Lajme Shqip Tuesday, 21 May 2013 13:44

Kryeministri i Kosovës,  Hashim Thaçi  deklaroi se një marrëveshje për planin e zbatimit të marrëveshjës do të arrihet në takimin me kryeministrin serb Ivica Daçiq.

Takimi mbahet sot me ndërmjetësimin e liderës së diplomacisë evropiane  Catherine Ashton.

“Jam optimist dhe me shpresë që do të arrihet marrëveshja për implementim dhe do të shohim hapa konkret të ndryshimit të gjendjes edhe në terren”,  deklaroi Thaçi.

Kryeministri theksoi se do të ketë vullnet të institucioneve kosovare dhe të qytetarëve të veriut të vendit që bashkërisht të punohet për një jetë më të mirë.

“Natyrisht, që sfida do të kemi, vështirësi do të kemi, por këto sfida nuk janë vetëm të veriut janë të gjithë Kosovës, por jam optimist që gjërat do t’i kalojmë bashkërisht”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Ai mohoi mundësinë e rishikimit të marrëveshjës së arritur mes dy shteteve.

“Ridiskutim të marrëveshjes nuk mund të ketë, por opinionet se si do të implementohet duhet të respektohen”, deklaroi  Thaçi.

Ndërkaq Daçiq ka deklaruar se nga Beogradi pritet që deri në fund të javës të hartojë planin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit ku do të përcaktohen afatet dhe veprimet.

 “Plani është i nevojshëm që dikush të mund të konkludojë se po punojmë diç seriozisht”, deklaroi Daçiq. 

 
Lajme Shqip Friday, 17 May 2013 11:28

Gjatë takimit të sotëm, sipas televizionit B92, do të diskutohen temat e telekomunikacionit dhe të energjetikës.
Paviqeviq ka thënë se këto tema kanë nisur më herët në kuadër të dialogut teknik, por asnjëherë nuk janë mbyllur dhe nuk është gjetur zgjidhje për to, transmeton rel.
Prishtina dhe Beogradi kanë arritur deri më tash një sërë marrëvshjesh në kuadër të dialogut teknik në Bruskel, por zbatimi i tyre ka ngecur.
As marrëveshja për normalizim raportesh, e arritur mes dy kryeministrave, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, në muajin prill në Bruksel, nuk ka nisur ende të zbatohet. Por, takimi i rradhës mes të Thaçit dhe Daçic, do të mbahet më 21 maj. Lajmi është konfirmuar nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Catherine Ashton,  e cila është edhe ndërmjetësuese e procesit.

“Kam ftuar edhe Daçic dhe Kryeministrin Thaçi për një takim javën e ardhshme, më 21 maj, në Bruksel për të diskutuar hapat e përbashkët që duhet të ndërmerren për zbatimin e marrëveshjes së prillit. Zbatimi i shpejtë është i një rëndësie vendimtare”, ka thënë Ashton përmes deklaratës për media.

Thaçi dhe Daçic kanë arritur me 19 prill marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Zbatimi i marrëveshjes së arritur ka ngecur, dhe për këtë gjë të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën

 
Lajme Shqip Tuesday, 30 April 2013 13:07

Beograd – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se qeveria e tij “nuk e ka shitur Kosovën” dhe se “ajo është pjesë përbërëse e Serbisë”.

I pyetur nga mediat serbe nëse Serbia ka tradhtuar luftërat ballkanike, Daçiq ka thënë se “territori i Serbisë sot është më i madh sesa në fund të atyre luftërave”.

“Ne nuk e shesim Kosovën. Ajo është pjesë përbërëse e Serbisë, por duhet mbijetuar. Edhe në kohën e shumë pjesëtarëve të familjes Karagjorgjeviq, Kosova nuk ka qenë në Serbi, por e kemi kthyer”, ka thënë Daçiq, siç transmeton REL.

Të hënën, Daçiq ka thënë se organizimi eventual i referendumit për Marrëveshjen e Brukselit nuk do të duhej të shtynte zbatimin e saj.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre më 19 prill, në Bruksel.

Ideja për referendumin rreth marrëveshjes ka lindur pas takimit që liderët e komunave veriore të Kosovës kanë zhvilluar javën e kaluar me kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin e Serbisë, Daçiq, përkatësisht Aleksandar Vuçiq.

Liderët e komunave veriore të Kosovës kanë insistuar që Serbia të përcaktohej nëse është për marrëveshjen apo për mbajtjen e Kosovës në Serbi, pasi që me marrëveshjen ata mendojnë se do të shkëputen nga shteti serb dhe do integrohen në shtetin e Kosovës.

Serbët e veriut do të takojnë prapë sot zyrtarët e Qeverisë së Serbisë, në Beograd.

Serbët e Kosovës sot në Beograd

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës do të takojnë sot në Beograd përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë, për të biseduar rreth Marrëveshjes së Brukselit.

Sipas mediave serbe, në takim do të marrin pjesë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq, ndërsa përveç përfaqësuesve të serbëve të veriut, në tryezë do të jenë edhe përfaqësuesit e serbëve që jetojnë në jug të Lumit Ibër.

Takimi do të jetë përpjekje për të afruar qëndrimet aktualisht të largëta midis serbëve të Kosovës dhe Qeverisë në Beograd, rreth Marrëveshjes së Brukselit.

Të parët konsiderojnë se “marrëveshja Thaçi-Daçiq” i ndan ata nga Serbia, ndërsa të dy dytët thonë se ajo u garanton atyre më shumë të drejta.

Daçiq ka shfaqur dëshirën për arritjen e unitetit, por nuk ka përjashtuar referendumin si një hap në këtë drejtim.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 28 April 2013 12:23

Beograd – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se për hir të së ardhmes së vendit të tij, askush më nuk ka të drejtë të fshihet, aq më pak pas Kosovës, sepse përpjekjet e reja për t’u fshehur do të përfundonin me eksode të reja, viktima dhe humbje të reja. Në shkrimin autorial për beogradasen “Politika”, Daçiq ka lënë të kuptohet se Serbia është bërë si “Gernika e Ballkanit”, pasi në njëzet vjetët e fundit “ka përjetuar të gjitha llojet e kataklizmës”.

“Shpërbërja e disa shteteve, përjashtimi nga komuniteti ndërkombëtar, sanksionet, varfëria, bombat, uria, plaçkitja e vetes dhe e pronave tona. Këtë, natyrisht, nuk e kemi bërë vetëm ne. Bota shpesh ka qenë e ashpër ndaj Serbisë. Por, pjesa që kemi bërë vetë gjithmonë është përcjellë me justifikime dhe arsyetime të përsosura”, ka shkruar Daçiq.

Sipas tij, çdo e keqe që Serbia i ka shkaktuar vetvetes është justifikuar me “qëllime të larta, qiellin, shenjtërinë, kombin.” “Kur për herë të parë, para më shumë se tre vjetësh, kam thënë se duhet të ndalojmë të gënjejmë dhe për temat e rëndësishme, siç është Kosova, duhet të flasim të vërtetën, kam nisur zinxhirin e ngjarjeve, i cili ka shkuar drejt një qëllimi – heqjes së justifikimeve”, ka thënë Daçiq.

Gjithnjë sipas tij, Marrëveshja e Brukselit është pikërisht kjo – heqja e barrës 20-vjeçare nga supet e popullit, “rrezikut se do të fajësohet dhe akuzohet nëse nuk zgjidh një detyrë të pamundur”.

Zhdukja biologjike e Serbisë, shkatërrimi i infrastrukturës së saj, shkatërrimi i ekonomisë, kulturës, shkencës, shëndetësisë, arsimit – të gjitha këto, ka shkruar Daçiq, janë arsyetuar me detyra të mëdha kombëtare, me “kërkimin katrorit të rrethit të Ballkanit” – “kjo është dashur të ndalet”.

“Qëllimi i parë, si qeveri dhe koalicion, ka qenë të ndalojmë të gënjejmë, edhe njëri-tjetrin, edhe të tjerët, njerëzit në Serbi, miqtë dhe armiqtë në botë. Të fillojmë, ngadalë, ta zbresim Serbinë në tokë”.

“Është dashur ta bëjmë një gjë të tillë, sepse në Serbi, për shkak të së ardhmes së saj, askush nuk ka të drejtë të fshihet. Dhe, për Zotin, nuk ka pasur ku të fshihet. Aq më pak pas Kosovës. Sepse, çdo tentativë e re për fshehje do të përfundonte me një eksod tjetër, më të dukshëm, me viktima dhe humbje të reja, me padrejtësi të reja”, ka shkruar kryeministri serb.

Kosova, sipas tij, do të vazhdonte, pa ndonjë gjykim apo përgjegjësi, kah Evropa, “ndërsa ne do të shtyheshim përsëri në një vrimë të thellë të Ballkanit, në dëshpërim, fatkeqësi, uri dhe mjerim”.

Kjo, sipas Daçiqit, nuk do të ishte e drejtë për fëmijët; nuk do të ishte e drejtë që atyre të mos iu lihet asgjë përveç ndjekjes së pakuptimtë të zgjidhjeve të pamundura.

“Dhe, i gjithë thelbi i marrëveshjes së Brukseit është kjo. Të shënojmë fillimin e fundit dhe fundin e fillimit. Të gjejmë mënyra, të bëjmë atë për të cilën jemi zgjedhur. Jemi zgjedhur për atë që Serbia të jetë vend ku ka punë, rrugë, shkolla, spitale, libra, teatro, barna dhe njerëz të kënaqur. Jemi zgjedhur nga zgjedhjet në tokë dhe jo në qiell. Ka përfunduar historia për Serbinë qiellore”, ka shkruar Daçiq për gazetën beogradase “Politika”.

 
Lajme Shqip Tuesday, 23 April 2013 14:42

“Kemi marrë garancione nga ata që komandojnë, se ushtria e Kosovës nuk guxon të hyjë në veri. Kjo është hera e parë që kemi marrë kësi garancionesh. Ato na janë dhënë nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, kurse e pranishme ka qenë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton. Ata janë garantuesit e marrëvëshjes”, ka thënë Daçiq, në një intervistë dhënë televizionit shtetëror serb, RTS.

Sipas tij, ushtria e ardhshme e Kosovës, ose cilido formacion tjetër, nuk do të mund të hyjë “në territorin e katër komunave”.

“Ata mund të hyjnë vetëm me bekimin e KFOR-it, përkatësisht NATO-s dhe atë në raste të katastrofave natyrore dhe me lejen e serbëve. Ne nuk kemi mundur të paramendojmë garancion më të madh”, ka thënë Daçiq.

Ai ka hedhur poshtë pohimet se me arritjen e marrëveshjes me Prishtinën, Beogradi “ka shitur Kosovën” për të fituar datën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, Daçiq ka nënvizuar se hyrja në BE është interes kombëtar dhe shtetëror i Serbisë, “meqë ky popull  duhet të jetojë më mirë, sepse Rusia është larg, sepse nuk mund të mbijetojmë vetëm – të rrethuar nga NATO-ja dhe BE-ja – dhe sepse nuk mund të kemi të ardhme më të mirë jashtë integrimeve”.

Duke folur ndërkaq për dobitë ekonomike nga hyrja në BE, Daçiq ka tërhequr vërejtjen se nëse Serbia, mbetet jashtë bllokut, atë do të mund ta tejkalojë edhe Shqipëria.

“Nëse Shqipëria na tejkalon në zhvillimin ekonomik, kjo do të thotë se ne si popull, duhe të kryejmë kolektivisht harakiri [v.j. nga japonishtja vetëvrasje]”, ka thënë kryeministri serb, për të shtuar se nuk ka gjë kundër Shqipërisë, por, siç ka thënë, “ky vend gjithmonë ka qenë sinonim i standardit të dobët jetësor”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 22 April 2013 11:43

Beograd – Do të të therim si një shqiptar. I tillë je ti!”, “P…, e shite Kosovën. Do të vritesh si Zorani (Xhinxhiç)”. Këto janë disa prej mesazheve që kanë marrë në celularët personalë Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç dhe zv.kryeministri Vuçiç, pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë. Kanë qenë anëtarët e Partisë Radikale serbe, të cilët ditën e djeshme në sheshin “Knez Mihailov” kanë shpërndarë numrat privatë të celularëve të kryeministrit Daçiç dhe zëvendësit të tij, Aleksandër Vuçiç. Ata u kanë kërkuar qytetarëve serbë që të shprehin rebelimin e tyre për marrëveshjen nëpërmjet mesazheve në celular. Mediat serbe raportojnë se anëtarët e SRS-së, partisë në të cilën më parë ishte zëdhënës Vuçiç, ndërsa Presidenti Tomisllav Nikoliç nënkryetar, kanë dërguar mesazhe kërcënuese dhe as nuk kanë tentuar të fshihen, duke u prezantuar me emër dhe mbiemër. Ndërkaq, ditën e djeshme një numër i madh qytetarësh serbë kanë shfrytëzuar maratonën e Beogradit, ku ishte pjesëmarrës edhe kryeministri Daçiç, për të bërë të tjera kërcënime. Në fillim të ngjarjes sportive, një grup brohoriste “Tradhti, tradhti”, ndërsa në fund disa prej tyre vrapuan duke mbajtur në duar një pankartë, ku shkruhej: “Nuk do ta japim Kosovën”.
DEKLARATA
Marko Gjuriç, këshilltari i Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç, ka deklaruar dje se me marrëveshjen e Brukselit, Serbia ka penguar përgjithmonë hyrjen e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, ka fituar garancinë dhe sigurinë për serbët e Kosovës dhe i ka legalizuar institucionet serbe para bashkësisë ndërkombëtare. “Me këtë marrëveshje kemi fituar garancinë e përhershme se Serbia nuk detyrohet të pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, se nuk do të detyrohet të njohë pavarësinë e Kosovës, se që nga fillimi deri në fund kemi kontrollin në shumë fusha. Janë arritur gjëra shu-më më të mëdha se sa për serbët në jug”, ka thënë Gjuriç. Ai ka shtuar se me marrëveshjen ndalohet edhe prania e forcave të sigurisë në komunat e veriut të Kosovës.
RAPORTI
Zyrtarët e lartë të Komisionit Evropian, Catherine Ashton dhe Stefan Fule, sot në Luksemburg do t’u dorëzojnë ministrave të Jashtëm të BE-së raportin për marrëveshjen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe për përparimin në reformat evropiane të Kosovës dhe të Serbisë. Shefat e diplomacisë evropiane do ta analizojnë raportin dhe mund të japin ndonjë vlerësim në konkluzionet e seancës. Ata theksuan se vendimet për Serbinë, nëse do t’i përcaktohet data e negociatave të anëtarësimit në BE dhe për Kosovën, mbi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, do të merren në qershor nga Këshilli i Evropës.
KUVENDI
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, deklaroi dje se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të ratifikohet në Parlament. “Në bazë të kërkesës nuk del që do të ketë ratifikim të marrëveshjes. Mund të jetë si pëlqim. Varet nëse këtë e kërkon kryeministri dhe nëse do të ketë mbështetjen e grupeve parlamentare. Për t’u ratifikuar, marrëveshja duhet të ketë formën e ligjit. Fjala është për raportim dhe pëlqim”, tha Krasniqi. Mbrëmë kryeministri Hashim Thaçi raportoi në Kuvend lidhur me marrëveshjen Kosovë-Serbi. (B.W/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 13 April 2013 08:52

Beograd – Serbia nuk do ta kërkojë që Rusia të vendosë diçka në vend të saj, spekulimet për mungesë uniteti në kreun shtetëror serb janë dëshmi e mentalitetit të keq, ndërsa dialogu me Prishtinën nuk lidhet me datën e fillimit të negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE, thotë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç. Sipas tij, vazhdimi i bisedimeve me Prishtinën është i domosdoshëm.

“Jua kujtoj se Serbia është e gatshme, nëse nuk do të ketë më ndërmjetës, për të vazhduar bisedimet e drejtpërdrejta me Prishtinën, kryesisht për shkak se problemi i Kosovës është problem i Beogradit, edhe Prishtinës, e ne duhet të gjejmë mënyrën që këtë ta zgjidhim. Pra, të gjitha konsultimet lidhen me vazhdimin e dialogut dhe gjetjen e zgjidhjes”, ka thënë Daçiç për Danas.

I pyetur nëse do të ketë marrëveshje para 22 prillit, kur takohet Këshilli i Ministrave të BE-së, Daçiç thekson: “Zgjidhje tjetër nuk kemi”. “Që nga dita e parë, takimi im i parë me Hashim Thaçin, qartë treguam se cili është përcaktimi i Serbisë. Edhe sot ne kemi një besim të mirë se ky përcaktim është i drejtë dhe i vetmi i mundshëm”.

“E dini, i kemi filluar negociatat të vetëdijshëm se çështja e Kosovës nuk mundet e as nuk guxon të jetë një çështje e gjakut dhe tokës, por një çështje e jetës së njerëzve që jetojnë atje”.

“Kemi qenë të vetëdijshëm për faktin se 32 vjet më parë, në prill, Kryesia e ish-RSFJ-së shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, për shkak të demonstratave studentore, dhe se Serbia e Kosova gjatë këtyre viteve, e deri më sot, jetuan në forma të ndryshme të gjendjeve të jashtëzakonshme. Kemi kërkuar që kjo të ndalet. Kemi kërkuar që ne dhe njerëzit në Kosovën të merremi me jetën, zhvillimin e tyre, kualitetin, sigurinë. Këto negociata deri tani dëshmuan se kjo është e mundur. Në fund, edhe çështjet që mbetën pa përgjigje ndërlidhen me këtë jetë. Kanë të bëjnë me atë se kush i ruan serbët në Kosovë, kush i gjykon, kush i mëson e kush i shëron”, transmeton Indeksonline.

“Së fundi, edhe Thaçi e vërejti mirë se mos arritja e marrëveshjes është dështim i Serbisë dhe i Kosovës, ndërsa do të shtoja se edhe vazhdimi i gjendjes së jashtëzakonshme, për të gjithë në Serbi dhe në Kosovë. Kësaj duhet t’i japim fund. Duhet të kthehemi në gjërat e rregullta e normale. Duhet, me një fjalë, t’ua mundësojmë jetën edhe serbëve e edhe shqiptarëve”, ka thënë Daçiç.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 March 2013 17:35

Beograd – Serbia porosit Kosovën se mund të qeverisë me pjesen veriore të territorit të saj, vetëm nëse përdor armët dhe forcën, sepse përndryshe autoritetin e saj nuk mund ta ushtrojë atje.

Porosinë e dha vetë kryeministri serb, Ivica Daçiq, i cili tha të martën paradite se njëjtë si Prishtina, as Beogradi nuk mund të ketë qeverisje në pjesë tjera të Kosovës, përpos veriut, nëse nuk përdor konflikt të armatosur, si mjet për të arritur qëllimet.

“Serbia nuk ka pushtet faktik në një pjesë të Kosovës, njëjtë siç Prishtina nuk ka pushtet faktik në veri të Kosovës. Dhe që, nëse Serbia do të donte të kthente pushtetin e saj në këtë pjesë të Kosovës, për shembull në Prishtinë, atëherë do të duhej ta bënte këtë vetëm me armë”.

“Nëse (kryeministri i Kosovës Hashim), Thaçi do të donte që Mitrovica veriore, të qeveriset nga Qeveria në Prishtinë, ai do të mund ta arrinte këtë, dhe duhet ta bëjë këtë, vetëm me armë. Për çfarë dialogu pra, dhe zgjidhje paqësore po flasim, nëse këto janë opsionet tona të vetme?”, tha Daçiq.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Beograd, pas kthimit të delegacionit të lartë shtetëror nga Brukseli, kryeministri serb tha se Serbia, për dallim nga Kosova, është e gatshme për kompromis.

Ndërkaq, shefi i Qeverisë në Beograd, sqaroi se ku qëndron problemi që po e pamundëson arritjen e marrëveshjes me Prishtinën.

“Serbia është e gatshme për marrëveshje. Por, kjo marrëveshje nuk mund të jetë brenda kornizave të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, por duhet të jetë një marrëveshje politike, në të cilën merr pjesë bashkësia ndërkombëtare, me garanci ndërkombëtare. Sepse me këtë gjë, ndër të tjera, përjashtohet edhe mundësia e një konflikti të armatosur”, u shpreh Daçiq.

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, janë takuar gjashtë herë me radhë, në saje të normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve.

Por, negociatat po vendnumërojnë, për shkak të mospajtimit të palëve se cilat duhet të jenë përgjegjësitë e Asosacionit te Komunave serbe te Kosovës. Beogradi insiston që ky mekanizëm duhet të ketë përgjegjësi ekzekutive, ndërsa Prishtina e kundërshton këtë format.

“Ne kemi vetëm një kërkesë, dhe atë: Ose na jepni Bashkësinë e Komunave Serbe, e cila do të ketë me çka të merret, ose të mos humbim më kohë në këtë temë”.

“Nuk shoh interesin përse SHBA-të janë përfshirë kaq shumë në anën e shqiptarëve në Kosovë, sepse nga deklaratat e tyre e shoh se ata më së shumti kundërshtojnë pushtetin ekzekutiv për këtë bashkësi. A e dini çka, nuk e kam shpikur unë Republikën Serbe, por ajo është shpikur në Dejton. Dejtoni, me sa e di unë është në territorin e ShBA-së. Përse është shpikur? Për të ndalur luftën në Bosnje e Hercegovinë”, tha Daçiq.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq i ka shpjeguar mediave në Beograd edhe për takimet që zhvillon me zyrtarë të lartë të administratës amerikane kur zhvillohen bisedimet në Bruksel:

“Kur do që zhvillohet dialogu, në Bruksel gjendet edhe i ngarkuari amerikan për dialogun Prishtinë-Beograd, zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker. Sigurisht, rastësisht ka disa obligime atë ditë në Bruksel, dhe unë jam i vetëdijshëm për këtë. Dhe, gjithmonë jam takuar me të, dhe gjithnjë reagimi i tij ka qenë se nuk bën Republika Serbe, nuk ka përgjegjësi ekzekutive. Unë nuk e di nëse ju e kuptoni se në çfarë atmosfere unë negocioj atje. Nuk e kuptoni se, përderisa unë flas për diçka, përfaqësuesit e BE-së tundin kokën.“. 

Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikolliq, zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri Ivica Daçiq janë takuar të hënën mbrëma në Bruksel me shefen e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Pas takimit, presidenti serb Nikolliq tha për mediat serbe se pala kosovare ka lëshuar pe, sa i përket ligjeve me të cilat do të qeverisë ky trup, që më pas do të rezultojë në zhbërjen e strukturave paralele që Serbia ka në Kosovë.

Serbise i eshte vene si kusht, relaksimi i raporteve me Prishtinën, nëse ajo dëshiron të ecë tutje në integrimet evropiane.

Kryeministri serb, Daçiq, paralajmëroi se Beogradi nuk do të zmbrapset nga qëndrimi i tij që Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë të ketë pushtet ekzekutiv, në fushën e policisë, drejtësisë, çështjeve të brendshme.

Sipas Daçiqit, në rast se këto parakushte nuk merren parasysh, atëherë Serbia ka gjasa të largohet nga tavolina e negociatave, meqë sipas tij, nuk dëshiron të humb kohë.(REL/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 07 March 2013 19:36

Në një deklaratë të zëdhënësit të DSS-së, Petar Petkoviq thuhet se, “nuk është gënjeshtër kur thuhet se Kosova është serbe, ashtu siç ka thënë Daçiq, por gënjeshtër është kur thuhet se Daçiq mbronë interesat kombëtare dhe shtetërore serbe”.

“Daçiq në kuptim të plotë ka poshtëruar pozitën e kryeministrit dhe ai nuk e meriton që të jetë kryetar i Qeverisë së Serbisë. Pasi që Daçiq në fakt nuk udhëheq me qeverinë por nënkryetari i SNS-së, me të drejtë mund të themi se Daçiq është kryeministër i rremë”, ka thënë Petkoviq.

Kryeministri i Qeverisë së Serbisë, në një intervistë në revistën javore serbe NIN, ka deklaruar se për dhjetë vjetë më radhë është gënjyer se “Kosova është e jona”.(REL/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 07 March 2013 14:42

Beograd – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar se për dhjetë vite më radhë është gënjyer se Kosova është serbe dhe atë në deklarata dhe qëndrime zyrtare.

“Ne kemi qenë të gënjyer duke thënë se Kosova është e jona edhe atë në qëndrime zyrtare. Një qëndrim i tillë, nuk na ndihmon aspak. Presidenti i Serbisë nuk mund të shkojë në Kosovë, as kryeministri dhe as ndonjë ministër. Aq më pak policia dhe ushtria serbe”, ka thënë Daçiq për javoren serbe NIN, transmeton B92.

Daçiq, sipas këtij artikulli, thotë se Kosova për afro dhjetë vite ka qenë temë tabu dhe se, askush nga zyrtarët serb, nuk ka pasur guxim ta thotë të vërtetën. Sipas tij, serbëve të Kosovës i është lejuar vetëm ta lënë vendin.

Kryeministri ka thënë se, Serbinë e pret një punë e pa kryer që ka të bëj me caktimin e hapësirave të veta dhe ngritjen e kufijve aktual shtetëror. Daçiq ka shtuar se duhet shtuar përpjekjet e Beogradit zyrtar që të ruajnë çdo gjë që është e mundshme nga Kosova dhe t’ju mundësohet komunitetit serbë një jetë normale dhe një e ardhme më e qartë. “Në këtë mënyrë, do të ketë të ardhme edhe për vetë Serbinë”, ka thënë kryeministri serb.

Agjencia e lajmeve Reuters, e ka vlerësuar deklaratën e Daçiqit si një shenjë që Beogradi është pranë një hapi historik për të siguruar datën e fillimit të bisedimeve më BE-në.

Sipas kësaj agjencie thuhet se, Serbia nuk do ta njohë Kosovën, por se ndodhet para një presioni të madh ndërkombëtar që t’i përmirësojë marrëdhëniet, si kusht për dhënien e “dritës së gjelbër” për fillimin e negociatave me BE-në.(LajmeShqip.com)