Lajme Shqip Wednesday, 02 October 2013 14:15

 

Mimoza Kusari sot e lë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë e edhe postin e Zëvendëskryeministres, por ajo s’ka shkuar pa e nënshkruar edhe një kontratë. MTI-ja ka nënshkruar edhe një kontratë me CNN dhe BBC për të transmetuar edhe një herë spote 30 sekondash për Kosovën. Njëra reklamë, raporton Koha Ditore, do të ketë si qëllim të tregojë arsyet pse duhet të investohet në Kosovë e tjetra shtatë sektorët prioritare për investime, siç janë ndër to përpunimi i drurit, ushqimi, tekstili, etj.

 

CNN do të marrë 400 mijë euro për emetimin e reklamës e BBC-ja ndërkaq 300 mijë euro. Sipas Valdrin Llukës, kryeshef i Agjencisë për Promovimin të Investimeve reklama do të transmetohet deri në pesë herë në ditë, dhe kjo sipas tij e bën dallimin nga fushatat tjera që janë bërë në këtë formë në këto rrjete televizive. 

Ministria që sot po e lë Mimoza Kusari Lila kishte dhënë më vonë 1 milionë euro për një fushatë tjetër e ku ishte deformuar monumenti ‘NewBorn’ në ‘NewPorn’.
Burime të Reporterit.net bëjnë me dije se xhirimi i spoteve që do të publikohet në dy mediat e njohura në botë është kompania Entermedia, dhe ata kanë dy javë kohë për të bërë xhirimet.

“Ministrja kishte insistuar që kjo kontratë të kryhet para se ajo të jepte dorëheqje”, ka thënë burimi i Reporterit nga MTI-ja.

Qeveria e Kosovës  edhe më herët ka dhënë miliona për spote të shkurta në televizionet botërore. Kontrata e parë kishte qenë me Saatchi & Saatchi, në vlerë prej 5.7 milionë euro për promovimin e shtetit të sapo shpallur, e që në realitet efekti i tyre ka rezultuar të jetë fare i vogël, për të mos thënë zero.