Lajme Shqip Friday, 03 February 2012 12:09

Flamengo ka njoftuar shkarkimin e trajnerit Vanderlei Luksemburgo, ndonëse ai arriti të kualifikonte skuadrën në fazën e grupeve të Kupës Libertadores. Ish-trajneri i Realit të Madridit dhe kombëtares braziliane, morri drejtimin e skuadrës në tetorin e vitit 2008, kur ajo ishte në krizë dhe rrezikonte rënien nga kategoria.

Falë eksperiencës së tij, por edhe afrimit të Ronaldinjos, ekipi u ngjit në mesin e tabelës, por nuk arriti të fitonte kampionati në sezonin pasardhës. Vetë Luksemburgo kishte deklaruar se do të vazhdonte të punonte pasi drejtuesit nuk kishin arsye për ta shkarkuar. Por këta të fundit kanë preferuar të ruajnë marrëdhëniet me Ronadinjon, i cili kishte patur një konflikt të hapur me teknikun.

“Vendimi u mor pasi folëm me lojtarët dhe tifozët, të cilët ishin të pakënaqur ndonëse u kualifikuan”, deklaroi presidentja e skuadrës Patricia Amorim. Sipas mediave braziliane, Ronaldinjo ishte shkaktari kryesor i shkarkimit, pasi ai kishte bërë të qartë se nuk dëshironte të punonte më me Luksemburgon, duke kërcënuar largimin.

Shkak i mosmarrëveshjeve mes të dyve u bë jeta e natës e brazilianit, ndërsa trajneri ishte protagonist i një episodi të veçantë pak ditë më parë. Ai rrinte zgjuar duke kontrolluar kamerat e sigurisë së hotelit për të zbuluar nëse Ronaldinjo takohej me femra gjatë netëve të grumbullimit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 10:22

Problemet ekonomike të Flamengos nuk e kanë ndaluar Ronaldinjon të ndihmojë këtë skuadër për të kaluar në fazën e grupeve të Kupës Libertadores. Sulmuesi brazilian ka qenë i pandalshëm në ndeshjen kundër ekipit bolivian Real Potosi, të fituar nga brazilianët me rezultatin 2-0. Ronaldinjo ka qenë protagonist absolut i takimit, duke dhënë pasimin për golin e parë falë një goditje dënimi, ndërsa më pas me një sllallom mes mbrojtjes ka shënuar qetësisht golin e dytë. Pas këtij kualifikimi, duket se Flamengo do të vendosë të mbajë yllin brazilian duke bërë sakrifica ekonomike dhe teknike. Këto të fundit përfshijnë largimin e trajneri Vanderlei Luksemburgo, i cili nuk e dëshironte fantazistin në skuadër dhe po bënte maksimumin për ta larguar. Në vend të tij pritet të emërohet Zhoel Santana. (LajmeShqip.com)