Lajme Shqip Tuesday, 24 July 2012 20:11

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot pasdite në një takim lamtumire ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kristofer Dell, të cilin e dekoroi me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm Dr.Ibrahim Rugova, për kontribut të veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit në Republikën e Kosovës.

Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, zv/kryeministrat e Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, Slobodan Petroviç e Mimoza Kusari, ministrat Enver Hoxhaj e Bajram Rexhepi e zyrtarë të tjerë të lartë.

Presidentja Jahjaga,  sipas zyrës së shtypit të presidencës, theksoi se është e nderuar që si Presidente e vendit të shpreh falënderimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës për angazhimin, punën dhe mbështetjen e pakursyer që ambasadori Dell ka bërë në Kosovë, për popullin dhe institucionet e Kosovës. “Medalja Urdhri për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm, Dr Ibrahim Rugova është një përkujdesje e vogël simbolike për të shprehur vlerësimin dhe falënderimin tonë për punën jo vetëm në mandatin e parë, por edhe për mandatin e dytë, që Ambasadori Dell ka bërë në ndihmë të Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, për liritë dhe të drejtat e njeriut, zhvillimin e proceseve demokratike, për sundimin e rendit dhe ligjit dhe për shtet ndërtimin”, vijoi Presidentja Jahjaga.

“Medalja e dhënë është për vepër humane, të principeve të paqes, demokracisë dhe humanizmit, principe këto të qytetërimit të sotëm botëror. Këto janë gjithashtu principe të cilat simbolizojnë më së miri Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju keni qenë një përfaqësues i mirë për Shtetet e Bashkuara dhe ne vlerësojmë këtë miqësi, shtetin aleat që ka qenë pranë nesh jo vetëm në kohë të vështira por në të gjitha proceset e zhvillimit. Dhe tani vendi ynë ka një të ardhme të ndritur drejt integrimit të plotë në struktura euro-atlantike”, theksoi kreu i Republikës së Kosovës.

Ndërsa Ambasadori Kristofer Dell u shpreh i nderuar për dekoratën që ia dha Presidentja Jahjaga. “Faleminderit të gjithëve që jeni sot këtu. Jam veçanërisht i nderuar që tre presidentët e Kosovës janë këtu sot, dhe simbolikisht edhe Dr. Rugova është me ne sot në ndarjen e këtij çmimi. Dr. Rugovën e kam njohur mirë që nga vizita ime e parë këtu dhe vlerat të cilat ai pati përqafuar dhe rolin që luajti në përpjekjet e Kosovës për të fituar lirinë dhe pavarësinë janë vërtet inspirim për të gjithë ne që kemi privilegjin të punojmë me institucionet e Kosovës dhe lidershipin e Kosovës dhe mbi të gjitha të kemi mundësinë të njohim popullin e Kosovës”, tha Dell.

“Është nder i madh të marr një çmim me emrin e Dr. Rugovës dhe do ta kujtoj gjithmonë së bashku me të gjitha kujtimet e mia për të gjithë ju dhe për kohën e  kaluar këtu”, shtoi ai. “Siç e thash në ngjarjen e mbrëmshme, është vërtetë një privilegj të jesh diplomat amerikan që punon në Kosovë. Nuk ka ndonjë shtet tjetër në botë ku Shtetet e Bashkuara priten aq ngrohtë dhe aq sinqerisht si në këtë shtet, ku një person mund të jetë përfaqësues i një shteti por po ashtu ta ndjejë dashurinë e popullit të atij vendi në të cilin ai është akredituar. Kjo është diçka që Tedi dhe unë, dhe familja jonë do ta kujtojë për tërë jetën dhe shpresojmë që do t’ju vizitojmë shumë shpesh në të ardhmen”, theksoi Ambasadori i SHBA, Kristofer Dell, njoftoi Presidenca kosovare.

Mbrëmë,  kryeministri Hashim Thaçi ka shtruar një darkë lamtumire për ambasadorin amerikan Kristofer Dell, i cili e përfundon misionin në Kosovë dhe gjatë ditëve të ardhshme kthehet në atdhe. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 11 July 2012 11:21

Prishtinë (PLOTESUAR 11 korrik, 14:30) – Veton Surroi ka dhënë një version ndryshe nga ai i ambasadorit Christopher Dell lidhur me pohimet e këtij të fundit rreth kandidatëve për president, duke shprehur çudinë si një diplomat amerikan bëhet krijues dhe shpërndarës i thashethemeve, raporton KTV. Ambasadori Dell, në një intervistë për gazetën “Kosova Sot” ka pohuar se Surroi ishte imponuar si kandidat për president të vendit.

“Kam shkuar në rezidencën amerikane me ftesë të ambasadorit Dell për darkë, në të cilën ai ka insistuar në prani të Hashim Thaçit që do të ishte mirë për vendin që unë të bëhem president pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut. Me arsyetimin se kjo do të ishte mirë për të tejkaluar krizën institucionale dhe për ta prezantuar Kosovën më mirë në botë, për shkak të perceptimit negativ që ka z. Thaçi në botë”, ka sqaruar Surroi. “Nuk ka pasur kurrfarë zvarritje, as lutje nga ana ime, po ka qenë ide e ambasadorit Dell dhe pjesë e bisedës së tij. (Kurse) Pacollit asnjëherë nuk i jam kërcënuar, por në një takim i kam thënë se do t’i bënte dëm Kosovës zgjedhja e tij për president”.

Po ashtu, Surroi ka riqartësuar se prej vitit 2004 nuk është botues i ‘Kohës Ditore’ dhe se nuk ka as lidhje institucionale me Kompaninë ‘Koha’. “Çfarëdo përmendje të gjoja ngritjeve të mia politike në kontekst të asaj që e raportojnë ‘Koha Ditore’ dhe KTV-ja është plotësisht e pabazë”, ka nënvizuar ai. (LajmeShqip.com)

*********************************************

Prishtinë – Ambasadori amerikan në largim Kristofer Dell ka kritikuar sot ashpër gazetën Koha ditore me theks të veçantë pronarin e saj Veton Surroi. Në një intervistë që është botuar sot në të përditshmen Kosova sot, Dell tregon se Surroi ka pasur ambicie për tu bër president i vendit.

“Më duhet t’ju them se një veprim që më ka bërë të ndihem i ndotur duke qenë dëshmitar i tij ka qenë kur e kam shikuar Veton Surroin të zvarritet para kryeministrit duke e lutur të bëhet president. Kjo ka ndodhur në shtëpinë time, në fund të tetorit apo në fillim të nëntorit”, kështu ka deklaruar ambasadori amerikan Kristofer Dell në intervistën që është botuar sot në të përditshmen Kosova Sot. 

Në intervistën e përmendur  ambasadori amerikan, Christopher Dell, ka bërë publike detajet për lojërat politike që u zhvilluan në garë për postin e presidentit në vitin 2010 dhe 2011. Ai thotë se plani i AAK-së ishte që Ramush Haradinaj të vinte në postin e kryeministrit, kurse Hashim Thaçi të bëhej president. Por, njëkohësisht ishte Veton Surroi ai që i kishte shprehur hapur ambicien e tij për kë post duke iu lutur Hashim Thaçit që ta bënte presidentit.

Ambasadori Christopher Dell mendon se presidentja Atifete Jahjaga e ka bërë një punë të shkëlqyeshme në kthimin e rolit të Presidencës në atë që është paraparë sipas Kushtetutës. Ai thotë se Jahjaga e ka korrigjuar baraspeshën ndërmjet institucioneve, duke i dhënë fund rivalitetit institucional që ka ekzistuar më herët. (LajmeShqip.com)