Lajme Shqip Saturday, 20 April 2013 12:01

Tiranë – “Korrupsioni i përhapur në të gjitha hallkat e qeverisë, dhe veçanërisht në sistemin juridik, mbetet një problem serioz në Shqipëri”.

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për të drejtat e njeriut, për vitin 2012 në të gjitha vendet e botës, përfshi edhe Shqipërinë.

“Axhenda e reformave, veçanërisht lufta kundër korrupsionit, faktikisht ndaloi, pasi partitë politike e zhvendosën vëmendjen në zgjedhjet e përgjithshme të 2013. I korruptuar mbetet sistemi arsimor apo ai shëndetësor, ku mjekët kërkojnë parà për të garantuar atë që duhet të ishte një shërbim gratis për të gjithë.

Gjithashtu, në këtë pjesë, ku flitet për korrupsionin dhe mungesën e transparencës së qeverisë, përmendet edhe vendimi i debatueshëm i shfajësimit të ish-zëvendës kryeministrit Ilir Meta nga Gjykata e Lartë, më 16 janar, ku u përjashtua si fakt videokaseta, që e tregon atë të diskutojë për rryshfet.

Sa i takon korrupsionit në sistemin e drejtësisë, shumë gjykatës – thotë raporti – lëshojnë vendime, që duket se nuk kanë asnjë bazë në ligj apo fakte.

“Institucionet shtetërore thellësisht partiake, përfshi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, minuan të drejtat e qytetarëve për të sfiduar drejtpërdrejtë ligjet dhe për të marrë pjesë plotësisht në qeverisjen e tyre. Konsolidimi i vazhdueshëm i pushtetit nga partia në pushtet, gjatë kësaj periudhe – shkruhet në raport – grryu edhe më tej besimin e publikut në pavarësinë e institucioneve të vendit”.

Sa i takon zgjedhjeve dhe pjesëmarrjes politike, raporti ndalet te parlamentarët e vitit 2009, që nuk përmbushën potencialin e vendit për të arritur standardet më të larta për zgjedhje demokratike.

Për zgjedhjet e majit 2011, raporti ndalet te vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të përmbysur rezultatin fillestar për Bashkinë e Tiranës, i perceptuar gjerësisht si partiak dhe që minoi besimin në pavarësinë dhe paanshmërinë e tij.

Sa i takon partive politike, raporti përmend braktisjen apo ndryshimin e partisë së tyre, pa humbur vendin e tyre në parlament. Përmenden gjithashtu edhe ankesat e zyrtarëve të Aleancës Kuq e Zi, për sulmet fizike të policisë ndaj vullnetarëve të tyre, apo për mosdhënien e lejes nga zyrtarët e koalicionit qeverisës, për të zhvilluar protesta apo grumbullime të tjera publike.

Raporti nënvizon edhe gjyqin e Top Channel me ish-ministrin e Kulturës, Ylli Pango, ku thotë se në 18 qershor 2012, Gjykata e Tiranës gjobiti televizionin me 51 milionë lekë për transmetimin e kamerës së fshehtë, që çoi në dorëheqjen e ish-ministrit. Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin, ndërsa Gjykata e Lartë kërkoi kthimin e çështjes në shkallën e parë. Avokatët e Pangos apeluan vendimin – thekson raporti – dhe Gjykata e Lartë nuk është marrë me këtë çështje deri në fund të vitit të shkuar.

Raporti nënvizon edhe dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve, ndërsa nënvizon me shqetësim mënjanimin dhe abuzimin e bashkësive rome dhe egjiptiano-ballkanike. Probleme domethënëse ishin edhe rrahja nga policia dhe keqtrajtime të tjera të të dyshuarve, gjatë ndalimit dhe marrjes në pyetje, hera-herës për t’u nxjerrë rrëfime.

Raporti thekson se probleme të tjera përfshijnë dhunën në familje dhe diskriminimin kundër gruas, abuzimin e fëmijëve, si dhe diskriminimin mbi bazë orientimi seksual dhe identiteti gjinor. Vazhduan të raportoheshin raste të trafikimit të personave.

Sa i takon 21 janarit, raporti i referohet gjykimit të tre të akuzuarve,  ish-komandatit të Gardës, Ndrea Prendi, shoferit të tij, Margarit Kume, dhe Armando Kasajt, që punonte në zyrën e informatikës në Kryeministri. Më 26 korrik – shkruan raporti – gjykata shpalli të pafajshëm Kasajn, ndërsa gjyqi ndaj të dyshuarve të tjerë vazhdoi më tej.(T.CH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 17 April 2013 17:50

Tiranë – Shqipëria është një regjim hibrid dhe nga shtetet europiane le pas vetëm Bosnjën. Ky është konkluzioni i indeksit për demokracinë nëpër bote, reflektim i situatës në fund të vitit 2012, që bën prestigjozja britanike “The Economist”, permes insertit te saj analitik ‘The Economist Intelligence Unit’.

‘The Economist’ del ne perfundimin se ka pasur nje lloj gjendje ne vendnumero; qe do te thote as progres i qenesishem, por as regres i demokracise per vendin ne fjale, duke marre zhvillimet deri ne fund te vitit te kaluar.

Ne vezhgimin e saj, ‘The Economist’ merr ne analize gjendjen e demokracise per 165 shtete te pavarura dhe dy territore – cka mbulon thuajse te gjithe popullsine e botes. Indeksi i demokracise mbeshtetet ne 5 kategori: procesin zgjedhor dhe pluralizmin; lirite qytetare; funksionimin e qeverise; pjesemarrjen politike dhe kulturen politike.

Ne total, indeksi dallon kater lloje regjimesh: demokracite e plota, demokracite me te meta, regjimet hibride dhe regjimet autoritare. “The Economist” e rendit Shqiperine tek regjimet hibride; ne nje klasifikim qe perfshin 37 shtete dhe 14 perqind te popullsise se botes. Ne kete liste Shqiperia mbetet pas shume shteteve te Amerikes Latine, Azise dhe Afrikes, duke u renditur poshte, Bangladeshit, Sri Lankes e Tunizise dhe siper Nikaraguas.

Nderkohe shtete si Hong-Kongu, Malawi, Timori Lindor dhe Senegali jane permiresuar me shume se ne duke mundur te klasifikohen kete radhe si nje kategori me larte se Shqiperia si vende me “demokraci me te meta”.

Po cfare jane regjimet hibride? “The Economist” shpjegon se regjimet hibride kane probleme te thella me parregullsite zgjedhore qe shpesh nuk i lejojne zgjedhjet te jene te lira e te ndershme. Presioni qeveritar mbi partite e opozites dhe kandidatet, mund te jete shume i perhapur si fenomen. Dobesite serioze ketu jane shume me mbizoteruese sesa ne demokracite me te meta si ne drejtim te kultures politike, funksionimit te ekzekutivit dhe pjesemarrjes politike. Korrupsioni eshte shume i perhapur dhe sundimi i ligjit konsiderohet i dobet. E tille eshte edhe shoqeria civile. Tipike e ketyre regjimeve eshte trysnia mbi mediat dhe fakti qe gjyqesori nuk eshte i pavarur. Perkrah Shqiperise ne kete listim jane edhe vende si Venezuela, Mali, Egjipit, Pakistani e Libia. Shtete qe kane perjetuar lufte, ose te pakten trazira te forta ne dy vitet e fundit.(T.CH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 17 April 2013 11:23

TIRANE – Vendimi i mazhorancës për të shkarkuar anëtarin e KQZ-së të propozuar nga LSI, ka vënë në lëvizje Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Departamenti Amerikan i Shtetit ka dërguar në Tiranë Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Jugore, Jonathan Moore. Zyrtari i lartë i DASH-it dhe ambasadori Arvizu zhvilluan sot një takim në selinë rozë me liderin e opozitës Edi Rama. Takimi zgjati rreth 1 orë.

RAMA: TE MOS KETE ARSYE QE ZGJEDHJET TE KONTESTOHEN
Në përfundim të takimit me zyrtarin amerikan, kryetari i PS-së Edi Rama deklaroi se në bisedën me Moore u theksua domosdoshmëria e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të KQZ-së, në mënyrë që siç tha ai, të mos ketë asnjë arsye që zgjedhjet e qershorit të kontestohen.

“Patëm një shkëmbim të hapur dhe të frytshëm opinionesh, lidhur me gjendjen paraelektorale dhe sigurisht lidhur edhe me zhvillimet më të fundit në rajon dhe posaçërisht edhe me ecurinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Duke u përqendruar tek çështja më e nxehtë, ajo e rrëmbimit të KQZ-së dhe rrënimit të këtij institucioni që duhet të jetë i pavarur dhe i paprekur nga vullnetet politike. Besoj se gjetëm mirëkuptimin e plotë për domosdoshmërinë që këto zgjedhje kaq të rëndësishme për Shqipërinë siç është ky moment, lidhur me integrimin evropian dhe zhvillimet në rajon, të mos ketë arsye që zgjedhjet të jenë të kontestuara”- deklaroi Rama përpara gazetarëve.

SHBA “E-MAIL” URGJENT AMBASADES NE TIRANE, KERKON SQARIME
Ora 07:20 –
Në adresën elektronike të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, në orën 03:00 të mëngjesit të djeshëm, me orën tonë, ka mbërritur një e-mail i Departamentit Amerikan të Shtetit, që kërkonte sqarime të hollësishme mbi situatën politike në vendin tonë, veçanërisht për pritshmëritë pas votimit në Kuvend të kërkesës së mazhorancës për shkarkimin e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Lajmi u bë publik nga vetë Sekretari politik i ambasadës, Xhei Porter, gjatë një takimi me studentë. Ai bëri të ditur se interesi i Departamentit të Shtetit, që drejtohet nga John Kerry, për çështje me ndjeshmëri të lartë, është i madh, sa herë ka ngjarje me rendësi. Duke mos komentuar më tej përmbajtjen e raportit që u nis drejt Uashingtonit përmes postes elektronike, Porter, theksoi se në interesin e SHBA, por edhe të vetë shqiptarëve, mbetet organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Në lidhje me e-mail që u përmend, që u mor sot (dje) në mëngjes në orën 03:00, ne marrim e-mail si ky gjithmonë, pra sa herë Shqipëria përmendet në kryetitujt e gazetave ndërkombëtare, për një sërë çështjesh. Situata nuk është e veçantë për shkak të asaj që ndodhi në Parlament dje (pardje). E-mail si ky ka përherë sa herë Shqipëria shfaqet në tituj gazetash. Ajo që mund të garantoj është që synimet tona nuk kanë ndryshuar që nga hera kur Sekretarja Klinton vizitoi Parlamentin shqiptar dhe iu kërkoi politikanëve shqiptarë që të siguronin që Shqipëria të ketë zgjedhje të drejta e të barabarta”, – sqaroi Porter.

ARVIZU: VOTIMI NE KUVEND NUK KA RRITUR BESIMIN TEK PROCESI ZGJEDHOR
Pas votimit në Kuvend, të kërkesës së mazhorancës për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu theksoi se votimi në parlament nuk e ka rritur besimin tek procesi elektoral. “Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Palët duhet të bëjnë hapa të tillë që të rrisin besimin e votuesve te procesi zgjedhor. Votimi i sotëm (pardjeshëm) në Kuvend nuk e bëri këtë,” thuhej në mesazhin e Arvizut.

I pyetur nëse PD-ja po e kapërcente vijën e kuqe duke ndryshuar rregullat e lojës për shkarkimin e një anëtari të KQZ-së, ambasadori Arvizu tha mes të tjerash se “nuk mendoj se ka njeri që do të donte një vendim apo veprim që do ta vendoste Shqipërinë në rrugën e përplasjes me SHBA dhe komunitetin ndërkombëtar”, – deklaroi Arvizu. (GSH.LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 05 December 2012 11:10

TIRANE– Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore gjatë vizitës së tij në Tiranë ka takuar kreun e opozitës Edi Rama dhe kryetarin e LSI-së Ilir Meta. 

Në takimin me Ramën Moore ka konfirmuar edhe njëherë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të angazhuara për të ndihmuar Shqipërinë për zgjedhje të standardeve më të larta ndërkombëtare, ndërsa u shpreh se SHBA-të do ta ndjekin procesin nga afër. Ndërsa në takimin me kreun e LSI-së zyrtari i DASH rikonfirmoi dëshirën e SHBA që Shqipëria të përshpejtojë reformat që do i hapnin rrugën drejt BE.

RAMA
Në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri, Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, zhvilloi një takim me kryetarin i PS-së, Edi Rama. Siç bën të ditur zyra e shtypit e PS-së, në takim shefi i opozitës theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA-në, duke e falenderuar për kontributin e çmuar për konsolidimin e shtetit dhe mbështetjen e vazhdueshme për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.

Ndër të tjera, Rama e siguroi zotin Moore për angazhimin e socialistëve për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. “Vendi përballet me probleme serioze për shkak të deficitit demokratik, moszbatimit të ligjit dhe mosfunksionimit të shtetit ligjor.”- u shpreh Rama. Gjithashtu, kryesocialisti vuri në dukje domosdoshmërinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si themeli i një demokracie funksionale. Duke iu referuar vizitës së Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, Moore konfirmoi dhe njëherë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të angazhuara për të ndihmuar me të gjitha mundësitë për zgjedhje të standardeve më të larta ndërkombëtare dhe për ecurinë e axhendës evropiane të Shqipërisë.

META
Meta priti Drejtorin për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore. Meta e falenderoi z. Moore për vizitën në Tiranë si dhe për mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme që SHBA i jep Shqipërisë në kuadër të forcimit të institucioneve demokratike dhe në rrugëtimin e integrimit evropian. Duke folur për situatën politike në Shqipëri, Meta shprehu zhgënjimin e LSI-së për bllokimin artificial e të panevojshëm të prioriteteve të parealizuara që nevojiten për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. 

Jonathan Moore, pasi vlerësoi rolin e Shqipërisë në NATO, rikonfirmoi dëshirën e SHBA për një ecuri më të shpejtë të reformave dhe për t’a parë Shqipërinë një ditë në Bashkimin Evropian, atje ku vendi i saj është. Biseda mes z. Meta dhe z. Moore u përqendrua në ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë me fokus zhvillimet e brendshme politike në vend, në përgatitjet për fushatën elektorale të vitit të ardhshëm si dhe në politikën rajonale të vendit. Z. Meta rikonfirmoi pozicionin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për një politikëbërje sa më konstruktive dhe të moderuar, brenda dhe jashtë vendit, në shërbim të interesave primare të qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se sfida kryesore e politikës shqiptare tashmë mbetet evitimi i retorikës konfliktuale dhe realizimi i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe transparente në qershor 2013.(B.W)

 
Lajme Shqip Thursday, 04 October 2012 16:20

Tiranë – Deputeti socialist Erjon Braçe akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes se ka vene ne punë Kombinatin Ushtarak të Poliçanit, jashte objektit të tij të punës, që sipas Braçes është ai i demontimit të municioneve.

Sipas Braçes, Kombinati ka importuar lende te para dhe ka prodhuar municione per llogari te tregtise me nje kompani serbe.  “Sipas dokumentave të nënshkruara nga vetë drejtori i Kombinatit të Poliçanit, prej shumë vitesh, prej të paktën 10-12 vjet, Kombinati ka marrë një tjetër profil, atë të demontimit të predhave dhe të municionit, pra të demontimit, kryesisht të predhave të topave, mortajave, që kanë një kalibër shumë të madh dhe përbëjnë rrezik për popullsinë.

Ky proces natyrisht që është financuar nga partnerët tanë më të rëndësishëm nga DASH, nga NATO dhe agjenci të tjera, por ministri Imami ministria e Mbrojtjes, ndërrmarrja MEICO dhe të tjerë zyrtarë të korruptuar po tentojnë dhe i kanë dhënë Kombinatit të Policanit në mënyrë të kundraligjshme edhe profilin e prodhimit të municioneve. Kemi një set dokumentash që provojnë një marrëdhënie të re të kompanice ‘UNIMESCO’, kompani me lidhje të forta me zyrtarë brenda Ministrisë së Mbrojtjes, e cila importon barut në Çeki, importon kapsolla në Bosnje, për llogari të Kombinatit të Poliçanit dhe të prodhimit në Kombinatin e Poliçanit të fishekëve për pistoleta. Dhe pastaj akoma më tutje, Kombinati i Poliçanit ka hyrë në një marrëdhënie eksporti të këtyre municioneve të reja, të krijuara përmes marrëdhënies ne kompaninë UNIMESCO të shitjes së tyre në vende të ndryshme, duke përfshirë edhe Kosovën”, u shpreh Braçe.

Akuzat e opozitës ndaj Imamit

Deputetët socialistë në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, nga foltorja e Parlamentit përsëritën shqetësimet e tyre që lidhet me veprimtarinë, sipas tyre antiligjore, të Ministrisë së Mbrojtjes.  “Por mirë o ministri ynë i Mbrojtjes, bleve pushkë e pistoleta pa zhurmë për këta agjentët që venë në teatrin e luftimit jashtë vendit, por pajisjen e përgjimit prej 1 milionë e gjysmë euro, që bleve, për cilën teatër luftimi brenda vendit e do? Apo të duhet për teatrin e luftës që po bën opozita me këtë bandë hajdutësh që është Qeveria e Saliut”, tha deputeti socialist Gazmir Bizhga.

“Ju nuk mund ta nxirrni dot opozitën shqiptare jashtë institucioneve të shtetit shqiptar, prandaj hapeni bunkerin tuaj, atë që shqiptarët e njohin për Ministri të Mbrojtjes, me qëllim që deputetët të ushtrojnë funksionin e tyre ligjor! Në të kundërt për shkak të bunkerizimit që i ke bërë kësaj Ministrie dhe për shkak të paaftësisë së njerëzve të tu, po të fluturojnë nga dritarja e këtij bunkeri, madje dokumente të rëndësishme me siglat ‘sekret’ dhe ‘tepër sekret’, që tregojnë për veprime rrënqethëse në Ministrinë e Mbrojtjes”, tha deputeti tjetër socialist, Pirro Lutaj.

Për herë të parë me detaje ministri Arben Imani i ka dhënë përgjigje akuzave të deputetit Braçe. “Flitet për armatosje të SHIU-t. Sigurisht që SHIU merr armë dhe pajisje mbi bazën e tabelave të organizimit dhe të pajisjeve të miratuara. Bëhet fjalë për një import nga Mali i Zi. Gjeorgjia, që do të duhej të ishte vendi i destinacionit është një vend i rëndësishëm nga pikëpamja strategjike për aleancën. Në kërkesën e tyre pati edhe për një lloj municioni të cilin ne nuk e dispononim. Ndërmarrja ‘MEICO’ me ligj është ndërmarrje import-eksporti, pra që mund t’i blejë, t’i marrë këto në një vend tjetër dhe t’i rieksportojë. Zotërinjtë socialistë besojnë se 200 milionë euro municione dhe armatime. Do të ishte një gjë e shkëlqyer t’i kishim, nuk është kjo situata.Shitjet tona kanë qenë tejet më mediokre dhe më modeste se kjo shifër.Çmimi më i vogël i pasqyruar në dokumentet tona dhe për këtë jam i gatshëm që të shkoj përpara Komisionit Parlamentar është një çmim bazë i përcaktuar nga Komisioni i Çmimeve. ‘Konet’ le të lehin, karvani ecën përpara”, u shpreh Imami.

Zoti Imami tha se nuk ka asnjë njohje me treftarin e armëve Sllobodan Tesiç, që ndodhet ne listen e zeze te OKB-se, duke mohuar që ai të ketë vizituar Ministrinë e Mbrojtjes. Por nga dokumentat zyrtare të publikuara nga deputeti Braçe kompania “Moon Storm Enterprises”, e cila ka lidhur disa kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes,

Në kabllogramin e ambasadës amerikane në Bullgari mësohet se “Moon Storm Enterprises” është pronë e regjistruar në Qipro e Sllobodan Tesiç.

Gazetari i TCH: Zoti ministër, thatë që nuk e njihni Sllobodan Tesiç, ai rezulton se ka firmosur disa dokumenta, Cila është e vërteta?
Imami: E vërteta është që me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me ministrin Imami, ky person nuk ka kontakte.
Gazetari i TCH: Por rezulton që Tesiç ka nënshkruar në kontrata…
Imami: Edhe njëherë po them, që ai të ketë vizituar një….në cilën kontratë, hajde futu…
Gazetari i TCH: …janë disa kontrata që ju keni nënshkruar për Sllobodan Tesiç…
Imami: Nuk është e vërtetë…për kë punon ti?
Gazetari: Për Top Channel
Imami: E kuptova! (T.Ch)

Kush është Tesiç?

Sllobodan Tesiç ka lindur me 21 dhjetor të vitit 1958. Ka kombësi serbe dhe një pasaportë me numër 004362756. Ekziston një listë e gjate krimesh të lidhura me këtë person, i cili ka furnizuar me armë Irakun dhe Liberinë, regjime terroriste duke shkelur embargot e armeve të OKB-së. Në vitin 2005 u përpoq të hynte në Bullgari, por duke iu referuar rezolutës 1521 e Këshillit të Sigurimit që e përfshinte në listën e zezë, ai u kthye në Serbi. ‘Moon Storm Enterprises’, kompania e lidhur me të- ishte regjistruar në Qipro. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 20 September 2012 15:07

TIRANË- ‘Dymbëdhjetë muajt e fundit panë disa periudha “ndal dhe ec”…Zgjedhjet parlamentare në vitin 2013, pritet një garë e egër, përparimi për shtetin e së drejtës i pakët”, janë disa nga pikat që përfaqësuesi i OSBE në Shqipëri, Eugen Wollfarth ka nënvizuar në raportin për Shqipërinë të prezantuar sot në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, 20 shtator 2012. 

Në përgjithësi, përfaqësuesi i zyrës së OSBE në vendin tonë thekson se klima politike u përmirësua gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit dhe institucionet kushtetuese bënë progres në rrugën për të rifituar funksionimin e tyre të plotë.

“Pas vitesh amullie dhe bojkoti politik, si dhe pas demarshesh të përsëritura në lidhje me procesin politik nga Prezenca e OSBE-së dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, progresi në rrugën e reformave filloi me kthimin e plotë të PS në Kuvend, në vjeshtën e vitit 2011 dhe me marrëveshjen pasuese, në muajin nëntor, për ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore dhe të një grupi pune për rishikimin e Rregullores së Kuvendit dhe zgjedhjen, në muajin dhjetor, të Avokatit të ri të Popullit”.

Por, sic theksohet në raport, gjatë gjithë vitit, konflikte të herëpashershme politike çuan në zbehjen e, madje, në ngecjen e reformave, në një sërë sektorësh.
“Megjithatë, dëshira e fortë kombëtare për integrim të vazhdueshëm evropian shërbeu, sërish, si një katalizator për zhvillim dhe ndihmoi në zbutjen e interesave partiake. Gjithsesi, dymbëdhjetë muajt e fundit panë disa periudha “ndal dhe ec”.”

ZGJEDHJET 2013-DO JENË TË EGRA
E ndërsa bën analizën për 12 muaj që u lanë pas, ambasadori Wollfarth në raport bën dhe një parashikim për vitin 2013. Në fokus, thekson ambasadori, do të jenë zgjedhjet parlamentare. Klima? E egër, Fitorja? Qeveria e re nuk do të arrijë të konstituohet para seancës së parë plenare.

“Zgjedhjet më të fundit të përgjithshme të 2009-s dhe ato për qeverinë vendore të 2011-s dëshmuan periudha para dhe paszgjedhore tejet të polarizuara dhe të politizuara, të cilat janë ende shumë të gjalla në kujtesën politike të publikut.

Nisur nga kjo përvojë, në ndërthurje me zhvillimet aktuale të përshkruara këtu, mund të pritet që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shohin një garë shumë të egër. Duke mbajtur parasysh që dita e votimit, me të ngjarë, do të jetë në fund të qershorit 2013, i tërë cikli i zgjedhjeve, përfshirë procesin e apelimeve paszgjedhore dhe përsëritjen, gati të pashmangshme, të zgjedhjeve në një numër zonash, mund të zgjasë deri në fund të shtatorit. Megjithëkëtë, qeveria e re nuk do të konstituohet zyrtarisht përpara seancës së parë plenare të legjislaturës së re” 

NISHANI DO VIHET NË QENDËR TË DEBATEVE
Ambasadori i OSBE në vendin tonë parashikon gjithashtu se Presidenti nuk do t’u shpëtojë debateve politike.
“Ka gjasa që ai të vihet në qendër të disa debateve të tensionuara publike, që nga kjo vjeshtë, në lidhje me disa emërime të mundshme nga ana e tij të Prokurorit të ri të Përgjithshëm dhe të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët emërohen me marrjen e pëlqimit të qartë të Kuvendit”.

BEFASI ZGJEDHJA E DISA MINISTRAVE
“Zgjedhja e Presidentit çoi edhe në disa ndryshime në Këshillin e Ministrave. Ndonëse emërimi i një Ministri të ri të Brendshëm ishte rrjedhojë e drejtpërdrejtë e zgjedhjes së presidentit, ndryshimi i ministrave të partisë së dytë të koalicionit, përfshirë pozicionin e Ministrit të Jashtëm, gjatë kohës së kryesimit të një organizate ndërkombëtare, erdhi mjaft papritur”, nënvizon raporti i OSBE për Shqipërinë.

ZGJEDHJA E PRESIDENTIT
Raporti vë në dukje se ishte një ngjarje politike e një profili të lartë për vitin 2012, me shumë raunde votimi të planifikuara në Kuvend, gjatë muajve maj dhe qershor.
Duke përshkruar këtë proces, Wollfarth thekson se mbi të gjitha procesi ishte kushtetues edhe pse nuk coi në një konsensus.
“Ndërkohë që ishte në përputhje me Kushtetutën, procesi i zgjedhjes së Presidentit, i cili zgjati një muaj, nuk çoi në një marrëveshje ndërpartiake për ndonjë kandidat, duke u shoqëruar me akuza reciproke për mungesë vullneti politik dhe u zhvillua në një atmosferë mllefi politik”.

REFORMA ZGJEDHORE
Zyra e OSBE në vendin tonë përshëndet arritjen e një marrëveshje ndërpartiake në Kuvend, por nuk harron bllokimin që i solli politika kësa reforme.
“Megjithëse ky komision vuajti nga disa periudha të parashikueshme bllokimi politik, gjë që shtroi nevojën e shtyrjes së mandatit të tij tri herë, ai më, në fund, mundi të prodhonte një tekst të rëndësishëm, i cili gëzoi konsensusin e gjerë të partive kryesore politike”.

Rëndësi sipas Wollfarth, tani ka zbatimi në praktikë. “Theksi duhet vënë tashmë te zbatimi i plotë dhe me përpikëri i Kodit Zgjedhor, në mënyrë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të mund të përgatitet në mënyrë efikase për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Ashtu siç bëhet e qartë në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, arritja e kësaj detyre do të kërkojë që të gjitha palët politike të lënë mënjanë interesat vetjake partiake dhe të shfaqin vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”. 

REFORMA PARLAMENTARE
“Sa i përket reformës parlamentare, ndonëse është arritur një progres i mirë nga grupi i punës për rishikimin e Rregullores, ende nuk ka konsensus për dy çështje kryesore: kthimi i votimit të fshehtë për kandidatët e dekretuar nga Presidenti dhe balancimi i kohës për të folur në Kuvend për kryeministrin dhe kryetarin e grupit kryesor opozitar parlamentar”.

SHTETI I SË DREJTËS
Zyra e OSBE në Shqipëri thekson se hezitimi për të vepruar në përputhje me ligjin sjell dobësi të institucioneve shtetërore. Klientelizmi, thekson raporti është kërcënimi në vazhdim. “Sa i përket shtetit të së drejtës, përparimi ka qenë relativisht i pakët. Dobësia e vazhdueshme e institucioneve shtetërore, siç është dëshmuar nga hezitimi i tyre për të vepruar në përputhje me ligjin, paraqet një kërcënim serioz për arritjet e brishta në fushën e shtetit të së drejtës. Ndonëse kjo dobësi vjen, kryesisht, për shkaqe të hershme, si për shembull klientelizmi i përhapur, presioni i pavend mbi institucionet për t’u bindur, si rrjedhojë e betejës së vazhdueshme politike për pushtet, nuk e ka përmirësuar situatën. Shqipëria vazhdoi t’u drejtohet mjeteve legjislative, në vend që të përqendrohet te përmirësimi i zbatimit të legjislacionit ekzistues”. 

VENDIMET E GJYKATAVE-GËRDECI DHE PËRGJIMI META-PRIFTI
Gjyqi i Gërdecit nuk është zhvilluar në përputhje të plotë me parimit e gjykimit të drejtë. Kështu citon raporti üër Shqipërinë në OSBE. “Vendimi i shkallës së parë marrë për të ashtuquajturën çështje të Gërdecit, lidhur me shpërthimin në një fabrikë të çmontimit të municioneve, nga i cili mbetën të vrarë 26 vetë në vitin 2008, i dha fund një gjyqi që zgjati më shumë se tre vjet dhe 200 seanca. Gjyqi nuk mund të konsiderohet se është zhvilluar në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë”.

Ambasadori i OSBE theksoi në veçanti, kohëzgjatjen e tepruar të gjyqit. “Shtyhej shpesh kryesisht për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës, ngriti shqetësime të herëpashershme. Dhoma Kombëtare e Avokatisë, si aktori kryesor që mund të ndreqë rrethana të tilla, vazhdimisht nuk veproi”, ndërsa raporti shton se shqetësim ishte mosparaqitja në gjyq e ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

“Një tjetër shqetësim ishte se ministrit të Mbrojtjes në detyrë në vitin 2008 nuk iu desh të paraqitej në gjyq në lidhje me përgjegjësitë që ai supozohej të kishte për këtë shpërthim, pasi as prokuroria nuk kërkoi një riheqje të imunitetit të tij pas rizgjedhjes së tij në Kuvend dhe as Gjykata e Lartë nuk i pranoi paditë penale të ngritura nga familjarët e viktimave”.

Kurse në lidhje me gjyqin e përgjimit Meta-Prifti, OSBE thekson shpalljen të pafajshëm të ish-zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta si dhe rrëzimin e provave. “Në një tjetër çështje, Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm ish-zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, ndaj të cilit ishin ngritur akuza për korrupsion. Gjykata u shpreh pas dhënies së atyre çka nga shumë vëzhgues u konsideruan si vendime të ndërmjetme të debatueshme, disa prej të cilave vështirë se mund të vihen në përputhje me ligjin, si për shembull përjashtimi nga Gjykata i regjistrimeve me zë dhe figurë dhe zbardhjes së tyre si dëshmi, caktimi i ekspertëve shqiptarë në vend të ekspertëve të huaj, apo rrëzimi i urdhrit për mbledhje provash”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 08 September 2012 13:12

Bruksel – Në muajin tetor Shqipëria do të përballet për të tretën herë me publikimin e raport-progresit të Komisionit Evropian, i cili do të shprehet nëse vendi i ka përmbushur 12 prioritetet kyçe në kuadër të anëtarësimit në BE. Peter Stano, zedhenes i eurokomisionerit Stefan Fule ne nje interviste per Deutsche Welle thekson se KE po ndjek me vemendje cdo hap te progresit dhe reformat qe po behen ne vend ne kuader te integrimit.

Z.Stano, a do ta marrë Shqipëria statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian?

Peter Stano: Në njëfarë pike Shqipëria do ta marrë statusin, kur të përmbushë prioritetet dhe kriteret që kërkohen. Pyetja nuk është nëse Shqipëria do ta marrë atë, por kur do ta marrë. Dhe në këtë moment, nuk mund t´ju them diçka më të saktë, vetëm se në momentin kur kushtet të plotësohen, kriteret të përmbushen, kur Shqipëria të dorëzojë të gjithë prioritetet kyçe, vetëm atëherë Komisioni Evropian do të jetë në gjendje të rekomandojë statusin kandidat për Shqipërinë.

A janë përmbushur kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian një vit më parë, apo do të jetë sërish një shans i humbur?

Peter Stano: Muajin e ardhshëm Komisioni Evropian do të publikojë raportin vjetor. Progres-raportet janë shumë të mira, objektive dhe një vlerësim shumë i ndershëm për secilin shtet që është në këtë proces, të performancës së secilit shtet që do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Këtu bën pjesë edhe Shqipëria, kështu që muajin e ardhshëm ne do të japim vlerësimin tonë se si ka ecur Shqipëria në përmbushjen e kritereve të nevojshme, si është punuar për realizimin e 12 prioriteteve kyçe të dhëna nga Komisioni Evropian herën e fundit.

Cili është mendimi juaj për çështjen e kufizimit të imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e lartë? Komisioni Evropian kërkoi heqjen e tij. A e vonon mosmarrjen e statusit mosmiratimi i tij në Parlament?

Peter Stano: Në lidhje me rëndësinë e çështjes së imunitetit unë mund t´i referohem asaj çka Komisioneri Stefan Fyle diskutoi me ministrin e ri të Jashtëm shqiptar Panariti gjatë vizitës së tij të fundit në Bruksel. Komisonieri tha se rishikimi i sistemit të imunitetit do të ishte një hap i rëndësishëm, në drejtimin e duhur.

Në këtë takim, z.Fyle ka përmendur nevojën për dialog konstruktiv për reformën parlamentare, e cila nuk është realizuar ende, edhe pse ishte pjesë e marrëveshjes së nëntorit. A mendoni se në Shqipëri ka një vullnet politik për bashkëpunim?

Peter Stano: Nuk ka lidhje me atë se çka besojmë ne, por ka lidhje me atë që politikanët në vend janë në gjendje të arrijnë. Dhe Komisioni Evropian, Komisioneri Fyle vazhdon t´u përsërisë partnerëve shqiptarë se ajo që është e rëndësishme dhe që Brukseli do të shohë është zbatimi i plotë i marrëvëshjes politike të arritur në nëntor 2011. Kjo do të thotë që të vijohet konsensusi, dialogu dhe puna politike e të gjitha partive politike në axhendën evropiane në mënyrë konsensuale dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dhe siç tha edhe Komisionieri (Fyle) Shqipëria ka një perspektivë të vërtetë për progres drejt Evropës, duke i ofruar vendit dorëzimin e prioriteteve kyçe. Pra, një nga gjërat më të rëndësishme është se si po vihet në jetë marrëveshja politike e nëntorit dhe sigurisht që nga Shqipëria pritet zbatimi i plotë. Sepse kjo nuk është diçka që i duhet Brukselit. Kjo është shumë e rëndësishme për vendin, për progresin e vendit dhe nga i cili nuk do të përfitojë Brukseli por Shqipëria, dhe mbi të gjitha, që të përfitojnë qytetarët shqiptarë.

Lufta kundër korrupsionit është një ndër prioritetet kyçe të kërkuara nga Komisioni Evropian. Si e vlerësoni punën e bërë deri tani në këtë drejtim?

Peter Stano: Siç ju thashë, Komisioni Evropian do të paraqesë raport-progresin e bërë nga Shqipëria në të gjitha fushat. Në këtë progres-raport do të vlerësohet se çfarë po bëhet, çfarë është bërë, çfarë është bërë shumë mirë, çfarë është bërë në mënyrë të tillë që ka hapësira për të bërë përmirësime. Komisioni Evropian po shikon me shumë vëmendje çdo hap që është bërë në këtë drejtim, sepse ju e dini që sundimi i ligjit, pavarësia e sistemit gjyqësor, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit janë shumë të rëndësishme për Bashkimin Evropian. Prandaj ne shikojmë rezultatet në vendet që duan të anëtarësohen dhe kjo është arsyeja se pse ne e kemi vënë kaq shumë theksin në këtë fushë, që është pjesë e procesit të negociimit në kapitujt 23 dhe 24. Çka do të thotë që shtetet që aspirojnë të bëhen vende kandidate dhe të nisin negociatat duhet të jenëi gati ta trajtojnë këtë çështje shumë thellë që nga nisja e procesit. Komisioni po i ndjek shumë nga afër dhe me vëmendje të madhe se çfarë po bën Shqipëria në këtë fushë e më pas do t´i publikojmë mendimet tona në progres-raportin e muajit të ardhshëm.

Së fundmi z. Stano, duhet të presim për një raport pozitiv apo negativ të Shqipërisë në tetor?

Peter Stano: Unë nuk mund të shprehem para se të dalë progres-raporti. Unë mendoj se qytetarët shqiptarë po e shohin se çfarë po bëjnë përfaqësuesit e tyre politikë. Qytetarët shqiptarë e dinë se çfarë pret Bashkimi Evropian nga liderët kryesorë politikë, dhe qytetarët shqiptarë e dinë se çfarë presin ata vetë nga liderët politikë. E kam fjalën, që qytetarët shqiptarë jetojnë atje, po i votojnë dhe po i ndjekin nga afër çdo ditë dhe unë mendoj se ata e kanë ndjesinë se si po performojnë liderët e tyre. Por siç thashë, muajin e ardhshëm publikohet raporti vjetor dhe progres-raporti është shumë objektiv dhe jep një vlerësim të ndershëm se çfarë është bërë, çfarë është bërë mirë, ku ka mangësira. Ne do të themi qartësisht se ku ka nevojë për t´u bërë më shumë. Nuk dua të flas para kohe, para publikimit të progres-raportit. Dua të inkurajoj çdo njeri që të presë për të, dhe në tetor gjithkush mund ta lexojë atë dhe se si i sheh Brukseli përpjekjet e bëra, në mënyrë që të përmbushet perspektiva evropiane. Sepse siç e thashë, është në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe në interes të politikanëve shqiptarë që të dorëzojnë sa më shpejt që të jetë e mundur të gjithë kriteret e nevojshme, si dhe plotësimin e 12 prioriteteve kyçe!

Peter Stano është zëdhënësi i komisionerit për zgjerimin, Stefan Fyle.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 24 May 2012 19:32

Tiranë – Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar sot raportin për të drejtat e njeriut në Shqipëri për vitin 2011. Raporti nis me një vleresim lidhur me zgjedhjet lokale të 8 majit, ngjarjet e 21 Janarit, korrupsionin duke pasqyruar ku është shtrirë më tepër ky fenomen, gjendja në burgje dhe qendra paraburgimi, vrasjet nga bandat e deri tek gjakmarrja. Syrit të mprehtë të DASH në raportin prej 21 faqesh nuk ka shpëtuar as kushtet e punës në Shqipëri, punësimi i fëmijëve, diskriminimi i komunitetit të personave gay, lesbikë e homoseksualë.

21 Janari -Departamenti Amerikan i Shtetit është ndalur dhe tek ngjarjet e 21 Janarit, ku mbetën të vrarë 4 protestues. “Në fillim të këtij viti u shënua një incident në të cilin forcat e sigurisë së qeverisë vranë 4 persona. Në 21 Janar trupat e gardës së republikës qëlluan në drejtim të protestuesve gjatë një demonstrate të dhunshme përpara Kryeministrisë. Prokuroria e Përgjithshme hapi hetimet për vrasjet. Hetimet vijuan shumë ngadalë. Deri nga fundi i vitit asnje gardist apo zyrtar i qeverise nuk eshte paditur per rolin e tij ne vrasjet nga te shtenat”. Departamenti i Shtetit shton se pas incidenteve të 21 Janarit pati kërcënime dhe në rangun e gazetarëve.

Zgjedhjet -Në raportin e DASH për vitin 2011 përmenden dhe zgjedhjet lokale të 8 Majit që u mbajtën në mbarë vendin, u cilësuan nga OSBE-ODIHR si “konkurruese dhe transparente”, ‘por shumë të polarizuara dhe me mosbesim të madh mes opozitës dhe qeverisë”. ‘Polarizimi i theksuar në mjedisin elektoral u karakterizua nga incidente mashtrimi, votë e diskutueshme gjatë numërimit duke penguar të drejtën e qytetarëve për të ndryshuar lirisht qeverisjen e tyre’, citohet ne permbledhjen e raportit.

DASH teksoi në draft se vendimi i KQZ per përmbysjen e rezultatit fillestar për kryetarin e Bashkisë së Tiranës u cilesua gjeresisht partiak dhe minoi besimin ne pavaresine dhe paanshmerine e tij. Gjithashtu raporti thekson se ka patur raportime që mjaft punonjësve të administrates iu kerkua të merrnin pjesë në mitigjet elektorale, kurse kërkesat për regjistrimin civil dhe mungesa e identifikimit në mesin e popullatës rome bënë të vështirë për shumë prej tyre të marrin pjesë në zgjedhjet e 8 majit. 

Korrupsioni -Në këtë raport 21 faqesh ndër të tjera theksohet se korrupsioni në qeveri dhe në sistemin gjyqësor mbetet problem serioz për vendin tonë. Në raport vërehet se ligji parashikon dënime penale për korrupsionin zyrtar, megjithatë qeveria nuk ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive, dhe për këtë arsye zyrtarët shpesh mbeten pa u ndëshkuar.

“Korrupsioni në degën e ekzekutivit ishte përhapur dhe i përhapur. Ligji parashikon dënime penale për korrupsionin zyrtar, megjithatë, qeveria nuk ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive, dhe zyrtarët e angazhuar shpesh në praktikat e korruptuara pa u ndëshkuar. Korrupsioni në drejtësi është mjaft i përhapur. Imuniteti i gjerë gëzuar nga gjyqtarët ndalon prokurorët të hetojnë akuzat për korrupsion, deri sa ti bëhet një kërkesë publike Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të hequr imunitetin e gjyqtarit të akuzuarit, dhe për të marrë miratimin e tij”,- thuhet ndër të tjera në raport.

Liria e fjalës dhe e shtypit – Raporti nënvizon se Kushtetuata e Shqipërisë siguron lirinë e fjalës dhe të shtypit, por vëren ndikim dhe presionin e qeverisë dhe biznesit në media. Në raport thuhet se individët mund të jenë të lirë të kritikojnë hapur dhe publikisht qeverinë, ndërkohë që theksohet se individë të caktuar janë detyruar të marrin pjesë në mitingje elektorale.

“Kushtetuta siguron lirinë e fjalës dhe të shtypit, dhe qeveria përgjithësisht i respekton këto të drejta në praktikë, megjithatë pati raportime se qeveria dhe bizneset kanë ndikim dhe ushtrojnë presion medias. Mediat e pavarura kanë qenë aktive dhe përgjithësisht të pakufizuara, edhe pse ka pasur raste të presionit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë politik mbi mediat, duke përfshirë kërcënimet kundër gazetarëve. Në raste, presioni politik dhe mungesës së fondeve të kufizuara, mediat e shkruara të pavarura, si dhe gazetarë kanë raportuar se kanë praktikuar vetë-censurën”,- thuhet rë raport sa i takon lirisë së fjslës dhe medias. 

Diskriminimi-Dhuna në familje, diskriminimi kundër grave, fëmijëve, abuzimi dhe diskriminimi në bazë të statusit të pakicave etnike dhe të orientimit seksual, apo identitetit gjinor, mbeten shenja të forta të shkeljes së të drejtave të njeriut thuhet në raport. Ndërkohë që raporti vijon duke nënvizuar “se vazhdojnë të raportohen raste të trafikimit të qenieve njerëzore”.

Dhuna në burgje- Raporti i DASH, vijon duke cituar se raste të tjera të shkeljeve së të drejtave të njeriut përfshijnë raste të keqtrajtimeve fizike në qendrat e paraburgimit nga policia. “Rrahjet dhe keqtrajtimit e policisë gjatë ndalimit të shtetasve të dyshuar apo marrjes në pyetje, mbeten probleme të rëndësishme. Mosndëshkimi i policisë për abuzimet fizike vazhdon ”,- thuhet në raport.(LajmeShqip.com)