandora, MUP-i serb në Kosovë pa maska

Ekskluzive: Ja gjashtë kriminelët e kërkuar të veriut

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 25 August 2011 14:23

Prishtinë – Portali LajmeShqip.com, e ka siguruar nga burime nga ish-zyrtarë të lartë të misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) dosjen “Pandora”, në të cilën paraqitet në detaje skema e funksionimit të Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme në territorin e Kosovës, pas qershorit 1999. Edhe pse, siç paraqitet në dokument, ky funksionim, nga UNMIK-u qysh atëherë është konsideruar ilegal dhe në kundërshtim me Rezolutën 1244, megjithatë ish-administrata ndërkombëtare nuk ka ndërmarrë asgjë ndaj këtyre strukturave.

Dosja “Pandora”

Në 24 faqe të plota, dosja e siguruar nga portali ka të evidentuara dhe të ilustruara deri në detaje gjithë hierarkinë e funksionimit të strukturave ilegale dhe kriminele të Serbisë në Kosovë.

Dosja evidenton persona që kanë urdhëruar vrasjen e shqiptarëve, ashtu siç janë evidentuar urdhërues dhe komando të tjerë për eliminimin e kundërshtarëve por edhe të bashkëpunëtorëve të tyre serbë. Identifikimi i plotë i atyre që kanë kryer krime të ndryshme menjëherë pas luftës në Kosovë, përfshirë vrasje dhe torturim të shqiptarëve dhe familjeve shqiptare involvon drejtpërdrejt edhe figura të njohura të politikës së sotme serbe në Serbi dhe Kosovë.

Dosja “Pandora”, që mban datën 14 mars të vitit 2006 dhe që nuk është e klasifikuar për përdorim të brendshëm, konfirmon të dhënat e dokumenteve konfidenciale të NATO-s, që portali LajmeShqip.com vazhdon t’i publikojë tash dy javë.

Skema e funksionimit të policisë serbe (MUP) në Kosovë përbëhet dhe udhëhiqet nga të njëjtit persona, të cilëve dokumentet konfidenciale të NATO-s iu referohen si kriminelë, kapo të bandave dhe të krimit të organizuar në veri të Kosovës, që prej përfundimit të luftës, në vitin 1999.

Hierarkia dhe strukturat funksionale të MUP-it në Kosovë

Konform rrethanave të reja, pas qershorit të vitit 1999, Ministria serbe e Punëve të Brendshme ka organizuar edhe mënyrën e funksionimit në Kosovës. Ndonëse ilegalisht, ata kanë ndërtuar një strukturë brenda Kosovës dhe kanë funksionuar, kanë kryer vepra të ndryshme, duke marrë urdhra nga Beogradi dhe duke raportuar, po në Beograd.

Faqja 8 e dosjes ‘Pandora” paraqet skemën komplete organizative dhe funksionale të Departamentit të Policisë të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) të Serbisë.

I vendosur në Mitrovicë, si distrikt, me shef Momir Kasaloviqin, dhe e evidentuar si qendër koordinuese  me Dr. Med. Srbo Mlenkoviqin, koordinator, horizontalisht, sipas skemës, mer urdhëra nga udhëheqësi i SUP-it kolonel Dragoljub Delibashiqi – “Dragani”, i cili mban kontakte të rregullta me Qendrën Komanduese të rialokuar në Kralevë. (Dosjen konfidenciale të NATO-s për Delibashiqin mund ta lexoni këtu.)

Komunikimi i drejtpërdrejtë i Delibashiqit paraqitet me asistentin Dragoljub Radeviqit, i cili vertikalisht komunikon me udhëheqësin e Deprtamentit të Komunikimit, Xhymret Hasani (emri në dosje Dzumret), përmes së cilit supozohet se ka komunikuar tërë vija tjetër e krimit.

Departamenti i Policisë, i udhëhequr nga Milorad Radeviq “Mishko”, paraqitet me zëvendësen e tij Natasha Gnjatoviq, e cila është përgjegjëse për kontakte me Stacionin Policor në Mitrovicë, që udhëhiqet nga Ljubisha Kragoviq, Stacionin Policor në Zubin Potok, që udhëhiqet nga Zhvojin Gjuriq dhe me Stacionin Policor në Leposaviq, që udhëhiqet nga Zhivan Nestoroviq, ky i fundit përgjegjës për nënstacionin e vendosur në Soqanicë dhe në Leshak.

Ndërsa, Stacioni Policor në Mitrovicë, përmes asistentit Ljubisha Sekularac, është në kontakt me nënstacionin e policisë në Prilluzhë, i cili udhëhiqet nga Ivica Zdravkoviq.

Stacioni Policor në Zubin Potok është përgjegjës i nënstacionit policor në Gazivodë.

Skema paraqet vijën komanduese edhe të stacioneve të policisë në Graçanicë, Ferizaj dhe në Pejë.

I pari, siç e paraqet skema, udhëhihet nga Jankoviqi, në Stacionin e Policisë në Graçanicë, derisa ai i Ferizajt është i evidentuar si Stacion Policor në Shtërpcë, kurse Stacioni i Policisë në Pejë evidentohet të jetë me bazë në Gorazhdec.

Udhëheqësit dhe figurat qendrore të strukturave

Në dosjen “Pandora”, Dragoljub Delibashiq, i njohur me nofkën “Kapiten Dragani” në dokumentin e NATO-s, konfirmohet si udhëheqësi apo figura qendrore e strukturës së MUP-it të Serbisë në Kosovë. Ai i menaxhon të gjitha strukturat ilegale të policisë serbe në veri, por edhe në tërë territorin e Kosovës. Me bazë veprimi në veri të Mitrovicës, Dragoljub Delibashiq, raporton dhe merr urdhëra nga komanda në Kralevë të Serbisë.

Sipas dosjes “Pandora”, këto struktura në Kosovë kanë kryer aktivitete të rregullta policore, kanë poseduar ilegalisht armë dhe eksplozivë dhe kanë kryer aktivitete luftarake, përmes të ashtuquajturave grupe luftarake brenda strukturës së tyre.

E fokusuar kryesisht në veri të Kosovës, në Mitrovicë, e cila ka pasur qendrën në Kralevë, policia serbe, më saktësisht një departament tjetër i saj, i quajtur Agjencioni i Intelegjencës së Sigurisë (BIA), ka vepruar, sipas skemës organizative, edhe në qendra të tjera:

Prishtinë – baza e së cilës ka qenë e lidhur me Nishin, Mitrovicë – baza e së cilës ka qenë e lidhur me Kralevën, Pejë – që ka qenë e lidhur me Kragujevcin, Gjilan – i lidhur me Vranjen, Ferizaj – me Leskovcin, Prizren – lidhur me Krushevcin dhe Gjakovë – lidhur me Jagodinën.

Oficeri i Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë, Nebojsha Komatina, në skemë paraqitet në kontakt të drejtpërdrejtë me Zyrën e BIA-s në Mitrovicë, saktësisht me kontakte në kafenenë “Vozhd”.

Siç evidenton dosja, departamentet kryesore të Sekretariatit të Punëve të brendshme të Serbisë (MUP), të udhëhequra gjithnjë nga Dragoljub Delibashiq, me asistent Dragoljub Radeviqin, sipas skemës, janë përbërë nga:

– Distrikti i Mitrovicës, i udhëhequr nga Momir Kasaloviq;
– Departamenti Policor, i udhëhequr nga Milorad Radeviq;
– Departament i Trafikut, i udhëhequr nga Ljubo Kasaloviq;
– Departamenti i Krimeve, Goran Zhivkoviq;
– Departamenti i Komunikimit, Xhymret Hasani;
– Sekretariati i Punëve të Brendshme, Liljana Donkiq, Mitrovicë dhe
– Administrata kryesore, Danica Radojeviq.

Në kuadër të këtij organizimi kanë funksionuar edhe Departamenti i Zjarrit dhe organi disiplinor.

Është e paqartë nëse personi që përmendet në këtë skemë, i cili është i evidentuar si udhëheqës i Departamentit të Komunikimit, i quajtur Dzumret Hasani, gjendet në Kosovë apo në Serbi.

Po ashtu, organizatë e posaçme brenda kësaj strukture ka qenë famëkeqja BIA (Agjencia e Intelegjencës së Sigurisë), që u përmend më lartë.

Strukturat luftarake në Kosovë (Postet komanduese, patrullat dhe grupet ushtarake)

Faqja 12 e dosjes “Pandora” i ka të përmbledhura deri në detaje strukturat, siç janë të evidentuara në këtë dosje, postet komanduese, patrullat, grupet ushtarake dhe strukturat luftarake.

Në krye të tyre, sipas dokumentit, është kolonel Dragoljub Delibashiq – Dragani, me një tjetër zëvendës të tij, Rajko Sekularac.

Kjo strukturë, me dy qendra komanduese, ka kryer aktivitetet e saj kriminale në veri të Mitrovicës në Suhodoll, Rruga e Kollashinit, Shkolla e Mesme e Mjekësisë, Ura e Ibrit dhe shumë zona të tjera në veri, si dhe i ka monitoruar rregullisht KFOR-in, CIVPOL-in dhe Policinë e Kosovës.

Dosja evidenton edhe mënyrën e regjistrim/raportimit ditor, raportimit në Kralevë si dhe raportimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Beograd.

Qendra komanduese 1 dhe 2, evidentohet të jetë me bazë në rrugën Ivo Llolla Ribar dhe në rrugën Oslobodjenie, Brigada e Zjarrit, SUP.

Dosja evidenton edhe postet komanduese dhe përbërjen e tyre, udhëheqësit dhe armatimin e evidentuar. Në Postën komanduese 1, e vendosur në rrugën Vardarska, funksionojnë Divizioni i krimit, me udhëheqës Goran Zhivkoviq dhe 3 Oficerë tjerë, afër Shkollës së Mesme të Mjekësisë.

Posta komanduese 2, e vendosur në rrugën Osllobogjenje në “Roki House”, në të cilën qëndrojnë 24 orë, evidentohet të jenë të armatosur me armë CZ-99 9mm dhe TT 7.62mm.

Posta komanduese 3 evidentohet të jetë e vendosur në rrugën Branka Spajiq, në kafe-barin “Krqma” në të cilën thuhet të operojë në 3 ndrrime dhe të armatosur me 1 MP “Skorpion” dhe që patrollojnë B.S: dhe Subi Dol deri te rruga Kolashinit.

Posta komanduese 4, e vendosur në rrugën Kralj Petar, në kafe-barin “Dragan” Arsic, evidentohet se 3 oficerë të policisë monitorojnë KFOR-in, CIVPOL-in dhe SHPK-në të armatosur me AK-47.

Ndërsa patrullimi, evidenton dosja, përbëhet nga 3 grupe, i pari në rrugën Drvarska, në të cilën operojnë 3 oficerë, i dyti në Ivo Llolla Ribar, Knjaz Milosh, rruga Vasilij Ostrski, në të cilën patrullojnë 3 oficerë si dhe grupi i patrullës së tretë, i vendosur në kryqëzimet Ivo Llolla Ribar dhe Knjaz Milosh, në lindje të Urës, në të cilën patrullojnë gjithashtu 3 oficerë.

Dosja evidenton, gjithashtu, grupet luftarake, të cilat janë të emëruara me udhëheqës dhe zëvendës, të ndara si më poshtë:

Grupi luftarak 1: Udhëheqës Sllavisha Radoviq, i njohur me nofkën “Djile”, me zëvendësin Radosllav Zubac, i njohur me nofkën “Zuki”,

Grupi luftarak 2: udhëheqës Nedleko Spasojeviq, i njohur me nofkën “Spaske”, me zëvendësin Sllobodan Radoviq, i njohur me nofkën “Boko”,

Grupi luftarak 3: udhëheqës, Dragan Baboviq, me zëvendësin Nenad Dimoviq, i njohur me nofkën “Dimçe”,

Grupi pasiv luftarak i Leposaviqit, evidentohet në dosje, udhëhiqet nga Zhivan Nestoroviq dhe

Grupi ushtarak, logjistika dhe mbështetja, evidentohet së udhëhiqet nga Stanisha Kostiq.

Në fund të dokumentit shënohet se: udhëheqësia (6 persona) e Grupeve Luftarake është konstante, ndërsa 14 persona të tjerë janë në dispozicion për cilindo nga grupet 1, 2 dhe 3.

Në të gjithë këtë aktivitet illegal, të udhëhequr nga Dragoljub Delibashiq, strukturat e MUP-it të Serbisë në Kosovë, në veri të Mitrovicës, janë implikuar në shumë aktivitete kriminale dhe në trazira, duke vepruar konform skemës që paraqitet në këtë dosje.

Në publikimin e pjesë së dytë të kësaj dosje, portali do ta paraqesë pjesën tjetër, atë të veprave kriminale të kryera ngë këto struktura të krimit të organizuar serb në Kosovë, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. (LajmeShqip.com)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Mitrovicë – Portali LajmeShqip.com vazhdon të publikojë biografitë e kapove serbë të veriut të Kosovës, që janë të përmbledhura në një dokument konfidencial të NATO-s.

Dragoljub alias Dragan Delibashiq (1957), i njohur si Kapiten Dragani, është kapiten i MUP-it serb në veri të Mitrovicës. Ai ka vepruar pas vitit 1999 në pjesën veriore të Kosovës si koordinator i strukturave të ashtuquajtura të Mbrojtjes Civile të Veriut, pjesë e strukturave të Ministrisë Serbe të Punëve të Brendshme, shkruan në dokumentin konfidencial të NATO-s. Zëvendës në përgjegjësinë e tij e kishte Rajko Cekularak – Sekin.

Kapiten Dragani ka patur raporte të mira me Milan Ivanovin, por edhe me Oliver Ivanoviqin. Para luftës në Kosovë ka koordinuar njësi paraushtarake serbe dhe krimet kundër shqiptarëve.

I pasionuar pas cigares “Dunhill” dhe pijes së tepërt të rakisë, në gjendjen e tij private dokumenti thotë se Delibashiq është i divorcuar nga gruaja, dhe ajo bashkë me dy vajzat e tij jetojnë në Bërçko të Republikës Serbe të Bosnjës.

Përgjegjësia e mëhershme e Kapiten Draganit në Mitrovicë ka qenë udhëheqës i njësitit të trafikut në policinë serbe dhe ka bashkëpunuar rregullisht me Vuçina Janiçijeviqin, një kapo-bandë tjetër e veriut të Kosovës. Ky i fundit ishte shef i policisë serbe, para luftës në Kosovë, me fushë të përgjegjësisë Zveçanin, Leposaviqin, Zubin-Potokun, Mitrovicën dhe Vushtrinë.

Kapiten Dragani, bëhet e ditur në raport, e ka ndihmuar Vuçina Janiqijeviqin gjatë luftës në Kosovë, në shumë oepracione të tij kundër shqiptarëve, nga baza që e kishte në banesën e paramilitarit serb Sllavko Mandiq, në veri të Mitrovicës. Kishin një komunikim të sofistikuar me “Motorola”, në rrjetin e njohur me kodin e kontaktit “Dubnica”.

Një ndër përgjegjësitë e tij të pasluftës në Kosovën veriore, si pjesëtar civil i policisë serbe në Kosovës, ka qenë përkujdesja për ndërtesëat administrative ne veri, po që se ato do të merren nga institucionet e Kosovës. Këtë angazhim behet e ditur ta ketë kryer në bashkëveprim të ngushtë me Oliver Ivanoviqin.

Dokumenti e përshkruan Delibashqin si pjesë aktive e Këshillit Nacional Serb, ku vepron si officer ndërlidhës i strukturave serbe të sigurisë.

Në kuadër të veprimtarive të tij destabilizuese në veri të Kosovës, Dragoljub Delibashiq – Kapiten Dragani, përmendet në dokument me një aktivitet të ngjeshur për trazira dhe dhunë në veri të Kosovës, në një periudhë të gjatë kohore, prej vitit majit deri në shtator të vitit 2001 (koha që është në hartimin e raportit konfidencial të NATO-s). Në këtë periudhë Kapiten Dragani, ka bashkëpunuar ngushtë me SNS-në dhe personalisht me Milan Ivanoviqin, në kryerjen e shumë aksioneve të dhunshme. Ai ka hartuar sulme të armatosura, deri edhe me raketa, kundër shqiptarëve, por edhe kundër anëtarëve të stafit ndërkombëtar në veri të Mitrovicës (UNMIK). Shumë sulme të armatosura dhe trazira në veri, dokumenti konfidencial i NATO-s i lidh me emrin e Delibashiqit dhe të strukturave kriminale rreth tij, me në krye Milan Ivanoviqin.

Sipas dokumentit, të gjitha argumentet e nxjerrin Kapiten Draganin një pjesëtar aktiv, me peshë dhe përgjegjësi në hierarkinë e MUP-it serb të paralusftës, gjatë luftës dhe të pasluftës, të implikuar në Kosovë. Ai është një prej emrave më të shquar të menaxhimit të bandave në atë pjesë të Kosovës. Kjo mbetet edhe një dëshmi e implikimit direkt të forcave serbe të poilicisë në destabilizimin e vazhdueshëm të Kosovës, thotë dkumenti.

Dragoljub Delibashiq ishte refuzuar në shtator të vitit 2001, në përpjekjen e tij për të qenë pjesëtar i Shërbimit Policor të Kosovës, institucion i rendit që ishte në vitet e para të ndërtimit të tij. (LajmeShqip.com)