Lajme Shqip Saturday, 19 October 2013 09:19

Qeveria shqiptare duhet të tregojë një qëndrim demokratik kundrejt personave që kanë punuar për qeverinë e shkuar. Ky është mendimi i eurodeputetes Doris Pack, e cila tha për “ABC News” se qeveria nuk duhet t’i shkarkojë këto persona. Eurodeputetja Doris Pack deklaroi se nuk ka siguri për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në fund të dhjetorit . Sipas saj, kjo i faturohet imazhit të paqëndrueshëm të vendit në procesin e integrimit. Pack veçoi ndikimin negativ që mund të kenë në këtë imazh shkarkimet masive në administratën shqiptare.

 

“Qeveria duhet të tregojë një qëndrim demokratik kundrejt personave që kanë punuar për qeverinë e shkuar. Ajo nuk duhet t’i shkarkojë këta persona. Kjo përçon një imazh negativ dheshpresoj shumë që kjo të mos vazhdojë”, tha ajo. E pyetur për kushtet që duhen plotësuar për marrjen e statusit të vendit kandidat, Pack tha se lufta ndaj korrupsionit dhe krimit janë kushte mjaft të drejta.

 

“Duhet të luftohet korrupsioni dhe krimi. Nëse njëra palë vazhdon të akuzojë palën tjetrën për korrupsion, atëherë s’jemi në rrugën e duhur. Korrupsioni duhet luftuar konkretisht, së bashku nga qeveria dhe opozita. Nëse imazhi i Shqipërisë do të ndryshojë në disa muaj, atëherë Këshilli i Ministrave të BE-së mund ta pranojë rekomandimin për statusin. Aktualisht s’jam e sigurt nëse statusi mund te fitohet në fund të vitit. Kjo do të bëhet e mundur vetëm dhe vetëm nëse qeveria bën përpjekjet që i kërkohen”, tha Pack.