Lajme Shqip Wednesday, 06 March 2013 13:35

Washington –Kosova vazhdon të mbetet vend transit për narkotikët e destinuar për Evropën, por nuk është prodhuese thelbësore substancash narkotike, thuhet në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, që titullohet Raporti për Strategjinë Ndërkombëtare për Kontrollin e Narkotikëve, transmeton REL.

Raporti vjetor mbulon periudhën e vitit 2012.

Në të thuhet se përpjekjet për të luftuar kontrabandimin e narkotikëve, Kosova i koordinon bazuar në Strategjinë Kombëtare Kundër Drogave dhe Planin e Veprimit.

Në nëntë muajt e parë të vitit 2012, marihuana ishte substanca më e konfiskuar nga autoritetet e rendit (1,091.4 kg) , pastaj heroina (51.5 kg) dhe kokaina (7.2kg), një rritje thelbësore në krahasim me vitin 2011.

“Faktorët që ndikojnë në përpjekjet e Kosovës për të luftuar trafikun e narkotikëve kanë të bëjnë me lokacionin gjeografik, mungesën e kontrollit mbi komunat veriore, ekonominë e dobët dhe sistemin joefektiv tgë menaxhimit të kufirit”, thuhet në raport.

“Nuk ka vlerësime gjithëpërfshirëse për përdorimin e drogës në Kosovë. Bazuar në informacionet e disponueshme, shumica e përdoruesve janë meshkuj të moshës 18 deri në 35 vjeç dhe marihuana është substance më e shfrytëzuar”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan, në të cilin nënvizohen edhe përpjekjet e ministrive të shëndetësisë dhe arsimit, autoriteteve të rendit dhe organizatave joqeveritare për vetëdijësimin e popullatës mbi rreziqet e përdorimit të drogës.

“Të vlerësosh shkallën deri në çmasë ndikon korrupsioni në trafikun e drogës në Kosovë, është e vështirë. Ndonëse ligjet ndalojnë korrupsionin e ndërlidhur me narkotikët, ka pandehje se narkotikët qarkullojnë nëpër kufijtë e Kosovës nëpërmjet kamionëve, autobusëve dhe makinave private, me raste me ndihmën e zyrtarëve doganorë që pranojnë mito”.

Raporti përfundon me një përmbledhje mbi bashkëpunimin dhe këmbimin e informacioneve ndërmjet Kosovës dhe vendeve fqinje, në takime joformale.

Në këtë kuadër, nënvizohet edhe bashkëpunimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara në çështjen e luftës kundër drogës , duke përfshirë këtu ndihmën teknike dhe trajnimet që ofrojnë për Kosovën, programet e ndryshme të Shteteve të Bashkuara.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 14 January 2013 17:02

Prishtinë – Policia e Kosovës, ka raportuar se gjatë muajit janar ka realizuar 3 operacione dhe arrestohen 10 persona nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të pa lejuara.

Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Qenie Njerëzore, kanë njoftuar rasti i parë ka të bëjë me gjetjen e një vajze e cila në dhjetor të vitit të kaluar ishte raportuar të jetë zhdukur.
 
Policia bënë të ditur se pas intervistimit të viktimës policia ka shoqëruar në stacionin policor katër të dyshuar shqiptarë kosovarë.

“Policia ka realizuar edhe një kontroll në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve ku pas kontrollit është gjetur dhe është konfiskuar një revole. Pas intervistimit të të dyshuarve është vërtetuar dyshimi se të njëjtit kanë abuzuar me viktimën dhe pas konsultimit me prokurorin kompetent të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë”, thuhet në njoftimi e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës, gjithashtu ka bërë të ditur se kishte marr informacione se një shtetas i Shqipërisë është duke e mbajtur të mbyllur dhe duke e shitur për marrëdhënie seksuale një shtetase të Shqipërisë të moshës së mitur.

Pas verifikimit të informacioneve dhe procedurës hetimore policia ka arrestuar në flagrancë të dyshuarin duke shoqëruar edhe klientët në stacionin policor.

Me aprovim të Prokurorisë Themelore personat janë ndaluar, ndërsa viktima është strehuar dhe janë njoftuar autoritetet e Republikës së Shqipërisë për shkëmbimin e informacioneve në lidhje me këtë rast si dhe riatdhesimin e viktimës.

Ndërsa, rasti i tretë është regjistruar në Gjilan ku policia ka arrestuar dy të dyshuar për trafikim me njerëz në rajonin këtij qyteti me dyshimin e bazuar se ata kishin abuzuar një viktimë shtetase e Serbisë e nacionalitet serb.

Viktima e identifikuar nga policia ishte nën ndikimin e narkotikëve dhe e abuzuar fizikisht dhe seksualisht.

Sipas policisë, dy të dyshuarve nga ky rast u është caktuar masa e paraburgimit për një muaj, kurse viktima është dërguar në strehimore dhe është nën tretman mjekësor për shkak të lëndimeve që ka pësuar dhe ndikimit të substancave narkotike.

 
Lajme Shqip Friday, 09 November 2012 14:36

Prishtinë – Ish-kryeadministratori i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Bernard Kushner, duke folur për veriun e Kosovës ka thënë se nuk ka nevojë për një autonomi substanciale për pjesën veriore të Mitrovicës. Kurse sa i përket integrimit të Serbisë në BE, Kushner ka thënë se pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk ka BE për Serbinë.

Ndërkaq, për akuzat rreth trafikimit me organet ai ka thënë të mos ketë dëgjuar kurrë për një gjë të tillë në kohën sa ai ishte në krye të UNMIK-ut. Ai këto komente i ka bërë në një konferencë për media.

“Ju jeni të pavarur dhe afër 100 shtete e kanë njohur pavarësinë dhe të tjerat do të vijnë. Autonomia substanciale nuk është e nevojshme dhe ishte e qartë kur unë kam ardhur. Në fakt autonomia substanciale ka domethënien e rrugës drejt pavarësisë.

Por unë isha duke folur për pjesën veriore deri në Mitrovicë dhe mendoj se ka hapësirë për negociata për këtë pjesë të vendit, për autonomi substanciale, ashtu siç ka qenë që nga fillimi i krizës të përcaktuar nga komuniteti ndërkombëtar, pastaj nga plani Ahtisaari”, ka thënë Kushner. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 17 October 2012 15:50

PRISHTINË – Me rastin e Ditës Evropiane Kundër Trafikimit, përfaqësuesit e Misionit të OSBE-së në Kosovë kanë bërë thirrje sot për një informim më të madh për rrezikun nga trafikimi i qenieve njerëzore.

Ky apel u bë gjatë prezantimit të poezive dhe eseve me këtë temë të shkruara nga nxënësit e shkollave të mesme nga komunitete të ndryshme të Kosovës.

Ngjarja ishte pjesë e aktiviteteve të fushatës për informim të Misionit të mbajtur gjatë muajit kundër trafikimit në Kosovë, e cila ka përfshirë shfaqje të filmave dhe diskutime me të rinjtë në lidhje me mënyrën e mbrojtjes së tyre dhe ndihmën që të luftojnë trafikimin me qenie njerëzore.

“Trafikimi me qenie njerëzore-blerja dhe shitja e njerëzve është një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut dhe një nga format më përfituese të krimit të organizuar”, tha Hjortur Sverrison, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në Misionin e OSBE-së.

Ai shtoi se, “informimi rreth këtij problemi është qenësore për parandalim efikas dhe OSBE-së është aktive në këtë fushë”.

Përveç informimit nëpërmjet aktiviteteve informuese dhe fushatave të informimit publik, misioni është duke ndihmuar institucionet në Kosovë, përfshirë policinë, punëtorët socialë dhe OJQ-të që të përmirësojnë përgjigjen e tyre ndaj rasteve të trafikimit dhe t’u ndihmojnë më mirë viktimave.

Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe sigurinë si dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 18 September 2012 14:08

Prishtinë – Ministria e Punëve të Brendshme në një ceremoni ka filluar Muajin Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore me moton “Hapi sytë, ke kujdes!”.

Në këtë konferencë u vlerësua angazhimi i institucioneve të Kosovës në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore në vend. Kryeministri Hashim Thaçi në hapjen e kësaj konference bëri thirrje për vëmendje të vecantë në luftimin e kësaj dukurie:

Ne jemi të njohur me ashpërsinë e fenomenit të trafikimit njerëzor, që vendi ynë po përballet dhe I kemi kushtuar vëmendje të veçantë. Kosova dhe institucionet e saj mbeten të përkushtuara që të luftojnë këtë dukuri negative dhe të arrijmë rezultate edhe më të mëdha.

Lufta kundër trafikimit me qenie njerëzore është ndër prioritetet e  axhendës së BE për Kosovën, tha shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar, duke shtuar se Kosova mbetet vend tranzit i trafikimit me qenie njerëzore.

Misioni I EULEX-it punon kreh për krah me policinë e Kosovës dhe ka edhe njësitin kundër trafikimit të qenieve njerëzoredhe ka suksese. Kjo tregon se Kosova është jo vetëm vendi I origjinës por edhe transit, vend I destinacionit I trafikimit ku shumica e marrësve janë lokalë vendore. Kjo është shënuar edhe në traportin e progresit të vitit të kaluar as fëmijët nuk janë të anashkaluar nga këto statistika.

Kurse ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Jacobson, e ka vënë në pah ngecjen e institucioneve të vendit për ndjekjen penale të atyre që merren me këtë dukuri.  Prokuroria e shtetit gjithashtu po bën përpjekje që të ketë rezultate  konkrete në këtë drejtim, u tha në këtë ceremoni.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 16 September 2012 14:46

Prishtinë – Task Forca për hetime speciale e EULEX-it ka intensifikuar procesin e hetimeve rreth akuzave nga raporti i senatorit Dick Marty. Zëdhënësi i këtij ekipi, Juri Lass tha për Radio Kosovën se janë intensifikuar kontaktet me persona të cilët kanë informata relevante për çështjen.

Ekipi që është i ngarkuar për hetimet rreth akuzave që dalin nga raporti në Këshillin e Evropës të senatorit Dick Marty, për siç pretendohet, trafikim me organe njerëzore nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë luftës në Kosovë, nuk komenton shumë për ecurinë e hetimeve.

Juri Lass, zëdhënësi i ekipit të John Clint Williamson, prokurorit amerikan të përzgjedhur nga Bashkimi Evropian për të hetuar këto akuza i tha Radio Kosovës se tashmë ekipi ka intensifikuar hetimet.

“Task Forca për Hetime Speciale, momentalisht, është në fazë të sigurimit dhe analizës së informatave prej një numri të caktuara të institucioneve dhe në të njëjtën kohë është duke vazhduar me hetimet e saja. Kontaktet me persona, të cilat kanë informata relevante për çështjen janë intensifikuar”, ka thënë Lass, për Radio Kosovën, përmes postës elektronike.

Zyrtari nga Brukseli, Juri Lass nuk ka dhënë detaje të tjera, por ka thënë se ky ekip ka marrë mbështetjen e duhur të niveleve më të larta politike nga Prishtina, Tirana dhe Beogradi.

Ndërkohë, burime të Radio Kosovës brenda misionit të BE-së në Kosovë, EULEX, thanë për Radio Kosovën se vetë shefja e diplomacisë së BE-së Catherine Ashton është interesuar ditët e fundit për ecurinë e këtij procesi dhe kohën që mund t’i duhet Task Forcës për finalizimin e tyre. Zëdhënësi Lass nuk ka pranuar të komentojë rreth kësaj.

Gjatë kësaj jave, Beogradi zyrtar ka dalë me informacione se ekziston një dëshmitar, i cili ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në, siç thuhet, procesin e trafikut me organe njerëzore.

Mirëpo, drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, e quajti rrëfimin jobindës, duke thënë se ai u ngjan filmave horror.

John Clint Williamson është emëruar vitin e kaluar në krye të ekipit special të EULEX-it për të hetuar akuzat e ish senatorit Dick Marty për trafikim organesh gjatë luftës në Kosovë. Ky ekip u formua në shtator 2011 dhe përbëhet vetëm nga personeli ndërkombëtar.

Ekipi punon nën autoritetin EULEX-it, por në mënyrë që të përforcojë edhe më tej pavarësinë në veprim dhe konfidencialitetin e procesit, ky ekip pjesërisht është vendosur në Bruksel. (LajmeShqip.com)