Lajme Shqip Tuesday, 13 August 2013 12:02

Prishtinë,- Guxim dhe Ngadhënjim Grabovci, bijtë e Adem Grabovcit, shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, mund të dënohen nga gjashtë muaj deri pesë vjet burg.

Të dy këta kanë sulmuar policin Avni Selaci më 14 shkurt të këtij viti dhe burgun mund ta vuajnë nëse për këtë vepër penale për të cilën akuzohen, gjykata i shpall fajtorë.

Tashmë ndaj dy bijve të Adem Grabovcit, ka aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, transmeton gazeta Tribuna.

Prokurorja Sebahate Hoxha më 16 maj të këtij viti, ka ngritur aktakuzë kundër Guxim dhe Ngadhënjim Grabovcit, për veprën penale – sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare

 
Lajme Shqip Monday, 12 August 2013 15:24

Prishtinë – Natën e së shtunës Guxim Grabovci po udhëtonte me veturë drejt Grykës së Rugovës. Djalin e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, po e shoqëronte edhe një shok i tij, Meriton Isufi, shkruan sot Gazeta Tribuna.
Përveç se po shkonin për të bërë qejf në vendin piktoresk të Dukagjinit, Guximi në bagazh kishte edhe dy armë luftarake. Një kallashnikov me 90 fishekë dhe një pushkë gjuetie me 31 fishekë.
Por rrugës për atje ata u ndaluan nga një patrullë e policisë kufitare ku pas kontrollit u janë gjetur armët. Guxim Grabovci dhe Meriton Isufi u shoqëruan në stacionin e Policisë në Pejë dhe pas konsultimit me prokurorin janë liruar.
Prokurori kujdestar në Prokurorisë e Pejës që është duke u marrë me djalin e Adem Grabovcit, Agim Kurmemaj ka konfirmuar se do të ketë aktakuzë ndaj Guximit.
“Padyshim se po, do të ndjekim rastin, edhe pse bëhet fjalë për djalin e deputetit”, ka thënë Prokurori.
Kurmemaj ka konfirmuar se dy të dyshuarit e kanë pranuar veprën dhe janë liruar në procedurë të rregullt.


Buzhala bën thirrje të reagohet për këtë rast 

Deputeti Berat Buzhala ka kritikuar Ministrat Vlora Çitaku dhe Memli Krasniqi, të cilët kishin reaguar ndaj shkrimeve të Fatos Lubonjës dhe Arben Idrizit, javë më parë.
“Arsyeja pse po shkruaj është që të shpreh irritimin tim të thellë me kolegët e mi politikanë
që për Benin e Lubonjën e bën gati turrën e druve, kurse për Bujen e Grabovcin dhe nënshtrimin që këta po ia bëjnë shtetit, e kanë futur bishtin ndër shalë dhe po bëjnë sikur asgjë nuk po ndodh”, ka shkruar Buzhala në Facebook.
“A e dinë apo nuk e dinë të apostrofuarit, Vlora, Memli e Ernesti se shtetin tonë nuk do ta rrezikojë asnjëherë Ben Idrizi e Fatos Lubonja – madje edhe nëse i shkruajnë gjërat më të çmendura – por shtetin e rrezikojnë sjelljet mafioze të familjeve të politikanëve”, ka shkruar më tej Buzhala.