12
 
Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 11:50

Një gjykatës i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka konfirmuar pjesërisht aktakuzën kundër pesë të pandehurve lidhur me marrëveshjen për Operatorin e Rrjetit Mobil Virtual  (ORRMV) të arritur ndërmjet PTK-së dhe Dardafon-it Sh.p.k dhe bartjen e mëvonshme të licencës për Dardafon.net Sh.p.k në vitin 2008 dhe 2009.

Dosjen e plotë për rastin e PTK-së mund ta gjeni këtu. Portali i ka publikuar ekskluzivisht të gjitha aktakuzat dhe dosjet tjera të këtij rasti gjatë vitit 2011.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka konfirmuat tri pika të aktakuzës kundër Ismet Bojkut, përfaqësues ligjor i Dardafon Sh.p.k dhe Dardafon.net Sh.p.k, Blerim Devollit dhe Shkëlqim Devollit, dy pronarë të kompanive private që i përkasin Devolli Group (Pika 1: Mashtrim, në kundërshtim me nenin 261 të Kodit Penal të Kosovës (KPK); Pika 2: Lidhja e kontratave të dëmshme, në kundërshtim me nenin 237 të KPK; dhe Pika 4: Falsifikim i dokumenteve, në kundërshtim me nenin 332 të KPK.

Gjykatësi po ashtu ka konfirmuar tri pika kundër Shyqyri Haxhës, Kryeshef ekzekutiv  në PTK dhe Rexhë Gjonbalajt, kryetar i bordit të drejtorëve në PTK (Pika 6: Lidhja e kontratave të dëmshme, neni 237 i KPK; dhe Pikat 7 dhe 10: Shpërdorim i pozitës zyrtare, neni 339 i KPK).

Dy pika kundër Ismet Bojkut, Blerim Devollit dhe Shkëlqim Devollit janë hedhur poshtë (Pika 3: Keqpërdorim i besimit; dhe Pika 5: Krim i organizuar). Gjykatësi i procedurës paraprake po ashtu ka hedhur poshtë dy pika kundër Shyqyri Haxhës dhe Rexhë Gjonbalajt (Pikat 8 dhe 9: Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi).

Kundër pikave të hedhura poshtë, prokurori mund të paraqes ankesë brenda tre ditëve nga dita e dorëzimit të vendimit. 

Aktakuza ishte ngritur më 9 qershor 2011 nga një prokuror i EULEX-it i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSK). 

Aktakuza është rezultat i një hetimi të filluar në qershor të vitit 2010 nga një prokuror i EULEX-it i PSRK-së, në bashkëpunim me njësinë e Inteligjencës financiare të policisë së EULEX-it. Gjatë bastisjeve të kryera më 15 korrik 2010, hetuesit kanë konfiskuar një sasi të madhe të materialit i cili ishte ekzaminuar nga PSRK. Ishin kryer edhe ekspertiza kyçe lidhur me provat e konfiskuara. Lidhur me këtë rast janë intervistuar një numër i dëshmitarëve.

Hetimi, ndjekja dhe gjykimi i rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë janë pjesë e mandatit ekzekutiv të EULEX-it. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 13:38

Prishtinë – Në një komunikatë për media, departamenti për Komunikim i PTK-së ka paralajmëruar dorëheqjen.

Komunikata e plotë për media: Ju njoftojmë se sot Kryeshefi Ekzekutiv dr. Shyqyri Haxha është detyruar të paralajmëroi dorëheqjen nga pozita e tij.

Kryeshefi Ekzekutiv i PTK Sh.a për këtë paralajmërim e ka njoftuar edhe Bordin e Drejtorëve të PTK Sh. a.

Kryeshefi Ekzekutiv i PTK Sh.a pas një menaxhimi të suksesshëm të PTK Sh. a, për tri vitet e kaluara për shkaqe të zvogëlimit të hapësirës së veprimit dhe pengesave për realizimin e vizionit të tij për zhvillimin e korporatës, ka paralajmëruar dorëheqjen nga udhëheqja e mëtutjeshme e PTK Sh.a.

Për sukseset dhe rezultate të dëshmuara në menaxhimin e PTK Sh.a Kryeshefi Ekzekutiv falënderon të gjithë stafin e PTK Sh.a që e kanë përkrahur dhe kanë punuar së bashku me përkushtim, ndershmëri dhe profesionalizëm”, përfundon komunikata. 

Portali LajmeShqip.com kishte publikuar ekskluzivisht të gjitha akuzat në adresë të Shyqyri Haxhës, të ngritura për dyshime për korrupsion dhe keqpërdorime. Haxhës bashkë me drejtues të bordit të kësaj ndërmarrjeje dhe ata të kompanisë Dardafone u është ngritur aktakuza nga Prokuroria nën dyshimet për dëmtim të PTK-së dhe korrupsion, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për Operatorin e Rrjetit Mobil Virtual mes të PTK-së dhe Dardafon LLC dhe transferimin e mëvonshëm të licencës për Dardafon.net në vitin 2008 dhe 2009. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 12 October 2011 11:00

Prishtinë (PLOTESUAR, E Enjte, 14:02) – Seanca e mbajtur sot për konfirmimin e aktakuzës ndaj PTK-së dhe kryeshefit ekzekutiv të saj, Shyqeri Haxha, është shtyrë për datën 27 tetor dhe 3 nëntor, për arsye se Prokuroria nuk ia ka dhënë të gjitha shkresat mbrojtjes, kanë bërë të ditur burime të Portalit LajmeShqip.com.

Kopjen e plotë të aktakuzës ndaj Haxhës dhe të tjerëve mund ta lexoni këtu.

Bëhet e ditur nga burimi, se mbrojtja ka kërkuar të ndahen rastet dhe të mos gjykohen si një, por Prokuroria ka refuzuar, duke vlerësuar se rastet janë të ndërlidhura dhe nuk mund të ndahen. (LajmeShqip.com)

****************************

Prishtinë – Kur Portali LajmeShqip.com kishte publikuar ekskluzivisht 12 faqe të aktakuzës së ngritur ndaj kryeshefit të Postë-Telekomit Kosovar, Shyqeri Haxha, kryetarit të Bordit të drejtorëve të kësaj kompanie, Rexhë Gjonbalaj dhe pronarëve të kompanisë private “Devolli Group”, më 8 qershor të këtij viti, për keqpërdorime të mëdha dhe shkelje ligjore, në bashkëveprim, kishin qenë të menjëherëshme reagimet nga Oda Ekonomine e Kosovës, Aleanca Kosovare e Biznesit etj.

Portali nuk kishte komentuar asgjë, por kishte raportuar për ngritjen e aktakuzës ndaj tyre dhe kishte publikuar 12 faqet e para të saj. Dhe ky raportim i portalit, po konfirmohet tani kur të akuzuarit pritet të dalin të enjten në gjykatë, për t’iu konfirmuar aktakuza.

Njëri nga skandalet më të mëdha ku janë të përfshirë zyrtarët e kompanisë kosovare publike PTK, e cila është nxjerr në shitje, do të përfundojë të enjten në Gjykatë.
Dy drejtuesit kryesorë të kësaj ndërmarrjeje, Shyqeri Haxha, kryeshef i PTK-së dhe Rexhë Gjonbalaj, kryetar i Bordit të drejtorëve, së bashku me pronarët e kompanisë “Devolli Group”, Blerim Devolli, Shkelqim Devolli dhe përfaqësuesi ligjor i kësaj kompanie, Ismet Bojku do të paraqiten në seancën për konfirmimin e aktakuzës në Gjykatën e Prishtinës, nga një gjyqtar ndërkombëtar i EULEX-it, për akuza të ngritura nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Atyre pritet t’u lexohet akuza pesë muaj pas ngritjes së saj, nga dy prokurorë të EULEX-it, për lidhjen e kontratës që ka të bëjë me operatorin mobil virtual, e cila cilësohet si tejet e dëmshme për PTK-në.

Dy zyrtarët e PTK-së, Haxha e Gjonbalaj, akuzohen për vepra penale të lidhjes së kontratave të dëmshme, Shpërdorim të pozitës zyrtare dhe Keqpërdorim të Autorizimeve në Ekonomi.

Pronarët e Devolli Group, Blerim Devolli dhe Shkëlqim Devolli si dhe zyrtari i kësaj kompanie, Ismet Bojku, akuzohen për mashtrim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të besimit, falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe krim të organizuar.

Ata do të paraqiten në gjykatë katër ditë pas tërheqjes nga tenderi për privatizimin e PTK-së, të kompanisë kroate “Harvatski Telekom”. Arsyeja e kësaj tërheqjeje, sipas zyrtarëve të saj, ka të bëjë po me këto akuza të ngritura nga prokurorë të EULEX-it. Ndërsa kryeshefi i PTK-së, Haxha, tërheqjen e kompanisë kroate dhe përmendjen e akuzave, i ka cilësuar si përpjekje për ta denigruar personalitetin e tij dhe për ta ulur vlerën e PTK-së.

Hetimet për këtë skandal të PTK-së kishin nisur në korrik të vitit të kaluar. Aktakuza ishte ngritur një vit më vonë.

Kryetari i Bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj akuzohet se, më datën 20 tetor 2008, në takimin e Bordit të Drejtorëve të PTK-së, qëllimisht ka votuar në favor dhe pa rezervë që PTK-ja të lidhë marrëveshje me Dardafonin, me një ndarje të fitimit me PTK-në në vlerë prej 22 për qind. Rexhë Gjonbalaj ishte i vetëdijshëm se marrëveshja përfshinte një ndarje të papranueshme të fitimit prej 22 për qind dhe një mungesë e sigurisë së domosdoshme për PTK-në dhe ishte bazuar në propozimin për ndarjen e fitimit të cilën më parë Bordi e kishte refuzuar.

Gjonbalaj ishte forca kryesore në bord të PTK-së, që marrëveshja të aprovohej me këtë ndarje të papranueshme të fitimit dhe përmbajtjen e pasigurt.

Shyqeri Haxha, kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, akuzohet se e ka nënshkruar marrëveshjen finale më 16 janar 2009 ndërmjet PTK-së dhe Dardafon.net LLC, duke e ditur se kjo marrëveshje do t’i shkaktonte humbje PTK-së në vlerë të pallogaritshme, që do të tejkalonte 100.000.00 euro.

Portali LajmeShqip.com i kishte publikuar ekskluzivisht 12 faqet e para të aktakuzës në qershor, gjë që kishte bërë të reagojnë për ta sulmuar ashpër Portalin LajmeShqip.com nga Oda Ekonomike, AKB etj. Publikimi i parë i aktakuzës mund të lexohet këtu.

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 October 2011 17:59

Zagreb (Reuters) – Telekomi Kroat T-HT është duke vlerësuar që të tërhiqet nga tenderi për shitblerjen e kompanisë shtetërore, Post-Telekomit të Kosovës, pasi që menaxherët e kompanisë kosovare janë akuzuar për korrupsion, kanë bërë të ditur nga T-HT, të martën.

T-HT, shumica në pronësi të Deutsche Telekom (DTEGn.DE) dhe Telekom Austria, u përzgjodhën në listën më të ngushtë, në qershor, në garën për  75 për qind të PTK-së, vetëm disa ditë para se të akuzoheshin drejtori ekzekutiv dhe katër të tjerë nga prokurori i Bashkimit Evropian.

“Pas akuzave të ngritura kohëve të fundit ndaj menaxherëve të PTK-së, të dyshuar për korrupsion, T-HT është duke shqyrtuar pjesëmarjen e vazhdueshme në procesin e privatizimit“, tha për Reuters zëdhënësja Maja Ëeber, nga Zagrebi.

Shefi Ekzekutiv i PTK-së, Shyqeri Haxha, dhe kryetari i bordit, Rexhë Gjonbalaj, janë akuzuar për “kontrata të dëmshme” dhe për abuzim të pozitave zyrtare. Gjyqi nuk ka filluar ende.

Shitja e  PTK-së pritej të ishte në mes të 300 dhe 600 milionë euro ($ 409 – $819,000,000), fonde tashmë të parashikuara për buxhetin 2011.

Qeveria po përballet me një krizë të buxhetit, pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar ndërpreu një marrëveshje në pritje me Kosovën në këtë vit, prej 108.000.000 €, kur qeveria devijoi nga programi i tij, duke rritur pagat e sektorit publik.

Marrëveshja e FMN-së ishte një parakusht për Kosovën, për të marrë një grant prej rreth 200 milion euro nga Komisioni Evropian dhe Banka Botërore.

PTK, kompania më fitimprurëse në Kosovë, ka rreth 1 milionë abonentë mobilë dhe 100.000 abonentë të telefonisë fikse dhe, gjithashtu, ofron shërbime të internetit.
Kosova, e cila e shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, nuk e ka prefiksin e shtetit, dhe thirrjet ndërkombëtare shkojnë nëpër Monako, Serbi dhe Slloveni. (1 $ ose 0,732 euro).

 
Lajme Shqip Thursday, 04 August 2011 16:31

Prishtinë – Zyrtarë të Postë Telekomit të Kosovës dhe të Bordit të drejtorëve të kësaj kompanie përsëritën sot se kontrata me Dardafonin nuk është e dëmshme për PTK-në.

Kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha publikoi të dhëna të kontratës mes PTK-së dhe Dardafonit për funksionimin e operatorit virtual të telefonisë mobile Z-Mobile. Duke u munduar ta pasqyrojë atë si mjaft dobiprurëse për PTK-në, ai tha se nga të gjitha operimet e Z-Mobile-it, PTK-ja pa investuar asgjë përfiton rreth 27 për qind të profitit, i cili rritet edhe më tej nga shërbimet tjera.

“Brenda vitit detyrimet e Z-Mobile ndaj PTK-së janë 1.2 milionë, kurse të hyrat nga MVNO në total janë 3 milionë, ndërkaq të hyrat për tre muaj janë 39.5 për qind dhe nuk bëhet më fjalë për 27 për qind”, tha ai.

Pikërisht në bazë të hetimeve për këtë kontratë, Prokuroria Speciale e Kosovës në qershor të këtij viti ka ngritur aktakuzë kundër pesë të pandehurve, duke përfshirë edhe kryeshefin dhe drejtorin e bordit. Haxha tha se nuk dëshiron ta pasqyrojë atë kontratë si të mirë apo të keqe, por theksoi se i mbetet publikut ta bëjë vlerësimin përkatës.

Drejtori i Bordit të PTK-së Rexhë Gjonbalaj tha se ka pasur tendenca për uljen e vlerës së PTK-së, por bordi ka vlerësuar se kontrata nuk është e dëmshme për PTK-në. Sipas tij, nevojitet një informim i drejtë, që me rastin e shitjes se PTK-së, Kosova të marrë maksimumin e mundshëm.

Ndërkohë, eksperti i ekonomisë Muhamet Sadiku shfaqi dyshime rreth privatizimit të kompanive publike, pastaj se çfarë pasojash do të ketë privatizimi i 75 për qind të aksioneve të PTK-së, duke thënë se mungon strategjia për përdorimin e mjeteve të privatizimit.

Por Liridon Mavriqi, këshilltar i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, tha se shitja e PTK-së është planifikuar që prej katër vjetësh, tashmë janë kualifikuar dy kompani dhe paralajmëroi se aktualisht janë në fazën e fundit e përgatitjes së tenderit të privatizimit.

Rreth skandalit të kontratës PTK-Dardafone, Portali LajmeShqip.com ka publikuar 12 faqe nga aktakuza e ngritur ndaj kryeshefit të PTK-së Shyqeri Haxha për implikimet në këtë skandal. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 20 July 2011 18:19

Prishtinë (PLOTËSUAR në 19:32) – Në orët e mbrëmjes ka reaguar menjëherë Posta dhe Telekomi i Kosovës, duke e demantuar kumtesën shpërndarë mediave në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të PTK-së, Shyqeri Haxha.

Kumtesa e shpërndarë përmes e-mailit është quajtur e paautorizuar dhe e pavërtetë nga Zyra e informacionit e PTK-së.

“Kjo komunikatë e pa autorizuar, e cila është dërguar në emër të Shyqyri Haxhës, dhe përbën vepër kriminale, si e tillë është e shpifur, e sajuar, dhe e lansuar nga një adresë elektronike e imagjinuar në emër të Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së”, thuhet në kumtesën e PTK-së

“Dërgimin e kësaj komunikate dhe plasimin e informatave të pavërteta e të shpifura e kanë bërë persona të papërgjegjshëm, të cilët kanë për synim prishjen e imazhit të PTK-së si dhe njollosjen, fyerjen dhe dëmtimin e imazhit tim personal si kryeshef ekzekutiv i PTK-së”, ka deklaruar Haxha, duke shtuar se qëllim i kësaj është ulja e vlerës së PTK-së në procesin e privatizimit.
PTK menjëherë pas publikimit të lajmit përmes Departamentit të Hetimeve, i ka dërguar kërkesë zyrtare Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, që të fillojë menjëherë hetimet zyrtare me qëllim të zbulimit të këtyre shantazhuesve. (LajmeShqip.com)

*************************************************************

Prishtinë – Portali LajmeShqip.com publikon kopjen e marrëveshjes, njoftimin për shkëputje të kontratës dhe ofertën e PTK-së adresuar IPKO-s për shfrytëzim të infrastrukturës së fijeve optike, e dërguar sot bashkë me kumtesën për media, në të cilën Drejtori i Përgjithshëm i PTK-së, Shyqyri Haxha, ka deklaruar publikisht se e ka nënshkruar nën trysni kontratën më të dëmshme në dhjetë vitet e fundit për PTK-në.

E nënshkruar më 17 qershor të vitit 2009 midis Shyqyri Haxhës, përfaqësues i PTK-së dhe Akan Ismailit, përfaqësues i IPKO-s, kontrata PTK-IPKO për marrjen me qira të kabllove optike nga kjo e fundit, është dashur të shkëputet më 17 korrik të këtij viti, sipas një njoftimi që Haxha i ka adresuar drejtorit të tanishëm të IPKO-s, më 19 prill 2011.

Përkundër këtij paralajmërimi, IPKO vazhdon të funksionojë pa pengesa, derisa kjo duket ta ketë çuar Shyqyri Haxhën në reagim publik.

Ndërkohë, duket se këto zhvillime kanë nisur ta lëkundin edhe vetë Slloveninë.

Këto zhvillime, skandale e shkelje të tjera, të cilat i ka publikur Portali LajmeShqip.com, hetimet nga EULEX etj., duket se kanë bërë që të fillojë rënia e kështjellës së korrupsionit në Kosovë, e ngritur për më shumë se dhjetë vjet në kompaninë publike kosovare PTK.

Por, dridhjet e saj e kanë lëkundur drejtpërdrejt kompaninë tjetër publike, Telekomin e Sllovenisë, i cili ka vendosur për shitjen e njësive të veta në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Telekom Sllovenije mund t’i shesë njësitë në Maqedoni dhe në Kosovë, kanë transmetuar mediat në Lubjanë.

Telekom Slovenije d.d. mund t’i shesë njësitë e veta në Kosovë dhe në Republikën e Maqedonisë për “një çmim të mirë”, citon gazeta “Finance” të ketë thënë Drejtori Ekzekutiv, Ivica Kranjçeviç.

Kompania sllovene në pronësi të shtetit, në Shqipëri, gjithashtu mund të jetë në shitje, derisa ajo në Bosnjë e Hercegovinë ka “operacione shumë të mira” dhe shitja do të ishte e pakëndshme, ka thënë Kranjçeviç.

Nga këto shitje Telekom Sllovenije synon të hyra totale neto në 28 milionë euro në vit, ka saktësuar Drejtori Ekzekutiv, Kranjçeviç, në gazetën sllovene.

Ndërkohë, Telekom Sllovenije është pronar i Kompanisë IPKO në Kosovë dhe i atyre ONE dhe PRIMO në Shqipëri.

Deklarata e drejtorit Kranjçeviç koincidon me deklaratën e sotme, në të cilën Drejtori i Përgjithshëm i PTK-së, Shyqeri Haxha, e ka pranuar publikisht dhe për herë të parë se, përveç kontratës me Dardafone, e ka nënshkruar edhe një kontratë tjetër, siç ka thënë ai, më të dëmshmen në historinë e PTK-së, me Kompaninë IPKO, “kontratën me numër protokolli 013233/09, në mes të PTK- së dhe IPKO -s për dhënien e fijeve optike kompanisë IPKO”.

Drejtori Haxha ka thënë se për këto kontrata ka qenë i detyruar të nëshkruajë, i vetëdijshëm se janë në dëm historik të PTK-së dhe të cilat, ka thënë ai, “i shkaktojnë kompanisë më profitabile publike në Kosovë humbje prej 11 milionë eurosh në vit”.

Ndërkohë, Haxha nuk ka deklaruar se nën trysninë e kujt i ka nënshkruar kontratat në dëm të PTK-së dhe, gjithashtu, ka kërkuar që të respektohet vendimi i tij për të mos deklaruar asgjë më shumë rreth kësaj çështjeje. (LajmeShqip.com)

Marrëveshja në fjalë:

 

Oferta e bërë nga PTK për IPKO:

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 June 2011 13:58

Prishtinë – Portali Lajmeshqip.com, pas publikimit ekskluziv të pjesës së parë të aktakuzës me 12 faqe faksimil, ku implikohen dy kompanitë më të mëdha të biznesit në vend, PTK (kompani publike) dhe “Devolli” (kompani private), ka sjellë po ashtu ekskluzivisht pjesën II dhe III të kësaj aktakuze, të papublikuar deri më tani.

Në vijim dosja e plotë e aktakuzës në 49 faqe.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 June 2011 13:29

Prishtinë – Portali Lajmeshqip.com, pas publikimit ekskluziv të pjesës së parë të aktakuzës me 12 faqe faksimil, ku implikohen dy kompanitë më të mëdha të biznesit në vend, PTK (kompani publike) dhe “Devolli” (kompani private), sjellë po ashtu ekskluzivisht pjesën III të kësaj aktakuze, të papublikuar deri më tani.

Pasqyrë me plotë shkelje, presione, shantazhe dhe lojë symyllurazi me rregullat dhe ligjet. Dëshmitarët kyç tregojnë për të bëmat – presionet dhe shantazhet e Rexhë Gjonbalajt dhe nënshkrimet e vetëdijshme të kreut të Bordit të PTK-së, Shyqeri Haxha.

Faksimilet në vijim pasqyrojnë qartë implikimet, të cilave, pas ngritjes së aktakuzës kanë synuar t’u bishtërojnë drejtuesit e PTK-së.

Janë disa dëshmitarë me përgjegjësi në PTK, në mesin e të cilëve edhe ish-kryetari i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Ilir Salihu, të cilët flasin për shkeljet procedurale dhe presionin e Rexhë Gjonbalajt për t‘u nënshkruar marrëveshja “Dardafon” dhe nënshkrimet e kësaj marrëveshjeje, me vetëdije që po shkelë çdo rregull dhe procedure, nga kryetari pasues i Bordit të PTK-së, Shqyqeri Haxha.

Skdandali “Dardafon” duket se do të jetë një prej temave më të mëdha të gjykatave të vendit, në këtë verë, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe piramidës së krimit, të ndërtuar për më shumë se një dekadë në Republikën e Kosovës.

Në vijim është pjesa III e aktakuzës së ngritur për milionat e abuzuar në rastin “Dardafon”, të cilën e përcjellë ekskluzivisht Portali Lajmeshqip.com.

 

 

 

 

 

 

 

Pages: 1 2

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 16:31

Prishtinë – Posta dhe Telekomi i Kosovës është skandali i parë i madh i keqpërdorimeve milionëshe, që është hapur më në fund nga drejtësia në Kosovë.

Vera e paralajmëruar e kapjes së „peshqve të mëdhenj” të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, ka vënë në rrjetë drejtuesit e PTK-së, Shyqeri Haxhën, kryetar i Bordit të Drejtorëve të këtij gjigandi publik dhe udhëheqësin tjetër të saj, Rexhë Gjonbalaj, tok me pronarët e kompanisë tjetër private, “Devolli Group”, për milionat e keqpërdorura në aferën “Dardafon”.

Portali Lajmeshqip.com, e ka përcjellë ekskluzivisht pjesën e parë të aktakuzës rreth këtij rasti, me 12 faqe faksimil, ndërkaq në vijim i përcjellë faqet tjera të aferës më të madhe të korrupsionit në vend, në të cilën implikohen këto dy kompani gjigande, njëra e sektorit publik e tjetra e sektorit privat.

Aktakuza shumëfaqëshe jep detajet e keqpërdorimeve në PTK, mënyrën e ndërtimit të piramidës së krimit të organizuar dhe llahtarisë finaciare, ku “me ligjin e të mëdhenjve” dhe “dorën e fortë”, bossët e kompanive më të rëndësishme në vend, janë shndërruar në orientue ekskluzivë të parasë publike.

Portali Lajmeshqip.com, sjellë ekskluzivisht serinë e radhës të fakteve – aktakuzën shumëfaqëshe me detajet e keqpërdorimeve në PTK, mënyrën e ndërtimit të piramidës së krimit të organizuar dhe llahtarisë finaciare, ku “me ligjin e të mëdhenjve” dhe “dorën e fortë”, bossët e kompanive më të rëndësishme në vend, janë shndërruar në orientues ekskluzivë të parasë publike

 

 

Pages: 1 2 3 4 5 6

 
Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 18:50

Prishtinë – Portali Lajmeshqip.com sjellë ekskluzivisht kopjen e aktakuzës së ngritur ndaj Shqyqyri Haxhës, Drejtor i Përgjithshëm i PTK-së dhe bashkëpunëtorëve të tij, ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Aktakuza e ngritur më 8 qershor 2011 (sot), është e ndarë në dy pjesë.

Pjesa e parë ka të bëjë me të akuzuarit Blerim Devolli, Shkëlqim Devolli dhe Ismet Bojku, të cilët akuzohen për lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të besimit, falsifikim dokumentesh dhe krim të organizuar.

Në pjesën e dytë të saj akuzohen Shyqyri Haxha dhe Rexhë Gjonbalaj, për lidhje të kontratave të dëmshme, shpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi.

Shyqyri Haxha, drejtor i përgjithshëm i PTK-së, sipas aktakuzës, ndër të tjera, ka bërë shkelje të rënda të keqpërdorimit të detyrës në ekonomi, duke rënë ndesh me paragrafin 1, nënparagrafin 5 dhe paragrafin 2 të nenit 236 të Kodit Penal të Kosovës. Sipas kësaj shkeljeje, ai mund të dënohet deri në tetë vjet burg, duke u implikuar në keqëprdorime që i kanë sjellë përfitim material mbi 100 mijë euro, në vetëm njërin rast.

Trungu i akuzës ndaj Ddrejtorit të Përgjithshëm të PTK-së, Shyqyri Haxha dhe Rexhë Gjonbalajt, është marrëveshja midis PTK-së dhe Dardafon LLC, ku janë të përfshirë në bashkëveprim në krim të organizuar, falsifikim dokumentesh dhe keqpërdorim të besimit edhe Blerim Devolli, Shkëlqim Devolli dhe Ismet Bojku.

Aktakuza flet për historinë e krimit të organizuar dhe keqpërdorimeve drastike, të kryera në tre vitet e fundit në kompaninë më profitabile publike në Kosovë, Postën dhe Telekomin (PTK).

Portali Lajameshqip.com ka mësuar se vera do të jetë e nxehtë në ngritjen e akuzave dhe vënien nën pranga të shumë zyrtarëve të tjerë të lartë të vendit, të përfshirë në korrrupsion dhe krim të organizuar, në dhjetë vitet e fundit.

EULEX-i, disa muaj më parë ka paralajmëruar kapjen e “peshqve të mëdhenj” të krimit të organizuar në Kosovë.

12