Lajme Shqip Thursday, 31 October 2013 15:20

Linjat e trageteve janë bërë si furgonët e Kamzës, siguria e udhëtimit me anije e tragete nuk është në standarde; dy ligjvënës të majtë, një nga Vlora dhe tjetri nga Librazhdi, i janë turrur ish-ministrit durrsak të Transporteve, Sokol Olldashi për monopolet në transportin detar. Për deputetin socialist vlonjat të Fatmir Toçi “portet,terminalet, kontrolli kufitar, doganor lënë për të dëshiruar”. Ai akuzoi se “linjat e trageteve janë bërë si furgonët e Kamzës. Duhet të vendosim standarde, të hapim tregun. T’i japim fund monopolit dhe klientelizmit në porte”. Kurse deputeti tjetër “mavi” nga Librazhdi Taulant Balla tha se “siguria e udhëtimit me anije e tragete nuk është në standardet dhe siç e meritojnë shqiptarët”. Balla iu drejtua ish-ministrit: “Do të doja që Olldashi të jepte shifra. Vetëm në një prej akseve Bari-Durrës-Bari udhëtojnte 854 mijë udhëtarë e pjesa më e madhe e tyre në dy sezone në gusht e dhjetor. I keni lënë dy kompani monopol, dy tragete një sa mosha ime, i vitit  1978, i marrë nga Lituania dhe tjetri i 1981”. Kurse Olldashi u mburr me faktin se “vetëm muajt e fundit në portin e Durrësit kanë ardhur 5 kroçera. U bë adminsitrata e re detare”. Dhe, si për të vulosur stilin e tij si ish-gazetar i RD-së, durrsaku, deputet i myzeqarëve të Fierit, Sokol Olldashi përdori shprehje propagandistike të denjë për një militant demokrat dhe pse humbi përballë Lulzim Bashës për kryetar partie: “Uji i detit është blu, nuk është i kuq”