Lajme Shqip Tuesday, 24 July 2012 20:11

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot pasdite në një takim lamtumire ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kristofer Dell, të cilin e dekoroi me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm Dr.Ibrahim Rugova, për kontribut të veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit në Republikën e Kosovës.

Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, zv/kryeministrat e Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, Slobodan Petroviç e Mimoza Kusari, ministrat Enver Hoxhaj e Bajram Rexhepi e zyrtarë të tjerë të lartë.

Presidentja Jahjaga,  sipas zyrës së shtypit të presidencës, theksoi se është e nderuar që si Presidente e vendit të shpreh falënderimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës për angazhimin, punën dhe mbështetjen e pakursyer që ambasadori Dell ka bërë në Kosovë, për popullin dhe institucionet e Kosovës. “Medalja Urdhri për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm, Dr Ibrahim Rugova është një përkujdesje e vogël simbolike për të shprehur vlerësimin dhe falënderimin tonë për punën jo vetëm në mandatin e parë, por edhe për mandatin e dytë, që Ambasadori Dell ka bërë në ndihmë të Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, për liritë dhe të drejtat e njeriut, zhvillimin e proceseve demokratike, për sundimin e rendit dhe ligjit dhe për shtet ndërtimin”, vijoi Presidentja Jahjaga.

“Medalja e dhënë është për vepër humane, të principeve të paqes, demokracisë dhe humanizmit, principe këto të qytetërimit të sotëm botëror. Këto janë gjithashtu principe të cilat simbolizojnë më së miri Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju keni qenë një përfaqësues i mirë për Shtetet e Bashkuara dhe ne vlerësojmë këtë miqësi, shtetin aleat që ka qenë pranë nesh jo vetëm në kohë të vështira por në të gjitha proceset e zhvillimit. Dhe tani vendi ynë ka një të ardhme të ndritur drejt integrimit të plotë në struktura euro-atlantike”, theksoi kreu i Republikës së Kosovës.

Ndërsa Ambasadori Kristofer Dell u shpreh i nderuar për dekoratën që ia dha Presidentja Jahjaga. “Faleminderit të gjithëve që jeni sot këtu. Jam veçanërisht i nderuar që tre presidentët e Kosovës janë këtu sot, dhe simbolikisht edhe Dr. Rugova është me ne sot në ndarjen e këtij çmimi. Dr. Rugovën e kam njohur mirë që nga vizita ime e parë këtu dhe vlerat të cilat ai pati përqafuar dhe rolin që luajti në përpjekjet e Kosovës për të fituar lirinë dhe pavarësinë janë vërtet inspirim për të gjithë ne që kemi privilegjin të punojmë me institucionet e Kosovës dhe lidershipin e Kosovës dhe mbi të gjitha të kemi mundësinë të njohim popullin e Kosovës”, tha Dell.

“Është nder i madh të marr një çmim me emrin e Dr. Rugovës dhe do ta kujtoj gjithmonë së bashku me të gjitha kujtimet e mia për të gjithë ju dhe për kohën e  kaluar këtu”, shtoi ai. “Siç e thash në ngjarjen e mbrëmshme, është vërtetë një privilegj të jesh diplomat amerikan që punon në Kosovë. Nuk ka ndonjë shtet tjetër në botë ku Shtetet e Bashkuara priten aq ngrohtë dhe aq sinqerisht si në këtë shtet, ku një person mund të jetë përfaqësues i një shteti por po ashtu ta ndjejë dashurinë e popullit të atij vendi në të cilin ai është akredituar. Kjo është diçka që Tedi dhe unë, dhe familja jonë do ta kujtojë për tërë jetën dhe shpresojmë që do t’ju vizitojmë shumë shpesh në të ardhmen”, theksoi Ambasadori i SHBA, Kristofer Dell, njoftoi Presidenca kosovare.

Mbrëmë,  kryeministri Hashim Thaçi ka shtruar një darkë lamtumire për ambasadorin amerikan Kristofer Dell, i cili e përfundon misionin në Kosovë dhe gjatë ditëve të ardhshme kthehet në atdhe. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 07 July 2012 10:00

Prishtinë-Ambasadori i SHBA-vë në Kosovë, Christofer Dell në përfundim të mandatit të tij ka thënë se Kosova ka problem me të ardhurat për kokë banori ngase i ka më të ulëtat në rajon dhe se nuk ka punuar mjaft në luftimin e korrupsionit.

Ai ka thënë se nuk duhet hyrë në spekulime për një takim të mundshëm mes Thaçit dhe Daçiqit dhe se, sipas tij, për bisedimet mes dy vendeve duhet të vendos Qeveria ngase janë të zgjedhurit e popullit, ndërsa opozita ka të drejtë ta shprehë mendimin e vetë çfarëdo qoftë ai.

Këto i ka deklaruar në një intervistë në RTK, duke treguar se puna e tij e ardhshme do të jetë një pozite civile, ku do shërbejë si zëvendëskomandant i Forcave të Armatosura të SHBA-vë në Afrikë, megjithëse këtë punë do ta bëjë nga zyra e tij në Shtutgart. I pyetur se a e sheh të mundshëm një takim mes Thaçit dhe ndonjë përfaqësuesi serb, ai është shprehur se po, por që sipas tij, duhet të kenë një arsye dhe një qëllim.

“Po është i mundur të takohen, duhen takuar. Nuk bëhet takimi sa për takim, duhet të ketë arsye, qëllim apo synim, unë besoj se është e parakohshme të fillohen spekulimet se kur dhe pse. T’i lejomë atyre hapësirë të krijojnë Qeverinë, të shohin cilat janë proceset e mundshme dhe pastaj në bazë të kësaj të gjykojmë se a mund të bëhet një takim i tillë, a mund të bëhet një hap. Është tepër e parakohshme të bëhet spekulim për takimin mes Thaçit dhe Daçiqit si kryeministër, apo Nikoliqit si president. Duhet arsye për ta arritur këtë, duhet ta kuptojmë kontekstin përpara se të fillojmë për zgjidhje dhe takime”, ka thënë ai.

Sa i përket bisedimeve mes dy vendeve dhe kundërshtimit të opozitës, ai ka thënë se opozita ka të drejtë ta mendojë këtë por kur je në pushtet ke përgjegjësi shumë të mëdha, dhe ata që janë në pushtet kanë përgjegjësi të vendosin, për më të mirën e qytetarëve. Dell ka thënë se për tre vitet e fundit në përgjithësi i duket se ka pasur progres në disa gjëra, si në tejkalimin e krizës me ndërrimin e Presidentëve pastaj përballja e Kushtetutës me krizë dhe tejkalimi i saj.

“Në dy fusha që do duhej të bëhej më shumë është zhvillimi ekonomik, ka shkallë të rritjes por ka të ardhurat më të ulëta në rajon për person, po bëhet punë e mirë por duhet edhe më shumë. Dhe keni çështjen e korrupsionit ku besojë se luftimi i korrupsionit është i rëndësishme sepse gërryen besimin e njerëzve tek institucionet por edhe dëmton vendin, nuk mund të tërhiqet një investitor të huaj në një situatë ku interesat e fuqishme mund të manipulojnë”, ka thënë ai. Dell ka thënë se nuk brengoset nëse po ndryshon imazhi i Kosovës. Sipas tij, duhet ndryshuar faktet.

“Duhet bërë më shumë, kjo është e qartë. A janë institucionet e Kosovës a EULEX-i, asnjëri nuk kanë bërë mjaftueshëm për luftimin e korrupsionit. Nganjëherë duket që është më së keqi në Kosovë por kjo nuk është e vërtetë. E vetmja mënyrë është t’i sulmoni këta njerëz, duke bërë shembull nëse e hiqni ndjenjën e mosdënueshmërisë, atëherë korrupsioni fillon të zgjidh vetveten sepse të zënit në vepër është shumë dënim më i lartë. Ata duhet kuptuar se ka dënim të madh dhe atëherë do ketë frikë”, ka thënë ai.

Sa i përket pasardhëses së tij në këtë post, ka thënë se është shumë profesionale, por që nuk mund të flet për përshtypjet e saj për Kosovën. Dell ka thënë se pas Kosovës do të punojë në Shtutgart por do të shërbejë si zëvendëskomandant i Forcave të Armatosura të SHBA-së në Afrikë, një pozitë civile kjo. Por, Dell ka thënë se patjetër do ta vizitojë Kosovën, ngase i është krijuar një dashuri për të.

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 January 2012 12:07

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ka bërë publik qëllimin e tij për të nominuar Tracey Ann Jacobson në postin e ambasadores së SHBA-së në Republikën e Kosovës. Kjo është bërë e ditur zyrtarisht nga Shtëpia e Bardhë.

Ambasadorja Jacobson, një diplomate karriere nga Shërbimi i Lartë Diplomatik, momentalisht shërben si zëvendës drejtoreshë e Institutit për Shërbim të Jashtëm (FSI).

Sipas informacioneve zyrtare nga Shtëpia e Bardhë, Jacobson më parë ka qenë ambasadore e SHBA-së në Taxhikistan (2006-2009) dhe në Turkmenistan (2003-2006), ndërsa para këtyre detyrave ka shërbyer edhe si zëvendës shefe e misionit në Ambasadën Amerikane në Rigë të Letonisë.

Ambasadorja Jacobson ka shërbyer edhe si zëvendës sekretare ekzekutive në Këshillin Kombëtar të Sigurisë.

Pasi të jetë konfirmuar nga Senati, Tracey Ann Jacobson do të zëvendësojë Christopher Dellin, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Kosovë prej vitit 2009, ndërsa sipas informacioneve të publikuara më parë nga Koha Ditore, ai pritet të vazhdojë punën në Gjermani, në postin e zëvendës komandantit në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Afrikën, që Shtabin e ka në Shtutgart të Gjermanisë.

“Duket se më në fund do të më bëhet të jetoj në Gjermani për postin tim të ardhshëm, si zëvendëskomandant i Komandës për Afrikë në Stuttgart. Është e vetmja komandë e unifikuar ushtarake e SHBA-së me një zëvendës civil”, pat thënë Dell në një mesazh të postuar në rrjetin social, Facebook, pat raportuar ‘Koha Ditore’ nëntorin e kaluar.

Sipas praktikës së administratës, pas bërjes publike të nominimeve brenda javës lista me emrat i përcillet Senatit për konfirmim. Pasi të jetë konfirmuar nga Senati, kandidati bën betimin, dhe e tërë procedura prej nominimit deri në betim mund të zgjatë deri në dy muaj, por në disa raste edhe më shumë.

Ambasadori i tanishëm i SHBA-së, Dell, ka shërbyer dy herë në Kosovë, në krye të përfaqësimit diplomatik amerikan, së pari si shef i Zyrës Amerikane, në vitet 2000-2001, dhe tani, si ambasador i SHBA-së.

Megjithatë, gjatë mandatit të dytë në Kosovë, ambasadori Dell ka nxitur edhe reagime negative, posaçërisht në atë që është parë te jetë ndërhyrje në proceset politike dhe ekonomike në vend, si dhe me sulmet e hapura ndaj medies së lirë – para së gjithash gazetës ‘Koha Ditore’.

 

 
Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 16:43

Prishtinë – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Dell sërish ka sulmuar gazetën “Koha Ditore”. Ngjashëm si në rastin me SMS-të presidencialë, atij nuk i pëlqen ekspozimi i një të vërtete.

Kësaj radhe bëhet fjalë për fjalët e vetë ambasadorit, që i ka thënë në konferencën “Kosovo talks EU”, të mbajtur në hotelin “Emerald” më 31 tetor 2011, e të cilat “Koha Ditore” i ka raportuar në gazetën e 1 nëntorit, 2011.

Plot dhjetë ditë, asnjë reagim. Dhe tani, dhjetë ditë më vonë, në një intervistë dhënë seksionit shqip të “Zërit të Amerikës” (www.voanews.com/albanian/news/), të ritransmetuar me padurim nga RTK-ja mbrëmjen e së mërkurës (www.rtklive.com), ambasadori amerikan reagon dhe thotë se deklarimi i tij se Kosova ka një skenë politike të papërgjegjshme është raportuar i pasaktë nga “Koha Ditore” dhe vazhdon me akuza se “Koha Ditore” është “e papërgjegjshme”, se i paskëshim “shtrembëruar” fjalët e tij, se synimi ynë paska qenë “krijimi i kryetitujve të zëshëm që nxisin pikëpamje tendencioze politike në shërbim të interesave private politike të maskuara me gazetari objektive”.

Po të vinin këto akuza nga një zëdhënës qeveritar, nga ndonjë kolumnist partiak, apo edhe nga ndonjë ndërkombëtar me punë private në Kosovë, do t’i injoronim tërësisht, sikur që kemi bërë shpesh në të kaluarën, meqë puna jonë shihet shumë qartë dhe madje çdo ditë – lexuesit dhe publiku i gjerë i Kosovës e dinë shumë mirë nivelin profesional të “Kohës Ditore”, të ndërtuar me vite.

Megjithatë, meqë këto akuza vijnë nga një diplomat, për më tepër nga ai që i përfaqëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës – shtetin më të respektuar nga populli dhe shoqëria e Kosovës, shtetin që për ne është simboli i lirisë dhe i demokracisë, e për ne në “Kohën Ditore” edhe simbol i lirisë së fjalës dhe shtypit – “Koha Ditore” nuk mund t’i injorojë këto akuza.

Sepse këto akuza janë të paqëndrueshme. Sepse këto akuza nuk janë të vërteta. Sepse ne kemi dëshmi se punën e kemi kryer si duhet.

E tëra që “Koha Ditore” ka raportuar atë ditë është e saktë. Dell i ka thënë ato që janë botuar në gazetë. Gazeta ka incizimin e fjalëve të tij. Këtë incizim tashmë e kemi postuar në portalin tonë – www.koha.net – dhe e kemi transmetuar në Kohavision. Më poshtë mund të gjeni përkthimin e plotë të pjesëve në fjalë nga deklarimi i ambasadorit, i cili në përgjithësi ishte rreth 20 minuta.

Dhe aty do të shihni se “Koha Ditore” e thotë të vërtetën.

Sa për Dellin, në Amerikën e lirisë, një i tillë do t’i kishte kërkuar falje gazetës për përbaltjen e padrejtë që ia bën. Në Kosovë nuk e presim një gjest të tillë. Por nuk mund dhe nuk do të rrimë të heshtur përballë sulmeve ndaj lirisë së fjalës si ky!

Përkthimi i pjesëve të fjalimit të ambasadorit Dell

“Pa dashje, bashkësia ndërkombëtare në disa raste ka qenë si në epokën e Milosheviqit në raport me kosovarët. Kjo ka ndodhur duke ua dhënë kosovarëve një dukje joreale të qeverisjes së tyre. Po flas këtu për dështimet e UNMIK-ut në krijimin e institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse. Ato institucione u krijuan, por PSSP-ja ka mbajtur të gjitha përgjegjësitë në duart e veta. Kjo ka zhvilluar papërgjegjësinë te klasa politike e Kosovës, ndonëse ata duhet të jenë përgjegjës.

Kosova historikisht ka kaluar nga një krizë politike në një krizë tjetër. Disa nga këto kriza janë zgjidhur duke u zëvendësuar nga kriza edhe më të mëdha. Kjo për një kohë të gjatë është bërë mënyrë e qeverisjes. Kjo papërgjegjësi ka zhvilluar edhe media të papërgjegjshme dhe natyrisht një klase politike e cila në fund të ditës nuk është e aftë të marrë vendime pa e pasur dikë që i shtyn drejt vendimeve ose u gjen zgjidhje problemeve.

Duhet ta pranojmë se qëllimeve të bashkësisë ndërkombëtare, sado qëllimmira dhe të dizajnuara mirë të jenë, nganjëherë u skadon afati.

Për ta thënë më thjesht, Kosova po zhvillohet më shpejt si shoqëri, më shpejt sesa ne kemi mundësi të vlerësojmë prezencat tona këtu. Plani i Ahtisaarit është diskutuar më 2006. Prezencat ndërkombëtare këtu janë vendosur dhe strukturuar në ‘99 dhe 2007. Kushdo që e viziton Kosovën, rregullisht e sheh sesa shpejt ka ndryshuar kjo shoqëri. Kur mandatet vendosen, është vështirë që të ndryshohen… Është vështirë të ndryshohen mandatet me pesë shtetet që nuk e njohin pavarësinë. Por nuk është vetëm kjo. Duhet të balancohet NATO-ja me BE-në, SHBA-ja me BE-në. Si rezultat i kësaj ndodh që pritjet e qytetarëve të jenë më të mëdha sesa që ne prezenca ndërkombëtare mund të bëjmë…

… Më 2004, kur Kombet e Bashkuara injoruan dëshirën e shumicës shqiptare për pavarësi, pamë sërish dhunë. Ishte dhunë ndëretnike, por e kishim të qartë se mesazhi ishte për bashkësinë ndërkombëtare. Situata në veri mund të dërgojë te situata të ngjashme. Krahas konsultimit me Prishtinën dhe Beogradin, si dhe marrjen parasysh të vullnetit të pakicës atje, duhet të mos e injorojmë vullneti e shumicës… Duhet të bëjmë një analizë dhe të kuptojmë nëse kompetencat ekzekutive të EULEX-it e kanë ndihmuar apo penguar zhvillimin e institucioneve të drejtësisë në Kosovë. Nëse gjithmonë ka një prezencë ndërkombëtare që si një vëlla i madh i kryen punët e vështira, institucionet vendëse do të mësohen që të mos merren me ato punë”.

 
Lajme Shqip Tuesday, 16 August 2011 12:50

Prishtinë – Ndryshimet kushtetuese që janë në proces, do t’i japin të drejtë Gjykatës Kushtetuese ta shkarkojë Presidentin e Republikës së Kosovës, i cili do të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, kanë bërë të ditur burime të Portalit LajmeShqip.com.

Deri tash këtë kompetencë e ka pasur vetëm Kuvendi, siç ka pasur në kompetencë edhe zgjedhjen e presidentit, por ndryshimi i aktit më të lartë juridik të Republikës së Kosovës, këtë kompetencë do t’ia bartë Gjykatës Kushtetuese. Madje, edhe betimin Presidenti pritet ta bëjë në këtë Gjykatë.

Kjo parashihet në “Konkluzionet nga faza e parë e procesit të shqyrtimit dhe amandamentimit të Kushtetutës”, që e ka nxjerrë Komisioni parlamentar, i ngarkuar me këtë çështje.

Portali LajmeShqip.com ka siguruar një kopje të konkluzioneve, ku janë të ngritura rreth 30 pyetje, të përcjella me konkluzione dhe alternativa të ndryshme të ndryshimeve që duhet bërë.

Komisioni është dakorduar të ndërhyjë nga neni i Kushtetutës që përcakton formën e zgjedhjes së presidentit, pastaj kualifikimet për zgjedhjen, statusin e kandidatëve, mandatin dhe betimin, imunitetin, shkarkimin, zëvendësimin, e deri te kompetencat që do t’i ketë i pari i shtetit. Për secilën nga këto nene janë dhënë deri në tri alternativa të mundshme, se si duhet bërë ndryshimi.

Në dokumentin përmbledhës të ndryshimeve kushtetuese, është i bashkëngjitur edhe një prezantim i shkurtër për ecurinë e fazës së parë të amandamentimit të Kushtetutës, i bërë nga deputeti Arsim Bajrami, që është kryetar i Komisionit. Në fazën e parë janë organizuar tri punëtori dhe disa takime të rregullta, gjatë së cilave Komisioni fillimisht ka arritur të identifikojë të gjitha dispozitat kushtetuese që do të jenë objekt i shqyrtimit dhe amandamentimit.

Më pas, me ndihmën e një grupi të gjerë të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe, veçanërisht, asistencës teknike dhe profesionale të ofruar nga  USAID, NDI dhe IFES, Komisioni ka hyrë në procesin e shqyrtimit të detajuar të dispozitave Kushtetuese që duhet ndryshuar. Njëkohësisht, Komisioni është angazhuar edhe në përcaktimin e konturave për Ligjin për Zgjedhjen e Presidentit, dhe identifikimin e çështjeve që do të rregullohen me të.

Gjatë këtij procesi, komisioni ka konsultuar mbi 40 kushtetuta të shteteve të ndryshme, me fokus te veçantë në kushtetutat e vendeve që zgjedhin drejtpërdrejt presidentin. Deputeti Bajrami ka thënë për këtë dokument se “përveç që ofron një pasqyrë të qëndrimeve të anëtarëve të Komisionit, shërben edhe si bazë për përafrimin e qëndrimeve në çështjet e hapura, duke mundësuar kështu kalimin në fazën e dytë të procesit, kur do të hartohen drafti i parë i amendamenteve Kushtetuese dhe Projektligji për Zgjedhjen e Presidentit”.

Në vijim mund të gjeni një përmbledhje të konkluzioneve dhe alternativave të identifikuara si rezultat i punës dy mujore të Komisionit. Edhe pse në shumë aspekte ekziston koncensus brenda Komisionit, janë disa çështje që kanë mbetur ende të hapura dhe me shumë alternativa. (LajmeShqip.com)


 
Lajme Shqip Wednesday, 20 July 2011 16:02

Prishtinë – Hashim Thaçi merr në dorë frerët e imunitetit. Pas kundërshtimeve të prera të kryetarit të Parlamentit të Kosovës për t’iu adresuar Kushtetueses nëse mund t’iu hiqet ose jo imuniteti deputetëve të Kosovës, Qeveria Thaçi është treguar e prerë: do ta kryej vetë këtë punë.

Çështja heqjes së imunitetit për deputetët qe janë nën hetime duket se do të ketë një zgjidhje.

Pasi u refuzua kërkesa e EULEX-it drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, qe ky i fundit të kërkoj interpretim nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje, është Qeveria e Kosovës ajo që merr vendim për t’iu drejtuar  Kushtetueses.

Vendimi është marrë sot gjatë mbledhjes së rregullt të Qeverisë. Kryeministri Thaçi ka thënë se  ky vendim u morrë  në përputhje të plotë me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 12:16

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha sot se janë qytetarët ata që vendosin për fatin e njerëzve në politikë, e jo dikush tjetër.

Këto komente, Krasniqi i bëri pas kthimit nga vizita në Bruksel, si përgjigje ndaj kritikave të ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell, i cili kishte thënë se, me këto sjellje, Krasniqi po e rrezikon pozitën e tij.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, nuk i ndryshon qëndrimet e tij lidhur me rezolutën e Eulex-it përf heqjen e imunitetit të deputetëve.

Pas kthimit nga Brukseli, ku qëndroi për të shpjeguar opinionin e zyrës ligjore të Kuvendit, Krasniqi tha se përgjigja që ka marrë në Bruksel lidhet me atë se respektimi i rendit dhe ligjit është prioritar në shtetet demokratike. Ai tha se nuk e ka ndërmend të ndryshojë asgjë në përgjigjen që ai ka bërë gati t’ia dërgojë EULEX-it, lidhur me çështjen e imunitetit të deputetëve.

Ndërkaq duke komentuar kritikat e ambasadorit amerikan, Kris Dell se ai nuk është më i përshtatshëm të ushtrojë postin që mban, Krasniqi tha se në shoqëritë dhe shtetet demokratike, qytetarët vendosin për fatin e njerëzve në politikë, e jo dikush tjetër.

Kryetari Kuvendit, Jakup Krasniqi ishte ftuar në Bruksel, pikërisht për kërkesën që EULEX ka bërë lidhur me Rezolutën për heqjen e imunitetit të deputetëve.

**********************************************************************

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i është përgjigjur deklaratave të ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell, i cili ka thënë se Jakup Krasniqi, me sjelljet e tij, po e rrezikon pozitën.

Kryeparlamentari Krasniqi, ka thënë se janë qytetarët ata të cilët vendosin për fatin e politikanëve.

Këto komente, Jakup Krasniqi, i ka bërë pas vizitës së tij në Bruksel, ku ishte ftuar pikërisht për kërkesën që EULEX e ka bërë, lidhur me Rezolutën për heqjen e imunitetit të deputetëve.

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 18:52

Prishtinë – Raportet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian janë të shkëlqyeshme dhe duhet t’i ruajmë si sytë e ballit, deklaroi kryeministri Hashim Thaçi, duke mos pranuar të komentojë letërkëmbimin mes shefit të EULEX-it dhe Kryekuvendarit, Krasniqi, lidhur me heqjen e imunitetit për deputetët nën hetime dhe reagimin  e ambasadorit amerikan Kristofer Dell.

Kryeministri, Hashim Thaçi tha sot se qeveria nuk ka dërguar apo pranuar letra për sa i takon çështjes së imunitetit të deputetëve nën hetime, prandaj nuk ka pranuar as të komentoj për letërkëmbimin mes shefit të EULEX-it, Ksavier De Marnac dhe kryekuvendarit Jakup Krasniqi, sikundër nuk ka pranuar të komentoj as deklarimet e ambasadorit amerikan në Kosovë, Kristorfer Dell, për këtë rast. Por, kryeministri Thaçi ka tërhequr vërejtjen për ruajtjen e raporteve me SHBA-të dhe BE-në, të cilat i ka vlerësuar të shkëlqyeshme.

Reagimet u bënë pasi krye-kuvendari Jakup Krasniqi nuk ka pranuar kërkesën e shefit të EULEX-it, Ksavier De Marnac, që Kuvendi të miratoj një rezolutë për heqjen e imunitetit për deputetët që janë nën hetime.

Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Del, në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, tha se “me këtë qëndrim, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka zgjedhur të sfidojë komunitetin ndërkombëtar, të sfidojë miqtë më të mirë të Kosovës, në emër të mbrojtjes së një apo dy miqve të tij” .

Në konferencën për shtyp, kryeministri Thaçi foli edhe për rezultatet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në prag të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për marrëveshjet Kosovë -Serbi. Thaçi tha se është një keqkuptim se me Serbinë nuk është arritur marrëveshje apo kompromis. Ai bëri të ditur edhe takimin e zhvilluar me Veteranët e UÇK-së që po bëjnë grevë para ndërtesës së Qeverisë, dhe tha se shumë shpejt ligji për vlerat e luftës së UÇK-së, do të procedohet në Kuvend.

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 08:55

Prishtinë – Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, reagoi ashpër ndaj refuzimit të krye parlamentarit, Jakup Krasniqi, për të kërkuar heqjen e imunitetit të disa deputetëve që janë nën hetime.

Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, ambasadori Dell tha se me këtë qëndrim, kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, “ka zgjedhur të sfidojë komunitetin ndërkombëtar, të sfidojë miqtë më të mirë të Kosovës në emër të mbrojtjes së një apo dy miqve të tij”.

Ai tha se përderisa zoti Krasniqi “nuk dëshmon ndjenjë më të lartë të përgjegjesisë për të zgjidhur shumë probleme që ka pasur deri tash, do të jetë e pamundur për Shtetet e Bashkuara që të vazhdojnë të punojnë me të si partner”.

Dje, kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi, paraqiti para anëtarëve të Kryesisë përgjigjen që i ka kthyer shefit të EULEX-it, Ksavier Bu dë Marnjak, i cili kërkonte heqjen e imunitetit të deputetëve nën hetime.

Zoti Krasniqi shkruan në letrën drejtuar shefit të EULEX-it se nuk është përgjegjësi e Parlamenti të merret me çështjen e imunitetit dhe se në bazë të Kushtetutës, qeveria mund të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për imunitetin e deputetëve.

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 17:30

Prishtinë – Kryeparlamentari Jakup Krasniqi i është përgjigjur kërkesës së EULEX-it për heqjen e imunitetit të disa deputetëve. Në letrën me përgjigje për shefin e misionit, Ksavier Bot De Marnak, kreu i legjislativit ka thënë se qeveria mund të kërkojë vetë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për imunitetin e deputetit.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi u është përgjigjur kërkesave të misionit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, për fillimin e procedurave për heqjen e imunitetit të disa deputetëve, ndaj të cilëve po zhvillohen hetime. Përmes letrës, Krasniqi i ka thënë shefit të EULEX-it se nuk është përgjegjësi e Kuvendit që të merret me çështjen e imunitetit dhe se duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, Qeveria vetë mund të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për imunitetin e deputetit.

“Në rastin konkret, do të ishte normale që Qeveria, e cila ka shprehur interes për një rezolutë të tillë, ta paraqesë këtë iniciativë në Kuvend dhe Kryesia e Kuvendit do ta trajtojë atë sipas rregullores së Kuvendit”, thuhet mes tjerash në letrën e Krasniqit, të cituar nga agjencia e lajmeve Kosovapress.

Në këtë letër Krasniqi thekson se nuk ka nevojë të miratohet një rezolutë, kur Qeveria me Kushtetutë i ka të përcaktuara të drejtat e saja në këtë drejtim.

“Është shqetësuese të vërejmë që Qeveria kërkon një akt jodetyrues si rezoluta që të ushtrojë një funksion të saj kushtetues. Nëse do të ishte nevoja pwr një rezolutë të Kuvendit për ta vënë në lëvizje Qeverinë që kjo e fundit ta vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, Kushtetuta do ta kishte përcaktuar një gjë të tillë. Për mendimin tonë, një rezolutë e tillë do të ishte në vetvete një akt antikushtetues, sepse do të shkelte të drejtën e Qeverisë për ta përdorur paragrafin 10 të nenit 93 në lirinë dhe diskrecionin e saj të plotë”, thuhet në letër.

Anëtari i kryesisë nga vetëvendosja, Glauk Konjufca theksoi se kjo letër e Krasniqit është diskutuar në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit.