Lajme Shqip Wednesday, 16 October 2013 09:09

Tiranë-Pezullimi nga detyra si drejtor i Departamentit të Antikontrabandës në Administratën Doganore, i Denion Meidanit, djalit të ish-presidentit Meidani interpretohet si diçka normale nga burimet zyrtare të këtij institucioni. Sipas këtyre burimeve, “Denion Meidani është punësuar tre muajt e fundit në Drejtorinë e Doganave dhe kjo konsiderohet si ‘periudhë në provë’. Pas kësaj periudhe hartohet një raport nga eprorët për të dhënë rezultatin, nëse punonjësi Denion Meidani mund të vazhdojë këtë vend pune apo jo”. “Ky raport”, – sqarojnë burimet zyrtare për “Gazeta Shqiptare”, “ka qenë tejet negativ për të”.

Në këtë raport Meidani kritikohet jo vetëm për rezultatet në punë, por edhe për shkelje të Kodit të Etikës. Ndaj pas hartimit të raportit, drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali ka firmosur mbi këtë dokument që ka shënuar edhe pezullimin e Denion Meidanit nga detyra. Por ndërkohë, sqarohet gjithashtu se pritet që gjithçka të vlerësohet nga Komisioni i Disiplinës. Në të njëjtën kohë që pritet edhe vendimi i Komisionit të Disiplinës hetimet, po vazhdojnë për të konfirmuar edhe arsyen zyrtare përse u pezullua nga detyra djali i ish-presidentit Meidani, pra shkelja e Kodit të Etikës, raporton ballkanweb.

Një ditë më parë, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ai dha versionin e tij të kësaj ngjarjeje. Meidani ka thënë se është vënë në dijeni të pezullimit përmes një letre zyrtare, ku i shpjegohej se motivacioni për këtë vendim ishte thyerja e Kodit Etik gjatë ushtrimit të detyrës. Ndërkohë që vetë Meidani e lidh pezullimin me një aksion të ndërmarrë nga departamenti i tij ndaj kompanisë “Kurum”, ku u konstatua një sasi e konsiderueshme hekuri e nxjerrë nga magazinat e saj pa u zhdoganuar. Ai ka hedhur poshtë akuzën për dekonspirimin e këtij aksioni. Madje, shpjegon se ishte pikërisht realizimi me rigorozitet i tij, që solli si pasojë pezullimin nga detyra. “Nuk kam asnjë dyshim që vendimi është krejtësisht i padrejtë. Në vend që të merrja ‘fletë lavdërimi’ për atë aksion, mora njoftimin për pezullimin nga detyra. Ajo që di të them me siguri është që do t’i kërkoj drejtoreshës së përgjithshme të Doganave të më shpjegojnë dhe të më vërtetojnë ku konsiston kjo shkelje e etikës së detyrës nga ana ime”, tha Meidani në këtë intervistë. Ndërkohë që sipas burimeve, drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali, ka menduar të flasë vetëm përmes shkresave dhe jo prononcimit në media. Gjatë këtyre ditëve në detyrë, Spiropali ka ndryshuar disa nga drejtorët rajonalë të doganave, me argumentimin e përmirësimit të punëve në këtë sektor. Drejtoresha e përgjithshme e Doganave ka firmosur një numër shkarkimesh në degët kryesore të rretheve. Kështu, mësohet se ajo ka shkarkuar drejtuesit e deritanishëm në pikën doganore të Kapshticës dhe Kakavijës, si dy portat e rëndësishme të vendit. Ndërkaq, ndryshimet janë kryer edhe në pikat doganore të Rinasit dhe atë të Tiranës.