Lajme Shqip Tuesday, 02 April 2013 10:16

Marko Reus është rikonfirmuar si një yll i futbollit gjerman që në vitin e tij të parë te Borusia Dortmund. Pas transferimit të tij në fillimin e sezonit nga Mynshengladbah, futbollisti i talentuar kërkon që ky sukses tashmë të jetë i njohur në gjithë Evropën, pasi beson se skuadra e tij është në gjendje të fitojë Ligën e Kampioneve në këtë sezon.

“Sigurisht që mund ta fitojmë Ligën e  Kampioneve”, tha lojtari në konferencë për shtyp para ndeshjes çerekfinale kundër Malagas. “Besoj se mund ta arrijmë një gjë të tillë pasi kemi bërë gjithçka mirë për të arritur deri këtu. Radhën e ka Malaga dhe kur arrin në këtë pikë të Ligës së Kampioneve, do të thotë se ke aftësi për të fituar trofeun. Tani gjithçka duket e mundur. Gjëra të vogla do të vendosin fitoren, por sigurisht që ne kemi aftësitë të ecim shumë më tepër në këtë turne”, tha lojtari.

“Unë nuk kam luajtur asnjëherë në Londër. Nuk do të ishte një mënyrë e keqe për të përjetuar një ndeshje atje duke e filluar me një finale të Ligës së Kampioneve”, tha ai duke iu referuar takimit të majit që luhet në stadiumin “Uembli” të kryeqytetit anglez.

Borusia Dortmund ka çuditur të gjithë në këtë edicion të Ligës së Kampioneve duke dominuar në grupin ku bënin pjesë edhe Real Madrid, Mançester Siti e Ajaks, ndërsa më pas në fazën e eliminimit direkt kaloi pa shumë probleme Shakhtar Donetsk. (LajmeShqip.com)