Lajme Shqip Monday, 20 February 2012 22:38

Prishtinë, 20 shkurt – Provat e Natasha Kandiçit, drejtoreshë e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Beograd, me të cilat ka dëshmuar përgjegjësinë e shefit të ri të Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviç, për krime në Kosovë, vijnë duke u zgjeruar edhe me dëshmi të tjera, të atyre që kanë qenë viktima të dhunës së ushtarëve serbë, në vitin 1999, në Qirez të Skënderajt dhe në Çikatovë të Vjetër të Drenasit, raporton Zëri.

Sipas Zërit, një prej dëshmitarëve, Xhafer Veliçi, nga Polaci i Skënderajt, i cili, siç thotë, ka parë me sytë e tij, kur ushtarët e gjeneralit Dikoviq kishin mbledhur burra dhe gra, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë, dhe i kishin dërguar në xhaminë e Qirezit. Sipas tij, pas një kohe, ushtarët serbë kishin selektuar vetëm të rinjtë, 35 prej të cilëve nën moshën 18-vjeçare, i kishin hipur në kamionë dhe i kishin nisur në drejtim të Drenasit.

“Në mesin e tyre ka qenë edhe djali im 15-vjeçar. Një komandant serb, i cili hiqej si i mëshirshëm, tha se po ta marrim djalin edhe kemi me ta dërgu në shkollë, ka m’u aftësu. Ai thoshte se këta djem të rinj duhet m’u shkollu. Në këtë mënyrë, edhe mua më tha që mos të mërzitem se kanë me ma kthy djalin. Unë e dija saktësisht se çfarë do të bëhej me ta. Më thjesht, morën shumë burra aty, më shumë të rinj, 35 prej tyre kanë qenë nën moshën 18-vjeçare. I dërguan andej kah Drenasi, dhe ne menduam se po i dërgojnë për në Prishtinë. Ka qenë prilli i 1999-tës. Më nuk kemi ditur gjë për ta, ua humbën gjurmët. Pas lufte, ne i kërkonim të zhdukurit dhe kur u zbulua varreza masive ‘Te Shavarinat’ në Çikatovë të Vjetër të Drenasit, aty është gjetur edhe djalim im, edhe disa të tjerë, të cilët i kishin pas pushkatu”, kujton Xhaferi.

Sipas tij, ushtarët serbë, kanë përdhunuar disa femra shqiptare dhe ato pastaj i kanë hedhur në bunar.

 
Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 12:25

Beograd-Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka emëruar një ditë më parë gjeneralin Ljubisha Dikoviç si shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe. 

Lajmi konfirmohet nga mediat serbe, por të cilat nuk raportojnë për të kaluarën e këtij gjenerali.

Dikoviç ka udhëhequr ushtrinë serbe gjatë luftës në Drenicë, rajon ku ushtria dhe policia serbe kreu krimet më të tmerrshme në Kosovë.

Dikoviç ka qënë komandant i Brigadës 37 të ushtrisë jugosllave, e cila vepronte në territorin e Drenicës dhe është përgjegjëse për krimet e kryera në këtë rajon.

Për krimet e kryera në Kosovë, Dikoviç u dekorua me medalje nga ish presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, vetëm në rajonin e Drenicës janë vrarë dhe zhdukur mijëra shqiptarë, për të cilat krime Dikoviç do duhej të ishte duke vuajtur dënimin në Gjykatën e Hagës. (LajmeShqip.com)

Emërimi i tij në këtë post, sipas kryetarit të Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë , Behxhet Shala, është një dëshmi se shteti serb vazhdon t’i shpërblejë kriminelët, të cilët vranë e masakruan në Kosovë.