Lajme Shqip Sunday, 25 December 2011 21:39

Prishtinë-“Serbia ka ndërhyrë në Kosovë që nga fundi i luftës duke vendosur struktura paralele dhe duke iu dhënë serbëve të veriut iluzionin se mund të jetojnë nën ndikimin serb dhe të injorojnë autoritetet e Kosovës”.

Kështu thotë zv.kryeministrja Edita Tahiri, njëherësh shefe e delegacionit të Prishtinës në bisedimet me Beogradin, në një intervistë për gazetën turke “Zaman”.

Sipas saj Serbia po luan me standarde të dyfishta, nga njëra anë duke tenton ti japë BE-së përshtypjen se është një vend me orientim evropian, ndërsa nga ana tjetër serbëve të veriut u bën thirrje që të mos respektojnë marrëveshjet.

Duke komentuar mospranimin e statusit kandidat për në BE për Serbinë, Tahiri tha se është e qartë se BE-ja nuk do një tjetër Qipro brenda saj.

“BE-ja e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të importojë një tjetër problem si Qiproja”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se rruga e Kosovës dhe e Serbisë për në BE është e gjatë.

E pyetur nëse Kosova do ta vazhdojë dialogun edhe nëse Serbia nuk zbaton  asgjë nga marrëveshjet e arritura, Tahiri është shprehur se Prishtina mbetet e përkushtuar për dialog. Tahiri ka thënë se e çmon rolin e Turqisë në Ballkan, ndërsa ka shtuar se Rusia nuk mund të ketë më asnjë rol në rajon. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 20:25

Prishtinë – Kuvendi i Kosovës nuk kaloi sot në votim, rekomandimin e opozitës kosovare e cila kërkonte që të merrej vendim për pezullimin e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Kuvendi i Kosovës zhvilloi pasditen e sotme një seancë plenare të jashtëzakonshme, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës është debati parlamentar lidhur me dialogun e Qeverisë së Kosovës me Serbinë dhe marrëveshjet e arritura në këtë dialog.

Seanca e jashtëzakonshme u mbajt sipas kërkesës së grupeve parlamentare të tre partive në opozitë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi, dhe opinionet e paraqitura nga ana e deputetëve të opozitës foli edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Duke e konsideruar në interesin e qytetarëve debatin e sotëm, Thaçi tha se “Qeveria e Kosovës është përcaktuar qartë në përqafimin e vlerave demokratike”. “Në vazhdën e kësaj është duke rrjedhur edhe dialogu teknik me Serbinë”, tha Thaçi.

Thirrjen e disa deputetëve për pezullim të bisedimeve me Serbinë, kryeministri Thaçi e quajti thirrje për izolim të Kosovës dhe kërkesë për prishje të raporteve miqësore me SHBA-të dhe BE-në.

“Kërkesa për pezullim të dialogut është kërkesë për izolim ndërkombëtar të Kosovës, është kërkesë për konfrontim me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të”, theksoi kryeministri Thaçi.

“Për herë të parë institucionet dhe zyrtarët e Kosovës ulen në nivel të barabartë me institucionet e zyrtarët e Serbisë si përfaqësues të shtetit të Kosovës”, shtoi Thaçi.

Sipas tij “ky dialog është i palëve të barabarta, dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen”.

Duke folur për qëllimin e dialogut, kryeministri tha se ai ka për qëllim rregullimin e jetës së qytetarëve dhe raportet ndërshtetërore.

Sipas kryeministrit kosovar, procesi i bisedimeve ecën paralelisht me procesin integrues evropian. Ai siguroi se nuk do të ketë bisedime lidhur me rregullimin e brendshëm, sovranitetin dhe Pavarësinë e Kosovës.

Mbledhja vazhdoi me debate, ku përfaqësuesit qeveritarë theksonin sukseset dhe nevojën e dialogut, ndërsa blloku opozitar e kritikonte ashpër atë dhe kërkonte pezullimin e tij.

Pas debatit të përshkuar me shumë replika, deputeti Ismet Beqiri, në emër të të treja grupeve parlamentare opozitare, të cilat edhe kishin siguruar nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme, kërkoi që të hidhet në votim propozimi për pezullimin e bisedimeve me Serbinë.

Por, deputetët e pranishëm në votimin në fund të seancës së jashtëzakonshme me shumicë votash rrëzuan këtë propozim.

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 18:06

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i kërkoi të mërkurën partnerëve ndërkombëtarë që të deklarojnë të vërtetën për zgjedhjet e 8 majit në Tiranë, ndërsa pohoi se nuk mund të ketë dialog në kushtet kur qeveria ka vjedhur opozitën.

“Ne i kërkojmë sot publikisht miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të shqiptarëve që në kushtet kur vjedhja ka ndodhur hapur dhe në sytë e tyre, të mos mjaftohen me predikimin qëllimmirë të radhës. Populli shqiptar ka nevojë të dëgjojë shkoqur të vërtetën nga goja e partnerëve të tij të çmuar, që as nuk janë dhe as nuk mund të bëhen palë me vjedhësit e zgjedhjeve”, u shpreh Rama në një deklaratë për mediat.

Duke garantuar se opozita do të jetë zëdhënëse e standardeve të BE-së, Rama bëri të ditur kursin e mëtejshëm që do të ndjekë partia më e madhe e opozitës në vend.

“Kursi ynë i ri politik do të jetë shprehje e domosdoshmërisë për ta futur Shqipërinë në rrugën e shumëkërkuar të funksionimit të demokracisë”, tha ai.

Ai theksoi se në kushtet kur opozita është vjedhur nga qeveria, nuk mund të ketë një dialog të mundshëm.

“Me pushtetin e vjedhur që grabiti edhe zgjedhjet në Tiranë, që manipulon çdo gjyq, që kërcënon prokurorinë për çdo akuzë, nuk ka sot për sot asnjë lloj dialogu të mundshëm. Nuk mund të ketë një dialog serioz në kushtet kur qeveria ka vjedhur haptazi opozitën”, theksoi kryetari i PS-së.

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 15:14

 

Tiranë – LSI ripërsëriti sot thirrjen drejtuar opozitës shqiptare që të bashkëpunojë për reformën zgjedhore.

Në një konferencë për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama e cilësoi të domosdoshme dhe të rëndësishme përfshirjen e të gjithë aktorëve politikë të vendit në reformën zgjedhore.

Përfaqësuesi i LSI-së nënvizoi se procesi zgjedhor i 8 majit, evidentoi një sërë problemesh ndaj dhe sipas tij, është e domosdoshme një reformë zgjedhore tërësore, që të jetë në funksion të procesit të integrimit të vendit.

“Duke u solidarizuar me qëndrimin e Ambasadorit të OSBE-së, LSI jo vetëm është e gatshme, por fton realisht palët të bëhen pjesë e këtij procesi, veçanërisht fton opozitën të japë kontribut në instiucionet e vendit për të realizuar reformën, si kusht të rëndësishëm për ritme më të shpejta në kuadër të integrimit evropian të vendit”, deklaroi Rama.

Ai vuri në dukje se LSI me kohë ka ndërmarrë iniciativa dhe thekson se është e gatshme të kontribuojë e të japë të gjithë përvojën dhe ndihmesën e vet që ky proces të fillojë menjëherë.

Përfaqësuesi i LSI-së nënvizoi se “koha nuk duhet shpërdoruar siç ka ndodhur më parë dhe nëse opozita është e angazhuar për të qenë pjesë e këtij procesi, është koha për kontribute pozitive e reale dhe jo për fjalë e demagogji”.

Gjithashtu, Luan Rama tha se OSBE do të gjejë tek LSI partnerë korrekt, me kontribut real për realizimin e kësaj reforme në të mirë të interesave të qytetarëve.

 
Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 12:19

Tiranë – Partia Socialiste e Shqipërisë po përgatitet ta rrëzojë qeverinë, në një aksion që pritet të nisë qysh në ditën e parë të kësaj vjeshte.

Forumi Rinor Eurosocialist, përmes rrjeteve sociale, ka bërë ftesë për një protestë të madhe gjithëqytetare, më datë 21 shtator.

Sipas tyre, protesta do të mbahet në kujtim të ngajrjeve të 21 janarit dhe në respekt të katër viktimave në tetëmujorin e vrasjes së tyre.

Protesta që fton edhe për rrëzimin e qeverisë, më 21 shtator, në orën 14:00, sipas ftetsës, nis para Prokurorisë dhe do të përfundojë para selisë së Kryeministrisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 10:53

Tiranë – Deputeti socialist, Andis Harasani i drejton kritika kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama për humbjen në garën elektorale për Bashkinë e Tiranës.

Në një shkrim të publikuar të hënën në të përditshmen shqiptare “MAPO”, deputeti Harasani beson se humbja më 8 maj erdhi si pasojë e vet kryesocialistit.

“Kam bindje që është paaftësia e drejtuesit të PS-së që ka çuar në humbjet e kësaj force politike dhe çdo të keqeje tjetër”, shprehet ai.

Deputeti socialist, i njohur për kritikat e vazhdueshme ndaj kryetarit të opozitës, arsyeton se një njeri që nuk ka mundur të rregullojë shtëpinë e tij, nuk mund të rregullojë shqiptarët. “Pa rregulluar shtëpinë nuk mund të rregullosh asgjë”, thotë Harasani.

Ai shpreh mosbesim që Rama me punën e tij mund ta bëjë PS-në një forcë fituese, ndërsa uron që këtë ta ketë kuptuar dhe ai vetë. “Mendoj që të gjithë tani e kanë kuptuar që nuk e bën dot ai. Shpresoj ta kuptojë edhe vetë më së fundmi”, citohet deputeti socialist.

Megjithatë, Harasani nuk mbetet vetëm në kuadrin e konstatimeve apo të akuzave, pasi bën të ditur se ai së bashku me njerëz të tjerë, që mendojnë si ai, do të bëjnë përpjekje që kjo situatë të mos qëndrojë kështu dhe PS të shpëtojë.

“Po do ta bëjmë! Dhe nëse s’ia dalim, rëndësi ka që do të përpiqemi. Nuk jemi pak”, shprehet Harasani në shkrimin e publikuar të hënën në të përditshmen shqiptare.

 
Lajme Shqip Saturday, 02 July 2011 16:21

Tiranë – Partia Demokratike akuzoi sot kryetarin e opozitës, Edi Rama, se po ushtron presion të papranueshëm ndaj Kolegjit Zgjedhor dhe KQZ-së.

Në një deklaratë për mediat, Partia Demokratike, përmes zëdhënëses Albana Mustafaraj, u shpreh se “ditën e sotme, Rama, në një akt shantazhi ndaj Kolegjit Zgjedhor dhe KQZ, ndërmori serialin e tij të sulmeve të bazuara në një realitet që nuk ekziston”.

Mustafaraj tha se “Rama shpalli sot përpara ansambleistëve të tij dhe mediave, fitoren madhështore të 8 Majit në mbarë vendin dhe u përpoq të mbulojë humbjen e tij partiake në zgjedhjet vendore, duke shpallur disfatat për fitore”.

Duke iu referuar rezultateve si dhe numrit të  votave që koalicioni i djathtë mori në zgjedhjet vendore të këtij viti, Partia Demokratike, i drejtohet përmes kësaj deklarate  kryetarit Rama, duke thënë se “140 mijë vota më pak të qytetarëve shqiptarë për partinë dhe koalicionin e majtë, krahasuar me aleancën qeverisëse që mori 17 % vota më shumë në mbarë vendin, përbëjnë disfatë  të thellë reale tuajën dhe të koalicionit që udhëhoqe apo një fitore tuajën imagjinare?”.

Lidhur me zgjedhjet për kryebashkiakun e Tiranës, Partia Demokratike i kujtoi Ramës se “21 mijë votat e  humbura në Tiranë, krahasuar me vitin 2007, dhe 93 votat më pak se kandidati demokrat, Lulzim Basha, në vitin 2011, është humbja personale e radhës, apo sërish fitorja në imagjinatën tuaj që në realitet nuk ekziston?”.

 
Lajme Shqip Friday, 01 July 2011 19:29

Tiranë – Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, i njohur për qëndrimet e tij të ndryshme nga ato të kryetarit të PS-së, Edi Rama, prezantoi të premten platformën “Për modernizimin e partive politike, si parakusht për të ardhmen tonë”.

Në prezantimin e kësaj platforme para studentëve të Universitetit Europian të Tiranës, ai u ndal sidomos tek situata e fundit politike brenda PS-së, duke ripërsëritur qëndrimin se bojkoti i parlamentit është rruga e gabuar e ndjekur nga socialistët.

Sipas tij, vetëpërjashtimi nga jeta politike dhe atakimi i institucioneve kushtetuese janë rruga e gabuar e drejtimit të partisë, që nuk mund të rikthejë në pushtet socialistët në vitin 2013.

“Është e domosdoshme që PS në mënyrë institucionale t’i kthehet parlamentit dhe ky është qëndrimi që unë kam mbajtur dhe në Asamblenë Kombëtare.Vazhdoj të shpresoj që jo vetëm të kthehemi, por të ndahemi përfundimisht nga fakti, se sa herë jemi të pakënaqur me zhvillimet politike, në vend të rrisim ndërgjegjësimin dhe reagimin qytetar, bojkotojmë institucionet e vendit. Jam kundër opozitës me goma të djegura apo kundër atakimit të institucioneve kushtetuese të vendit. Nuk dëshiroj që partia që unë kontribuoj që nga viti ’92 të synojë të vijë në pushtet duke qënë jashtë institucioneve”, u shpreh Malaj.

Duke u ndalur tek mungesa e një modeli në organizimin dhe funksionimin e brendshëm të partive politike, Malaj sugjeroi heqjen e barrierave për hapjen e tyre, duke shmangur pushtetin e përqëndruar dhe pushtetet individuale të tejzgjatura, përtej kufijve të lejuar.

Sipas tij, mungesa e demokracisë së brendshme në një parti çon në demotivimin e individëve për të qënë pjesë aktive e saj.

Pushteti i përqëndruar në duart e kryetarit është me pasoja negative, ndaj ai sugjeron ndarjen nga postet ekzekutive dhe të pushtetit lokal.

Platforma e re politike, e iniciuar nga deputeti socialist, Arben Malaj, do të prezantohet në të gjithë Shqipërinë nëpërmjet një turi diskutimesh.