Lajme Shqip Thursday, 07 March 2013 18:12

Prishtinë – Në takimin e rregullt të Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit, zyrtarët e vendit dhe ata evropian janë pajtuar që duhet të ketë një sundim të ligjit më të madh në Kosovë. Po ashtu është parë e nevojshme sistemi i mekanizmi për bashkërendim të aktiviteteve mes institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare, si dhe është kërkuar nga politikanët dhe mediat që mos të ndërhyjnë në punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në mënyrë që ata të mund ta bëjnë punën e tyre të pavarur.

Pas një takimi rreth një orësh dhe larg mediave, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt kanë dalë në një konferencë për media, por që nuk kanë pranuar të përgjigjen në pyetjet e gazetarëve.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se në këtë takim është diskutuar për përmirësimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës, duke shprehur angazhimet e përbashkëta në fusha të caktuar edhe për drejtësi, por edhe për çështjet e bashkëpunimit të policisë dhe të doganave me atë të EULEX-it.

Ai ka thënë se janë ardhur në konstatime për zhvillimet pozitive për rendin dhe ligjin në Kosovë dhe për gatishmërinë që të punohet ngushtë në mes të institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it.

Kuçi ka theksuar se përmirësimi i rendit dhe ligjit në Kosovë, implementimi i tyre dhe krijimi i hapësirës së mirë për punë, për gjithë gjyqtarët dhe prokurorët vendor dhe ndërkombëtar është prioritet i qeverisë.

Por ai ka kërkuar që mediat dhe politikanët mos të ndërhynë në punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Kemi theksuar se në vendin tonë ka mundësi që të përmirësohet rendi dhe ligji, ka mundësi që të krijojmë kritere të përafërta me ato të shteteve anëtare të BE-së dhe që rendi dhe ligji në shtetin tonë duhet të mbështetet edhe nga institucionet, qytetarët, por edhe nga mediat. Kemi theksuar raste kur njerëzit janë të kufizuar, në veçanti prokurorët dhe gjyqtarët nga një lloj presioni i padrejtë ndaj punës së tyre që bëjnë si prokurore apo si gjyqtarë, por duhet të jemi të kujdesshëm që edhe njerëzit e medieve dhe të politikës t’u japim hapësirë që ata të punojnë në mënyrë të pavarur”, ka theksuar ministri Kuçi.

Më tej ai ka shtuar se ka angazhime të përbashkëta, shkrirje të prioriteteve në veçanti në kompakt-mekanizmin që do të ndihmonte në fokusimin tonë për rend dhe ligj, që do të ndihmonte në ngritjen e rendit dhe ligjit në vendin tonë dhe do të ndihmonte në procesin e integrimeve në BE, në veçanti në procesin e liberalizimit të vizave dhe në atë të stabilizim asocimit.

Ministri i Drejtësisë ka thënë se kriteret afatshkurta për rend dhe ligj janë plotësuar në tërësi, duke shtuar se Qeveria shpreh gatishmëri për bashkëpunim më të thellë me Zyrën e BE-së në Kosovë, por edhe me EULEX-in për përmirësimin e rendit dhe ligjit dhe të gjitha fushave tjera.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ka thënë se në takim u konfirmua edhe një herë mekanizmi i partneriteti mes Kosovës dhe BE-së lidhur me sundimin ligjit.

“Mendoj se në çdo takim që kemi konfirmojmë se ky është vend i dialogut, vend i vlerësimit të arriturave dhe progresit, dhe është po ashtu vendi ku diskutojmë për aktiviteteve të ardhme lidhur me sundimin e ligjit. Në këtë mënyrë mendoj se ky mekanizëm është duke u përmirësuar dita ditës si një element i rëndësishëm për Kosovën dhe BE në procesin e Kosovës drejt BE-së, posaçërisht në procesin e liberalizimit të vizave e po ashtu edhe në procesin e stabilizim-asocimit”, ka deklaruar Zhbogar.

Ndërkaq, shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, ka thënë se misioni që ai drejton është duke kryer punën e vet, me fokus të bashkëpunimit me institucionet e vendit në mënyrë për tërheqje graduale.

“Jemi përcaktuar në fusha që duhet të përmirësohen dhe të vendosim sistemin mekanizmin e sistemit të përcjelljes i cili do të jetë një element i rëndësishëm për punën tonë. EULEX është duke bërë punën e vet me fokus të rritjes së bashkëpunimit, i cili do të reflektoj në qasjen tonë bazuar në partneritetin për të ndërtuar kapacitete dhe për të përkrahur tërheqjen graduale të EULEX, por duhet një përkushtim nga ana e qeverisë”, ka theksuar Borchardt.

Edhe shefi i EULEX-it si çështje kryesore, ka përmendur që prokurorët dhe gjykatësit të punojnë pa frikë, pa denigrim të pajustifikuar, pasi që siç ka thënë ia kjo është një çështje shumë e rëndësishme.(K.P/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 22 January 2013 13:50

Bruksel – Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me seli në Strasburg, ka miratuar me 115 vota për dhe 11 kundër, një rezolutë për Kosovën, e cila kërkon forcimin e sundimit të ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Raportuesi i Këshillit të Evropës për Kosovën, Bjoern von Sidow, në raportin e tij të paraqitur sot në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare, ka thënë se në dy vitet e fundit, në Kosovë kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme, në kuadër të stabilitetit politik dhe zbatimit të reformave.

Ai megjithatë ka nënvizuar se është e domosdoshme që të ketë përpjekje për përmirësimin e funksionalizimit të institucioneve demokratike, veçanërisht të Kuvendit të Kosovës, dhe për një punë më efikase në administratën publike dhe sistemin e drejtësisë.

“Ekziston një mungesë e përgjithshme e sundimit të ligjit në Kosovë. Korrupsioni është i pranishëm në mbarë vendin, ne nivele të ndryshme. Kjo ndërlidhet me drejtësinë, prokurorët…Sundimi i ligjit duhet të përmirësohet dhe duhet të jetë e parashikueshme për të gjithë”, ka thënë Sidow, gjatë punimeve të seancës.

“Sfida më e madhe në Kosovë është zbatimi i të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, veçanërisht lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Në aspektin pozitiv, Sidow ka veçuar dialogun ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë.

“Ai hap dritaren e mundësive për zgjidhjen e çështjeve thelbësore politike, bashkërisht me ato teknike. Jam informuar se shumëçka është zbatuar nga zotimet që janë dhënë, e kjo është jetike, zbatimi i marrëveshjeve”, ka thënë Sidow.(K.P/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 May 2012 23:17

Bruksel – Mbledhja e parë e Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit është mbajtur të mërkurën në Bruksel.

Ky dialog është projektuar për të ndihmuar Kosovën që të adresojë sfidat në fushën e sundimit të ligjit, e cila është shqetësimi kryesor për Ballkanin Perëndimor në tërësi. Zyra e BE-së në Kosovë bën të ditur se në këtë fazë, Komisioni Evropian do të fokusohet në gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, Komisioni ka theksuar rëndësinë e përmirësimit të kapacitetit të Kosovës, që në mënyrë efektive të hetojë dhe ndjekë penalisht rastet e krimit të organizuar ndërkufitar, të trafikut të drogës dhe të qenieve njerëzore. Ky mekanizëm po ashtu ka theksuar nevojën për përpjekje të shtuara në parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e korrupsionit.

Në lidhje me gjyqësorin, Komisioni Evropian ka vënë në pah rëndësinë e një gjyqësie efikase dhe të pavarur. “Pas progresit të arritur në miratimin e legjislacionit kyç, Kosova është inkurajuar për ndjekjen e reformave gjyqësore, për të forcuar edhe më tej pavarësinë, joanshmërinë dhe transparencën”, deklaroi Komisioni Evropian.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se sundimi i ligjit mbetet prioritet i lartë dhe se është fuqimisht e përkushtuar për të arritur rezultate. (R.EL)

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 May 2012 07:00

Prishtinë – Sot në Bruksel do të fillojë “Dialogu i strukturuar për sundim të ligjit në Kosovë”, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian, ku në takimin e parë pikat kryesore të dialogut do të jenë gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Delegacioni i Qeverisë së Kosovës i cili do të kryesohet nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë,  Hajredin Kuçi, në përbërjen e të cilit janë edhe ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, udhëheqës të institucioneve të drejtësisë etj., në takimet që do t’i zhvillojnë me Komisionerin për Zgjerim, Stefan Fule, Komisioneren për Punë të Brendshme, Cecilia Malmstrom dhe përfaqësues të tjerët të drejtorive të përgjithshme të KE-së, do të dialogojnë lidhur me sfidat të cilat dalin nga fushat e lartcekura në një fazë të hershme të procesit të zgjerimit, si dhe për transformimin e misionit të EULEX-it.

Qeveria e Kosovës edhe një herë nëpërmjet këtij dialogu do të shpreh përkushtimin politik dhe afatgjatë, për t’i ndërmarr gjitha reformat e nevojshme të cilat do të sjellin edhe rezultate konkrete, po ashtu rithekson se sundimi i ligjit vazhdon të jetë top prioriteti kryesor dhe mbetët fuqimisht e përkushtuar për të arritur rezultate maksimale.

Dialogu ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian, tani e tutje do të jetë i rregullt dhe do të mbahet dy here në vit, varësisht nga reformat në fushën e sundimit të ligjit. (LajmeShqip.com)