Lajme Shqip Monday, 30 April 2012 22:21

Një gol me kokë i kapitenit Vinsent Kompani ka dërguar Mançester Sitin në kreun e kampionatit anglez të futbollit dhe ka vënë skuadrën e drejtuar nga Roberto Mançini në një pozicion të favorshëm për të fituar titullin kampion pas suksesit 1-0 ndaj Mançester Junajtid në stadiumin “Etihad”. 

Ndeshja nuk kishte shumë ritëm por Siti arriti të merrte kryesimin në kohën shtesë të pjesës së parë. Kompani u tregua më i shkathët në lojën në ajër duke mundur Kris Smalling për të dërguar me kokë topin në rrjetë pas një goditje nga këndi të David Silvas.

Tensioni i lartë i kësaj sfide u përjetua edhe nga pankinat ku fillimisht Ferguson protestoi ashpër për një faull të Kompani ndaj Runit, e më pas u zu me Roberto Mançinin pas një ndërhyrje të De Jong ndaj Uellbek. U desh ndërhyrja e stafeve teknikë të dy skuadrave dhe e gjyqtarit të katërt që dy trajnerët të ndaheshin nga njëri-tjetri, ndërsa nuk kursyen fyerje të rënda.

Pavarësisht tentativave të Junajtid, situata nuk ndryshoi dhe Mançester Siti fitoi ndeshjen dhe kreun e kampionatit. Tashmë ekipi i Mançinit ka dy ndeshje që duhet të fitojë për të shpresuar që të sjellë në shtëpi titullin që i mungon prej sezonit 1967-68. (LajmeShqip.com)

Situata

Mançester Siti: 83 pikë, diferenca e golave +61

Ndeshje të mbetura: Njukasëll-Mançester Siti (06/05), Mançester Siti-QPR (13/05)

Mançester Junajtid: 83 pikë, diferenca e golave +53

Ndeshje të mbetura: Mançester Junajtid-Suonsi (06/05), Sandërlend-Mançester Junajtid (13/05)

 
Lajme Shqip Monday, 30 April 2012 12:06

Karlos Tevez ka deklaruar se kërkon të qëndrojë për një kohë të gjatë te Mançester Siti… vetëm 6 ndeshje pasi u kthye nga eksodi i tij 5 mujor.

Tevez dukej se do të largohej përfundimisht nga kjo skuadër gjatë janarit, pasi ishte shumë pranë transferimit te Milani, por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe ai u detyrua të kthehej te ky ekip.

Argjentinasi u bë menjëherë protagonist me skuadrën duke e ndihmuar që të ringjallte shanset për titullin kampion, pasi shënoi katër gola në 3 ndeshjet që është aktivizuar si titullar deri tani, ndërsa pritet që të jetë titullar edhe në derbin kundër Mançester Junajtid.

“Ky klub ka ndërtuar diçka të veçantë gjatë viteve të fundit. Ishte ky projekt dhe kjo ëndërr që më bëri të vij te Siti që në fillim. Unë kam qenë këtu që në fillimin e projektit dhe ndaj të njëjtën ëndërr me sheikun Mansur”.

“Ai ka qenë gjithmonë i shkëlqyer me mua dhe unë dua t’ia shpërblej besimin dhe të qëndroj këtu sado që të nevojitet për ta bërë këtë projekt të suksesshëm. Jam një person ambicioz. Dua të punoj dhe të fitoj tituj me Sitin. Kjo është gjithçka që ka kuptim për mua, si lojtar dhe person”, tha argjentinas.

Ndërkohë, çudia e dytë vjen nga trajneri Mançini, i cili pak kohë pasi e ka cilësuar “të padëshiruar”, “të mbaruar” apo “arrogant”, është i bindur se argjentinasi do të shkruajë historinë e klubit.

“Mendoj se Karlos është i destinuar të shënojë golin më të rëndësishëm në historinë e klubit”, ishin fjalët e trajnerit italian, duke aluduar për derbin që luhet sonte dhe që mund t’i japë titullin kampion Sitit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 14:36

Ndeshja derbi e të hënës mes Mançester Sitit dhe Mançester Junajtid do të vendosë fatin e titullit kampion në Angli dhe duket se tifozët e të dy skuadrave nuk duan që të humbin këtë mundësi për të parë idhujt e tyre.

Aq e lartë është kërkesa për bileta, sa aktualisht ato po shiten në internet me çmime që i afrohen 1500 eurove.

Kjo shifër do të thotë se blerësi i këtyre biletave është gati të paguajë 17 euro në minutë për të parë çfarë do të bëjë në këtë ndeshje Uejn Runi apo Serxho Aguero në stadiumin “Etihad” që ka 48 mijë vende.

Përveç faktit që për këtë ndeshje do të ketë forca të shtuara policie, drejtuesit e organeve të rendit në qytet frikësohen se mos shitja e pakontrolluar e biletave do të sjellë edhe uljen pranë njëri-tjetrit të tifozëve të të dy palëve, me pasojë përplasjen fizike gjatë ndeshjes.

Ata kanë bërë të qartë se çdo tifoz që do të shihet në sektorin e gabuar, do të nxirret jashtë nga stadiumi.

“Po i paralajmërojmë të gjithë tifozët që blejnë bileta në internet që ata mund të jenë false dhe nëse tifozët e një skuadre përfundojnë në zonën e tifozëve kundërshtarë, ata do të nxirren nga stadiumi”, ishte deklarata që lëshuan drejtuesit e policisë së Mançesterit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 April 2012 10:40

Pronari i Mançester Sitit, Sheiku Mansur, ka deklaruar se ky sezon është një sukses, edhe nëse skuadra nuk arrin të kalojë rivalët e Mançester Junajtid në luftën për titullin kampion në Angli.

Siti ndjek Junajtid me tre pikë diferencë, para derbit të së hënës që luhet në stadiumin “Etihad”, por kanë një diferencë më të mirë golash dhe e dinë se në rast fitoreje të tre ndeshjeve të fundit të këtij sezoni, ata mund të marrin titullin kampion që i mungon prej vitit të largët 1968.

Mansur, i cili nuk shfaqet shumë në publik për të bërë deklarata, foli për “Abu Dabi TV” duke treguar se ishte i emocionuar për shansin që kishte skuadra për të marrë titullin.

“Diferenca është tre pikë dhe ne kemi një shans real për të triumfuar. Por çfarëdo që të ndodhë, edhe nëse nuk fitojmë, unë jam i lumtur dhe i kënaqur me lojtarët, stafin dhe drejtuesit. Ata janë paraqitur mjaft mirë dhe janë përmirësuar në ndeshjet e tyre të fundit”, ishin fjalët e tij.

Këto komente ishin një sinjal i qartë për trajnerin Mançini që ai duhej të vazhdonte qetësisht punën e tij dhe të bënte maksimumin për të marrë titullin në këtë sezon, apo atë pasardhës. (LajmeShqip.com)