Lajme Shqip Lajme Shqip Monday, 27 January 2014 16:48

Prishtinë (LajmeShqip.com) – Ashtu siç kishte raportuar dy vjet më parë portal LajmeShqip.com, sot është konfirmuar se Oliver Ivanoviq është edhe zyrtarisht i dyshuar për krime të luftës.

Të hënën ka ndodhur arrestimi nga EULEX-i i kandidatit për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Oliver Ivanoviq, kanë bërë të ditur mediat kosovare.

Figura e njohur politike e serbëve të veriut të Kosovës, bëhet e ditur të jetë arrestuar nën dyshimin për krime të luftës dhe vrasjet e lidhura në vitet 1999/2000 në Kosovë.

Ndërkohë, zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq, ka bërë të ditur se një aksion i përmasave të gjëra është duke u zhvilluar në veri të Mitrovicës, pa dhënë hollësi të tjera.

Portali LajmeShqip.com dy vjet më parë ka publikuar dosjen ekskluzive, me dokumentet konfidenciale të NATO-s, në të cilën Oliver Ivanoviq, bashkë me shumë të tjerë, përmendej si kriminel lufte dhe si i dyshimtë për përfshirje në krime lufte në Kosovë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Oliver Ivanoviq kishte marrë shumë poste me përgjegjësi në institucionet atëherë të përkohëshme vetëqeverisëse në vend, nën administratën e UNMIK-ut. Një mandat ai ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës. Aktualisht ai është kryetar i Iniciativës Qytetare SDP (Slloboda, Demokracija, Pravda – Liria, Demokracia, Drejtësia) dhe kandidat për kryetar të Mitrovicës.

Në fund të gushtit 2011, portal LajmeShqip.com ka raportuar se në organizatën e veriut, KOS, Oliver Ivanoviq, sipas dokumentit të NATO-s, ishte vetëm një kukull, sepse, shkaku i pafuqishmërisë së tij politike, prapa i rrininin përfaqësuesit ekstremistë serbë të Zubin Potokut. Por, kjo ishte koha e pasluftës.

Në dokumentin konfidencial të NATO-s, të publikuar nga portali, citohen veprime të tjera të Oliver Ivanoviqit, të kryera para dhe gjatë luftës në Kosovë. Ai, atëherë si anëtar i SPS-it të Millosheviqit, thuhet në dokument, është shquar në fushatën për largimin e shqiptarëve nga puna, në veri të Mitrovicës, dhe për diferencimin e tyre nga të gjitha organizatat sportive, në krye të cilave kishte ardhur me direktiva të pushtetit në Beograd dhe ishte mandatuar me këtë mision. Për një kohë të shkurtër, Oliver Ivanoviqi e kishte spastruar Mitrovicën nga shqiptarët me përgjegjësi, në organizatat punuese dhe në ato sportive, në fillim të viteve ‘90.

Linku në vijim përmban artikullin e tërësishëm të publikuar nga portali, më shumë se dy vjet më parë, si pjesë e dosjes konfidenciale të NATO-s, ku flitet për njërin nga protagonistët e saj, Oliver Ivanoviq. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 February 2013 17:52

Mitrovicë –  Për veriun e Mitrovicës është diskutuar edhe në një tryezë të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në të cilën janë përkujtuar 10 shqiptarët e vrarë 13 vjet më parë. Aty është thënë se vrasja dhe spastrimi etnik i shqiptarëve nga ajo pjesë e vendit ndërmjet datës 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000 është kryer nga grupi kriminale serb i njohur si “Rojat e Urës”, transmeton KTV.

Raste të tilla, sipas të pranishmëve vazhdojnë të ndodhin edhe sot e kësaj dite në atë pjesë të vendit. “U tha se pas bombardimeve të NATO-s u lirua edhe qyteti i Mitrovicës, por kjo nuk ndodhi as tash e 13 vjet”, ka thënë Halit Berani, kryetar i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Mitrovicë. Ai  përgjegjës direkt i bënë forcat e KFOR-it francez dhe Policinë e UNMIK-ut.

Ndërkaq Shpend Ahmeti nga Lëvizja “Vetëvendosje” ka thënë se këto vrasje dhe dëbime u bënë me direktivat e Beogradit, ku në udhëheqje të shtetit serb ishin pikërisht njerëzit të cilët sot janë në krye të tij, dhe qeveritarët kosovarë dialogojnë me ta pa asnjë kusht. 13 vjet pas ngjarjes, nga Veriu i vendit janë larguar më shumë se 11 mijë banorë shqiptarë, ndërkaq të kthyer dhe që vazhdojnë të jetojnë në atë pjesë të vendit janë rreth 4 mijë.

Deri më tani për këto 10 vrasje të shqiptarëve në veri të Mitrovicës dhe dëbimit të mbi 12 mijë të tjerë nuk është ngritur asnjë aktakuzë dhe askush nga këto grupe ende nuk është përballuar me drejtësinë.

 

Këta persona janë vrarë dhe masakruar nga grupi kriminale serb ‘Rojat e Urës’ 12 vite më parë të udhëhequara nga ish-shefi i atëherëshëm i këtij grupi Oliver Ivanoviç. Këtë operacion të vrasjeve, të masakrimit dhe dëbimit të mbi 12 mijë shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës e ka udhëhequar bashkarisht MUP i Serbisë me në krye ish komandantin e Dragan Delibashiç dhe Oliver Ivanoviç.

Për këta dy udhëheqës të këtij operacioni, si dhe shumë kriminelë tjerë, rezultojnë të anagazhaur me fakte edhe një dokument i policisë së UNMIK-ut, i njohur me emrin “Pandora”, të cilin e ka publikuar ekskluzivisht Portali LajmeShqip.com dhe të cilin mund ta lexoni këtu. Portali ka publikuar edhe dosjet, tashmë të njohura të NATO-s, dosje për të cilën pas publikimit nga shumica e mediave shqiptare kanë reaguar edhe politikanët serbë të përfshirë në këtë dosje, siç mund ta lexoni këtu.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 03 February 2012 09:00

Mitrovicë -Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, boshnjakja Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Ndërim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi janë vrarë në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriorë të Mitrovicës. Këta persona janë vrarë dhe masakruar nga grupi kriminale serb ‘Rojat e Urës’ 12 vite më parë të udhëhequara nga ish-shefi i atëherëshëm i këtij grupi Oliver Ivanoviç. Këtë operacion të vrasjeve, të masakrimit dhe dëbimit të mbi 12 mijë shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës e ka udhëhequar bashkarisht MUP i Serbisë me në krye ish komandantin e Dragan Delibashiç dhe Oliver Ivanoviç.


> Dokumenti sekret i NATO’s që inkriminon Oliver Ivanoviçit

Për këta dy udhëheqës të këtij operacioni, si dhe shumë kriminelë tjerë, rezultojnë të anagazhaur me fakte edhe një dokument i policisë së UNMIK-ut, i njohur me emrin “Pandora”, të cilin e ka publikuar ekskluzivisht Portali LajmeShqip.com dhe të cilin mund ta lexoni këtu. Portali ka publikuar edhe dosjet, tashmë të njohura të NATO-s, dosje për të cilën pas publikimit nga shumica e mediave shqiptare kanë reaguar edhe politikanët serbë të përfshirë në këtë dosje, siç mund ta lexoni këtu.

Deri më tani për këto 10 vrasje të shqiptarëve në veri të Mitrovicës dhe dëbimit të mbi 12 mijë të tjerë nuk është ngritur asnjë aktakuzë dhe askush nga këto grupe ende nuk është përballuar me drejtësinë. Shaip Canhasi, në varrezat e qytetit të Vushtrrisë ka varrin e bashkëshortes së tij, Remzijës, që u vra 12 vjet më parë, në veri të Mitrovicës nga grupet kriminale serbe. Botërisht dihet se ndërmjet natës së 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, 10 shqiptarë u vranë prej pjesëtarëve të formacioneve serbe, kurse 1.564 familje shqiptare me gjithsej 11.364 persona u dëbuan dhunshëm nga banesat e tyre në veri të Mitrovicës.

Dëshmitë bëjnë me dije se në atë kohë, grupet kriminale serbe, brenda nje nate i’u vërsulën familjeve jo-serbe që jetonin në pjesën veriore të Mitrovicës, duke vrarë 6 persona brenda një nate, ndërsa 4 të persona të tjerë humbën jetën më pas nga plagët e marra nga armët zjarri dhe granatat e përdoruara gjatë sulmit. Dhjetra qytetarë kryesisht shqiptarë të tjerë u plagosën, ndërsa edhe qindra familje janë detyruar të kalojnë në bregun jugor të lumit Ibër, duke lënë prapa disa shtëpi në flakë. Shaipi, ka pohuar se nuk do ta harrojë kurrë atë natë, kur 6 plumba nga një armë me silenciator, e lanë të vrarë bashkëshorten e tij Remzijen. “Isha në korridor së bashku me gruan dhe një polic ndërkombëtar kur një turmë njerëzish qëlluan 6 herë nga një armë me silenciator dhe gruaja ime ra përtoke e vdekur ndërsa plumbat e kishin marrë në qafë. Vrasësit thyen dyert dhe u futën brenda në ndërtesë, ndërsa polici i UNMIK-ut vetëm bërtiste: UNMIK-UNMIK” – thotë Shaipi ndërsa shton se “tani jetoj i vetmuar në një dhomë në pjesën jugore të Mitrovicës dhe i mllefosuar nga fakti se vrasësit ende janë të lirë”.

“Nuk ka drejtësi nga të huajt, të vrarët e asaj nate shkuan dëm dhe kërkujt kurgja. Institucionet e Kosovës nuk interesohen për këtë çështje, sepse tuten mos këta të huajt po u thonë se janë ekstremistë”- vijon më tej ai. Ish-kryeprokurori i qarkut të Mitrovicës, Jusuf Mejzini, në lidhje me vrasjet e 3 dhe 4 shkurtit në veri të Mitrovicës ka deklaruar se të gjitha këto raste janë hetuar nga policë dhe prokurorë ndërkombëtar. “Ne vendorët nuk kemi pasur qasje në këto hetime, gjyqëtarët kanë përfunduar misionin e tyre në Kosovë dhe ne nuk na është dorëzuar asnjë lëndë për këto raste”- ka thënë Mejzini. Ç’farë ndodhi më vonë dhe në ç’farë faze të hetimeve janë ne nuk e dimë”- ka thënë kryeprokurori i Mitrovicës.

Ndërsa, burime të besueshme në kushte anonimiteti kanë theksuar se Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë, ka disponuar vetëm një lënde, atë të çiftit, Nezir e Shqipe Voca, të vrarë gjatë kësaj nate. Lëndë kjo që ka një fletëparaqitje kundër personit N.N dhe këtë lënde ia kemi kthyer policisë që të gjejnë vrasësit”- ka thënë burimi. Prokuroria, shumë herë ka kërkuar të dihet se deri ku ka arritur policia me hetime, përgjigjje nuk është marrë”.

Sipas burimit, rastet në të cilat të dyshuarit janë dituar me emër e mbiemër janë marrë nga prokurorët ndërkombëtarë, dhe prokurorët vendorë nuk dinë se ç’farë ka ndodhur me to. Kurse ish-kryetari i Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës Kapllan Baruti në lidhje me këto vrasje në veri të vendit ka theksuar se “në gjykatë nuk ka asnjë lëndë të inicuara e as të proceduar për këtë çështje”.

Për Muharrem Sokolin, ka pasuar një procedurë gjyqësore, janë arrestuar tre veta dhe më pas janë liruar nga gjykatësi ndërkombëtar, është marrë aktgjykim lirues me numër vendimi P-45-02 dt: 04.09 2002. “Të gjitha dokumentacionet për këto raste, kanë mbetuar në gjykatë në veri dhe kam frikë se mos janë demtuar”- ka thënë Baruti.

Burime të portalit LajmeShqip.com, brenda policisë dhe prokurorisë, që flasin në kushte të anonimitetit, thonë se kohë më parë është dashur që të arrestoheshin tre persona dhe ata t’i dorëzohen prokurorisë, por deri më tani për shkaqe politike një gjë e tillë nuk ka ndodhur”.

Sipas këtyre burimeve disa raste janë dorëzuar prokurorisë dhe gjyqësise, por nuk ka ndonjë të dhënë se ç’farë ka ndodhur me to. Po sipas këtyre burimeve, në këto sulme ishin të përfshirë shumë persona, por qytetarët ende ngurojnë të flasin për atë që kanë parë atë natë për arsye të situatës që mbretëron në veri të Mitrovicës.

S. Z., S. Zh. dhe B.J shtetas serbë nga pjesa veriore e Mitrovicës, janë shpalluar të pafajshëm nga gjykatësi ndërkombetar Timothy Clayson, në procesin e mbajtuar në vitin 2002, lidhur me akuzen se kishin marrë pjesë në vrasjen e Muharrem Sokolit (51). Këta persona ishin liruar nga paraburgimi pasi prokurori ndërkombëtar Michael Hartmann, ka vlerësuar se nuk ka mjaft dëshmi për gjykimin e tyre.  Muharrem Sokoli ishte rrahuar nga një grup serbësh deri në humbjen e vetëdijes, ndërsa më pas i ishtë hedhur edhe një bombë që ia kishte marrë jetën. Ndërsa për rastet e Nderim Ajetit (13) dhe të Nerimane Xhakës, sipas këtyre burimeve, kanë ekzistuar fletëparqitje penale kundër të dyshuarve: Ish- kryepolici serb Dragan Delibashiç, ish-shefit të Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës dhe udhëheqësin e rojeve të urës Oliver Ivanoviç dhe qytetarëve I.V, N. V, S.M dhe S.L. dhe në këto dy raste prokurori Hartmann kishte vlerësuar se nuk ka fakte dhe se duhet hequr dorë nga ndjekja tyre. Në rastin e Remzije Canhasit, të vrarë para syve të burrit të saj, burimet pohojnë se janë zhvilluar hetimet ndaj B.A., M.A, R.A, dhe V.M. Prokuroria në këtë rast ja kishte kthyer dosjen policisë ndërkombëtare për grumbullimin e më shumë fakteve dhe dëshmive, por sipas burimeve nuk është mësuar kurrë për fatin e këtij rasti.

Halit Barani, shefi i KDMLNJ (Këshillit të së Drejtave dhe Mbrojtjes së Lirisë së Njeriut) në Mitrovicë, thotë se të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe të policisë ndërkombëtare. “Prej kujt mund të presim që t’i kryejnë hetimet, kur ata vetë nuk bëjnë asgjë që t’i parandalonin këto vrasje”-thotë Barani, i cili pohon se ka dëshmitarë që pohojnë se në mesin e sulmuesve atë natë ka pasuar edhe njerëz që paraqiten publikisht si liderë politikë të serbëve të Kosovës siç është Oliver Ivanioviç.

Në vazhdim Portali LajmeShqip.com sjell edhe njëherë dokumentin e dosjes Pandora në të cilin dokument, UNMIK-u, e ka të dokumentuar me saktësinë më të madhe të gjitha ngjarjet dhe personat e përfshirë në organizimin dhe ekzekutimin e planit dhe vrasjeve të Shkurtit 2000.

Përmbledhje e publikimeve ekskluzive të Portalit LajmeShqip.com për temën e Mitrovicës:

Ish-komandanti i NATO’s, Erhard Bürhler: Po, dosja është dokument i rëndësishëm i NATO-s

Ekskluzive: Dosja Pandora, MUP-i serb në Kosovë pa maska

Ekskluzive: Ja gjashtë kriminelët e kërkuar të veriut

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 16 November 2011 11:24

Milan Ivanoviç, kryetar i Këshillit Nacional Serb per veriun e Mitrovicës ka deklaruar se duhet të kërkohet pergjegjësi politike nga kryenegociatori serb Borisllav Stefanoviç dhe presidenti i Serbisë Boris Tadiç.

“Arritja e marrëveshjeve mes Beogradit dhe Prishtinës janë në kundërshtim me interesat e serbëve në Kosovë dhe e bëjnë të pamundur jetesën e tyre këtu” ka thënë ai.

“Arritja e marrëveshjes për lëvizjen e lirë do të thotë pranim i dokumentacioneve të institucioneve të Kosovës dhe me këtë edhe pranimin e Kosovës si shtet i pavarur. Ndërsa propozimi për menaxhim të përbashkët të kufirit është në parim, pranim i pavarësisë së Kosovës sepse nje gjë e tillë është edhe ne planin e Ahtisaarit dhe me këtë dëmtohen interesat tona nacionale” ka thënë Ivanoviq.

“Në realitet edhe presidenti serb Boris Tadiç thekson se ideja është që të bëhet menaxhimin i përbashkët i kufirit. Kjo ide në të vertetë është e të dërguarit të BE-se për bisedimet Robert Cooper dhe jo e Tadiçit. Kjo politikë e gabuar që është duke u zhvilluar ndaj Kosovës ka vulën e presidentit të Serbisë” ka thënë kryeradikali serb i veriut të Kosovës Milan Ivanoviç.

 
Lajme Shqip Saturday, 24 September 2011 13:10

Mitrovicë – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Serbisë, janë arrestuar 6 persona, të gjithë zyrtarë të Gjykatave të Serbisë, por që janë nga Mitrovica. Ata akuzohen për vepra të korrupsionit të lartë, transmetojnë mediat serbe në veri të Kosovës.

Me këtë rast, është arrestuar Gjykatësi i Gjykatës së Lartë të Serbisë, Bllagoje Jakshiq (vëllau i Marko Jakshiqit v.j.), të cilit edhe i është marrë imuniteti.

Jakshiq është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale, ndërsa në paraburgim gjenden edhe tre persona të cilët kanë punuar në Gjykatën në Mitrovicë.

Për veprat kriminale të Bllagoje Jakshiqit ka raportuar edhe Portali LajmeShqip.com, gjatë publikimit të dosjes konfidenciale të NATO-s. Dosja e Marko Jakshiqit mund të lexohet këtu. Reagimin e Marko Jakshiqit e ka transmetuar edhe B92 nga  Beogradi që mund ta lexoni këtu.

Prokuroria ka hapuar hetimet me dyshimin që Jakshiq e ka keqpërdorë pozitën e tij zyrtare.

Në anën tjetër, Gjykata e Lartë në Beograd, në një takim urgjent, ia ka marrë imunitetin anëtarit të saj, Bllagoje Jakshiq, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Në nje deklerat të lëshuar nga Këshilli, thuhet se vendimi për marrjen e imunitetit ka ardhuar pas kërkesës së gjyqtarit hetues të Dhomës së Veçantë të Gjykatës së Lartë në Beograd, në mënyrë që organet e drejtësisë të munden të zhvillojnë hetime ndaj Jakshiqit, kur kihet parasysh se ai është i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe prokurori atë e akuzon për vepër penale – krim të organizuar.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka theksuar se Bllagoje Jakshiq është duke u marrë në pytetje nga ana e gjykatësit të Gjykatës Speciale të Serbisë. Pos Jakshiqit, janë arrestuar edhe tre persona dhe është duke u zhvilluar operacion për arrestimin edhe të dy personave të tjerë, ka thënë Daçiq, citojnë mediat serbe në veri të Kosovës.

Prokurori kundër krimit të organizuar, Millojko Radisavleviq, ka theksuar se Prokuroria ka kërkuar që Jakshiqit t’i caktohet masa e paraburgimit. Dyshohet se të arrestuarit me punën e tyre kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjëshme mbi 20 milion dinarë, në kohën kur ai ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Mitrovicë.

Radisavleviq ka shtuar se hetimet e prokurorisë përfshijnë më shumë persona, ndër të cilët tre janë të punësuar në Gjyqin në Mitrovicë, dhe të cilët tani janë në paraburgim.

Ndërsa Ivica Daciq ka theksuar se, në bazë të dyshimeve për keqpërdorime të detyrës zyrtare, deri më tani janë arrestuar sekretari i Gjykatës në Mitrovicë, Mirosllav Bozhoviq dhe dy zyrtarë të tjerë, Bllagoje Quroviq dhe Dragan Gavrilloviq.

Sipas ministrit të Policisë së Serbisë, me urdhër të Gjykatës janë duke u kërkuar edhe dy persona të tjerë, që janë të perfshirë në këto hetime, Lubomir Bishevac dhe Miodrag Laktetiq.

Sipas burimeve jozyrtare, besohet se tanimë është arrestuar bizismeni nga veriu i Mitrovicës, Lubomir Bishevac, i cili dyshohet se në mënyrë të jashtëligjëshme ka marrë lokalin në veri të Mitrovicës, i cilai ka 320 metra katrorë, në bazë të dokumentave të falsifikuara, të cilat janë vërtetuar në atë kohë në Gjykatën e Mitrovicës, me urdhër të kryetarit të Gjyqit, Bllagoje Jakshiq. Lokali afarist më vonë është shituar dhe me këtë kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme mbi 20 milion dinarë. Ndërsa, njëri nga të arrestuarit, në mesin e puntorëve të Gjykatës në Mitrovicë, para disa ditësh ka shqyer fletën nga librat zyrtarë të gjyqit në Mitrovicë, me qëllim të fshehjes së dëshmive.

Burimet e portalit theksojnë se këtu bëhet fjalë për një lokal afarist të ish-ndërrmarrjes tregtare LUX, i cili gjendet në këndin lindor të urës mbi Ibër. (LajmeShqip.com)

 

Mitrovicë – Protagonisti i radhës është një pjesëtar aktiv i strukturave të MUP-it serb në veri. Ka mbiemër të njëjtë me të dy udhëheqësit serbë të veriut, të përfshirë në krimin e organizuar, Oliver e Milan Ivanoviq, por nuk thuhet të ketë lidhje familjare me ta. Përshkruhet si pëshpëritës i politikës së Oliver Ivanoviqit.

Ivica Ivanoviq është një epror i policisë serbe, pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), që veproi edhe pas luftës së vitit 1999, në Kosovë, thuhet në dokumentin konfidencial të NATO-s, të cilin po e përcjellë në vazhdimësi Portali LajmeShqip.com.

Ai, ndonëse me mbiemër të njëjtë me Oliver Ivanoviqin, në dokument nuk përshkruhet si familjar i tij, por si bashkëpunëtorë shumë i ngushtë. Ai citohet si sufler (pëshpëritës) i strukturave të policisë serbe në veshët e politikanit serb të Kosovës që pretendonte të përfaqësojë interesin e serbëve në Kosovë.

Në dhjetor të vitit 1999, Ivica Ivanoviq kishte rënë në sy të vëzhguesve të NATO-s, si i përfshirë në disa zhvillime e trazira në veri. Ai kishte udhëhequr dhe motivuar tubime të shumta dhe kishte organizuar sulme mbi shqiptarët matanë urës së Ibrit. Ndërsa, shkruan në dokument, në njëtubim të zjarrtë të serbëve në veri, në një moment, Ivica është parë duke i pëshpëritur në vesh leksione për fjalime lideritë të serbëve në veri, Oliver Ivanoviqit.

Përmes lidhjeve të rregullta me Dragoljub Delibashiqin, Ivica Ivanoviq koordinonte aktivitetet e MUP-it serb në veri të Kosovës. Përmes këaj linje, ai dirigjonte edhe politikanin serb. Oliver Ivanoviq.

Urdhrat dhe pëshpëritjet e tij dëgjoheshin dhe respektoheshin nga qytetarët, bandat e ndryshme dhe vetë politikanët serbë në veri, shkruan në dokumentin konfidencial të NATO-s.

Ivica Ivanoviq përshkruhet si një agjent i guximshëm i MUP-it të Serbisë në veri, që i koordinonte rregullisht “Rojat e Urës” dhe aktivitetet e tyre si pengesë për shtrirjen e rendit në veri.

Ai është parë të organizonte në grup një sulm me bombë në veri, bashkë me Goran Saviqin, Radosllav Rankoviqin, Nebojsha Malikoviqin dhe Vladan Antiqin, në dhjetor të vitit 1999.

Ivica, i suvejuar në vazhdimësi nga agjentët e NATO-së, është parë të qarkullonte natën, disa herë me radhë, në vendet në më pas shpërthenin incidente e trazira në veri të Mitrovicës. Ai është parë shpeherë, në kontekst të këtyre zhvillimeve bashkë me Oliver Ivanoviqin e Dragan Delibashiqin, duke koordinuar veprimtarinë me famëkëqinjtë Rojat e Urës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 24 August 2011 20:24

Tiranë – Portali LajmeShqip.com ka siguruar një dosje tjetër ekskluzive dhe ka filluar me përpunimin dhe verifikimin e menjëhershëm të saj, pjesën e parë të së cilës pritet ta botojë nesër.

Ndërkohë që për këtë arsye, portali përkohësisht do ta ndërpresë publikimin e dosjeve konfidenciale të NATO-s për krimin e organizuar në veri të Kosovës.

Dosja që e ka siguruar Portali, zbardhë të vërtetën për strukturën e organizimit dhe të veprimit të MUP-it të Serbisë në Kosovë, veçanërisht në veri.

Dosja zbardhë, gjithashtu, shumë pikëpyetje dhe mistere tjera të veprimit ilegal dhe kriminel të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Kosovë:

– Si është organizuar BIA dhe veprimtaria e saj në Kosovë?

– Si kanë funksionuar grupet luftarake në Kosovë në kuadër të MUP-it të Serbisë?

– Kush i ka udhëhequr ato grupe?

– Cilat janë figurat e hierarkisë së shtetit serb, që dhanë urdhrat për vrasje, ekzekutime dhe eliminime kundër shqiptarëve?

– Këto dhe shumë pikëpyetje e mistere të tjera pritet t’i zbardhë dosja ekskluzive, e cila publikohet për herë të parë.

 
Lajme Shqip Tuesday, 23 August 2011 14:09

Prishtinë – Biografitë nga dosjet konfidenciale të NATO-s, për protagonistët e krimit të organizuar në veri të Kosovës, të publikuara në vazhdimësi nga Portali LajmeShqip.com, janë bërë referencë në zbardhjen e së vërtetës për zhvillimet e dekadës së fundit në atë pjesë të Kosovës.

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) ka realizuar një storie, në edicionin qendror të lajmeve (22 gusht 2011), në të cilën ka cituar dokumentet e Portalit LajmeShqip.com, kurse, ditë më parë, më saktësisht në edicionin e tij të orës 18:30 të datës 17 gusht 2011, Top News ka raportuar se publikimi i këtyre dosjeve është bërë temë në mesin mediatik në Serbi, duke zgjuar edhe reagimin e partisë së Vojisllav Kushtunicës, në mbrojtje të figurave të saj në Kosovë, të cilat janë të përfshira në krim të organizuar.

Partia e Koshtunicës kishte dalë në mbrojtje të figurës së Marko Jakshiqit, i cili sipas dosjeve të NATO-s pasqyrohet si një prej krerëve të krimit në veri të Kosovës, kurse RTK ka transmetuar në tërësi dosjen e fundit, atë për kriminelin Sllobodan Simonoviq.

Ndryshe, Portali LajmeShqip.com ka publikuar deri më tani disa prej këtyre dosjeve, dhe është duke punuar në vazhdimësi të publikimit të dokumentit voluminoz dhe  konfidencial të NATO-s, në të cilin prezentohen mbi 400 protagonistë (serbë) të krimit të organizuar në veri të Kosovës, në mesin e tyre politikanë të njohur serbë, paramilitarë të forcave të Milosheviqit në luftërat në Bosnjë dhe Kosovë dhe pjesëtarë të MUP-it dhe të ushtrisë serbe.

Në vijim, prezentohet storia e mbrëmshme e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK). (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 19:37

Beograd – Ndezet Serbia. Partia e Koshtunicës reagon ndaj dosjeve të publikuara nga Portali LajmeShqip.com. Nuk sjellë argumente, por i quan “të pavërteta” ato që janë thënë për zyrtarin e saj, Marko Jakshiq. E akuzon NATO-n që, sipas saj, “po i njollosë qëllimisht politikanët serbë”.

Ka reaguar të enjten, përmes zëdhënësit të saj, partia e ish-kryeministrit të Serbisë, Vojisllav Koshtunica, ndaj dosjeve të publikuara nga portali LajmeShqip.com, të cilat, sipas një dokumenti konfidencial të NATO-s, e identifikojnë liderin politik të serbëve të veriut të Kosovës dhe anëtarin e kësaj partie, Marko Jakshiq, si pjesë e krimit të organizuar në veri të Kosovës.

Partia e Koshtunicës, duke u përpjekur t’i demantojë faktet e publikuara për zyrtarin e saj, ka akuzuar drejtpërdrejt NATO-n për, siç ka thënë ajo, njollosje të qëllimtë të personalitetit të Marko Jakshiqit dhe të politikanëve serbë në Kosovë.

Ajo i ka quajtur të pavërteta ato që janë publikuar në faqet e portalit dhe që janë transmetuar më pas edhe nga media të shumta në Kosovë dhe në Serbi, duke apeluar te ato që t’i ndalin publikimet e mëtejme.

Portali LajmeShqip.com është duke e publikuar në vazhdimësi dokumentin konfidencial të NATO-s, në të cilin janë të evidentuara veprimtaritë kriminale të mbi 400 përfaqësuesve politikë dhe veprimtarëve serbë në veri të Kosovës. Ata përmenden në këto dosje si kapo-banda të vëreteta, mafiozë të nëntokës dhe prijës të krimit të organizuar në veri të Kosovës, që prej qershorit të vitit 1999.

Marko Jakshiq është veç njëri nga protagonistët e këtij dokumenti, ndërkohë që aty shpaloset ana e errët edhe e liderëve të tjerë të serbëve të veriut, si Milan Ivanoviq, Oliver Ivanoviq, Dushko Ristiq e shumë e shumë të tjerë.

Portali LajmeShqip.com do të vazhdojë me publikimin e këtyre biografive, duke iu referuar dokumentit konfidencial të NATO-s. (LajmeShqip.com)