Lajme Shqip Thursday, 31 January 2013 12:38

New York – Në raportin më të ri të organizatës Human Rights Watch thuhet se Kosova nuk ka shënuar ndonjë përmirësim të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vitin 2012.

Tensionet në qytetin e ndarë të Mitrovicës thuhet se kanë kaluar në dhunë, ndërsa komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian ka mbetur i margjinalizuar dhe diskriminuar, transmeton Rel.

Sipas raportit, sistemi gjyqësor mbetet i varfër, ashtu si edhe mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Mbrojtja e minoriteteve
Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët mbesin grupet më të cenueshme në Kosovë. Ata vazhdojnë të përballen me diskriminim, si në strehim, arsim, ashtu edhe në qasje te shërbimet publike.

Një raport i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), i publikuar në qershor të vitit 2012, ka gjetur se rreth tre e katërta e komunitetit RAE është e papunë, krahasuar me 45 për qind të popullsisë së përgjithshme. Shumë nga ta janë të zhvendosur dhe nuk janë në gjendje të rindërtojnë apo të rikthehen në shtëpitë e tyre.

Tensionet midis komunitetit serb dhe shumicës shqiptare kanë qenë po ashtu të larta në vitin 2012, sidomos në qytetin e ndarë të Mitrovicës, në veri të Kosovës. Në muajin prill, një shpërthim në lagjen Tre Rrokaqiejt ka vrarë një shqiptar dhe ka plagosur fëmijën e tij. Në kohën e krijimit të raportit, policia ka qenë duke hetuar rastin.

Në muajin korrik, ndërkaq, një aktivist i komunitetit serb, Milovan Jevtiq, dhe gruaja e tij janë qëlluar për vdekje në shtëpinë e tyre, në jug të Prishtinës. Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe autoritetet lokale kanë qenë duke hetuar së bashku incidentin.

Policia e Kosovës ka regjistruar vetëm 16 incidente ndëretnike gjatë tetë muajve të parë të 2012-ës, çfarë paraqet rënie nga viti 2011, kur janë shënuar 60 incidente të tilla.

Në mesin e vëzhguesve ndërkombëtarë ka pasur shqetësime se shumë incidente ndëretnike nuk raportohen, nuk regjistrohen ose nuk klasifikohen.

Kthimi i refugjatëve dhe i personave të zhvendosur brendapërbrenda
Gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2011, Zyra e Komisionarit të Lartë për Refugjatë e OKB-së ka regjistruar 785 të kthyer vullnetarë, përfshirë të zhvendosurit jashtë Kosovës dhe brenda, krahasuar me 989 të kthyer gjatë periudhës së njëjtë kohore në vitin 2011.

Dëbimet në Kosovë nga vendet e Evropës Perëndimore kanë vazhduar. Në periudhën janar-shtator, UNHCR-ja ka regjistruar 1,717 të kthyer me detyrim në Kosovës, shumica nga Suedia dhe Gjermania.

Ndërkaq, zbatimi i dy strategjive kombëtare, të dizajnuara për të lehtësuar integrimin e të kthyerve, ka shënuar pak përparim.

Mosndëshkimi, përgjegjshmëria dhe qasja në drejtësi
Më 29 nëntor, Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi la liruar Ramush Haradinajn, ish-kryeministër i Kosovës, dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, ish-komandantë të UÇK-së, pas rigjykimit për krime kundër njerëzimit ndaj civilëve serbë, romë dhe shqiptarë, në kampin e Jabllanicës, më 1998.

Ekipi special i EULEX-it ka vazhduar hetimet e disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së, përfshirë zyrtarë të lartë të Kosovës, të dyshuar për përfshirje në rrëmbimet e pasluftës, zhdukjet e detyrueshme, vrasjet e serbëve dhe trafikim të organeve.

Në nëntë muajt e parë të vitit 2012, gjykatësit e EULEX-it kanë bërë tre gjykime për krime lufte, ndërsa, në të njëjtën periudhë kohore, gjykatësit vendorë kanë shqiptuar 20 dënime të tjera.

Në muajin nëntor, Gjykata Supreme e Kosovës ka urdhëruar rigjykimin e Fatmir Limajt dhe tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së nën akuzat për krime lufte.

Liria e mediave
Kërcënimet ndaj gazetarëve kanë vazhduar të jenë problem serioz. Në muajin qershor, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Kodin Penal pa rishikimin e neneve kontestuese, të cilat kriminalizojnë shpifjen dhe detyrojnë gazetarët të zbulojnë burimet, duke rritur shqetësimet për lirinë e mediave.

Aktorët kyçë ndërkombëtarë
Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës në muajin shtator ka rezultuar me mbylljen e Zyrës Civile Ndërkombëtare, ndërkohë që mandati i EULEX-it është zgjatur deri në vitin 2014.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, në muajin shkurt, ka shprehur shqetësime për përshkallëzimin e tensioneve etnike në veri të Kosovës.

Pas takimit me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, ka theksuar nevojën për përparim në sundimin e ligjit, reforma në administratën publike dhe reforma zgjedhore.

Një raport i Komisionit Evropian, i publikuar në tetor, ka rekomanduar hapjen e negociatave me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Po në tetor, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, ka theksuar rëndësinë e një hetimi efektiv të akuzave për trafikim organesh, që përmend në raportin e tij senatori zviceran, Dick Marty.

***

Në raportin 665 faqesh, Human Rights Watch ka analizuar situatën me të drejtat e njeriut në më shumë se 90 vende.

Në lidhje me ngjarjet në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, të njohura si Pranvera Arabe, HRW ka thënë se krijimi i një shteti që respekton të drejtat humane, mund të jetë një punë e mundimshme, e cila kërkon ndërtimin e institucioneve efektive të qeverisjes, themelimin e gjykatave të pavarura dhe krijimin e policisë profesionale.

Ndërkaq, për Rusinë dhe Kinën, HRW ka vlerësuar se nuk pretendojnë të ndjekin shembullin demokratik. Në vend të kësaj, ato janë të preokupuara me parandalimin e frymëzimeve nga Pranvera Arabe brenda vendeve të tyre, ka vënë në pah Human Rights Watch.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 16 January 2013 11:57

Washington – Kosova edhe në këtë vit në raportin e Freedom House mbi Liritë në Botë, është renditur në në mesin e vendeve pjesërisht të lira.

Sipas përcaktimit të Freedom House, shtet pjesërisht i lirë, është ai që ka kufizim të respektimit të lirive politike dhe atyre civile.

Një shtet i tillë shpesh vuan nga një ambient i korruptuar, sundim të dobët të ligjit, grindje fetare e etnike dhe një skenë politike ku një parti e vetme dominon me gjithë shkallën e caktuar të pluralizmit.

Vitin e kaluar Kosova ka qenë vend, gjithashtu, pjesërisht i lirë dhe notimet në dy shtyllat kryesore që, sipas Freedom House, përcaktojnë lirinë e një vendi, kanë mbetur identike, nota 5 për të drejtat politike dhe 4 për liritë civile.

Notimet nga 1 deri në 2.5 vlejnë për vendet e lira, nga 3 në 5 vendet pjesërisht të lira dhe nga 5.5 në 7 vendet jo të lira.

Nga vendet e rajonit, bashkë me Kosovën, në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira janë Shqipëria, Bosnja dhe Maqedonia.

Ndërsa, shtete të lira janë konsideruar Serbia, Kroacia e Mali i Zi.

Shtet i lirë, sipas Freedom House, është ai ku ka konkurrencë të hapur politike, një klimë të respektimit të lirive civile, jetë të pavarur civile dhe media të pavarura.

Ndryshe, në raportin mbi gjendjen e Lirisë Globale, të Freedom House, potencohet se shfaqja e lëvizjeve popullore për reformat kanë qenë forcë nxitëse për fitoret e mëdha në Lindjen e Mesme në vitin e kaluar, transmeton REL.

Megjithatë, një numër i rajoneve kanë treguar kthim prapa si pasojë e reagimit autoritar ndaj këtyre lëvizjeve.

“Gjetjet tona tregojnë një rritje të sofistikuar të autoritarizmit modern”, thotë Arch Puddington, zëvendëspresident i Freedom House për hulumtime.

“Ata janë fleksibilë; ata shtrembërojnë dhe abuzojnë me kornizën ligjore; adoptojnë teknikat e propagandës moderne”, ka shtuar ai.

“Në veçanti që nga Pranvera Arabe, ata janë nervozë, që ka të bëjë me përndjekjen e intensifikuar nga ana e tyre të lëvizjeve popullore që kërkojnë ndryshime”.

Numri i shteteve të përcaktuara si të lira në vitin 2012 ishte 90, që paraqet 46 për qind të 195 shteteve në botë.(K.N/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 06 November 2012 10:20

Prishtinë – Ndërtimi i shtetit juridik në Kosovë është angazhimi më i madh dhe më i shtrenjtë në historinë e Bashkimit Evropian. I ashtuquajturi Mision i EULEX-it me 2500 punëtorë ka kushtuar nga viti 2008 mbi një miliard euro. Sipas një raporti të Gjykatës së Auditorëve të BE-së, sukseset pothuajse mungojnë. Niveli i krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet i lartë, drejtësia është joefikase dhe vuan nga ndërhyrjet politike. Një polic gjerman, i cili prej vitesh i njeh rrethanat në Kosovë, konfirmon raportin në bazë të përvojave të tij në Kosovë. Për arsye që ndërlidhen me Ligjin mbi shërbyesit civilë (në Gjermani), ai këtu shkruan anonim. – DER SPIEGEL

 “Ndërtimin e Policisë në Kosovë unë e krahasoj me termocentralin e Obiliqit afër Prishtinës. Prejse NATO-ja i ka përzënë serbët nga Kosova në vitin 1999, në këtë termocentral duhet të montohet një filtër. Deri më sot kjo nuk është arritur të bëhet. Termocentrali ende pandërprerë vjell helm në ajër. Njëjtë është edhe puna me Bashkimin Evropian, i cili bën përpjekje që në Kosovë të ndërtojë një sistem të pastër shtetëror dhe një sistem funksional juridik.

Unë e njoh Kosovën tashmë dhjetë vjet dhe, sipas mendimit tim, ne gjatë kësaj kohe nuk kemi arritur pothuaj asgjë. Më së shumti jam i zhgënjyer me policinë. Me gjithë trajnimin intensiv disavjeçar dhe furnizimit me pajisje, të cilat u përgjigjen standardeve evropiane, zyrtarët policorë më shumë janë të interesuar të kryejnë kontrolle me radarë në komunikacion sesa të luftojnë kriminalitetin. Për t’i ndjekur shoferët që ngasin shpejt veturat nuk duhet të lëvizësh vendi; mjafton të rrish rehatshëm në veturën e ngrohtë patrulluese.

Kam përshtypjen se korrupsioni në mesin e policëve kosovarë është tepër i lartë. Kam marrë raporte, sipas të cilave, nëse dikush zbulohet se nget një veturë të vjedhur, atëherë mjafton ta korruptosh policin – dhe puna kryhet.

Kriminelët e mëdhenj edhe ashtu nuk i prek askush. Këtë e pamundësojnë strukturat tradicionale klanore dhe lidhjet e vjetra të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nga radhët e së cilës janë rekrutuar shumë policë. Këta nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me kritika se gjoja janë tradhtarë dhe mbase nuk i hetojnë komandantët e tyre të dikurshëm, të cilët janë pasuruar nga tregtia me drogë.

Këto rrjete i mbron një mur i heshtjes, nëpër të cilin ne si policë nuk mund të depërtojmë. Në realitet ne as për së afërmi nuk e dimë se çfarë po ndodh këtu. Nga njëra anë qyteti i Ferizajt konsiderohet si qendra më e madhe e tregtisë me drogë në Ballkan, nga ana tjetër këtu ne pothuaj asnjëherë nuk konfiskojmë sasi të mëdha droge.

Një gjë është e qartë: Kosova është kapur fort nga krimi i organizuar. Mjafton të shikohet vetëm numri i madh i pompave të benzinës dhe qendrave tregtare, të cilat pothuaj nuk kanë klientë. Këtu vetvetiu lind dyshimi se ato i shërbejnë vetëm spastrimit të parave. Po ashtu gjithkund ndërtohen godina të reja banimi, ndërsa numri i veturave luksoze është shumë më i madh se në Maqedoninë fqinje, ndonëse atje të ardhurat për kokë banori janë dukshëm më të larta.

Para disa javësh u arrestuan kryetari i Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës. Thuhet se ata i kishin premtuar një biznesmeni të ndërtimtarisë troje në një zonë të mbrojtur dhe si kundërshpërblim kërkonin ryshfet dhe vetura të shtrenjta. Kjo çështje u bë publike vetëm pasi nuk ishte dhënë leja për ndërtim – derisa personat e përmendur dëshironin t’i mbanin veturat.

As drejtësia nuk funksionon fare. Shumë vende pune janë të zbrazëta ose zyrtarët ndërrohen vazhdimisht. Disa gjykatës refuzojnë të merren me lëndë të caktuara. Së fundi kam dëgjuar nga disa kolegë se një kriminel lufte, i cili është dënuar me 15 vjet burg, është parë duke ngrënë drekë në Prishtinë me njërin prej politikanëve të rangut të lartë.

Këtu konsiderohet sukses nëse së paku ngrihet aktakuzë kundër ndonjë ish-pjesëtari të UÇK-së për shkak të krimeve të luftës. Shembull për këtë është Fatmir Limaj, një politikan i popullarizuar i partisë qeverisëse dhe deputet, madje ai një kohë ka qenë edhe ministër. Ai u fajësua se si komandant i UÇK-së kishte qenë përgjegjës për torturimin dhe vrasjen e shtatë serbëve dhe një kosovari. Një dëshmitar i rëndësishëm, i cili me qëllim që të mbrohej ishte sjellë në Gjermani, në shtator 2011 vrau veten në Duisburg. Një gjykatë e shpalli Limajn të pafajshëm.

Kosova është një vend ku vazhdojnë të mbijetojnë tradita të vjetra disa shekuj – dhe pjesë e kësaj kulture është gjakmarrja. Ne evropianët nuk kemi arritur t’i bindim kosovarët mbi sistemin e ri, perëndimor të drejtësisë dhe të vlerave. Ata po e shohin se strukturat e vjetra edhe më tutje janë të pushtetshme dhe institucionet shtetërore të dobëta. Unë frikësohem se kosovarët do të presin derisa ne të largohemi. Bash ashtu si talibanët që presin largimin e trupave perëndimore nga Afganistani.

Megjithatë, asnjëri nga përgjegjësit e Misionit EULEX nuk e thotë të vërtetën në Bruksel. Nga Kosova ata dërgojnë vetëm raporte të zbukuruara, të ashtuquajtura ‘okay-reportings’. Ndoshta duhet ta bëjnë këtë për të ruajtur postet e tyre dhe për të punuar më tutje në misione ndërkombëtare. Por kjo nuk i ndihmon Kosovës”.(K.D)

 
Lajme Shqip Monday, 01 October 2012 15:55

PRISHTINË – Pavarësisht nga progresi qenësor në krijimin e kornizës ligjore të domosdoshme për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe komuniteteve, nevojitet që të bëhet më shumë për t’i vënë ato në praktikë, thuhet në raport.

Raporti “Masat e implementimit për legjislacionin që prek të drejtat e njeriut në Kosovë”, vlerëson deri në çfarë mase legjislacioni dytësor si dhe strategjitë e programet qeveritare janë miratuar si hap drejt implementimit të ligjeve, që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, kundër-diskriminimin, qasjen në dokumente personale, të drejtat e komuniteteve dhe gjuhës, si dhe mbrojtjen kundër dhunës në familje.

Raporti bën të ditur se legjislacioni dytësor kundër diskriminimit, mbrojtjes kundër dhunës në familje, të drejtat e njeriut dhe komuniteteve është zhvilluar vetëm pjesërisht. Strategjitë për mbrojtje të të drejtave të të gjitha komuniteteve dhe mbrojtja e vendeve të trashëgimisë kulturore dhe fetare, nuk janë përpiluar përkundër skadimit të afatit ligjor.

“Koncepti i sundimit të ligjit në një shoqëri demokratike nënkupton jo vetëm miratimin e legjislacionit të domosdoshëm, por gjithashtu edhe një seri masash të mëtejshme për implementimin e tij. Këto masa janë kryesore për të vënë kornizën ligjore në praktikë”, tha ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në Misionin e OSBE-së në Kosovë, Hjortur Sverrison.

Raporti përshëndet krijimin e një indeksi zyrtar të legjislacionit dytësor dhe mënyrën e njëtrajtshme se si ky legjislacion është publikuar. Ai gjithashtu thërret për sigurimin e respektimit të plotë të përdorimit të gjuhëve zyrtare, përfshirë mbështetjen e madhe për Komisionerin për Gjuhët.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 September 2012 17:35

Prishtinë – Gjendja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Kosovë lë shumë për të dëshiruar. Në një tryezë të cilën e organizoi Institucioni i Avokatit të popullit u vlerësua se në Kosovë ka shkelje të madhe të të drejtave të njeriut, sidomos nga ana e institucioneve tw vendit.

Në këtë kuadër, Sami Kurteshi avokat i popullit tha se ka forcim të pozitave të shkelësve të të drejtave të njeriut: Humbja e besimit në shtetin ligjor dhe mungesa e angazhimit të mekanizmave shtetërorë për përmirësimin e kësaj gjendjeje, dëshmon mungesën e një ndërgjegjësimi për përmirësimin e kësaj gjendjeje. Kjo gjendje forcon pozitat e kastës shkelëse të të drejtave dhe lirive të njeriut, përballë qytetarit gjithnjë e më të pafuqishëm.

220 raste të ankesave, janë më shumë se sa në vitin 2010, që do të thotë se numri i përgjithshëm është 1 mijë e 453, apostrofoi Kurteshi. Ankesat më të mëdha, sipas tij, kanë të bëjnë me procese gjyqësore.

Kryetari i Gjykatws Supreme, Fejzullah Hasani tha se nw sferën e gjyqësorit, shkeljet identifikohen me vonesen e procedimit të lëndëve.

Thirrje për zbatim të rekomandimeve të dala nga ky raport u bë edhe nga Jared Hays drejtor i departamentit të demokratizimit të OSBE-së:

Avokati i popullit ka arritur qe të konstatoj se te drejtat e njeriut shkelen nga institucionet publike, në këtë drejtim ne shpresojmë në zgjidhjen e shume rasteve nga ky institucion. Ky është rast i mirë që të bëjmë thirrje për zbatim të rekomandimeve që kanë nxjerr Avokati i popullit.

Sfidat kryesore me tw cilat po përballet Kosova, sipas Avokatit tw Popullit,  edhe me tej mbeten moszbatimi efektiv i standardeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ligjeve në fuqi, konsolidimi i sistemit të gjyqësorit dhe prokurorisë, si dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 01 August 2012 14:20

SHBA – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vlerësuar se viti 2011 ka qenë një “vit historik” në përpjekjet globale kundër terrorizmit, përkundër paralajmërimeve se mbeten kërcënime të qëndrueshme. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Terrorizmin, në pjesën për Kosovën, thekson se Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në çështjet që lidhen me terrorizmin dhe ka shënuar progres në legjislacionin kundër terrorizmit.

Raporti thotë se Departamenti Kundër Terrorizmit në Kosovë ka qenë operacional, por duhet të zhvillojë marrëdhënie bashkëpunimi me agjencitë përkatëse qeveritare dhe komunitetet fetare.

Situata politike dhe e sigurisë në veri të Kosovës, po sipas raportit, ka kufizuar aftësinë e qeverisë për të ushtruar autoritetin e saj në këtë zonë, ku Forca Paqeruajtëse e NATO-s, KFOR, dhe Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, kanë përgjegjësi për të kontribuar në sigurimin e mjedisit dhe forcimin e rendit dhe të ligjit.

Legjislacioni dhe zbatimi i ligjit: Kosova ka shënuar progres në legjislacionin kundër terrorizmit. Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me këshilltarët ligjorë të Departamentit për Drejtësi të Shteteve të Bashkuara, ka hartuar dhe i ka dorëzuar Kuvendit të Kosovës Kodin e ri Penal, i cili përmban disa nene që adresojnë aktet terroriste, financimin terrorist dhe mbështetjen për terrorizmin. Nenet e reja po ashtu rrisin ndjeshëm dënimet për vepra terroriste, thuhet në raport.

Përveç kësaj, sipas raportit, autoritetet qeveritare kanë punuar nga afër me zyrtarët amerikanë të Komandës Evropiane, të cilët i kanë dhuruar Policisë së Kosovës një numër pajisjesh biometrike, si pjesë e një nisme për të identifikuar terroristët e njohur ose të dyshuar, individët që ndihmojnë veprimtarinë terroriste dhe të huajt që ngrenë shqetësime terroriste.

Programet trajnues amerikane, të plotësuara me donacionet e pajisjeve, kanë përmirësuar aftësinë e Doganave të Kosovës dhe të Policisë Kufitare të Kosovës për të kontrolluar kufijtë dhe për të zbuluar dhe ndaluar armët dhe kontrabandat e tjera në vendkalimet kufitare, thuhet në raportin e DASH-it. I njëjti vlerëson se Departamenti Kundër Terrorizmit është operacional, porse vazhdon të zhvillojë kapacitetin e tij për të kryer plotësisht funksionet e përshkruara me mandat. Kuvendi i Kosovës ka themeluar Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave në fillim të vitit 2011, thekson raporti.

Lufta kundër financimit të terrorizmit: Ligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit është miratuar në vitin 2010 dhe zbatuar më 2011. Qendra e Inteligjencës Financiare, e cila ka operuar nën ombrellën e UNMIK-ut, është rimodeluar në Njësinë e Inteligjencës Financiare. Qeveria ka shënuar progres në transferimin e kompetencave tek agjencia e re, thekson raporti. Raportimi i kërkesave për transaksione mbi 10,000 euro, për transaksione të dyshuara dhe të strukturuara është zbatuar, ashtu si edhe shumica e kërkesave të Task-Forcës për Veprim Financiar.

Raporti kujton se Ekipi për Krime Ekonomike i Zyrës së Thesarit ka dërguar një këshilltar në Prishtinë, në prill të vitit 2010. Ky këshilltar, vijon raporti, ka punuar me homologë të ndryshëm për të përmirësuar kapacitetet e Njësisë së Inteligjencës Financiare për të identifikuar dhe analizuar shpëlarjet e dyshuara të parave dhe financimin e terrorizmit; për të përmirësuar pastaj aftësinë e Administratës Tatimore të Kosovës, me qëllim nxitjen e pajtueshmërisë vullnetare me ligjin e taksave, si dhe për të rritur kapacitetin e Doganave të Kosovës për të identifikuar dhe ndaluar kontrabandën me para, transmeton REL.

Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar: Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një numër iniciativash për të rritur bashkëpunimin e saj brenda rajonit – më së shumti në lidhje me fqinjët e saj të parë për çështjen e kontrollit kufitar. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 31 July 2012 18:50

Prishtinë –Departamenti Amerikan i Shtetit në Raportin për Liritë Fetare në botë për vitin 2011 ka analizuar edhe gjendjen në Kosovë sa i përket respektimit të lirive fetare.

Kushtetuta dhe ligjet tjera mbrojnë lirinë fetare dhe në praktikë qeveria në përgjithësi ka respektuar liritë fetare thuhet në raport, duke potencuar se qeveria nuk ka shfaqur ndonjë tentativë drejt përmirësimit apo përkeqësimit të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtës së lirisë fetare.

Megjithatë, sipas raportit, liderët fetarë kanë theksuar se mungesa e një mekanizmi që grupet fetare të regjistrohen dhe të fitojnë një status legal ka shkaktuar një numër sfidash praktike. Edhe pse shumë grupe kanë gjetur metoda alternative, shumë nga ta kanë raportuar sfida në pronësimin dhe regjistrimin e pronave, makinave, hapjes së xhirollogarive bankare dhe pagesës së tatimeve dhe pagave të të punësuarve.

DASH thekson se ka pasur raporte për abuzime ose diskriminim të komunitetit si pasojë e lidhjeve, besimit apo praktikave fetare. Raporti përmend vandalizimin e varrezave hebrenje në muajin nëntor në Prishtinë nga persona të panjohur. Po ashtu përmend incidente si vjedhje dhe vandalizëm kundër objekteve të Kishës Ortodokse Serbe si dhe incidentet që i quan të izoluara ku individë kanë gjuajtur me gurë autobusët me serbë, të cilët i vizitonin objektet fetare të Kishës Ortodokse Serbe.

Raporti për Liritë Fetare në pjesën për Kosovën, përmend raportimin e komunitetit islamik për pengimin e studenteve që të bartin shami në shkollat publike. Bashkësia Islame e Kosovës dhe organizatat myslimane joqeveritare kanë thënë se nxënëset me shami janë penguar nga pjesëmarrja në shkollat publike.

Në raport theksohen vendimet e Ministrisë së Arsimit, të Gjykatës Kushtetuese dhe së fundit të Kuvendit të Kosovës në lidhje me bartjen e shamisë në shkollimin parauniversitar. Ndërkaq, vë në pah shqetësimin e komunitetit protestant për pamundësinë që të ndërtojë një varrezë dhe një kishë në Deçan. Protestantët kanë vazhduar që të theksojnë diskriminimin institucional në nivel qendror dhe komunal. Ata janë ankuar se nuk po lejohen të krijojnë varrezë protestante, që ka rezultuar me varrimin e protestantëve në varrezat myslimane dhe klerikët myslimanë kanë kryer funeralin për ta.

Ata thonë se kjo është shkelje e të drejtave të tyre. Në raport është përmendur edhe miratimi i Ligjit për Prizrenin dhe Hoçën e Madhe dhe debatin e shkaktuar për shkak të frikës se më këto ligje do të krijohej status special për objektet kulturore serbe.

Anëtarët e Ambasadës amerikane, thuhet në raport, kanë vazhduar që të takojnë liderët politikë dhe fetarë për të kërkuar dialog ndërfetar dhe për të inkurajuar zgjidhjen e shqetësimeve të komuniteteve fetare. Përfaqësues nga Ambasada amerikane po ashtu i janë bashkuar diskutimeve të qeverisë dhe të Kishës Ortodokse Serbe  për të rifilluar punën e ngecur të Këshillit të Rindërtimit dhe Implementimit, që rindërton objektet fetare të dëmtuara gjatë trazirave të vitit 2004.

SHBA, theksohet në raport,  ka vazhduar të mbështesë përpjekjet për zgjidhjen e kontestit për një pronë ku përfshihet Manastiri i Deçanit dhe grupet lokale. Qeveria amerikane po ashtu ka themeluar një program për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore që përfshin rindërtimin dhe mbrojtjen e kishave në vend. (REL)

 
Lajme Shqip Thursday, 24 May 2012 20:15

Prishtinë – Të dhënat për të drejtat e njeriut në Kosovë gjatë vitit 2011 kanë ngritur “shqetësime serioze”. Ky është konkluzioni që ka nxjerrë Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në raportin vjetor për të drejtat e njeriut në botë.

Sipas tij, ekstremistët serbë “kanë ushtruar dhunë dhe frikësim” ndaj kundërshtarëve lokalë dhe forcave ndërkombëtare të sigurisë, çfarë ka rezultuar me vdekje. Në këtë rrafsh, raporti kujton vrasjen e pjesëtarit të Njësisë Speciale të Kosovës, Enver Zymberi, i cili është qëlluar për vdekje nga ekstremistët serbë, pas operacionit të policisë për futjen nën kontroll të Bërnjakut – vendkalimit kufitar që lidh Kosovën me Serbinë.

Departamenti i Shtetit vë theksin edhe mbi strukturat paralele të Serbisë, të cilat vazhdojnë të operojnë ilegalisht në enklavat e banuara me shumicë serbe. “Pengesat që kanë vendosur ekstremistët serbë në pjesën veriore të vendit kanë kufizuar seriozisht të drejtat themelore, përfshirë lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe të mallrave”, thuhet në raport.

Ai thotë se zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, të kryera në dhjetor të 2010-ës, kanë përmbushur shumë standarde ndërkombëtare, porse “parregullsitë serioze dhe manipulimet zgjedhore” kanë bërë që në disa komuna të rivotohet. Ndonëse ligji parasheh dënime penale për korrupsionin zyrtar, raporti flet për zyrtarë të angazhuar në praktika korruptive.

“Qeveria nuk ka zbatuar në mënyrë efektive ligjin. Ka pasur perceptim të gjerë publik për korrupsion në Qeveri. Mungesa e mbikëqyrjes gjyqësore dhe sundimi i dobët i ligjit i kanë kontribuuar korrupsionit në Qeveri”, vë në pah raporti, duke përmendur edhe vlerësimin e Komisionit Evropian për përparim në luftën kundër kësaj dukurie.

Por, raporti i DASH-it flet për korrupsion edhe brenda vetë gjyqësorit, duke konsideruar se ai, në disa raste, “ka qenë i njëanshëm, është ndikuar nga jashtë dhe nuk ka ofruar proces të drejtë”.  Raporti, po ashtu, vë në pah diskriminimin kundër minoriteteve etnike dhe të tjera, personave me aftësi të kufizuara dhe pjesëtarëve të komunitetit lesbik, homoseksual, biseksual dhe transeksual. “Ligji ndalon diskriminimin në bazë të fesë, gjinisë, prejardhjes etnike, paaftësisë, statusit social apo gjuhës. Megjithatë, Qeveria nuk i ka zbatuar në mënyrë efektive këto ndalesa”, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit. 

Sipas tij, pjesëtarët e komunitetit rom, ashakli dhe egjiptian kanë qenë subjekt i diskriminimit social dhe ekonomik dhe shpesh nuk kanë pasur qasje në higjienën bazike, në kujdesin mjekësor dhe në arsim. “Ata kanë qenë të varur nga ndihmat humanitare për mbijetesë”, thuhet në raport.

Në pjesën për personat me aftësi të kufizuara, Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se Qeveria nuk ka zbatuar në mënyrë efektive ligjet dhe programet që i sigurojnë kësaj kategorie qasje në ndërtesa, informacione dhe komunikime. “Vetë Zyra e Avokatit të Popullit nuk ka qenë e arritshme për personat me aftësi të kufizuara fizike”, thuhet në raport.

Bazuar në të, problem mbetet edhe puna e fëmijëve. Sipas UNICEF-it, në vitet e fundit është rritur numri i fëmijëve që lypin në rrugët e qyteteve, ndonëse shifra e saktë mbetet e panjohur. “Puna e fëmijëve ka shërbyer si një kontribut i madh në të ardhurat e shumë familjeve”, vlerëson raporti. Po sipas tij, dhuna në familje, përfshirë abuzimin bashkëshortor, mbetet problem serioz dhe i vazhdueshëm. “Qëndrimet tradicionale shoqërore ndaj femrave në shoqërinë e dominuar nga meshkujt i kanë kontribuar nivelit të lartë të abuzimit në familje dhe numrit të vogël të rasteve të raportuara”, thuhet në raport.

Ai nuk lë pa përmendur edhe vandalizmin në varrezat hebraike në Prishtinë, që është bërë nga persona ende të panjohur në fund të nëntorit. Raporti kujton se zyrtarët qeveritarë dhe fetarë kanë dënuar fuqishëm aktet, porse deri në fund të 2011-s nuk ka pasur asnjë të dyshuar për kryerjen e tyre. Ky i fundit vë në pah edhe gjetje që flasin për kërcënime të përfaqësuesve të mediave nga ana e zyrtarëve publikë, politikanëve dhe bizneseve. Mediat, gjithashtu, kanë hasur në vështirësi në marrjen e informacionit nga institucionet publike dhe qeveritare, vlerëson raporti.

Shqetësimet e tjera për të drejtat e njeriut, sipas tij, përfshijnë akuzat për keqtrajtimin e të burgosurve dhe trafikimin e personave – ndonëse Qeveria “ka ndërmarrë hapa për të ndjekur penalisht dhe për të ndëshkuar abuzuesit”. Departamenti i Shtetit, po ashtu, thekson se nuk ka pasur raportime që flasin për vrasje arbitrare apo të paligjshme nga ana e Qeverisë apo agjentëve të saj.

“Kushtetuta dhe ligjet ndalojnë arrestimet dhe paraburgimet arbitrare dhe Qeveria, ashtu si edhe EULEX-i dhe KFOR-i, në përgjithësi i kanë respektuar këto ndalesa”, thuhet më tej në raport. DASH-i thotë se nuk ka pasur raportime as për zhdukje të motivuara politikisht, ndonëse përmend shifrat e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar që flasin për 1,796 persona të pagjetur nga lufta e viteve 1998-99 në Kosovë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 08 March 2012 13:09

Uashington-Kosova është kryesisht shtet tranzit për drogat që kanë destinacion Evropën dhe nuk është prodhues narkotikësh dhe policia nuk ka gjetur se në Kosovë rafinohet droga apo ka laboratorë për prodhimin e tyre.

Kështu thuhet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit në të cilin përfshihen të gjitha aspektet e tregtisë ndërkombëtare të drogës gjatë vitit 2011.

Në raport vlerësohet se Kosova ka bërë përparim në iniciativat kundër substancave narkotike në vitin 2011, kryesisht duke përmirësuar koordinimin në mes të agjencive të përfshira, ndërkohë që vlerëëohet se “vazhdimi i ndihmës ndërkombëtare dhe një nivel i lartë i  vëmendjes dhe një koordinim i Qeverisë së Kosovës, do të çonte përpara objektivat e Kosovës në luftën kundër narkotikëve”.

Heroina dhe drogat tjera hyjnë në Kosovë kryesisht përmes Afganistanit, përmes Turqisë dhe Lindjes së Mesme dhe përmes Maqedonisë, ndërsa kokaina dhe marihuana hyjnë përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Statistikat e Policisë së Kosovës tregojnë se që nga janari deri në shtator të 2011, më së shumti është zënë sasi e marihuanës, (96.8 kg), pasuar nga heroina (33.1 kg) dhe kokaina (2.6 kg).

Sfidat për policinë në uljen e furnizimeve kanë të bëjnë me burimet e kufizuara, rrethi i ngushtë familjar, strukturat klanore, që pengojnë hetimet dhe një mungesë e përgjithshme e prokurorëve qe merren vetëm me krimet narkotike.

Statistikat për konfiskimin, arrestimin dhe përndjekjen janë në masë të madhe të pabesueshme dhe jokonsistente.

Ngjashëm të pasigurta janë edhe shifrat e përdoruesve të drogës në Kosovë, edhe pse një Organizatë Joqeveritare e quajtur “Labirinti” thotë se janë diku 10 mijë deri në 15 mijë përdorues. Sa i përket politikave qeveritare, Kosova nuk inkurajon trafikimin e drogës dhe asnjë zyrtar nuk dihet të jetë marrë me aktivitete të tilla.

Derisa ligjet ndalojnë korrupsionin që do të mund të ndihmonte trafikimin e narkotikëve, ekzistojnë dyshime se narkotikët lëvizin në Kosovë me kamionë, autobusë dhe makina private, shpesh me lejen e zyrtarëve doganorë, të cilët marrin mito për të mbyllur njërin sy.

Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, dhe rrjedhimisht është e kufizuar në nënshkrimin e marrëveshjeve vetëm me ato shtete që e njohin. Kosova bashkëpunon dhe shkëmben informacione me fqinjët përmes takimeve joformale bilaterale dhe multilaterale.

Policia e Kosovës thotë se shkëmbimi i informacioneve me Shqipërinë dhe Maqedoninë është i mirë. Janë duke u zhvilluar negociata për të nënshkruar marrëveshje edhe me Malin e Zi.

Kosova merr ndihmë teknike dhe trajnime përmes programeve OPDAT dhe ICITAP, të themeluara nga administrate e Shteteve të Bashkuara. Qeveria e Kosovës duhet të bëjë përpjekje që të ofrojë trajnime dhe të financojë programet kundër substancave narkotike për uljen e trafikimit të tyre.

Policia e Kosovës dhe prokurorët duhet të rrisin kapacitetin e tyre në kryerjen e hetimeve dhe përndjekjeve të trafikantëve të drogës, të krimit të organizuar dhe spastrimit të parave si dhe të çrrënjosë trafikimin ilegal. Kjo mund të kërkojë që lufta kundër narkotikëve të vihet si prioritet i lartë.

Vazhdimi i ndihmës ndërkombëtare dhe një nivel i lartë i  vëmendjes dhe një koordinim i Qeverisë së Kosovës, do të çonte përpara objektivat e Kosovës në luftën kundër narkotikëve. (REL)