Lajme Shqip Friday, 25 April 2014 21:07

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura kanë reaguar sot lidhur me akuzat e përfshirjes së FA-së në trafikun e drogës. Në reagim thuhet se, “Forcat e Armatosura dhe Ministria e Mbrojtjes i qëndrojnë çdo deklarate të mëparshme të dhënë nga titullarët e saj”.

FA duke theksuar se, disponon dokumente nga struktura të specializuara të NATO-s që monitorojnë hapësirën tonë ajrore, që konfirmojë se nuk ka avionë të cilët janë përdorur për trafik të drogës.

“Nuk ekziston asnjë fakt që të prodhojë hamendësimet e shprehura gjatë javëve të fundit në publik. Forca Ajrore disponon dokumente nga strukturat e specializuara të Aleancës që monitorojnë hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, të cilat konfirmojnë se nuk ka pasur avionë renegatë në hapësirën tonë në datën dhe kohën e cituar në media”, thuhet në reagim.

“Forcat e Armatosura nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e debatit politik. Qëndrimi i Forcave të Armatosura mbështet në verifikimet e kryera nga institucione të specializuara vendase dhe të huaja. Duke iu bindur ligjit dhe vetëm ligjit, Forcat e Armatosura do të vendosin në dispozicion të Prokurorisë dhe Kuvendit të gjitha provat që vërtetojnë saktësinë e këtij qëndrimi”, përfundon komunikata për shtyp.

Një deklaratë e tillë rrëzon shkresën e Shërbimit Inteligjent Shtetëror që vë në dijeni Ministrinë e Mbrojtjes për uljen e një avioni në Gjadër dhe dyshimet për përfshirjen e tij në trafik droge.