Lajme Shqip Monday, 25 February 2013 16:13

“Qëllimi i dialogut është siguria dhe mbijetesa e serbëve në Kosovë, si dhe stabiliteti i përhershëm në rajon”, ka thënë Daçiq në takimin me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Britanisë, Francës dhe Italisë.

Siç transmetojnë mediat në Beograd, në takim është thënë se Serbia është në rrugë të mirë për marrjen e datës së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar deri më tash pesë raunde bisedimesh në nivel kryeministrash. Bisedimet ndërmjetësohen nga BE-ja dhe kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

BE-ja ka porositur të dyja palët se rezultatet nga ky proces janë esenciale për përparimin e tyre në rrugën e integrimit evropian.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 16 February 2013 14:14

Beograd – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daqiq, ka thënë se Serbia nuk do të zhbëjë institucionet e saj në Kosovë, pa një marrëveshje të garantuar ndërkombëtarisht për atë se çka do t’i zëvendësojë ato.

“Në negociata jemi duke u përpjekur për të përcaktuar autonominë e serbëve në Kosovë. Për ne kjo është autonomi në autonomi. Kërkojmë formimin e bashkësisë së komunave serbe, me përgjegjësi të qarta: edukim, arsim, gjyqësia në shkallën e parë dhe të dytë, polici që do të ketë marrëdhënie me autoritetet e Prishtinës – por edhe me Beogradin”, ka thënë ai për TV Pink.

Ai përsëriti se situata është shumë e vështirë dhe se çdo ditë Serbia po e humbet sovranitetin dhe “shenjat” themelore të shtetësisë, dhe se institucionet serbe në Kosovë janë pak të pranishme.

I pyetur në lidhje me qëndrimin e Gjermanisë dhe gjasat për Serbinë për të marrë një datë për fillimin e negociatat me BE-në, Daqiq tha se në bashkësinë ndërkombëtare ka qarqe që mendojnë se është momenti i duhur për të bërë “hyxhym” në Serbinë, sepse ajo është e gatshme për këtë për shkak të datës.

“Mendoj se kjo është krejtësisht e gabuar. Që dialogu të ketë sukses nevojiten lajmet e mira, e jo presionet dhe lajmet negative. Prandaj, kjo do të ishte vrasje e dialogut, e jo kontribut që dialogu të sjellë rezultate, sepse nuk ka çfarë presioni tjetër të bëhet mbi Serbinë”, ka thënë ai, duke shtuar se Serbia kërkon “zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën”, që do t’ia mundësonte Serbisë të mos e njoh pavarësinë e Kosovës, por që në anën tjetër të definojë qartë pozitën e popullit serb në Kosovë dhe mënyrën e tyre të organizimit të jetës politike.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 11 February 2013 13:41

Beograd – E përjavshmja e Beogradit NIN në numrin e fundit ka publikuar një hulumtim gazetaresk, sipas të cilit kryeministri aktual i Serbisë, Ivica Dçaiq del i implikuar në krim të organizuar thuaja gjatë gjithë viteve të pasluftës, por edhe më herët. 

Lidhjet e tij me njërin nga bosët e krimit të organizuar, në veçanti të trafikimit të drogës, identifikohen qartë.

Kryeministri serb Ivica Daçiq e ka parë veten në mes të stuhisë mediatike pas akuzave që e lidhin atë me trafikun e drogë, duke lënë të kuptohet se zgjedhjet e përgjithshme nuk janë shumë larg, transmetojnë mediet njoftimet.

Por lideri socialist ka nxituar të mohojë se ka pasur diçka të dyshimtë në takimet e tij me trafikantin e drogës Rodolub Raduloviq, të njohur dhe si Misha Banana, në periudhën 2008 – 2009.

Por akuzat nga partia socialiste për partnerët e koalicionit kanë rritur hipotezat se partia më e madhe serbe ajo progresiste do të përjashtojë Daçiq dhe të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Por kjo parti vazhdon të renditet e para në sondazhe.

“Autoritetet kompetente shtetërore do të veprojnë në bazë të ligjit dhe do të bëjnë gjithçka për të zbardhur krimet në fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë betejë nuk duhet dhe nuk do të ketë persona të mbrojtur, pavarësisht emrit që kanë, mbiemrit apo funksionit”, vlerësoi ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vuçiq. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 09 February 2013 18:22

Beograd – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq është takuar me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-Moon, ku është vlerësuar se dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit duhet të vazhdojë, njoftojnë mediat serbe.

Daçiq, që gjendet në një vizitë disa-ditëshe në SHBA, ka shprehur rëndësinë e pranisë së UNMIK-ut në Kosovë, pasi siç ka thënë ai, serbët më së shumti i besojnë këtij misioni.

Ai citohet të ketë kërkuar nga OKB-ja, që të mos i zvogëlojë kapacitetet në Kosovë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 08 February 2013 12:51

Beograd – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se Serbia nuk do ta njeh Kosovën, por ka bërë të ditur se problemi i institucioneve paralele duhet të zgjidhet.

Daçiq në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, ka thënë se të gjithë faktorët ndërkombëtar, përfshirë këtu edhe BE-në e SHBA-në, dëshirojnë që të vazhdojë dialogu Prishtinë-Beograd.

Kreyministri serb Daçiq po qëndron këto ditë për vizitë në Uashington, ku pritet të takohet me zyrtar të lart të shtetit amerikan.

I pyetur se çfarë pret nga Uashingtoni kur është fjala për Kovovën, Daçiq ka thënë se nuk duhet të priten ndryshime spektakulare në këtë fushë. “Është e qartë që ne kurr nuk do ta njohim Kosovën. Në anën tjetër, Serbia edhe më tutje është duke u munduar të gjejë zgjidhje në atë mënyrë që të mendohet se jeta në Kosovë do të jetë e organizuar në asi kushte që Serbia të mos ta njohë pavarësinë dhe si të gjenden modalitete për zgjidhjen e problemit të strukturave paralele”, ka thënë Daçiq.

Ai ka shtuar se dëshira e tij ashtu edhe SHBA-ve dhe BE-së, është që marrveshjet e arritura në Bruksel, të zbatohen edhe në terren.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 02 February 2013 12:31

Bruksel – Rundi i ri i dialogut të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiq është caktuar t çmahet më 22 shkurt në kabinetin e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme të BE Catherine Ashton.

Ky do të jetë takimi i pestë Thaçi – Daçiq.

Në rundin paraprak më 17 janar, shkruajnë mediet serbe, është arritur marrëveshja e përkohshme për pagesën e doganës në vendkalimet kufitare dhe është hapur tema e veçantisë së veriut të Kosovës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 01 February 2013 12:32

Beograd – Kamera e fshehur, në grackën e së cilës ra kryeministri serb, Ivica Daçiç, është kthyer në skandal të madh mediatik.

Një produksion i TV Pink të Beogradit (i cili e transmetoi, por që organizatorët ishin nga një shoë kroat), në emisionin e njohur ‘Misioni i pamundur’, ka organizuar një intervistë me kryeministrin Daçiç, ku intervistuesja, ndërkohë që pyeste për lidhjet jashtëmartesore të ministrave, intervistën e kryente pa mbathje.

Kryeministri Daçiç ka filluar të përgjigjet, por më pas nuk ka mundur t’i shmanget një buzëqeshjeje.

Anoncimi i emisionit doli në internet dhe mediat vërshuan me rrëfimin, por Kryeministria reagoi duke thënë se Daçiç nuk ka dhënë pajtimin për transmetimin e intervistës.

Këshilltari i kryeministrit, Ivica Tonçev, ka theksuar se kjo është tallje me tërë Serbinë dhe është keqpërdorur besimi, që kryeministri ka te gazetarët.

Producentët kanë mohuar që Daçiç të ketë pasur njohuri se çfarë do të ndodhte, ndërkohë që ka reaguar edhe shoqata e gazetarëve, duke e cilësuar këtë gjë si shkelje të etikës.

Qeveria ka paralajmëruar hetime për intervistën gati erotike.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 29 January 2013 08:00

Shkup – Kryeministri serb Ivica Daçiç nga Shkupi porositi se nuk do të lejojë që shqiptarët të provokojnë Serbinë me përmendore të ushtarëve të UÇPMB-së, të cilët  edhe një herë i quajti terroristë.

“Serbia nuk është banana-republikë, ajo ka ligjet e veta. Mendoni sikur të ekzistojë në Nju Jork përmendore e Al Kaedës ose në Spanjë përmendore e grupeve terroriste. Prandaj lapidarin në Preshevë nuk mund ta komentoj ndryshe veçse si provokim ndaj shtetit te Serbisë. Në Preshevë ekzistojnë 22 përmednore të UÇK-së dhe UÇPMB-së dhe shteti ka heshtur, derisa u vendos  ajo përmendore në qendër të Preshevës, para ndërtesës së komunës”, deklaroi Daçiç.

I pyetur se kur shqiptarët e Luginës së Preshëvës do të gëzojnë të drejta të barabarta me serbët e Veriut të Kosovës, Daçiç tha se janë liderët shqiptarë ata që nuk duan të bisedojnë në këtë temë pasi frikësohen nga reagimi i bashkësisë ndërkombëtare.

“Sa i përket asaj për të cilën ju po flisni, të drejta atje, të drejta këtu, për këto gjëra mos më pyesni mua. Ju duhet ta dini për çfarë angazhohem unë kur diskutohet zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe Metohisë. Mund t’i drejtoheni liderëve shqiptarë që nuk duan të bisedojnë për këto çështje. Ata nuk duan të lidhin çështjen e këtyre dy territoreve sepse nuk guxojnë nga Perëndimi”, theksoi Daçiç.

Daçiç pas takimit në Shkup me kryeministrin Nikolla Gruevski paralajmëroi se, në maj qeveria serbe dhe ajo maqedonase do të mbajnë mbledhjen e parë të përbashkët në Beograd për të diskutuar për tema të ndryshme që kanë të bëjnë me marrëdhëniet bilatarele.

Vizita e kryeministrit serb në Maqedoni, që zhvillohet pak ditë pas heqjes se lapidarit te UÇPMB-së, ka shkaktuar pakënaqësi tek shqiptarët.

Përfaqësuesit e partisë shqiptare në qeverinë e Maqedonisë thanë se ardhja e kryeministrit serb në këtë kohë nuk mund të kuptohet në asnjë mënyrë si kontribut në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore mes Maqedonisë dhe Serbisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 25 January 2013 17:34

Beograd – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar sot se çështja e karriges për Kosovën në Kombet e Bashkuara është e tejdimensionuar dhe asnjëherë nuk është përmendur në bisedimet Beogard – Prishtinë.

“Çështjen e karriges së Kosovës në OKB e vendos pushteti në Prishtinë, pasi e dinë se procesi i pavarësisë pa këtë nuk është rrumbullaksuar”, tha Daçiq sot në qytetin Vërshac, dhe shtoi se “kjo çështje nuk mund të zgjidhet, nëse nuk diskutohet për pakon e tërë të zgjidhjes së çështjes së Kosovës”.

Daçiq tha se “tash për tash, kjo temë nuk është përmendur në asnjë bisedë”.

Sipas tij, Serbia nuk është e gatsme të bisedoj për këtë temë “kalimthi” dhe se për Serbinë është e papranueshme që ajo të paraqitet në atë formë.

“Ne qëndrimin për Kosovën nuk do ta ndryshojmë”, tha Daçiq, dhe shpjegoi se “kjo është e vetmja gjë që Kosova nuk mund ta fitoj, ndërsa, me shumë gjasë, të gjitha të tjerat mund t’i fitojë” dhe Serbia nuk mund ta pengojë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 29 December 2012 17:36

Prishtine – Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se me kryeministrin serb Ivica Daçic do të takohet në janar për të biseduar për eliminimin e strukturave ilegale të sigurisë në veri të vendit.

Thaçi po ashtu ka thënë se do te japë edhe ofertën më të mirë për qytetarët serbë në veri: ata do të kenë të njëjtat të drejta edhe në jug e edhe në veri, nuk do të ketë standarde të dyfishta, por do të jetojnë me të drejta të barabarta.

Daçiq ka thënë se këtë propozim do ta dëgjojë më 17 janar, por nuk beson se do ta pëlqejë.

“Nuk e di se ç’po përgatit ai… Unë pres që kjo ofertë të jetë në përputhje me atë se serbët janë për diçka unike, por nuk besoj se Thaçi do të propozojë autonomi apo status special”, tha kryeministri serb, transmeton Telegrafi.com.

Se me kë do të ulet në tavolinën e bisedimeve, me Thaçin apo Ramush Haradinajn, për Daçiqin është krejt njësoj.

“Nuk jemi ne këtu të zgjedhim se me kë do të flasim nga pala tjetër. Tash më detyroni të them se Thaçi është më i mirë se Haradinaj… Do të dukesha qesharak nëse them kështu”, tha ai.

Këto reagime vijnë pas intervistës së Thaçit, ku ai kishte deklaruar se Daçiqi është qytetar i Kosovës.(P.O/LajmeShqip.com)