12
 
Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 18:56

Prishtinë – Shumë ueb faqe serbe janë thyer nga hakerët shqiptar, në ditëlindjen e shtetit të Kosovës – më 17 shkurt. Hakerët shqiptarë kanë dhënë mesazhe politike në shumë ueb faqe që e kanë thyer. “E keni gabim, sepse Pavarësia e Kosovës është shpallur, më 17 shkurt të vitit 2008” dhe “kuq e zi e kom flamurin, e ruj nmes t’zemrës tem”. Këto janë vetëm disa nga mesazhet që hakerët shqiptarë iu kanë përcjellë lexuesve të këtyre faqeve.

Në një email të dërguar të Enjten, 16 Shkurt 2012, në orët e mbrëmjes, grupi i hakerëve ka njoftuar se janë hakuar, ndër të tjera, edhe srbatom.gov.rs, në të cilën faqe janë postuar edhe nofkat e personave që kanë marrë pjesë në hakimin e faqeve serbe: “cracKmasteR”, “dR.h4ck3R”, “Br3AcKeR”, “dR-ÈxpLøID”, “M4dSk1LLzz”, “ALB Niko”, “ProxyC3″, dhe “th3-cr4ck3r”. Këta persona janë pjesë të grupeve: KHG & ASC. Gjatë një pjese të ditës së sotme kjo faqe ka qenë me një njoftim në serbisht se do të kthehen ditën e hënë përsëri. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 09:40

Athinë – Hakerët famëkeq ‘Anonymous’ kanë shkaktuar probleme në ueb-sajtet e kryeministrit grek Lucas Papadhimos, të ministrit për Mbrojtje të qytetarëve dhe policisë, kumtojnë mediat lokale.

Sajtet e kryeministrit dhe të policisë janë bllokuar menjëherë pasi në Twitter është paraqitur mesazhi “Tango down”  nga grupi i hakerëve “Anonim”.

Nga policia theksohet se sajtet janë bllokuar përkohësisht për shkak të problemeve teknike.

Rrjeti i “Forbs” konsideron se bëhet fjalë për sulm të “Anonimëve”.

 
Lajme Shqip Friday, 30 December 2011 13:30

Podgoricë-Hakerët kanë sulmuar mbrëmë ueb-faqen zyrtare të presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, duke vënë në të flamurin shqiptar, muzikë shqiptare dhe mesazhe si: “Shqiptarët nuk janë terroristë, por viktima”.

Në faqen e njëjtë është vënë edhe kërkesa që Tuzi i Malësisë të bëhet komunë, pasi, siç kanë vënë në dukje sulmuesit, “kjo është e drejtë e tyre”.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë një grup hakerësh nga Ulqini, i cili ka lënë mesazhin në pjesën e poshtme të ueb-faqes.

Dy ditë më parë, në Tuz u zhvillua protesta në mbrojtje të pakicës shqiptare në Mal të Zi kundër ligjit që ndalon përdorimin e flamurit kombëtar, për çështjen e pronave dhe për ndarjen e Tuzit si komunë në vete.

 
Lajme Shqip Tuesday, 27 December 2011 12:54

Ankara-Hakerët turq organizuan sulme kibernetike ndaj dhjetëra  internet-faqeve franceze për shkak të votimit të Ligjit për kriminalizimin e kontestimit dhe mohimit të gjenocidit në Kuvendin kombëtar francez.

Dhoma  e ulët e parlamentit francez më 22 dhjetor e votoi Ligjin për kriminalizim të kontestimit dhe mohimit të gjenocid,  në suaza  të së cilës hyjnë edhe gjenocidi ndaj armenëve në Mbretërinë osmane gjatë Luftës së Parë Botrëore.

Për shkak të votimit të Ligjit , Turqia  e tërhoqi ambasadorin e saj nga Parisi dhe e ngriu bashkëpunimin ushtarak me Francën.

Hakerët turq i sulmuan  internet-faqet e disa  deputetëve francezë  nga partia në pushtet, si dhe sajtet e diasporës armene në Francë. Hakertë  kanë arritur  disa orë  ta bllokojnë  edhe internet-faqen  e  Senatit francez, i cili  duhet ta miratojë ligjin kontestues. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 06 December 2011 18:30

Ndërkohë që ministri i Inovacionit shprehet se tarifat e internetit në Shqipëri janë më të lartat në rajon, kryetari i Bordit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare e kundërshton këtë pretendim.

Piro Xhixho tha sot në Forumin e Telekomunikacioneve se, tarifat e internetit në Shqipëri tashmë janë pranë niveleve mesatare rajonale dhe në të njëjtën kohë është rritur shpejtësia e lidhjeve.

Sipas informacionit të AKEP, tarifa për lidhjen 2 megabit për sekondë në Shqipëri është 25.7 euro për Operatorin me Fuqi të ndjeshme Albtelecom, ndërkohë që mesatarja rajonale për këtë kategori është 25.1 euro.

Ndërsa për operatorët alternativë tarifa mesatare në Shqipëri është 20.7 euro, ndërkohë që mesatarja rajonale është 22.9 euro. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 06 December 2011 18:00

Tiranë – Pas vitesh të tëra duke listuar arritje, Ministri i Inovacionit, Genc Pollo uli dozën e entuziazmit dhe pranoi se Shqipëria dixhitale ka edhe dështime. Gjatë Forumit të Telekomunikacioneve të zhvilluar sot në Tiranë, ministri Pollo tha se në tregun e internetit ka monopole dhe tarifat janë më të lartat në Rajon.

Këto akuza shigjetojnë Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare që deri më sot është marrë shumë pak me rregullimin e tregut të internetit. Por Pollo kishte edhe më.

Ndonëse pa përmendur emra, ai sulmoi indirekt ministrin e Transporteve Olldashi për dhënien e të drejtës së shtrimit të rrjetit kombëtar broadband për kompaninë ATU. Sipas tij, Kuvendi duhet të miratojë sa më shpejt ligjin për të Drejtën e Kalimit, që do të kufizonte hapësirat për veprime arbitrare të bizneseve, por dhe të institucioneve publike.

Ministri i Teknologjisë së Informacionit bëri zyrtarisht të ditur se kalimi nga transmetimet televizive analoge në ato dixhitale do të shtyhet në vitin 2015. Strategjia aktuale parashikonte si afat vitin 2012, por, për të përmbushur këtë objektiv ishte bërë pak ose asgjë. Ndaj, qeveria ka vendosur ta shtyjë me tre vjet të tjera kapërcimin përfundmitar në transmetimet dixhitale.

 
Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 16:00

Kukës – Në 99 vjetorin e krijimit të tij, shërbimi postar, i cili ka të njëjtën moshë me Pavarësinë e Shqipërisë, çdo ditë e më tepër ka zgjeruar aktivitetin e tij deri në zonat më të thella malore, ku krahas 77 shërbimeve postare, në çdo zyrë postare është instaluar interneti dhe çdo familje, pavarësisht largësisë, të mund të komunikojë me të afërmit jashtë vendit.

“Shërbimi postar tani shtrihet deri në zonat më të thella, me 77 lloje të ndryshme shërbimesh”,- thotë drejtori i filialit të Postës Shqiptare në rrethin e Kukësit,Tasim Cengu, ku ndërkohë punonjësit e këtij shërbimi  festojnë sot 99 vjetorin e ngritjes së shërbimit postar.

Shërbimi postar edhe në zonën verilindore ka ardhur nga viti në vit duke zgjeruar shërbimet e tij ndaj qytetarëve.  “Ndonëse me mjaft mangësi, shërbimi postar erdhi duke u zgjeruar edhe gjatë 45 viteve të sundimit diktatorial, ndërsa shënoi një hap cilësor me ardhjen e demokracisë, kur u përshpejtua ky shërbim dhe u zgjeruan llojet e tij”,- thotë Cengu.

Ai  tregon se tani shërbimi postar është përshpejtuar. Mjafton të përmendim faktin se çdo shërbim kryhet brenda dy ditëve, nga më shumë se një javë që ishte më parë.

Aktualisht, në qarkun e Kukësit  funksionojnë 30  zyra postare  të shtrira  deri në zonat më të thella. “Përmes këtyre zyrave kryhen në vazhdimësi 77 lloje shërbimesh të ndryshme si; shërbime bankare, shërbime  financiare, shërbime postare etj, ndërkohë që mbi  60 për qind e pensionistëve, falë këtij shërbimi e marrin në shtëpi pensionin mujor”,- thotë Cengu.

Krahas shërbimit të ofruar, për periudhën 11 mujore, të ardhurat janë realizuar në masën 101 për qind, shpenzimet janë ulur me 200 mijë lekë, ndërsa  fitimi është tejkaluar me 456 mijë lekë,- thotë Cengu.

Ndërsa për përmirësimin e shërbimit ndaj klientëve nuk kanë munguar edhe investimet për përmirësimin e zyrave postare, sistemin e sigurisë me pajisjen me kamera vëzhgimi të mjediseve postare në qytetet e Kukësit, Krumës e Bajram Currit, me synim shtrirjen e këtyre investimeve në të gjitha zyrat postare.

Për t’i ardhur në ndihmë të gjithë banorëve, deri edhe në zonat e thella, në çdo zyrë postare është instaluar interneti, përmes të cilit ata mund të komunikojnë me të afërmit e tyre jashtë vendit, një shërbim falas, i realizuar në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare.

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 09:40

Gjatë një konference ndërkombëtare të zhvilluar dje në Tiranë, kryeministri Berisha nënvizoi rritjen e përdorimit të teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit pranë nivelit mesatar europian.

Por, ky pohim i kryeministrit nuk gjen mbështetje në analizat krahasuese të institucioneve të specializuara. Sipas Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve, ITU, Shqipëria ngelet vendi i fundit në Europë, për sa i takon aksesit dhe përdorimit të Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit.

Indeksi i Zhvillimit të këtyre teknologjive është një tregues që llogaritet çdo vit nga ITU dhe përbëhet nga pesë nëntregues kryesorë: përdorimi i linjave fikse, i telefonisë celulare, shpejtësia mesatare e internetit për përdorues, numri i familjeve me kompjuter dhe numri i familjeve me lidhje interneti.

Në këtë renditje, Shqipëria mban vendin e 78-të në botë dhe Indeksi i Zhvillimit të Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit, IDI, është në nivelin 3.61. Krahasuar me vlerësimin e vitit 2008, Shqipëria ka fituar tre vende në renditje. Vendin e parë në botë për këtë indeks e zë Korea e Jugut, ku indeksi IDI është 8.4, e ndjekur nga Suedia dhe Islanda.

Kroacia renditet e para në Rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe e 31-ta në Botë, me indeks IDI në vlerën 6.21. Edhe vendet e tjera fqinjë janë ndjeshëm përpara Shqipërisë në këtë renditje.

Analiza ITU, organizmi më i specializuar në këtë fushë, tregon qartë se, megjithë përparimet e bëra, Shqipëria ngelet ende prapa në përdorimin e teknologjive dhe nuk ka ka vend për vetëkënaqësi, kur krahasojmë veten me nivelin mesatar rajonal dhe europian.

 
Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 10:27

Interneti ju kushton shqiptarëve afro tre herë më pak se në vitin 2008. Sipas të dhënave të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve, ITU, kosto e lidhjes bazë të internetit me brez të gjerë në vitin 2010 zinte 3.2% të të ardhurave mujore për frymë.

Në vitin 2008 ky tregues ishte 9.2%. Krahasuar me vendet e tjera të Rajonit, Shqipëria ndodhet tashmë pranë vlerave mesatare. Vetëm në Kroaci dhe në Serbi kosto e lidhjes bazë të internetit është më e ulët, ndërkohë që në Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnje pagesa e internetit zë një pjesë më të madhe të të ardhurave mujore për frymë.

Rënia e çmimeve të internetit konstatohet edhe në një raport paralel të Autoritetit shqiptar të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Sipas AKEP-it, tarifa për një lidhje internet optimal, 2 Megabit/sekondë, në Shqipëri është pranë niveleve mesatare të vendeve të Rajonit. Kështu, për operatorin me fuqi të ndjeshme, Albtelecom, kjo lidhje kushton 25.7 euro, nga 25.1 euro që është mesatarja e rajonit për këtë kategori operatorësh.

Ndërsa tarifa mesatare e operatorëve alternativë shqiptarë për të njëjtën lidhje është 20.7 euro, në një kohë kur mesatarja rajonale është 22.9 euro.

Rritja e investimeve si nga Albtelecom, ashtu edhe nga operatorët alternativë, ka rezultuar me një konkurrencë në rritje, çka ka sjellë edhe ulje të çmimeve të internetit.

Megjithë përmirësimet e bëra, në Rajonin e Ballkanit interneti ngelet më i kushtueshëm për xhepat e njerëzve krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, ku lidhja e internetit zë më pak se 1% të të ardhurave mujore. 

 
Lajme Shqip Wednesday, 02 November 2011 10:40

Ministria e Ekonomisë ka kërkuar që kompania ALBtelecom të gjobitet me 1 milion dollarë pasi ka shkelur ligjin për mbrojtjen e konsumatorit.

“METE vëren me shqetësim se, operatori ALBtelecom është përsëritës në praktikat e tij antiligjore në dëm të konsumatorëve shqiptarë, duke shkelur ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, i cili në pikën 3 dhe 4 të nenit 40 parashikojnë: “faturat për shërbimet e telekomunikacionit, shpërndarë konsumatorit, duhet të përmbajnë informacion të plotë për listën e numrave të telefonave të thirrur, kohën dhe zgjatjen e telefonatave të bëra, numrin e impulseve dhe çmimin total për periudhën e caktuar”, si dhe “faturat e paraqitura konsumatorit, duhet t’i japin atij mundësinë për të verifikuar me përpikmëri llogaritjen e shitjes ose shërbimit të siguruar në një periudhë të caktuar”.

Ndërkohë që, përveç telefonisë fikse, abuzime ka dhe në shërbimin e ofruar për internetin. Ligji parashikon që në rastin e një ftese për blerje, siç është ai i ofrimit të shërbimit të internetit, konsiderohet si element thelbësor çmimi, i cili është çmimi përfundimtar i mallit, përfshirë edhe TVSH-në dhe të gjitha taksat e tjera.

ALBtelecom, në kundërshtim me këtë ligj, ka fshehur vlerën e TVSH-së në tarifat e ofruara për shërbimin e internetit. Bazuar në këto të dhëna, METE kërkon nga Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit, zbatimin me përpikmëri të ligjit, i cili në këtë rast parashikon një gjobë rreth 1 milionë dollarë për operatorin ALBtelecom,” thuhet në deklaratën e METE.

Pas kësaj deklarate, ka reaguar edhe kompania në fjalë, që thotë se ka bërë investime gjigante.

“ALBtelecom dhe Eagle Mobile, menjëherë pas privatizimit filluan investimet për modernizimin e telefonisë fikse dhe gjithashtu ngritën nga zero një operator celular. Në rrjetin tonë teknologjik janë investuar më shumë se 150 milion Euro, për të sjellë më shumë shërbime cilësore, oferta dhe mundësi për opinionin publik shqiptar.

Gjendja në ALBtelecom në kohën e privatizimit ishte shumë problematike për sa i përket teknologjisë, sistemeve të faturimit, shërbimeve dhe ofertave. Kjo ishte mjaft e qartë dhe dëshmohej nga numri i madh i abonentëve të telefonisë celulare, ndersa abonentët e telefonisë fikse ishin të pakënaqur me shërbimet e ALBtelecom-it në atë kohë.

Me sistemin e saj të ri që u krijua në ALBtelecom pas privatizimit, çdo ankesë e ardhur nga klientët është hetuar me kujdes nga kompania. Tashmë ne po rrisim çdo ditë e më shumë kënaqësinë e konsumatorit duke marrë masa profesionale. Për këtë arsye, ne e kemi të vështirë të kuptojmë deklaratën e fundit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE),” thuhet në deklaratën e ALBtelecom.

12