Lajme Shqip Saturday, 24 November 2012 23:50

Prishtinë (E plotësuar 24 nentor, 23:00)- (E plotësuar)Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën e Prokurorit Mauricio Salustro që deputeti Limaj dhe tre të tjerët të paraburgosen për 30 ditë.

Rrecaj: Kërkesa për paraburgim absurde

Avokati i deputetit Fatmir Limaj ka konsideruar se kërkesa e prokurorit të EULEX-it, Mauricio Salustro, për të paraburgosur Fatmir Limajn në një afat 30 ditësh është absurde.

“Prokurori Salustro mendon se i akuzuari për rastin Kleçka Fatmir Limaj mund të arratiset nga Kosova gjë që është absurde sepse Lima ju ka përgjigjur të gjitha ftesave që EULEX ka bërë në lidhje me këtë rast. Jemi vonuar deri me tani sepse para Limaj në pyetje janë marrë edhe tre të akuzuarit e tjerë”, tha Rrecaj.

 

Limaj përcillet për në Gjykatën Supreme

Eulex ka dërguar me makina të tij deputetin Fatmir Limaj në drejtim të Gjykatës Supreme dhe jo me makinën e tij personale.Për atë se çfarën ka biseduar për një orë brenda EULEX asgjë nuk dihet pasi që askush nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për media.Ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi, pavarësisht se qarkullojnë lajme të ndryshme nëpër portale interneti për këtë ngjarje.

Nis seanca e gjykimit për Naser Shalën

Në Gjykatën Supreme të Kosovës ka filluar seanca për të arrestuarin e parë në rastin “Kleçka”, Naser Shala.Aktualisht ai është duke u marrë në pyetje.Gjykata Supreme ka caktuar nga një seancë veç e veç për të gjithë të arrestuarit.

Avokatët këtë vendim e vlerësojnë si të paligjshëm.

Limaj paraqitet në EULEX pas orës 17

Tahir Rrecaj, avokat mbrojtës i Limajt thotë për Express Online se tre të arrestuarit e tjerë Naser Shala, Naser Krasniqi dhe Nexhmi Krasniqi do të paraqiten para Gjykatës Supreme të Kosovës në ora 16:00.Ndërkaq, deputeti Limaj bashkë me të do të paraqitet në qendrën Alpha të EULEX-it në Fushë Kosovë pas orës 17:30.

Limaj nuk do të arrestohet, i ftuar nga Gjykata

Koordinatori për rastin Fatmir Limaj, Endrit Shala ka hedhur poshtë të gjitha informacionet që kanë rrjedhur për arrestimin e deputetit Fatmir Limaj gjatë ditës së shtunë.Ai thotë se aktualisht ai me Limajn janë duke shkuar në EULEX për të marrë një ftesë për gjykatë.“Nga aty do të nisemi drejt Gjykatës Supreme. Aty do të jemi në ora 17:30. Nuk ka të bëj asgjë me arrestimin”, tha ai.

Rrecaj: S’kam informacione zyrtare për arrestimin e Limajt

Avokati i Fatmir Limajt, Tahir Rrecaj thotë se akoma nuk ka ndonjë informacion zyrtar rreth këtyre informacioneve që po qarkullojnë nëpër media.”Për të tjerët ma kanë konfirmuar jozyrtarisht, por jo edhe për klientin tim”, ka thënë ai.Sipas tij, ai nuk beson se klienti i tij është arrestuar pasi thotë se po të ndodhte kjo, familjarët e tij do ta informonin menjëherë

EULEX në aksion për arrestimin e Limajt?

EULEX është duke e zhvilluar një aksion arrestimesh në Kosovë.Sipas burimeve, thuhet që cak i aksionit të tyre është arrestimi i deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj.

Aksionin e kanë konfirmuar për Express edhe zyrtarët e EULEX.“Mund ta konfirmoj se EULEX është duke e zhvilluar një aksion për arrestim. Aktualisht nuk mund të japim detaje se për kë bëhet fjalë dhe në cilin lokacion po zhvillohet aksioni”, kanë thënë këta zyrtarë.

Ata sqarojnë se shumë shpejt do të dalin me një komunikatë rreth arrestimit.Po ashtu, gazeta serbe Blic thotë se ky aksion i EULEX ka për cak arrestimin e deputetit Limaj.

Sipas Blic, arrestimi i Limajt lidhet me krimet e luftës.

Ditë më parë, EULEX hapi rastin Kleçka ku u pranuan dëshmitë nga ditari i “Dëshmitarit X”, të të ndjerit Agim Zogaj. Po ashtu, Limaj akuzohet për krim të organizuar, shpërdorim i detyrës zyrtare gjatë kohës sa ishte Ministër i Transportit.Të arrestuar tashmë janë: Naser Shala, Naser Krasniqi dhe Nexhmi Krasniqi.(Express/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 20 November 2012 15:11

(Prishtinë – (E PLOTESUAR 20 NENTOR 17:30)- Ditarët e dëshmitarit të ndjerë Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari X në rastin Kleçka janë shpallur të pranueshëm.

Këta ditarë implikojnë Fatmir Limajn dhe disa pjesëtarë të tjerë të UÇK’së nën dyshime për krime lufte gjatë viteteve 1998-1999.

Me këtë vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës është rikthyer në gjykim komplet rasti Kleçka, por është hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë për masën paraburgimit për Fatmir Limajn dhe të tjerët.(Express/LajmeShqip.com)

*************************************************

Prishtinë (PLOTESUAR 20 nëntor 17:00)- Kolegji i Gjykates Supreme të Kosovës ka marrë vendim që çështja e rastit Kleçka të kthehet në rigjykim dhe kërkesa e prokurorit për rishqyrtim të lëndës merret për bazë pjesërisht.

Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorisë se Fatmir Limaj dhe të tjerët duhet të paraburgosen. Gjykata Supreme i merr përbazë dëshmitë e dëshmitarit X.

Vendimi sapo është marr nga trupi gjykues, i përberë prej tre ndërkombëtarëve dhe dy vendorëve.

Fatmir Limaj dhe të tjerët në aktgjykimin e shkallës së parë ishin shpallur të pafajshëm nga Gjykata e Qarkut. Ata u përballën me ketë proces për disa muaj rresht dhe akuzohen për krime lufte.

Sot në Gjykatën Supreme,  Limaj ka thënë se ai është shembull për të tjerët dhe se nuk ka pse t’i ikë drejtësisë duke shtuar se ai shpesh është ballafaquar me drejtësinë “Dua të mbështes fuqishëm aktgjykimin nga një trup gjykues i respektueshëm. Nuk kam çka t’i shtoj atij aktgjykimi. Ka ardhur koha të na gjykoni në bazë të fakteve e jo në bazë të paragjykimeve dhe spekulimeve. Nuk jemi fajtor për të kaluarën tonë se nuk zbatuar standarde evropiane por duhet ta respektoni përpjekjen tonë të tanishme për të ndërtuar një shtet ligjor”, ka theksuar Lima.(LajmeShqip.com)

*************************************************************

Prishtinë –Deputeti Fatmir Limaj dhe tre të tjerët kanë dalë sot para trupit gjykues të Gjykatës Supreme të Kosovës, me kërkesën e prokurorit Maurizio Salustro, i cili ka kërkuar rihapjen e rastit Kleçka. Siç dihet më herët Gjykata e Qarkut i kishte nxjerrë këta katër, bashkë me gjashtë të tjerët, si të pafajshëm lidhur me dyshimet për krime lufte në fshatin Kleçkë gjatë luftës së Kosovës (1998-1999).

Merret vesh se seanca ku është paraqitur Fatmir Limaj bashkë me Naser e Nexhmi Krasniqin dhe Naser Shalën është duke vazhduar. Prokuroria ka kërkuar që të merren për bazë edhe dëshmitë e Agim Zogajt, i njohur si dëshmitari X.

Po ashtu Prokuroria ka kërkuar paraburgim për Fatmir Limajn dhe tre të tjerët, për shkak se, sipas prokurorisë, të njëjtit mund të arratisen. Por pala mbrojtëse e ka kundërshtuar fuqishëm kërkesën e prokurorisë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 16:29

Prishtinë – Ditarët e dëshmitarit Agim Zogaj nuk janë shkruar nga një dorë, por nga katër duar. Sipas një ekspertize të kryer në Tiranë nga një ekspert i kësaj fushe, ka rezultuar se dorëshkrimet që akuzonin Fatmir Limajn nuk janë vetëm të një dore. Ekspertiza është bërë me kërkesë të avokatëve të Fatmir Limajt, Karim Khan dhe Tahir Rrecaj të cilët po e sfidojnë tashmë me këtë fakt akuzën e nrtiur nga prokurori Maorizio Salustro.

Portali LajmeShqip.com, më herët kishte publikuar ekskluzivisht Videoinçizimin e dhënë nga Agim Zogaj, alias “dëshmitari X” si dhe pjesë tjera ekskluzive të këtij rasti. Publikimi i plotë me titullin: “Ekskluzive: Dëshmitari X, dëshmia që kurrë s’u dëgjua (I, II, III)”

Portali kishte publikuar ekskluzivisht edhe dosjen me të cilën akuzohet Fatmir Limaj dhe të tjerët për rastin “Kleçka”, të cilën mund ta lexoni këtu.

Analiza që është kryer nga eksperti Hysen Korti mbi katër letra të Agim Zogajt konstaton se ato nuk janë vetëm të një autori. Portali LajmeShqip.com po publikon ekspertizën e plotë në gjuhën shqipe.

Eksperti në sqarimin e tij shkruan se tek secili prej katër dokumenteve materiali shkrimor në formë teksti me shkronja fillimisht, u kontrollua në tre faza,  me sy të lirë me lente dhe mikroskop. Nga analizat, rezulton se ato janë dorëshkrime të lira, pa shenja falsifikimi teknik.

Më tej u ekspozuan sipas metodës se ekspertimit grafik të dorëshkrimeve kryesisht ne videoprojektor dhe me skaner në monitor dhe rezulton se në tërësinë e vet materiali shkrimor tek secili dokument pasqyron karakteristika të përgjithshme të veçanta te cilat duke qenë të rralla e të qëndrueshme i bëjnë ato me vlera individualizmi.

Ne fazën e ekzaminimit të veçuar për secilin prej tyre u evidentuan karakteristikat e përgjithshme e të veçanta shkrimore si: shkalla mbi mesataren e përpunimit të shkrimit dhe ritmit të të shkruarit, shkalla mesatare e lidhjes, pjerrtësi përgjithësisht djathtas, uniformitet madhësie e shtrirje mesatare të cilat individualizojnë plotësisht autorët dorëshkrues të tyre dhe shërbejnë për të realizuar krahasimet e kërkuara.

Dokumenti i pare, objekt eksperimenti specifikuar “A”, është shkruar përgjithësisht me shkronja kapitale, por aty-këtu, shfaq edhe shkronja të vogla të dorës dhe tek tre dokumentet e tjera specifikuar “B”, “C” dhe “D” megjithëse të shkruara përgjithësisht me shkronja të vogla të dorës, pasqyrohen edhe shkronja të variantit kapital. Në këtë gjendje, ato paraqesin mundësi krahasimi ndërmjet tyre me njëra tjetrën.

Nga ekzaminimi krahasues ndërmjet dorëshkrimit në të katër dokumentet, objekt ekspertimi me njëri-tjetrin gjenden disa prej karakteristikave shkrimore si të përgjithshme dhe të veçanta të kundërta ndërmjet tyre të cilat për lehtësi perceptimi, në tabelën fotografike janë specifikuar me shigjeta të numërtuara e ngjyrosura në mënyrë korresponduese.

Si përfundim, bazuar tek rezultatet e përfituara gjatë ekzaminimit të kryera katër dokumenteve objekt ekspertimi të cilat na janë vënë në dispozicion, pyetjes se parashtruar i jam përgjigjur nëpërmjet këtij konkluzioni: Katër dokumentet – nuk duhet të jenë shkruar nga i njëjti person, por duhet të jenë shkruar nga katër persona të ndryshëm. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 10:57

Prishtinë – Në një letër të hapur, të shkruar nga shefi i misionit EULEX në Kosovë, Xavier Bout de Marnhac, ai thotë se shumë njerëz janë në dijeni të rastit të ashtuquajtur Kleçka dhe të dëshmitarit X. Gjatë disa javëve të kaluara, që nga vdekja tragjike e Agim Zogajt, shumë vëmendje i është kushtuar mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë. Kjo na e ka kujtuar me dhimbje të gjithë neve rolin kryesor të dëshmitarëve në hetime dhe rëndësinë e ofrimit të mbrojtjes adekuate dhe të sigurisë qytetarëve të cilët dëshirojnë ta luajnë rolin e tyre në ndërtimin e sundimit të ligjit duke u paraqitur dhe dëshmuar lidhur me atë që kanë parë apo që kanë përjetuar. Mbrojtja e dëshmitarëve të rëndësishëm gjatë një rasti gjyqësor është standard themelor i çdo vendi bashkëkohor dhe demokratik. Mendoj se të gjithë pajtohen me këtë.

Të jemi të sinqertë lidhur me këtë, ka pasur shumë raste të vrasjes dhe të kërcënimit të dëshmitarëve ose të frikësimit të familjeve të tyre, jo vetëm në Kosovë ose në Ballkan. Kjo ndodhë edhe në vendet e tjera evropiane. Fatkeqësisht, është realitet i hidhur që nëse duhet të burgosen kriminelët, nëse duhet të arrihet drejtësia, atëherë dëshmitarët duhet të mbrohen në mënyrë që t’i japin dëshmitë e tyre pa qenë të kërcënuar apo të frikësuar.

Gjendja në Kosovë nuk është e kënaqshme. Autoritetet po ndërmarrin veprime për t’ju ofruar dëshmitarëve mbrojtje por për këtë duhet kohë. Të gjithë e pranojnë që Kosova duhet të bëjë përmirësime në mënyrë që të ecë përpara dhe të zhvillohet në këtë drejtim sa më parë që të jetë e mundur. Ndërsa Kosova është në proces të krijimit të programit të saj për mbrojtjen e dëshmitarëve, EULEX-i e ka Programin e vetë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, i cili funksionon në Kosovë dhe jashtë. Në të punojnë zyrtarët të cilët kanë përvojë mjaft të madhe në këtë fushë shumë të ndjeshme dhe të rëndësishme.

Nuk mund të japë emra ose hollësi ose shifra sepse e tërë çështja qëndron këtu – kjo duhet të mbetet sekret për hir të sigurisë dhe mbrojtjes së atyre individëve dhe familjeve të tyre që kalojnë nëpër Program. Por mund t’ju them që Programi është provuar vazhdimisht dhe shumë njerëz e kanë shfrytëzuar atë dhe po e shfrytëzojnë ende. EULEX-i e ka krijuar këtë Program me qëllim që t’i ndihmojë Kosovës të merret me disa prej rasteve më të vështira dhe më sfiduese gjyqësore.

Duhet pasur parasysh po ashtu që Programet për Mbrojtjen e Dëshmitarëve janë të komplikuara. Ka nivele të ndryshme të mbrojtjes, të cilat ofrohen në kohë të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Nuk ekziston një standard i vetëm i thjeshtë. Ato krijohen sipas nevojave të njerëzve dhe të nivelit aktual të kërcënimit – dhe këto mund të ndryshojnë me kalimin e kohës. Përparësi absolute kanë gjithmonë dëshirat dhe kërkesat e dëshmitarit individual.

Dua të shtojë edhe diçka lidhur me Programet për Mbrojtjen e Dëshmitarëve. Individët nuk detyrohen kurrë të jenë pjesë e programit. Nuk janë dëshmitarët ata që duhet të burgosen. Ata nuk mund të detyrohen të hyjnë në program dhe mund të dalin nga ai kur të dëshirojnë. Kjo bëhet sipas vullnetit të tyre të lirë dhe kjo është e drejtë. Individët duhet t’i marrin vendimet e tyre vetë dhe pa dyshim që nganjëherë është shumë vështirë të merren këto vendime. Udhëtimi bëhet i vështirë, kontakti me familjet dhe miqtë është i kufizuar për shkak të sigurisë së tyre. Disa individë mund të ndërrojnë mendje.

E gjithë kjo është normal. Kjo vlen për të gjitha Programet e tilla anembanë botës, përfshirë edhe ato në vendet si shtetet anëtare të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara. Kurrë nuk mund të ketë garanci 100%.

Nuk është me vend që unë të komentojë për rastin në fjalë pasi që aktualisht është në gjykim. Por ajo që mund të them është që shumë prej çështjeve të sipërpërmendura kanë luajtur rol në këtë rast. Në fund z. Agim Zogaj, dëshmitari X, ia mori jetën vetes tragjikisht. Diçka që asnjë program për mbrojtjen e dëshmitarëve në botë nuk do të kishte pasur mundësi ta parandalojë.

Para së gjithash, kjo është një tragjedi për familjen dhe miqtë e tij. Nuk duhet kurrë ta harrojmë këtë. Unë i dënoj ata të cilët dëshirojnë që vdekjen e tij ta shndërrojnë në çështje politike ose të cilët përpiqen ta shpërndajnë fajin ose të fitojnë pikë. Kjo nuk ju shërben interesave të askujt, më së paku të z. Zogaj ose familjes së tij.

Është detyrë e gjykatës së drejtësisë të vendosë lidhur me fajin apo pafajësinë e njerëzve – dhe e askujt tjetër. Nuk bëhet kjo as në rrugë, as në media, as në kafene.

Kosova po mundohet ta krijojë ekspertizën dhe burimet e saj në këtë fushë dhe unë i përgëzoj për këtë. Por, ndërkohë, EULEX-i do të vazhdojë t’i shfrytëzojë të gjitha burimet, shkathtësinë dhe përvojën e personelit të tij në këtë fushë shumë të specializuar, në mënyrë që t’i japë Kosovës kohë për t’i marrë përsipër përgjegjësitë e tilla vendimtare dhe të rëndësishme për secilën shoqëri në zhvillim. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 13 November 2011 21:45

Një miratim i mundshëm i gjykatës së një kërkese që ka bërë pala mbrojtëse në “rastin Kleçka”, do ta detyronte prokurorin Maorizo Salustro që të “rrëfehej” për trajtimin e Agim Zogajt.

Italiani që ka udhëhequr hetimet dhe ka ngritur aktakuzë kundër dhjetë ish-pjesëtarëve të UÇK-së është propozuar të premten nga avokatët që të thirret në cilësinë e dëshmitarit dhe të përjashtohet nga procesi si prokuror. Shkas kanë marrë nga botimi i letrave në gazetën “Koha Ditore”, të shkruara nga dëshmitari “X”, në ditët e fundit të jetës së tij.

Në një letër që besohet të jetë e fundit e shkruar nga Zogaj pak ditë para se të bënte vetëvrasje në Gjermani pretendohet se prokurori Salustro ka marrë dëshmi nga ai me anë të presionit. Zogaj shkruante se ishte i bindur se EULEX-i e “ka masakruar psikikisht”.

“Këtë padi po e bëj me shkrim kundra prokurorit italian Mauricio dhe dy agjentëve të sigurimit për mbrojtjen e dëshmitarit, shefi Donalld dhe Hansi nga Gjermania… Zotëri prokuror, hetues. Ti më bëre jo krim, por masakër psikike në tërë fëmijët dhe gruan time. Por ti mua sun um blen kurrë për një milion euro të juaja dhe për burgun që ma falni për çka edhe kum bërë apo edhe për disa dëshmi që ti kum nënshkru pa mi përkthy fare…”, kishte shkruar Zogaj në një letër të ngjashme me qindra sosh të shkruara më herët. Këtë letër dhe të tjera të botuara në “Kohën Ditore” mbrojtja po kërkon që t’i përdorë si dëshmi shfajësuese për klientët e tyre. Këto letra i kanë kërkuar edhe nga prokurori italian, Maorizo Salustro. Por ai ka thënë se nuk i ka.

E vetmja gjë që ka ofruar prokurori ka qenë certifikata e vdekjes së dëshmitarit, të cilit në asnjë rast nuk ia ka përmendur emrin. “Dëshmitari ‘X’”, thoshte kur i referohej ish-komandant Murrizit.

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 22:06

Prishtinë – Njëri prej gazetarëve hulumtues të gazetës Koha Ditore, Vehbi Kajtazi po përballet me një proces gjyqësor nga një prej ish-gjyqtarëve, Selman Bogiqi, për të cilin gazetari ka raportuar më parë lidhur me abuzimet sa ishte gjykatës. Ky i fundit pati kërcënuar edhe me jetë Kajtazin, por organet e drejtësisë nuk janë marrë asnjëherë me këtë kërcënim. Së fundi, është ushtruar një padi private nga ana e Bogiqit ndaj Kajtazit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shpifje.

Asociacioni i Gazetarëve Profesionist të Kosovës ka njoftuar se seanca e radhës ndaj Vehbi Kajtazit do të mbahet të enjten në Gjykatën komunale. Kryetari i AGPK-së, Arben Ahmeti thotë se është shqetësues qasja selektive e drejtësisë në Kosovë.

“AGPK përkrah angazhimin e institucioneve të drejtësisë edhe në rastet kur gazetarët mund te kenë bërë shkelje, mirëpo në këtë rast kemi një qasje krejtësisht selektive të drejtësisë. AGPK ka shqyrtuar ankesën e ish-gjyqtarit dhe vlerësojmë se raportimi i kolegut Kajtazi ka qenë plotësisht profesional. Ajo që na shqetëson është ngurrimi i institucioneve të drejtësisë që të merren me rastin kur ky ish-gjyqtar e pati kërcënuar me vrasje kolegun Kajtazi. Një kërcënues me vrasje, siç është ky ish-gjyqtar, e ka vendin në bankën e të akuzuarve e jo në vendin e paditësve. Duke mos dashur të bëjmë presion mbi drejtësinë, ne në heshtje po e monitorojmë këtë proces me një kujdes të veçantë”, tha Ahmeti, transmeton Indeksonline.

Kajtazi në muajt e fundit është protagonist i një sërë shkrimesh hulumtuese, veçmas në gjyqësinë kosovare dhe historinë e dëshmitarit X, njërit prej ngjarjeve që kanë shënuar vitin 2011. 

 
Lajme Shqip Friday, 14 October 2011 10:34

Prishtinë – Portali LajmeShqip.com kishte publikuar ditë më parë ekskluzivisht dy pjesë të videodëshmisë së Agim Zogajt, dëshmitait X, ndërkohë që është duke përgatitur për publikim edhe pjesën e tretë të saj.

Pjesën I dhe Pjesën II të videodëshmisë mund t’i shihni këtu.

Ndërkohë, e përditshmja kosovare Koha Ditore sjellë sot në faqen e parë letrën amanet të Dëshmitarit X, i vetëvrarë këto ditë në Gjermani.

Në fjalën e tij të fundit, në letrën amanet, Agim Zogaj akuzon EULEX-in për të gjithë fatkeqësinë jetësore që ia kishte shkaktuar.

Dëshmitari i mbrojtur X, tashmë i vdekur, ka lënë pas vetes një letër me të cilën akuzon rëndë EULEX-in për atë që ai i kishte ndjerë si tortura e presione psikike. Familja e dëshmitarit Agim Zogajt ka vendosur të mos e mbajë më sekret letrën që viktima e kishte shkruar para se të vdiste në Gjermani.

Në një kopje të asaj letre, të cilën e ka siguruar “Koha Ditore”, dëshmitari i njohur si “X” ishte i bindur se EULEX-i e “ka masakruar psikikisht”.

Ish-komandanti i UÇK-së, që ishte dëshmitari kryesor në rastin Kleçka, në fakt, ka lënë shumë letra të shkruara në të cilat sipas familjarëve ai ka treguar në detaje për gjithçka që i ka ndodhur prej kohës kur kishte dhënë dëshminë e parë në EULEX, e deri në momentin kur kishte vendosur që t`i jepte fund jetës.

“EULEX-i po don që unë me shku në botën tjetër para se me ia nis gjykimi, e masanej ata me sejmenët e vet me ba qysh të dojnë”, shkruan Zogaj më 15 shtator 2011, trembëdhjetë ditë para se të bënte vetëvrasje.

Një kopje e ditarit që po e mban familja i është dorëzuar policisë gjermane. Gazeta kosovare ka parë pjesë të ditarit të tij dhe ka marrë nga familja letrën kryesore, që sipas bashkëshortes së Agimit, Ganimete Zogajt, i ndjeri e kishte lënë amanet që të publikohej, atëherë kur nuk do të ishte më.

Në letër ai akuzon rëndë EULEX-in dhe prokurorin e rastit Kleçka, Mauricio Salustro. Dëshmitari më i rëndësishëm në rastin ku EULEX-i akuzon nëntë ish-pjesëtarë të UÇK-së për krime lufte, shfryn kundër misionit të BE-së.

Letra është e nënshkruar nga Agim Zogaj dhe mban datën 29.12.2010.

 
Lajme Shqip Friday, 30 September 2011 17:10

Prishtinë (PLOTËSUAR, 18 tetor 2011) – Pjesa e tretë: Pas një pauze, që zgjatë afërsisht gjysmë ore, në video fillimisht shihet Dëshmitari X, bashkë me avokatin e tij, i cili e sugjeron atë të mos flasë asgjë. Për një moment, Agim Zogaj, Dëshmitari X, i tërheqë vërejtjen avokatit se është duke vazhduar inçizimi, ndërsa avokati ia kthen se “s’ka nevojë të flasim, derisa të vijnë edhe ata…”.

Pjesa e tretë zgjatë 26 minuta e 46 sekonda

****************************

Prishtinë – (PLOTËSUAR, E enjte, 6 tetor 2011) – Pjesa e dytë: Siç shihet nga pjesa e parë dhe pas ndërprerjes që bëhet për të gjetur avokatin e tij Dëshmitari X, pjesa e dytë vazhdon me prezencën e avokatit. Në videoinçizimin e pjesës së dytë shfaqet data 20 janar 2004, ku Agim Zogaj, alias Dëshmitari X, i nënshtrohet një presioni nga Zyrtarët e Tribunalit, që e bënë avokatin e Dëshmitarit X t’ua tërheqë vërejtjen zyrtarëve të Tribunalit të Hagës dhe t’ua kujtoj atyre se po duan ta marrin përgjigjen që ata dëshirojnë me insistimet e tyre.

Video II – Zgjatë 59 minuta e 5 sekonda.

 

****************************

Prishtinë – Dëshmia Agim Zogajt, që kurrë më parë nuk ishte e njohur për opinionin, publikohet për herë të parë dhe ekskluzivisht nga Portali LajmeShqip.com. Rrëfimi në vijim ëshë i protagonistit kyç në procesin gjyqësor në Rastin Kleçka, por i dhënë për Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, më 19 janar 2004.

Portali sot publikon pjesën e parë dhe ditët në vijim do të vazhdon me dy pjesët tjera.

Video I – Zgjatë 28 minuta e 22 sekonda.

 

Nga videoregjistrimi i gjatë, prej disa orësh, të cilin portali e publikon në tërësi (dhe jo siç ka qenë formulimi paraprak se “portali ka përzgjedhur fragmente të caktuara”), publikohet dëshmia e tij e kontestuar disa herë, ndërkohë që po ky dëshmitar është konsideruar jovalid nga mbrojtja, e shpesh edhe nga të akuzuarit, për faktin se ka qenë i trajtuar nga mjekë psikiatër dhe për këtë ka pasur edhe fakte.

Në mesnatën e 27 dhe 28 shtatorit 2011, dëshmitari kryesor në procesin ndaj Fatmir Limajt dhe 9 ish-luftëtarëve tjerë të UÇK-së në rastin e njohur si “Kleçka”, është gjetur i vdekur në një park të Gjermanisë. Fillimisht, vdekja e tij është trajtuar si vetëvrasje, ndërkohë që policia gjermane po heton rrethanat e ngjarjes. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Lajme Shqip Wednesday, 28 September 2011 13:45

Prishtinë ( PLOTËSUAR 17:32) – EULEX-i ka konfirmuar se dëshmitari kyç në rastin Kleçka është gjetur i vdekur në një park të Gjermanisë. Zyrtarë për informim të misionit evropian nuk kanë dhënë detaje tjera, por vetëm kanë thënë se hetimet janë duke u bërë nga policia gjermane.


Në foto, që publikohet ekskluzivisht dhe për herë të parë nga Portali LajmeShqip.com, është i shumëpërfoluri Dëshmitari X, alias Agim Zogaj, i njohur si protagonist kyç në Rastin Kleçka. Fotografia është bërë nga xhirimi i videos, gjatë dhënies së dëshmisë për Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur në Rastin Kleçka.  Në video është regjistruar data 19 Janar 2004.

Portali LajmeShqip.com do ta publikojë videoinçizimin e plotë të dëshmisë së tij gjatë ditëve në vijim.

Dëshmitari kryesor në procesin ndaj Fatmir Limajt dhe 9 ish-luftëtarëve tjerë të UÇK-së në rastin e njohur si “Kleçka” është gjetur i vdekur në një park të Gjermanisë. Lajmin e konfirmoi edhe zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq.

“EULEX-i konfirmon se dëshmitari X (Agim Zogaj), është gjetur i vdekur në një park të Gjermanisë dhe autoritetet gjermane po hetojnë rastin”, tha Gudeleviq.

EULEX-i nuk jep detaje për rrethanat e vdekjes së dëshmitarit X, mirëpo disa media kanë raportuar se bëhet fjalë për vetëvrasje. Ngjarja ndodh disa javë para se të fillojë procesi gjyqësor për rastin “Kleçka”. Gjykimi kundër Fatmir Limajt dhe të tjerëve ishte paralajmëruar të fillojë nga fund i muajit tetor.

Ata akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës në fillim të vitit 1999 e deri në fund të luftës së Kosovës.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 15:26) – Burime të portalit LajmeShqip.com bëjnë të ditur se trupi i pajetë i Agim Zogajt, Dëshmitarit X, faktor kyç në procesin gjyqësor në Rastin Kleçka, është gjetur në parkun e një qyteti në Gjermani.

Autoritetet gjermane të rendit dhe të drejtësisë po punojnë në drejtim të zbardhjes së rrethanave të vdekjes së tij,  e cila deri më tani konsiderohet si vetëvrasje. (LajmeShqip.com)

****************************

Prishtinë – E përditshmja kosovare, Koha Ditore, duke iu referuar burimeve të saj në EULEX, ka bërë të ditur se  Dëshmitari X në rastin Fatmir Limaj, i dyshuar për krime lufte në Kleçkë, mbrëmë ka bërë vetëvrasje.

Kah fundi i mujti tetor të këtij viti është paralajmëruar gjykimi kundër Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij në Rastin Kleçka.

Përveç Fatmir Limajt, në këtë rast, për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës në fillim të vitit 1999 e deri në fund të luftës së Kosovës, akuzohen edhe Nexhmi Krasniqi, Naser Shala, Behlul Limaj, Besim Shurdha e Refki Mazreku.

Dëshmitari X ka qenë pikënisja dhe nyja qendrore e këtij procesi.

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 18:24

Prishtinë – Portali LajmeShqip.com e publikon ekskluzivisht dokumentin e hartuar tash e një kohë të gjatë, me protagonist kyç të shumëpërfolurin Dëshmitarin X, aktakuzën e nxjerrur tash nga sirtarët e prokurorisë kundër Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, në Rastin Kleçka.

Burime nga EULEX-i kanë thënë dje për Portalin LajmeShqip.com se Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë të rëndë kundër Limajt dhe bashkëluftetarëve të tij.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës akuzohet për pesë pika, ndër të cilat për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, shqiptarë dhe serbë ushtarakë, policë dhe civilë.

Aktakuza është ngritur kundër Fatmir Limajt, Naser Krasniqit, Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës, Sabit Shalës, Refi Mazfrekut, Shaban Shalës, Behlul Limajt, Arben Krasniqit dhe Besim Shurdhaj.

Fatmir Limaj, vetë i dhjeti, akuzohet, siç thuhet në aktakuzë,  për “Krime Lufte kundër Popullsisë Civile dhe Robërve të Luftës, në shkelje të Neneve 142 dhe 144 të Kodit Penal të Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë”.

Ata, thuhet në dokument, akuzohen se në bashkëveprim, përfshirë edhe Dëshmitarin X dhe shtatë ushtarë të tjerë të paidentifikuar të UÇK-së, “dhunuan integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të papërcaktuar të civilëve serbë dhe shqiptarë dhe të burgosurve ushtarakë serbë, të paraburgosur në një qendër paraburgimi që gjendej në fshatin Kleçkë”.

Periudha kohore për të cilën është ngritur aktakuza, ka të bëjë me pjesën e parë të vitit 1999, konkretisht prej muajit janar deri në qershor, kohë kjo kur lufta në Kosovë ishte intensifikuar dukshëm dhe forcat policore, ushtarake e paramilitare të regjimit të Millosheviqit kryen krimet më makabre mbi shqiptarët.

Portali LajmeShqip.com e publikon ekskluzivisht dosjen dhe aktakuzën ndaj Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij në rastin Kleçka.

Ashtu siç edhe pritej, që në korrik të ngritej aktakuza ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës dhe Nënkryetarit të PDK-së, Fatmir Limaj, një gjë e tillë ka ndodhur mbrëmë. Portali LajmeShqip.com ka raportuar në orët e para të ditës së sotme se, prej dje, Limaj dhe bashkëluftëtarët e tij janë nën akuzë. (LajmeShqip.com)