Lajme Shqip Wednesday, 17 April 2013 17:22

SHBA – Ish-ambasadori i SHBA’së në Kosovë, Christopher Dell ka ironizuar me shtetin kosovar.

Ai ka postuar një fotografi, në rrjetin social Facebook, në të cilën shihen dy lopë në veturë të tipit “Lada”, ndërsa mbi fotografi është fjalia shqip “Nga xhami i një lambo”.

“Kosova e pandryshueshme dhe nuk është duke ndryshuar”, ka shkruar Dell për foton e postuar.

Ndaj këtij komenti ka reaguar aktori Blerim Gjoci, i cili ka thënë se fotografia nuk është bërë në Kosovë.

“Fotografia nuk është në Kosovë. Makina është një tip ‘Lada’, që në Kosovë nuk është duke u përdorur që nga vitet e 90’ta”, ka replikuar Gjoci.

“Megjithatë, një mbishkrim është i shënuar në fotografi në gjuhën shqipe, haha”, ka reaguar Dell.

Christopher Dell ka qenë i përfshirë në shumicën e ngjarjeve politike në Kosovë. Ai ishte bërë shkas për zgjedhjen e përkohshme të Behgjet Pacollit.

Po ashtu, Dell kishte nxjerr emrin e Atifete Jahjagës nga zarfi dhe ua kishte imponuar partive politike zgjedhjen e saj në krye të shtetit.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 July 2012 20:11

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot pasdite në një takim lamtumire ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kristofer Dell, të cilin e dekoroi me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm Dr.Ibrahim Rugova, për kontribut të veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit në Republikën e Kosovës.

Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, zv/kryeministrat e Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, Slobodan Petroviç e Mimoza Kusari, ministrat Enver Hoxhaj e Bajram Rexhepi e zyrtarë të tjerë të lartë.

Presidentja Jahjaga,  sipas zyrës së shtypit të presidencës, theksoi se është e nderuar që si Presidente e vendit të shpreh falënderimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës për angazhimin, punën dhe mbështetjen e pakursyer që ambasadori Dell ka bërë në Kosovë, për popullin dhe institucionet e Kosovës. “Medalja Urdhri për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm, Dr Ibrahim Rugova është një përkujdesje e vogël simbolike për të shprehur vlerësimin dhe falënderimin tonë për punën jo vetëm në mandatin e parë, por edhe për mandatin e dytë, që Ambasadori Dell ka bërë në ndihmë të Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, për liritë dhe të drejtat e njeriut, zhvillimin e proceseve demokratike, për sundimin e rendit dhe ligjit dhe për shtet ndërtimin”, vijoi Presidentja Jahjaga.

“Medalja e dhënë është për vepër humane, të principeve të paqes, demokracisë dhe humanizmit, principe këto të qytetërimit të sotëm botëror. Këto janë gjithashtu principe të cilat simbolizojnë më së miri Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju keni qenë një përfaqësues i mirë për Shtetet e Bashkuara dhe ne vlerësojmë këtë miqësi, shtetin aleat që ka qenë pranë nesh jo vetëm në kohë të vështira por në të gjitha proceset e zhvillimit. Dhe tani vendi ynë ka një të ardhme të ndritur drejt integrimit të plotë në struktura euro-atlantike”, theksoi kreu i Republikës së Kosovës.

Ndërsa Ambasadori Kristofer Dell u shpreh i nderuar për dekoratën që ia dha Presidentja Jahjaga. “Faleminderit të gjithëve që jeni sot këtu. Jam veçanërisht i nderuar që tre presidentët e Kosovës janë këtu sot, dhe simbolikisht edhe Dr. Rugova është me ne sot në ndarjen e këtij çmimi. Dr. Rugovën e kam njohur mirë që nga vizita ime e parë këtu dhe vlerat të cilat ai pati përqafuar dhe rolin që luajti në përpjekjet e Kosovës për të fituar lirinë dhe pavarësinë janë vërtet inspirim për të gjithë ne që kemi privilegjin të punojmë me institucionet e Kosovës dhe lidershipin e Kosovës dhe mbi të gjitha të kemi mundësinë të njohim popullin e Kosovës”, tha Dell.

“Është nder i madh të marr një çmim me emrin e Dr. Rugovës dhe do ta kujtoj gjithmonë së bashku me të gjitha kujtimet e mia për të gjithë ju dhe për kohën e  kaluar këtu”, shtoi ai. “Siç e thash në ngjarjen e mbrëmshme, është vërtetë një privilegj të jesh diplomat amerikan që punon në Kosovë. Nuk ka ndonjë shtet tjetër në botë ku Shtetet e Bashkuara priten aq ngrohtë dhe aq sinqerisht si në këtë shtet, ku një person mund të jetë përfaqësues i një shteti por po ashtu ta ndjejë dashurinë e popullit të atij vendi në të cilin ai është akredituar. Kjo është diçka që Tedi dhe unë, dhe familja jonë do ta kujtojë për tërë jetën dhe shpresojmë që do t’ju vizitojmë shumë shpesh në të ardhmen”, theksoi Ambasadori i SHBA, Kristofer Dell, njoftoi Presidenca kosovare.

Mbrëmë,  kryeministri Hashim Thaçi ka shtruar një darkë lamtumire për ambasadorin amerikan Kristofer Dell, i cili e përfundon misionin në Kosovë dhe gjatë ditëve të ardhshme kthehet në atdhe. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 January 2012 12:07

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ka bërë publik qëllimin e tij për të nominuar Tracey Ann Jacobson në postin e ambasadores së SHBA-së në Republikën e Kosovës. Kjo është bërë e ditur zyrtarisht nga Shtëpia e Bardhë.

Ambasadorja Jacobson, një diplomate karriere nga Shërbimi i Lartë Diplomatik, momentalisht shërben si zëvendës drejtoreshë e Institutit për Shërbim të Jashtëm (FSI).

Sipas informacioneve zyrtare nga Shtëpia e Bardhë, Jacobson më parë ka qenë ambasadore e SHBA-së në Taxhikistan (2006-2009) dhe në Turkmenistan (2003-2006), ndërsa para këtyre detyrave ka shërbyer edhe si zëvendës shefe e misionit në Ambasadën Amerikane në Rigë të Letonisë.

Ambasadorja Jacobson ka shërbyer edhe si zëvendës sekretare ekzekutive në Këshillin Kombëtar të Sigurisë.

Pasi të jetë konfirmuar nga Senati, Tracey Ann Jacobson do të zëvendësojë Christopher Dellin, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Kosovë prej vitit 2009, ndërsa sipas informacioneve të publikuara më parë nga Koha Ditore, ai pritet të vazhdojë punën në Gjermani, në postin e zëvendës komandantit në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Afrikën, që Shtabin e ka në Shtutgart të Gjermanisë.

“Duket se më në fund do të më bëhet të jetoj në Gjermani për postin tim të ardhshëm, si zëvendëskomandant i Komandës për Afrikë në Stuttgart. Është e vetmja komandë e unifikuar ushtarake e SHBA-së me një zëvendës civil”, pat thënë Dell në një mesazh të postuar në rrjetin social, Facebook, pat raportuar ‘Koha Ditore’ nëntorin e kaluar.

Sipas praktikës së administratës, pas bërjes publike të nominimeve brenda javës lista me emrat i përcillet Senatit për konfirmim. Pasi të jetë konfirmuar nga Senati, kandidati bën betimin, dhe e tërë procedura prej nominimit deri në betim mund të zgjatë deri në dy muaj, por në disa raste edhe më shumë.

Ambasadori i tanishëm i SHBA-së, Dell, ka shërbyer dy herë në Kosovë, në krye të përfaqësimit diplomatik amerikan, së pari si shef i Zyrës Amerikane, në vitet 2000-2001, dhe tani, si ambasador i SHBA-së.

Megjithatë, gjatë mandatit të dytë në Kosovë, ambasadori Dell ka nxitur edhe reagime negative, posaçërisht në atë që është parë te jetë ndërhyrje në proceset politike dhe ekonomike në vend, si dhe me sulmet e hapura ndaj medies së lirë – para së gjithash gazetës ‘Koha Ditore’.

 

 
Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 16:43

Prishtinë – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Dell sërish ka sulmuar gazetën “Koha Ditore”. Ngjashëm si në rastin me SMS-të presidencialë, atij nuk i pëlqen ekspozimi i një të vërtete.

Kësaj radhe bëhet fjalë për fjalët e vetë ambasadorit, që i ka thënë në konferencën “Kosovo talks EU”, të mbajtur në hotelin “Emerald” më 31 tetor 2011, e të cilat “Koha Ditore” i ka raportuar në gazetën e 1 nëntorit, 2011.

Plot dhjetë ditë, asnjë reagim. Dhe tani, dhjetë ditë më vonë, në një intervistë dhënë seksionit shqip të “Zërit të Amerikës” (www.voanews.com/albanian/news/), të ritransmetuar me padurim nga RTK-ja mbrëmjen e së mërkurës (www.rtklive.com), ambasadori amerikan reagon dhe thotë se deklarimi i tij se Kosova ka një skenë politike të papërgjegjshme është raportuar i pasaktë nga “Koha Ditore” dhe vazhdon me akuza se “Koha Ditore” është “e papërgjegjshme”, se i paskëshim “shtrembëruar” fjalët e tij, se synimi ynë paska qenë “krijimi i kryetitujve të zëshëm që nxisin pikëpamje tendencioze politike në shërbim të interesave private politike të maskuara me gazetari objektive”.

Po të vinin këto akuza nga një zëdhënës qeveritar, nga ndonjë kolumnist partiak, apo edhe nga ndonjë ndërkombëtar me punë private në Kosovë, do t’i injoronim tërësisht, sikur që kemi bërë shpesh në të kaluarën, meqë puna jonë shihet shumë qartë dhe madje çdo ditë – lexuesit dhe publiku i gjerë i Kosovës e dinë shumë mirë nivelin profesional të “Kohës Ditore”, të ndërtuar me vite.

Megjithatë, meqë këto akuza vijnë nga një diplomat, për më tepër nga ai që i përfaqëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës – shtetin më të respektuar nga populli dhe shoqëria e Kosovës, shtetin që për ne është simboli i lirisë dhe i demokracisë, e për ne në “Kohën Ditore” edhe simbol i lirisë së fjalës dhe shtypit – “Koha Ditore” nuk mund t’i injorojë këto akuza.

Sepse këto akuza janë të paqëndrueshme. Sepse këto akuza nuk janë të vërteta. Sepse ne kemi dëshmi se punën e kemi kryer si duhet.

E tëra që “Koha Ditore” ka raportuar atë ditë është e saktë. Dell i ka thënë ato që janë botuar në gazetë. Gazeta ka incizimin e fjalëve të tij. Këtë incizim tashmë e kemi postuar në portalin tonë – www.koha.net – dhe e kemi transmetuar në Kohavision. Më poshtë mund të gjeni përkthimin e plotë të pjesëve në fjalë nga deklarimi i ambasadorit, i cili në përgjithësi ishte rreth 20 minuta.

Dhe aty do të shihni se “Koha Ditore” e thotë të vërtetën.

Sa për Dellin, në Amerikën e lirisë, një i tillë do t’i kishte kërkuar falje gazetës për përbaltjen e padrejtë që ia bën. Në Kosovë nuk e presim një gjest të tillë. Por nuk mund dhe nuk do të rrimë të heshtur përballë sulmeve ndaj lirisë së fjalës si ky!

Përkthimi i pjesëve të fjalimit të ambasadorit Dell

“Pa dashje, bashkësia ndërkombëtare në disa raste ka qenë si në epokën e Milosheviqit në raport me kosovarët. Kjo ka ndodhur duke ua dhënë kosovarëve një dukje joreale të qeverisjes së tyre. Po flas këtu për dështimet e UNMIK-ut në krijimin e institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse. Ato institucione u krijuan, por PSSP-ja ka mbajtur të gjitha përgjegjësitë në duart e veta. Kjo ka zhvilluar papërgjegjësinë te klasa politike e Kosovës, ndonëse ata duhet të jenë përgjegjës.

Kosova historikisht ka kaluar nga një krizë politike në një krizë tjetër. Disa nga këto kriza janë zgjidhur duke u zëvendësuar nga kriza edhe më të mëdha. Kjo për një kohë të gjatë është bërë mënyrë e qeverisjes. Kjo papërgjegjësi ka zhvilluar edhe media të papërgjegjshme dhe natyrisht një klase politike e cila në fund të ditës nuk është e aftë të marrë vendime pa e pasur dikë që i shtyn drejt vendimeve ose u gjen zgjidhje problemeve.

Duhet ta pranojmë se qëllimeve të bashkësisë ndërkombëtare, sado qëllimmira dhe të dizajnuara mirë të jenë, nganjëherë u skadon afati.

Për ta thënë më thjesht, Kosova po zhvillohet më shpejt si shoqëri, më shpejt sesa ne kemi mundësi të vlerësojmë prezencat tona këtu. Plani i Ahtisaarit është diskutuar më 2006. Prezencat ndërkombëtare këtu janë vendosur dhe strukturuar në ‘99 dhe 2007. Kushdo që e viziton Kosovën, rregullisht e sheh sesa shpejt ka ndryshuar kjo shoqëri. Kur mandatet vendosen, është vështirë që të ndryshohen… Është vështirë të ndryshohen mandatet me pesë shtetet që nuk e njohin pavarësinë. Por nuk është vetëm kjo. Duhet të balancohet NATO-ja me BE-në, SHBA-ja me BE-në. Si rezultat i kësaj ndodh që pritjet e qytetarëve të jenë më të mëdha sesa që ne prezenca ndërkombëtare mund të bëjmë…

… Më 2004, kur Kombet e Bashkuara injoruan dëshirën e shumicës shqiptare për pavarësi, pamë sërish dhunë. Ishte dhunë ndëretnike, por e kishim të qartë se mesazhi ishte për bashkësinë ndërkombëtare. Situata në veri mund të dërgojë te situata të ngjashme. Krahas konsultimit me Prishtinën dhe Beogradin, si dhe marrjen parasysh të vullnetit të pakicës atje, duhet të mos e injorojmë vullneti e shumicës… Duhet të bëjmë një analizë dhe të kuptojmë nëse kompetencat ekzekutive të EULEX-it e kanë ndihmuar apo penguar zhvillimin e institucioneve të drejtësisë në Kosovë. Nëse gjithmonë ka një prezencë ndërkombëtare që si një vëlla i madh i kryen punët e vështira, institucionet vendëse do të mësohen që të mos merren me ato punë”.

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 20:44

Prishtinë – Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell ka mohuar mundësinë e largimit të shpejtë nga misioni diplomatik në Kosovë. Megjithëse kishte paralajmëruar se po transferohet në një mision tjetër ushtarak në kuadër të armatës amerikane, Dell në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se do ta respektojë mandatin trevjeçar, transmeton Koha.

“Jo. Jo së shpejti. Mandati im është trevjeçar dhe ai përfundon në verën e ardhshme”, ka thënë Dell për VOA.

Christopher Dell ka folur edhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit. Sipas tij, idetë e Beogradit për ndarjen e Kosovës janë të tejkaluara. Ai tërheq vërejtjen se interesat e Beogradit janë të ndryshme nga serbët në veriun e Kosovës, të cilëve duhet krijuar hapësirë për të punuar me Prishtinën dhe komunitetin ndërkombëtar. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Lajme Shqip Tuesday, 08 November 2011 18:00

Prishtinë – Duket se ambasadori amerikan në Prishtinë përgatitet për largim nga Kosova. Bazuar në një mesazh postuar në rrjetin social Facebook, Christopher Dell pret të emërohet në postin e zëvendësit të komandantit në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Afrikë, që Shtabin e ka në Stuttgart të Gjermanisë.

“Duket se më në fund do të më bëhet të jetoj në Gjermani për postimin tim të ardhshëm, si zëvendëskomandant i Komandës për Afrikë në Stuttgart. Është e vetmja komandë e unifikuar ushtarake e SHBA-së me një zëvendës civil”, ka shkruar Dell në Facebook.

Sipas mesazhit që Dell e ka ndarë me miqtë e tij në rrjetin social, në Gjermani tashmë ka siguruar vend pune edhe për bashkëshorten e tij, Teodora Dell. Megjithatë, Dell duket se mendon edhe përtej postit të ri diplomatik.

“Po ashtu vazhdoj të kërkoj një vend pune në sektorin privat”, shkruan ai në Facebook.

Koha Ditore në numrin e sotëm të saj ka shkruar se ka kontaktuar me zyrtarë të Ambasadës së SHBA-së për të marrë komente në lidhje me mundësinë e largimit të ambasadorit Dell, por asnjë koment nuk ka qenë e mundur të merret.

Komanda për Afrikë e Ushtrisë së SHBA-së është një nga nëntë komandat e tilla të unifikuara luftarake të Forcave të Armatosura të SHBA-së, dhe Shtabin e kanë në kazermën “Kelley” në Stuttgart. Kjo komandë është përgjegjëse për operacione dhe marrëdhënie ushtarake me 53 vende të Afrikës, një rajon që mbulon të gjithë kontinentin afrikan përveç Egjiptit.

Komandanti i tanishëm i kësaj Komande është gjenerali Carter F. Ham dhe ai i raporton sekretarit amerikan të Mbrojtjes, ndërsa ka dy zëvendës- njëri për operacione ushtarake dhe tjetri për aktivitete civile-ushtarake.

Zëvendësi i parë është oficer nga forcat amerikane, ndërsa i dyti është emërim civil.

Momentalisht postin e zëvendëskomandantit për operacione ushtarake e mban viceadmirali Charles Leidig, ndërsa postin e zëvendëskomandantit civil në Komandën për Afrikë e mban ambasadori J. Anthony Holmes. (LajmeShqip.com)