Lajme Shqip Tuesday, 04 February 2014 14:31

Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Dardan Gashi, ka deklaruar se Projektligji për mbrojtjen nga zhurma, në të cilin përfshihet ezani dhe kambanat, është keqpërdorur për qëllime politike nga disa deputetë dhe parti politike.“Nuk ka pasur nevojë për këtë debat. Projektligji për mbrojtjen nga zhurma është keqpërdorur prej grupeve të caktuara për qëllime politike. Në takim me myftiun Tërnava jemi dakorduar për ta riformuluar gjuhën e këtij projektligji nëse ka nevojë, por assesi esencën e projektligjit, i cili rregullon çështjen e objekteve fetare. Ju e dini se kush e ka nisur debatin. Debatin për këtë projektligj nuk e ka nisur BIK-u, por e ka nisur një deputet, të cilit i janë bashkangjitur disa të tjerë, të cilët kanë dashur ta përvetësojnë këtë temë, kinse ata po dalin në mbrojtje të islamit sepse, sipas tyre, islami është duke u sulmuar nga ky projektligj. Ky debat është keqpërdorur në Kuvend dhe jashtë tij, përfshirë LISBA-në, duke u shprehur politikisht, sepse ata ndryshe nuk dinë të shprehen”, i ka deklaruar “Epokës së re” Dardan Gashi.

Në këtë kontekst, Gashi ka thënë se akuzat ndaj MMPH-së për këtë projektligj nuk janë parimore për shkak se Kosova nuk ka asnjë ligj tjetër i cili rregullon çështjen e zhurmave.

“Nuk ka të bëjë këtu me joparime. Ata e kanë shfrytëzuar këtë çështje sepse Kosova nuk ka ligj tjetër për zhurmë. Zhurma që krijohet prej njeriut është edhe ezani, janë edhe kambanat. Tash këta individë kanë dashur ta kualifikojnë si ofendim të fesë, që realisht është e pavërtetë, sepse vetë BIK-u shpeshherë u ka dërguar letra xhamive, duke ua tërhequr vërejtjen se janë duke e tepruar. Ne nuk kemi hyrë ta debatojmë se nëse po këndon mirë një hoxhë apo jo, pra neve nuk na pengon kualiteti, por niveli i zërit, sidomos në zonat urbane”, ka deklaruar Gashi, duke shtuar se mbetet të diskutohet se sa do të jetë niveli i zërit të ezanit të xhamive dhe kambanave të kishave.

“Ajo çfarë mund t’ju them është se zëri do të jetë i njëjtë për të gjitha xhamitë dhe kishat”, ka deklaruar Gashi. Ai ka thënë se gjuha e përdorur në Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma nuk është ofenduese për konfesionet fetare në Kosovë. 

Dardan Gashi, ministër i MMPH-së, ka thënë se rreth çështjes së Projektligjit për mbrojtjen nga zhurma në mes të kësaj ministrie dhe BIK-ut nuk ka kurrfarë keqkuptimi.