Lajme Shqip Thursday, 16 May 2013 23:23

Pas zyrtarizimit të dorëheqjes, ish-drejtori i Bordit të Agjensisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Blerim Rexha, sonte ka treguar për presionet që i janë bërë derisa mbante këtë post.

“Miqtë me kanë thënë më mirë me ardhë te ti që ke dhënë dorëheqje, sesa me ardhë te ti për të pame”, ka thënë Rexha në Zonën e Debatit në Klan Kosova.

Sipas tij, ka qenë një tokë 25 hektarë më një ofertë për 5 mijë euro dhe me rekomandim që duhet të pranohet.

Rexha ka folur edhe për qëndrimet e tij ndaj shtetit amerikan duke thënë që “Tendenca se kinse unë jam kundër interesave amerikane dhe evropiane në Kosovë, nuk qëndron”.

Dino Asanaj ishte kryetar bordi i AKP-së por u gjet i vrarë në zyrën e kompanisë private të tij në Veterrnik.

Ai vdiq nga 11 plagët e marra me thikë.

Hetimet e prokurorisë konstatuan se ai kishte bërë vetëvrasje.

Prokuoria po heton rastin e tij ende nën dyshimin se ka mundur të jetë i shtyrë për të bërë vetëvrasje.

 
Lajme Shqip Thursday, 21 February 2013 18:49

Prishtine – Kuvendi i Kosovës, me 50 vota për dhe 5 kundër, ka emëruar kryesuesin dhe anëtarët e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Kryesues i bordit me mandat tre vjeçar është emëruar Blerim Rexha. 

Anëtarë të tjerë të kësaj agjencie me mandat dyvjeçar janë emëruar Maja Millanoviq, Haxhi Arifi, Dardan Peja dhe Skënder Komoni.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 21 February 2013 18:34

Prishtinë – (E plotësuar) Hetuesit e EULEX-it kanë marrë vendim që të pushojnë hetimet ndaj të gjithë të dyshuarve për aferën e Hotelit Grand.

Hetuesit e EULEX-it kanë pushuar hetimet ndaj Ukë Rugovës për rastin e Hotelit Grand. Kështu kanë bërë të ditur burime të Indeksonline brenda EULEX. Ndërsa, avokati i Rugovës Bajram Sherifi, i tha këtij portali se edhe mbrojtja ka marrë vesh për këtë, por ende nuk kanë shkresë zyrtare.

“Presim që ditët në vijim ta marrim nga Eulexi shkresën zyrtare për pushimin e hetimeve. Ne kemi qenë të bindur se në këtë rast nuk ka pasur asgjë. Nuk ka pasur as një provë që klienti im është i përfshirë në këtë aferë”, tha Shërifi.

Edhe Ramë Gashi, avokati mbrojtës i Adelina Reçica, ka thënë se kanë pushuar të gjitha hetimet ndaj Adelina Reçica, bashkëshortes së të ndjerit Dino Asanaj.

“Është vërtetuar Adelina nuk ka kryer asgjë të kundërligjshme”, tha avokati tha Gashi

Adelina Reçica ishte e dyshuar se ishte e përfshirë në grupin e Astrit Haraçisë si ndërmjetësues të Dino Asanajt për të ndikuar që hoteli “Grand” të mos u merrej aksionarëve.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 06 January 2013 15:15

Prishtinë – Prokuroria ka mbyllur ciklin e marrjes në pyetje të të dyshuarve për kërkim parash nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe biznesmeni Remzi Ejupi. I fundit, që në cilësinë e të dyshuarit për shpërdorim të detyrës zyrtare ose autorizimit dhe ushtrim të ndikimit është marrë në pyetje deputeti Ukë Rugova nga hetues të Policisë së Kosovës.

Provat e mbledhura deri tash konsiderohen të shumta për ngritje të aktakuzës.

Burime nga procesi hetimor kanë thënë se si të dyshuar janë intervistuar zëvendësministri Astrit Haraqija, deputeti Ukë Rugova, Naser Osmani, biznesmeni Gazmend Abrashi dhe e veja e Dino Asanajt, Adelina Reçica. Ky burim ka thënë se Prokuroria është në fazën e analizimit të dëshmive dhe provave të mbledhura deri tash.

“Ka prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë. Për disa më shumë e për disa më pak. Rugova, Haraqija dhe Osmani dyshohen për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrim të ndikimit, ndërsa Gazmend Abrashi dhe Adelina Reçica për ushtrim të ndikimit”, ka thënë ky burim.(Koha Ditore/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 24 December 2012 20:17

Prishtine – Gjykata e Qarkut në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj dy ish-ministrave të Kulturës, Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri, si dhe producentëve Armond Morina e Nehat Fejza. Haraqija akuzohet për veprën penale “shpërdorim i detyrës zyrtare, ose autorizimit”, pasi duke tejkaluar autorizimet e tij kishte nënshkruar, në kundërshtim më ligjin, dy kontrata në vlerë 570 mijë euro.

Ndërsa Valton Beqiri, kishte nënshkruar anekskontratën me “Morina Films”, duke transferuar 100 mijë euro si subvencione për realizimin e filmit “Mysafir në Sofër”, këta filma nuk u realizuan asnjëherë.

Ish-ministrat e Kulturës, Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri, si dhe producentët Armond Morina dhe Nehat Fejza, pritet të dalin para gjykatësit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku edhe do të zhvillohet gjykimi kundër tyre.

Gjykata në vendimin e saj mbi konfirmimin e ka konfirmuar aktakuzën në të gjitha pikat e saj, ashtu siç prokurorja Drita Hajdari, kishte kërkuar në seancën e fundit të mbajtur për këtë çështje. Aktakuza është konfirmuar për të gjithë të pandehurit.(G.E/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 05 November 2012 14:54

Prishtinë –  Shtyhet seanca e konfirmimit të aktakuzës për dy ish-ministrat e Kulturës, Astrit Haraqija e Valton Beqiri si dhe aktorit Armond Morina e producentit   Nehat Fejzës, për datën 30 nëntor, bën të ditur KTV-ja. Shtyrja e seancës u bë me  kërkesë të avokatit të aktorit, Armond Morina, Arjanit Koci, i cili është ankuar para gjykatës se aktakuza që i është dorëzuar atij ka gabime teknik. Por prokurorja, Drita Hajdari ka kundërshtuar këtë gjë, duke thënë se gabimi teknik po shfrytëzohet nga mbrojtja me qellim të prolongimit të qëllimshëm të rastit.

Shtyrjen e kanë përkrahur të gjithë avokatë, me përjashtim të të pandehurit Astrit Haraqija, i cili ka kërkuar nga gjykatësja që sa më parë  ta zbardhë këtë rast, pasi siç është shprehur se ai ka mbetur pa punën dhe e ka ndërmend të kthehet në Qeveri. 

Ata akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë 390 mijë euro për dy filma që nuk janë bërë kurrë. Sipas aktakuzës, ish-ministri Haraqija ka kryer veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare, duke tejkaluar autorizimet e tij pasi nënshkroi kontrata në kundërshtim më Ligjin për kinematografinë dhe atë për prokurimin publik me Nehat Fejzën, pronar i kompanisë “Concordia Pictures”, në vlerë prej 220.000,00 euro; dhe me Armond Morinën pronar i kompanisë “Morina Films”, në vlerë prej 350.000,00 eurosh. 

Ish-ministri Valton Beqiri akuzohet se më  2008 ka lidhur dhe ka nënshkruar aneks kontratën me Armond Morinën si dhe më 01.10.2008, ka marrë vendim për transferimin e shumës prej 100.000,00 eurosh nga linja buxhetore e investimeve kapitale MKRS në linjë buxhetore të subvencioneve për realizimin e filmit “Mysafiri në sofër”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 11 October 2012 18:49

Prishtinë -“Me qëllim të zbardhjes se rastit prokuroria ka shikuar vendin e ngjarjes së bashku me Policinë e Kosovës, ka marrë të gjitha provat e mundshme nga vendi i ngjarjes dhe ka kërkuar të gjitha ekzaminimet e nevojshme”, thuhet në një njoftim të Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, me ekzaminimin e ADN-së është vërtetuar se të gjitha gjurmët e gjakut të gjetura në vendin e ngjarjes janë të të ndjerit. “Me ekzaminimin e thikës është konstatuar se ajo është pronë e tani të ndjerit dhe në të janë gjetur vetëm gjurmët e dorës së tij. Me ekzaminimin e ADN-së së të gjitha mostrave të marra nga trupi i tani të ndjerit, përfshirë edhe ato nga thonjtë, është vërtetuar se ato nuk përmbajnë profile të ADN-së të ndonjë personi tjetër. Me ekzaminimin grafologjik të letrës së gjetur në tavolinë është vërtetuar se ajo është e shkruar nga tani i ndjeri”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, me shikimin e incizimeve të kamerave të sigurisë nuk është vërtetuar se para kohës kritike ka hyrë ndonjë person i panjohur në lokalin ku ka ndodhur ngjarja dhe me ekzaminimin e telefonit të tani të ndjerit nuk është vërtetuar se ai ka pasur ndonjë kërcënim apo shantazh nga ndonjë person tjetër.

“Me obdukcionin e kufomës nuk është vërtetuar se ai ka ndonjë plagë tjetër përveç plagëve me thikë. Është vërtetuar më tutje, se në trupin e tani të ndjerit janë gjetur 11 plagë të shkaktuara me thikë. Shtatë plagë, në regjionin e qafës, janë plagë prerëse hezituese. Hezituese janë edhe dy gërvishtje në regjionin e qafës dhe këto plagë hezituese janë karakteristike për vetëvrasje. Në regjionin e gjoksit janë gjetur dy plagë shpuese-prerëse dhe njëra nga ato ishte vdekjeprurëse”, saktëson më tej Prokuroria.

Bazuar në këto prova, Prokuroria konkludon se tani i ndjeri Dino Asanaj është vetëvrarë.

Por, Prokuroria nuk ka përjashtuar mundësinë që i ndjeri të jetë shtyrë në vetëvrasje dhe për këtë ka kërkuar nga Policia e Kosovës të mbledhë të dhënat ose provat eventuale që do të vërtetonin dyshim eventual se tani i ndjeri është shtyrë të vetëvritet. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 October 2012 13:04

Hetimet për kërkim të parave nga Behgjet Pacolli dhe Remzi Ejupi kanë nisur me të venë e ish-shefit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj. Ajo është intervistuar të hënën nga policia me urdhër të prokurorëve Paskal Persoons dhe Blerim Isufaj.

Burime nga policia i kanë thënë “Kohës Ditore” se Reçica është pyetur në lidhje me përfshirjen e saj në grupin e Astrit Haraçisë si ndërmjetësues të Dino Asanajt për të ndikuar që hoteli “Grand” të mos u merrej aksionarëve.

“Ajo është intervistuar në Drejtorinë e Krimeve të Rënda nga hetuesit. Ajo është pyetur duke u bazuar në përshkrimin që i ka bërë Remzi Ejupi pranisë së saj në një takim ku është diskutuar për miliona euro”, ka thënë burimi i gazetës.

Intervistimin e saj e ka konfirmuar edhe EULEX-i. (K.D)

 
Lajme Shqip Friday, 05 October 2012 14:38

Prishtinë – Astrit Haraqija, Valton Beqiri, Armond Morina dhe Nehat Fejza duhet të paraqiten të mërkurën e ardhshme në “premierën” e parë gjyqësore për të dhënë përgjegjësi për korrupsion.

Gjykata e Qarkut e Prishtinës ka caktuar 10 tetorin për nisjen e seancës për konfirmim të aktakuzës së ngritur nga prokurorja e Qarkut, Drita Hajdari kundër dy ish-ministrave të Kulturës dhe dy producentëve.

Caktimin e seancës e ka konfirmuar për “Kohën Ditore” vetë prokurorja. Ajo pret që të konfirmohet aktakuza dhe të ketë proces gjyqësor. “Seanca është caktuar më 10 tetor”, ka konfirmuar ajo, për të shtuar se gjyqtari do të jetë vendës.

Marrjen e ftesës e ka konfirmuar edhe ish-ministri i Kulturës nga radhët e LDK-së, Valton Beqiri. Ai ka thënë se është i pafajshëm duke shtuar se drejtësia do të vendosë për këtë.

Producenti Armond Morina ka thënë se nuk ka marrë ftesë, e dy të akuzuarit e tjerë Astrit Haraqija dhe Nehat Fejza nuk e kanë hapur telefonin. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 25 September 2012 13:12

Prishtinë – Letra e gjetur në zyrën e kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanajt rezulton të jetë shkruar nga dora e tij. Ekspertiza grafologjike ka treguar se shkrimi prej tre rreshtash, ku thuhej se po e “çonte drejtësinë në vend” pas akuzave publike për korrupsion që kishin bërë biznesmenët Remzi Ejupi e Abdurrahman Konjufca është shkrimi i Dino Asanajt. Ekspertiza e gjurmëve ndërkaq ka treguar se letra nuk është prekur nga dorë njeriu pos nga ajo e të ndjerit Asanaj.

Burime brenda procesit hetimor i kanë thënë “Kohës Ditore” se deri tash janë kryer të gjitha hetimet. Burimi ka thënë se nuk ka dilemë që Asanaj vetë i ka dhënë fund jetës mesditën e 15 qershorit të këtij viti, po nuk është gjetur arsyeja se çfarë e shtyu të bënte një veprim të tillë.

“Të gjitha ekspertizat janë kryer. Ekspertiza grafologjike ka treguar se shkrimi është i tij, gjurmët janë të tij. Po ashtu nuk është gjetur asnjë mesazh telefonik apo në kompjuter se është kërcënuar apo shantazhuar nga dikush që mund të kuptohej si shtytje për vetëvrasje”, ka thënë burimi në kushte anonimiteti.

Shoferi i Dino Asanajt ndërkaq ka dhënë detaje që nuk i kishte treguar herën e parë, kur ishte intervistuar. Në intervistën e dytë që i ka dhënë Policisë ka treguar se Asanajn e kishte gjetur gjallë.

“Kur kam hy në zyrë e kam pa që është gjallë dhe jam afru me i dhanë ndihmë. Më ka thanë largohu mos me jep ndihmë se po du me vdek”, ka cituar një hetues shoferin e Asanajt.

Letra e gjetur të tavolinë flet për një akt vetëvrasjeje: “Remzi Ejupi, gazeta ‘Zëri’ dhe Konjufca ma kanë shkatërruar jetën dhe familjen time dhe unë vendosa ta zbatoj ligjin duke vepruar kështu”.

Pas autopsisë së kryer në trupin e Asanajt dhe konstatimit se kishte vrarë veten, ani se numri i therjeve dhe prerjeve ishte i madh, hetimi qe fokusuar në shkaqet e vetëvrasjes. Por deri tash nuk është gjetur ndonjë gjurmë që do të mund ta bënte dikë përgjegjës penalisht për vetëvrasjen e Asanajt.

Veprime të mëhershme të të ndjerit Asanaj janë interpretuar nga hetuesit dhe Prokuroria si parapërgatitje se ai do të bënte vetëvrasje. Kështu është parë testamenti i Asanajt i shkruar pak kohë para vetëvrasjes. Sipas një burimi, gjithë pasurinë Asanaj ia ka lënë gruas së tij, Adelina Reçica, përveç një shtëpie njërit prej vëllezërve që jeton në Amerikë.

Ndërkohë Prokuroria nuk ka bërë ndonjë hap të madh për zbardhjen e akuzave për tentativë zhvatje në mes të anëtarëve të Qeverisë së Kosovës. Dy prokurorët që po merren me këtë rast, njeri i EULEX-it dhe tjetri i Qarkut të Prishtinës, nuk kanë intervistuar deputetët Ukë Rugova, Naser Osmani, ish-zëvendësministrin e Ekonomisë, Astrit Haraqija, dhe biznesmenin Gazmend Abrashi, të cilët janë denoncuar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe biznesmeni Remzi Ejupi se kanë kërkuar deri në katër milionë euro në këmbim të mosmarrjes së hotelit “Grand” nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Bordi i së cilës drejtohej nga Dino Asanaj.(LajmeShqip.com)