Lajme Shqip Thursday, 24 April 2014 10:56

Miratimi i Gjykatës Speciale në Kosovë, për hetimin krimeve të luftës, ka nxitur reagimin e familjes Katuçi. Familjarët e së ashtuquajturës “Shtëpia e verdhë”, në Gurrë të Vogël të Matit, është akuzuar nga Dick Martyt, për trafik organesh gjatë kohës së luftës.

Lidhur me këtë fakt, familja Katuçi shprehet për kamerën e News24 se për akuzat në 2004 iu bënë kontrolle të befasishme.

“Për akuzat që na është bërë në 2004 që në akuzohemi si familje, dhe na u bë një kontroll i befasishëm paralajmëruar nga shteti shqiptar. Ne u kërkuam për 8 vite rresht shtetit shqiptar drejtësi, por s’kemi marrë përgjigje me ndërrimin e qeverive”- shprehet familja Katuçi.

Në reagimin e familjes thuhet se i është bërë kërkesë Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, për të marrë një përgjigje në lidhje me akuzat dhe në të njëjtën kohë dhe dëmshpërblimin moral. “Ne do ta çojmë moralin tonë si familje deri në vend. Ne tani na akuzojë të gjithë, edhe fshatarët e dhe në ambiente publike, pasi thonë ju keni prerë. Ne nuk jemi të tillë, i shikoni kushtet tona, as një infermier s’ka dalë me shkollë nga familja jonë.”- vijon më tej rrëfimin kryefamiljari Katuçi.

Kryefamiljari Katuçi shprehet se shteti duhet të çojë në vend moralin e përndjekur përgjatë gjithë këtyre viteve padrejtësisht në lidhje me akuzat, pasi familja mund të veprojë dhe në mënyrë ekstreme. “Populli shqiptar habitet dhe thotë se kush jemi ne. Duam drejtësi, përndryshe nuk do lejojmë asnjë lloj kontrolli në banesën tonë, pasi mund të bëjmë dhe akte ekstreme.”- ka thënë familja Katuçi.Familja ka bërë me dije se për zbardhjen e çështjes i është drejtuar dhe Ambasadës Kosovarë në Tiranë. “Kërkojmë dëmshpërblim moral për akuzat që na janë bërë, ndaj shteti të zbardhë të drejtën tonë dhe Ndërkombëtaret mos të luajnë me fatin e familjes sonë. Kemi kërkuar takim dhe me ambasadorin Kosovar në Tiranë, dhe një takim me kryeministrin Thaçi dhe udhëheqjen kosovare që të zbardhet e vërteta e familjes sime dhe ushtrisë kosovare por më është thënë kur shteti shqiptar s’të përkrah ne s’dimë ç’të bëjmë. Deputetet e Qarkut Dibër dhe Rama, në Parlament ta ngrenë zërin.”- vijon rrëfimi i familjes Katuçi.

 
Lajme Shqip Friday, 04 October 2013 10:48

Tiranë- Akuzat e rënda të Presidentit serb, Tomislav Nikoliç kundër udhëheqësve të Kosovës, të bëra gjatë Debatit të Përgjithshëm të sesionit të 68-të të Asamblesë së Përgjithshme, me 25 shtator 2013 nuk mbetën pa përgjigje në OKB.

Kosova nuk është anëtare e OKB-së, por Shqipëria është dhe përgjigjja e saj nuk vonoi. Ditën e mërkurë, ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxhai dorëzoi Presidentit të ri të Asamblesë së Përgjithshme, John Ashe përgjigjen zyrtare që hedh poshtë akuzat pa themel të Presidentit Tomislav Nikoliç.

“Rregullat në Asamblenë e Përgjithshme janë të tilla që nuk lejojnë t’u kundërpërgjigjesh gojarisht kryetarëve të shteteve, pas fjalimeve të tyre. Por nëse ka kundërshtime ato mund t’i paraqiten me shkrim Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme dhe më pas botohen si dokumente zyrtare të AP-së”,-shkruan “Balkanweb”.

Ndaj ambasadori Hoxha i dorëzoi përgjigjen me shkrim Presidentit Ashe që ka zëvendësuar në krye të AP-së, serbin Vuk Jeremiç. Kur foli në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme, Nikoliç tha ndër të tjera se “raportuesi special i Këshillit të Europës, Z. Dick Marty, një senator nga Zvicra, provoi dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës (PACE) konfirmoi se disa prej udhëheqësve shqiptarë aktualë të Kosovës dhe Metohisë, organizuan pengmarrjen dhe vrasjen e serbëve, organet e të cilëve, u trafikuan dhe u shitën fshehurazi”.

“Fatkeqësisht, kjo deklaratë është totalisht e pavërtetë, e anshme dhe nuk pasqyron kurrfarë realiteti. Republika e Shqipërisë, ndërkohë që hedh poshtë pretendimet e ngritura nga z. Marty, ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht me Grupin e Posaçëm hetimor të EULEX-it në mënyrë që kjo çështje të sqarohet një herë e përgjithmonë. Republika e Shqipërisë i ka kushtuar gjithnjë rëndësi të madhe marrëdhënieve me fqinjët si investimi më i mirë për një të ardhme të përbashkët të bazuar mbi bashkëpunimin dhe miqësinë”, – shprehet mes të tjerash ambasadori Hoxha. /albeu/