Lajme Shqip Monday, 19 March 2012 13:27

Ndeshja derbi e kampionatit grek të futbollit mes Panathinakos dhe Olimpiakos është kthyer në një përleshje të përgjakshme mes tifozëve të skuadrës vendase dhe policisë. 

Incidentet kanë filluar që para ndeshjes, ndërsa kanë sjellë edhe ndërprerjen e saj përfundimtare në minutën e 82-të. Policia bëri të ditur se janë marrë në pyetje 57 persona, ndërsa janë arrestuar 20 të tjerë. Për shkak të dhunës së ushtruar nga tifozët, janë plagosur 9 policë, ku dy prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Për shkak të rivalitetit të ndezur mes dy skuadrave, asnjë tifoz i Olimpiakos nuk ishte në stadium, por kjo nuk i ndaloi tifozët e Panathinaikos të hidhnin bomba molotov kundër policisë dhe lojtarëve në fushë gjatë ndeshjes.

Përplasjet mes policisë dhe tifozëve filluan që para ndeshjes, ku qindra tifozë kërkuan të hynin në stadium pa biletë. Konflikti në fjalë vazhdoi për një kohë të gjatë, duke detyruar që fillimi i pjesës së dytë të shtyhej për 35 minuta.

Ndërkohë, një grup prej rreth 200 personash të maskuar ishte rreshtuar ne zonën VIP, pranë tunelit që çon në dhomat e zhveshjeve. Disa prej tyre mbanin në duar shufra hekuri, ndërsa nuk ngurruan të sulmonin policinë kur ajo u mundua t’i largonte nga kjo zonë. Në një moment të caktuar, rreth 30 huliganë rrethuan 2 policë dhe i rrahën me shkopinj dhe shufra hekuri për rreth 5 minuta, aq sa iu desh një reparti policor për të çarë turmën dhe për të nxjerrë të gjallë dy kolegët.

Pjesa e dytë ishte ajo që i dha fund idesë se në një situatë të tillë mund të luhej futboll, sidomos pas golit të shënuar nga Olimpiakos. Tifozët e Panathinaikos filluan t’i vinin zjarrin pjesëve të ndryshme të stadiumit dhe gjyqtari vendosi për ndërprerjen përfundimtare të takimit kur nga tribunat filluan të vërviteshin bomba molotov. Televizionet që transmetonin ndeshjen vendosën të mos i bënin reklamë idiotësisë së tifozëve, për këtë arsye, pamjet e vetme janë ata amatore që janë publikuar në YouTube. (LajmeShqip.com)