Lajme Shqip Monday, 06 February 2012 14:47

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (TAS) ka vendosur dënimin me dy vjet pezullim të Alberto Kontador, pasi ky i fundit ka rezultuar pozitiv në Turin e Francës 2010. Në të njëjtën kohë, TAS i ka hequr atij fitoren në garën franceze të vitit 2010, si dhe suksesin në vitin 2011 në Xhiron e Italisë.

Kontador rezultoi pozitiv në testin antidoping ndaj substancës clenbuterol por mbrojtja e tij argumentoi se bëhej fjalë për një substancë që gjendej në ushqimin e çiklistit spanjoll.

Çështja ka filluar që dy vite më parë dhe si rrjedhojë, pezullimi i tij përfundon me 5 gusht 2012. Por spanjolli nuk do të ketë mundësinë të marrë pjesë as në Turin e Francës të këtij viti dhe as në Lojërat Olimpike Londër 2012.

“Është një ditë e trishtueshme për sportin tonë. Nuk mund të thuhet se kemi fituar pasi në luftën kundër doping nuk ka kurrë fitues”, ishte koment i parë i presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Çiklizmit, Pat MekKueid. (LajmeShqip.com)